EKONOMI

Si të regjistroni on-line në Hipotekë objektin që keni legalizuar

08:58 - 07.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Ornela Manjani

 

Përfundon procesi i pajisjes me leje legalizimi për 100 mijë objekte të ndërtuara pa leje. Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë pajisur me leje legalizimi 4.943 objekte. Ndërkohë, ka përfunduar gjithë procesi i identifikimit dhe përfundimit të gjithë procedurave ligjore për të gjitha ndërtimet pa leje në Durrës dhe Shijak. Të dhënat janë bërë të ditura nga ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. “Me mbi 3 mijë leje legalizimi që shpërndamë në fundjavë në Sukth, mbyllëm përfundimisht legalizimin e ndërtimeve pa leje në zonat informale në Bashkitë Durrës e Shijak. Shifra rekord e legalizimit të afro 100 mijë objekteve në vetëm 32 muaj është sukses i punës dhe përkushtimit të stafit të ALUIZNI-t dhe, pa dyshim, bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve. Ne e nisëm këtë vit të ri pune me realizimin e një prej angazhimeve tona më madhore në programin tonë qeverisës 2013-2017, atë të legalizimit në zonat masive informale. Vetëm për periudhën janar-shkurt 2017 kemi legalizuar 4.943 objekte”, shkruan ministrja në faqen e saj zyrtare në “FB”. Ndërkohë që, personat që kanë marrë leje mund të aplikojnë për të marrë hipotekën në faqen “e-Albania”.

Procedura

Personat që kanë ndërtuar pa leje dhe janë pajisur me lejen e legalizimit, mund ta marrin tapinë për shtëpinë apo njësinë e biznesit brenda 10 ditëve, me një kosto prej 5 mijë lekësh. Shërbimi ofrohet në “e-Albania”. Pronari i objektit duhet të identifikohet në faqen zyrtare në internet me numrin e kartës së identitetit ose pasaportë biometrike (të nevojshme për t’u loguar në portalin “e-Albania”) dhe të dërgojë një shkresë përcjellëse nga institucioni që ka lëshuar lejen e legalizimit.

Aplikimi online

Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë qytetarëve që të dërgojnë një aplikim për regjistrimin e objekteve të legalizuara. Bëhet regjistrimi i objektit të legalizuar menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizmit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, të lejes së legalizimit dhe dokumentacionit. Regjistrimi kryhet në favor të subjektit, të cilit i është lëshuar leja e legalizimit. Pas dërgimit të aplikimit drejt ZRPP-së, ai do të procesohet nga specialisti i ZRPP-së dhe në varësi të informacionit, kthimi i përgjigjes dhe i materialeve të kërkuara nga kërkuesi kryhet nëpërmjet informimit me email, dërgimit të përgjigjes elektronike te “Dokumentet e mia” në profilin e qytetarit në “e-Albania”, si dhe me shërbim postar nëse qytetari kërkon përgjigjen në format letër. Kërkesa për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), në zbatim të ligjit nr. 33/2012, bëhet nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij, noteri apo asistenti i noterit. Pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme funksionon Regjistri Elektronik i Përpunimit të Kërkesave, i cili garanton trajtimin e praktikave sipas radhës së paraqitjes së kërkesave. Minimalisht, në regjistër regjistrohen numri i kërkesës, data e paraqitjes dhe data e përfundimit të afatit për trajtim, sipas rendit kronologjik.

Kërkuesi

Kërkuesi, që paraqet një kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga ZRPP-ja, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe kodin e sigurisë, me anë të të cilëve mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.