KULTURË

Kreu i Institutit të Arkeologjisë: E vërteta e shantazhit për “Velierën”

18:10 - 01.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira NIKOLLI

 

Ka një “vendim” të Institutit të Arkeologjisë sa u takon mureve të dala në dritë në Durrës gjatë punimeve për projektin ‘Veliera’ pranë Torrës Veneciane. Drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita thotë në një intervistë për “GSH” se ndërsa raporti i gërmimeve po bëhet gati, ka një zgjidhje se si mund të ruhet.

“Ne mendojmë paraprakisht, se nëse i shtojmë këtij bastioni, murin paleobizantin të shek. V-VI që ndodhet në kufijtë e kësaj zone, së bashku me Torrën veneciane ndoshta krijohet një kompleks i bukur arkeologjik e historik i kësaj zone, e cila ndoshta, nuk e di, mund të jetë një simbiozë e një bashkëjetese mes kohëve, duke treguar kështu historinë e kësaj zone”, tha dje për ‘GSH’, Përzhita. Ai jep një sqarim edhe për artefakte të perandorit August, të gjetura në zonë. Ndërkohë, Përzhita mohon të ketë pasur presion për të ndryshuar raportin që do të dërgohet në Ministrinë e Kulturës.

-Para se të dorëzoni raportin, në ç’fazë janë sondazhet arkeologjike?

Në fund të muajit janar është nënshkruar një kontratë trepalëshe mes Bashkisë së Durrësit, DRKK Durrës dhe Institutit të Arkeologjisë për të verifikuar strukturat që dolën në sipërfaqe si rezultat i punimeve që bënte bashkia me firmën për projektin “Veliera”. Deri tani, grupi i arkeologëve po punon atje me në krye Edi Shehun dhe dy arkeologë të tjerë, dy specialistë që merren me dizajin dhe një pjesë e fuqisë punëtore, që e marrim në Durrës në gërmimet që bëjmë me të huajt. Në jemi në pritje të raportit, i cili besoj se brenda tri ditëve do të dalë. Raporti do të vlerësojë të gjithë situatën arkeologjike dhe historike të këtij monumenti që ne po gërmojmë aktualisht, analizon gjithçka që nga datimi i ndërtimit të godinës, materiali përbërës, funksioni, dhe deri në fazën e fundit të shkatërrimit. Do analizohen jo vetëm vlerat arkeologjike, por edhe historike të monumentit, ne këtë raport do ia paraqesim Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i cili siç dihet, është në Ministrinë e Kulturës. Bashkë me këtë, ne do të paraqesim edhe disa opsione tonat, në lidhje me situatën e ruajtjes ose zhvillimit të këtij monumenti.

-A mund të themi që sondazhet kanë nxjerrë në dritë surpriza për zonën pranë “Velierës”?

Unë nuk do doja të flisja në detaje para raportit. Unë mund të them se është grumbulluar një material i detajuar jo vetëm arkeologjik, por edhe historik. Ka dokumentacion të jashtëzakonshëm, që është marrë duke filluar që nga shekulli i XVI e deri në vitin 1926, kur ra.

-Objekti ka qenë konaku i Princ Vidit.

Po, së fundmi. Ka historinë e vet më të hershme. Është një bastion buzë detit, që ka kronologjinë e vet të ndërtimit.

-Cili do ishte propozimi juaj i mundshëm për të ardhmen e atyre mureve?

Ne mendojmë paraprakisht, se nëse i shtojmë këtij bastioni murin paleobizantin të shek. V-VI që ndodhet në kufijtë e kësaj zone, së bashku me Torrën veneciane ndoshta krijohet një kompleks i bukur arkeologjik e historik i kësaj zone, e cila ndoshta, nuk e di, mund të jetë një simbiozë e një bashkëjetese mes kohëve, duke treguar kështu historinë e kësaj zone. Por, Instituti i Arkeologjisë dhe specialistët e tij kanë të drejtën e propozimit, kanë të drejtën e dhënies së mendimit në lidhje me gjithë strukturat, më pas Ministria e Kulturës besoj do të ngrejë një komision ndërinstitucional, ku përveç arkeologëve, do ketë anëtarë nga Instituti i Monumenteve dhe urbanistë, dhe së bashku me Bashkinë e Durrësit, shpresoj dhe besoj – nuk ka arsye pse jo – të gjejmë një zgjidhje, siç është e mira e zhvillimit të zonës së Durrësit.

