EKONOMI

Urdhri i Beqajt/ Planifikimi i rezonancës do bëhet nëpër spitalet rajonale

10:46 - 06.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ola Mitre




Prej muajit mars, pacientët e rretheve nuk do të kenë më nevojë të vijnë në kryeqytet për të bërë planifikimin e rezonancës magnetike. Gjithçka përcaktohet në një urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të cilin “Gazeta Shqiptare” e disponon. Sipas dokumentit, që mban datën 24 shkurt 2017, do të jetë mjeku specialist i spitalit rajonal që do të referojë pacientët që duhet të bëjnë këtë ekzaminim. Ata do të plotësojnë një format, që i bashkëngjitet urdhrit, ku përfshihen detaje të studimit të gjendjes së pacientit për këtë ekzaminim.

Më pas, personat e referuar nga mjeku specialist i spitalit rajonal do të paraqiten në Drejtoritë Rajonale të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për plotësimin e dokumentacionit dhe caktimin e vendit dhe ditës për përfitimin e rezonancës. Ndërkohë që, do të jenë Drejtoritë Rajonale të Fondit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimit Spitalor dhe Kontrollit Universitar, që do të plotësojnë dokumentacionin për të sëmurët e referuar për kryerjen e ekzaminimit, si dhe vendin e datën. Ndërkaq, për Qarkun e Tiranës të drejtën e referimit për rezonancë magnetike e ka çdo mjek konsulte universitare, i cili plotëson të njëjtin format si mjekët e rretheve. Më pas, personat e referuar nga mjeku specialist i konsultës universitare do të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor dhe Kontrollit Universitar të Fondit, për plotësimin e dokumentacionit dhe caktimin e vendit dhe ditës për përfitimin e këtij ekzaminimi.

Investimet

Përtej lehtësimit të procedurave për pacientët, nuk kanë munguar investimet në drejtim të ofrimit të këtij ekzaminimi në spitalet publike. Në qershor të vitit 2015 u përurua pajisja moderne e rezonancës magnetike në Spitalin Universitar të Traumës. “Kjo pajisje e re dhe moderne plotëson nevojat për ekzaminime imazherike në Qendrën Kombëtare të Traumës në Shqipëri. Ajo do të shërbejë për rastet e urgjencës, por edhe zgjerojmë ofertën e këtij ekzaminimi të nevojshëm në spitalet tona publike edhe për rastet e planifikuara”, – u shpreh në atë kohë ministri Beqaj. Ndërkohë që, drejtori i këtij spitali, Gjovalin Bushi vlerësoi rëndësinë e kësaj pajisjeje. “Spitali i Traumës jo vetëm që nuk kishte rezonancë më parë, por në 2013-ën nuk ka pasur as skaner. Është një investim i madh i Qeverisë Shqiptare, dhe duam të falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë për impenjimin që ka pasur për shtimin e aparaturave për diagnostikimin sa më të madh të pacientëve. Rezonanca e kompleton spitalin me të gjitha ekzaminimet e nevojshme, urgjente dhe të planifikuara, dhe do të ulim radhët e pritjes edhe në spitalet e tjera”, – tha Bushi. Ndërkaq, në janar të vitit 2016 nisi funksionimin pajisja e rezonancës edhe në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Deri në atë moment, pacientëve të Qarkut të Shkodrës dhe zonave përreth, u duhej të shkonin drejt kryeqytetit, apo në rast të kundërt duhej ta kryenin në spitalet jopublike kundrejt çmimeve të larta.

 

Ekzaminimi

Imazheria e rezonancës magnetike është një ekzaminim mjekësor joinvaziv, i padhembshëm, që ndihmon mjekët në diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme kur metodat e tjera radiologjike janë të pamjaftueshme. Rezonanca magnetike përdor fushë të fuqishme magnetike, valë radioje dhe një kompjuter për të prodhuar pamje të detajuara të organeve, indeve të buta, kockave dhe virtualisht të gjitha strukturave të tjera të brendshme të trupit. Imazhet e detajuara i mundësojnë mjekut të vlerësojë më mirë pjesët e trupit dhe sëmundje të veçanta që nuk mund të përcaktohen në mënyrë të përshtatshme me metodat e tjera të imazherisë, si rreze x, ultratinguj ose skaner.

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.