Media

Fuga: Përse Lulzim Basha ka shanset politike në favor të tij

18:59 - 24.02.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Artan Fuga

Vazhdon prej disa ditësh lëvizja për zgjedhje të lira nëpërmjet një qeverie teknike.
Një nga elementet e rëndësishëm është roli dhe statura e ndryshuar që ka marrë drejtuesi i PD Lulzim Basha në këto ditë.
Pse ai, sipas meje, i ka shanset në anën e tij ?
Nuk bëj parashikime për zgjedhjet e ardhshme sepse nuk di dhe nuk dua t’i bëj, por flas për shanse në aksionin e tij politik aktual.
Mbledh njerëz, madje masa të mëdha, tregon se ka pas tij një aparat politik efikas, ka rrjet në të gjithë vendin se përndryshe nuk i mobilizonte dot të ardhurit nga rrethet, pra i ngjit fjala në elektoratin e tij, dhe po dëshmon tone të vendosura që opinioni nuk ja ka konstatuar më parë.
Ku qendrojnë disa atu që mesa duket ai ka në dorë ?
E para se ai dhe lidershipi që drejton ka mjaft në dorë të bëhen apo të mos bëhen zgjedhje në Shqipëri.
Prandaj, duhet parë mirë dhe seriozisht, sipas meje, kur ai thotë se nuk do të ketë zgjedhje fare nëse ato nuk do të jenë të lira. Nuk thotë se do t’i bojkotojë zgjedhjet.
Kushtetuta shqiptare, sado e keqe të jetë, në disa pika ka bërë kujdes që të mbështetet te parimi i dialogut dhe mirëkuptimit midis opozitës dhe pushtetit. Pesë ditë para zgjedhjeve, Lulzim Bashës grupimit politik që ai përfaqëson do t’i mjaftonte të hiqte nga komisionet e votimit, në qendër dhe në bazë antarët që vijnë aty nga opozita dhe gjithçka do të bëhej pothuajse e pamundur.
Ne do të ngeleshim një « demokraci » pa zgjedhje.
Mendoni një parlament të ardhshëm pa deputetët e opozitës ?
Ata që kanë në ngarkim organizimin dhe administrimin e procesit elektoral e dinë mirë se nëse deputetët e opozitës nuk shkojnë në Kuvend, nëse antarët që marrin pjesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në komisionet lokale nuk paraqiten, nëse antarët e AMA-s bojkotojnë, sigurisht zgjedhje nuk mund të ketë.
Kurse ne qytetarët duam zgjedhje sepse është e drejta jonë.
Të lira, sigurisht, jo vetëm të lira, por edhe të barabarta, pra edhe me shanse të barabarta për të gjithë kandidatët.
Po sikur kandidatët për deputetë të opozitës pasi të shpallen dhe rregjistrohen të dorëhiqen në momentin e fundit ?
Të gjitha këto rreziqe janë, prandaj është në të mirë të demokracisë që pushteti dhe opozita t’i shpëtojnë zgjedhjet.
E dyta, sepse Lulzim Basha i iku një dështimi të mundshëm në zgjedhje që do t’i faturohej atij personalisht nga konkurrentët e tjerë brenda partisë së tij. Pavarësisht sesi do të jetë rezultati real në zgjedhje.
Nëse do të shkonte në zgjedhje pa vendosur kërkesa për të qenë të lira dhe të ndershme, në rast humbjeje, atë do ta tregonin me gisht brenda formacionit të tij politik, si shkaktari i humbjes. Kurse duke treguar se ai shkon në zgjedhje vetëm në kushte lirie të siguruara, Lulzim Basha, fton të gjithë lidershipin e partisë, grupin e deputetëve, militantëve për t’u bërë pjesë e përgjegjësisë të përbashkët.
Këta të fundit, ose duhet ta ndjekin në këtë proces kontestues që ai ka filluar, ose nesër duhet ta mbajnë ata përgjegjësinë e përbashkët e një humbjeje në zgjedhje.
E treta, duke u vendosur në krye të protestës, Lulzim Basha në fakt e ka filluar qysh tani fushatën e tij elektorale.
Ai kapërceu censurën në media, zuri vendin qendror në informacionet e përditshme, si edhe krijoi figurën e një lideri politik që është vendosur në kontakt të drejtpërdrejt me masën e elektoratit të tij.
Vetëkuptohet që brenda lidershipit opozitar të demokratëve tanimë ai ka staturën e figurës politike që paraqet partinë para masës së elektoratit.
Duke ditur se është grupi i ngushtë udhëheqës me kryetarin e partisë që në Shqipëri bën listat e deputetëve, kuptohet sesa më shumë ditë kalojnë, aq më vendimtare bëhet përzgjedhja e deputetëve të ardhshëm. Sigurisht me këtë sistem zgjedhor që kemi, nuk mund të kërkosh të jesh edhe deputet i një partie dhe të kundërshtosh vijën politike të partisë. Do të ishte një kundërthënie.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.