-Meqë ka pasur pretendime se ajo zonë ka qenë vetëm breg, a mund të na thoni, nëse deti ka ardhur duke hyrë në qytet apo duke i ikur qytetit?

Deti ka ardhur deri te bastioni ku po gërmohet. Dihet që pas tërmetit në Durrës, shumë prej objekteve të shkatërruara u përdorën për të mbajtur detin, aty filloi edhe historia e portit të Durrësit, pasi përpara ka qenë një skelë që mbrohej nga ky bastion. Flasim për shek. XVII. Gërmimet këtë kanë treguar që deti ka qenë i avancuar deri në afërsi të bastionit.

-Pra, propozimi i Institutit të Arkeologjisë është për t’i ruajtur muret e dala në dritë?

Ne nuk jemi për të zbuluar, jo për të mbuluar arkeologji. Ndaj quhen zbulime arkeologjike. Ne edhe dy gurë po të gjejmë, duam t’i ruajmë. Unë mendoj se është në të mirë të të gjithë këtij kompleksi. E dyta, do biem dakord në KKA dhe me bashkinë, që të vazhdojmë gërmimet, pasi kjo është vetëm një fazë. Ne do vazhdojmë gërmimet dhe do lidhim rrënojat që kanë të bëjnë me bastionin dhe më vonë me konakun e Princ Vidit me murin bizantin të shekullit V-VI.

-Sa largësi ka mes murit bizantin dhe këtyre rrënojave?

Besoj se janë 35 metra.

-Çështja është ndjekur edhe nga një debat i madh, edhe sepse ndër vite Durrësi nuk i ka ruajtur zbulimet, doja të dija nëse keni ndjerë apo jeni vënë në presion gjatë kohës së këtij debati, nga politika apo nga individë?

Unë si Institut jo, sepse më 2016 kemi pasur aktmarrëveshje me bashkinë, ku i ofrojmë asistencë shkencore në mënyrë që çdo investim që bëhet në Durrës të ketë dokumente nga ne. As nga politika nuk kam pasur presion. Problemi është se ne si institucion që jemi dhe profesionistë të fushës, nuk ndihemi mirë as për abuzimet me datimin, as për abuzimet me monumentin.

-Profesor, a ka tentuar njeri këto kohë t’u ofrojë para, t’u korruptojë në mënyrë që rezultati i këtyre sondazheve arkeologjike të shkojë në favor të ndërtimit të “Velierës”, ose për të kundërtën?

Kam vetëm një përgjigje: absolutisht jo. Grupi i arkeologëve që punon sot në Durrës, merr vetëm rrogën. Asgjë më shumë. Edhe transporti, edhe çdo gjë tjetër janë të shtetit. Pjesa e tjetër është aludim. Nuk bëjmë pjesë në asnjë lloj grupi. Nuk ka një raport përfundimtar për gërmimet. Ai raport ende nuk është bërë.

-Ka dalë në dritë një artefakt i perandorit August, por cila është historia e tij?

Pjesa e ndërtimit që shohim në strukturën e vet ka edhe blloqe që janë me mbishkrime latine. Po t’i shohim me kujdes, këto blloqe janë të lidhur me njëri-tjetrin me llaç mesjetar. Por, blloqet e asaj kohe, nuk janë lidhur me llaç. E dyta, shumica e blloqeve janë më kokë poshtë. Nëse do të ishin vënë aty për herë të parë, nuk kishin pse të ishin mbishkrimet me kokë poshtë. Këto ndodhin, sepse kur është ndërtuar objekti ka pas mure romake e bizantine. Është marrë materiali përreth për të ndërtuar godinën që flasim e shohim sot. Quhej ‘spolje’-material i marrë nga një vend dhe i vënë në vend tjetër. Edhe Roma ka përdorur shumë materiale helenistike për të bërë ndërtimet e veta, siç shumë tempuj janë kthyer në bazilika, etj. Edhe Amfiteatri i Durrësit ka qenë kthyer në varrezën e qytetit, më pas në një ndërtim tjetër, në kapelë bizantine, etj. Në rastin konkret kemi të bëjmë më materiale të marra në zonë e të ripërdorura. Kanë vlerë sepse tregojnë mbishkrim ose një të dhënë për periudhën romake, por nuk kanë vlerë kronologjike, për të treguar se ky mur është i asaj kohe.

-Nuk ka qenë aty?

Jo, nuk janë gjetje të palëvizshme, që kanë qenë aty gjithnjë, janë të ripërdorura, janë të lëvizshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.