KULTURË

Akademia e Shkencave, përgjigje prof. Dhimës: Pse nuk u zgjodhët “Anëtar”

11:54 - 08.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




DEKLARATA E AKADEMISE SE SHKENCAVE

Ditët e fundit në mediat e shkruara është botuar një letër e hapur e prof. dr. Aleksandër Dhimës drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave, përmes së cilës autori konteston vendimin e asamblesë së kësaj Akademie për moszgjedhjen e tij si “Akademik i asociuar”, në përfundim të procesit të hapur të konkurrimit të parashikuar me ligj e statut.
Në shenjë detyrimi për të sqaruar opinionin e gjerë shkencor e publik në vend, kryesia e Akademisë së Shkencave bën me dije se praktika për zgjedhjen “Akademik i asociuar” është zbatuar rreptësisht konform bazës ligjore dhe akteve nënligjore përkatëse në fuqi.
Për këtë e ndiejmë të nevojshme të njoftojmë:
-Asambleja e Akademisë së Shkencave fillimisht miratoi vendet dhe fushat e konkurrimit, sipas propozimeve të seksioneve.
-Mbështetur vendimit të Asamblesë, u shpallën publikisht në faqen zyrtare të institucionit dhe në rrjetet sociale të këtij institucioni “Thirrja për pjesëmarrje” dhe “Kriteret për konkurrim”, dokumente që u janë dërguar shkresërisht edhe universiteteve publike e private, senateve, këshillave të profesorëve, instituteve kërkimore dhe të gjithë të interesuarve etj.
-Seksionet e Akademisë së Shkencave gjithashtu kanë ftuar nominalisht anëtarët e tyre që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.
-Pas fazës së shprehjes së interesit prej kandidatëve konkurrues sipas afateve të parashikuara, dosjet e tyre, bashkë me dokumentet shoqëruese, u administruan zyrtarisht dhe pas kësaj u vunë në dispozicion të gjithësecilit anëtar të Asamblesë për njohje dhe vlerësim.
-Seksionet organizuan në kohën e parashikuar mbledhjet përkatëse, ku kandidatët e paraqitur u ftuan në dëgjesë të hapur. Njëkohësisht kandidatëve iu bënë pyetje dhe u këmbyen mendime e diskutime nga anëtarët e seksioneve.

– Konform Statutit, seksionet organizuan edhe votimin e fshehtë për renditjen e kandidatëve, dhe kjo listë jodetyruese, por informuese, iu dërgua Asamblesë për votim në mbledhjen e ardhshme.
-Pas kësaj procedure, Kryesia propozoi datën e mbledhjes dhe bëri me dije rendin e ditës, ashtu siç kërkohet nga ligji dhe Statuti, duke theksuar detyrimin për të zbatuar votimin e fshehtë.
-Në mbedhjen e saj të datës 6 mars 2017, pas miratimit të rendit të ditës, u zhvillua procedura e votimit të fshehtë. Në votim morën pjesë 23 akademikë të pranishëm fizikisht. Ndërsa 7 akademikë e shprehën vullnetin e tyre përmes votimit me zarf të mbyllur (të sekretuar). 3 akademikë nuk ishin të pranishëm dhe nuk morën pjesë në votim. Në përfundim të votimit, rezultati ishte 18 vota për prof. dr. Shaban Sinanin, 10 vota për prof. dr. Aleksandër Dhimën dhe 2 vota abstenim. Fitues u shpall kandidati që morri 50 për qind + 1 votë të shumicës së Asamblesë së Akademisë së Shkencave, të përbërë nga 33 akademikë.
-Dy kandidatët e përmendur konkurruan në fushën e antropologjisë. Pa hyrë në shpjegimin e dikurshëm dhe të sotëm të këtij termi, që e gjykojmë të tepërt, theksojmë se Asambleja e Akademisë së Shkencave, në shpalljen e fushave të konkurrimit, është udhëhequr nga parimi që fushat të jenë gjithëpërfshirëse dhe të lejojnë mundësi të mëdha pjesëmarrjeje. Në fushën e antropologjisë, pa specikifime të tjera, mund të konkurronin edhe specialistë të antropologjisë fizike, edhe specialistë të antropologjisë metafizike, shpirtërore, siç dhe ndodhi. Këtë Akademia e Shkencave e konsideron si zgjedhje të suksesshme. Përfshirja në konkurrim edhe e specialistëve të antropologjisë fizike, edhe e atyre të antropologjisë kulturore, është bërë në respekt të këtyre termave edhe në kuptimin juridik të tyre në shtetin shqiptar.
-Në përfundim, riktheksojmë se të gjithë hapat e hedhur për ta finalizuar këtë proces, që sjell kolegë e prurje të reja shkencore në Asamblenë e Akademisë së Shkencave, janë qartësisht të dokumentuara dhe janë bërë publike e transparente për këdo e në afatet e parashikuara.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.