KULTURË

Agron Alibali: Konica kishte shpërthime nga depresioni i thellë

07:59 - 12.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Tek Faiku gjejmë “ngrehinën”

më të plotë të shtetit shqiptar

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Me formimin e tij, juristi Agron Alibali patjetër do ta fuste në hulli jurisprudence personazhin e vet. Jo më kot, monografia e tij kushtuar Faik Konicës, nuk ka mëtuar të sjellë vetëm publicistin, diplomatin dhe një nga rilindasit e fundit, por edhe konstitucionalistin e shquar. Bash, ky atribut i fundit, përbën dhe veçantinë më të madhe të objektit të monografisë, botuar pak javë më parë me titullin “Faik Konica, dritë-hijet e një diplomati”.

Vetëm se për të hedhur dritë në këtë fakt, Agron Alibali ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke rrëmuar në dokumente të njohura dhe po kaq të panjohura (në mos më shumë), për të treguar të gjithë atributet e këtij njeriu të jashtëzakonshëm.

Në monografinë pothuaj shteruese të Alibalit gjen përgjigje për shumë e shumë e gjëra, që jo vetëm e kureshtojnë njeriun e zakonshëm, por e grishin për më tej.

“Jam përqendruar tek Konica për shkak të monografisë, dhe për faktin se ai ishte veçanërisht i mprehtë, i kthjellët, erudit, si dhe i botuar. Konica, për shembull, është i pari që na njofton për përpjekjen e dështuar kushtetuese të Ali Pashë Tepelenës. Mirëpo kjo duhet kërkuar më tej. Jam përpjekur, pa sukses, të gjej korrespondencën “kushtetuese” të Aliut me Metternich-un në arkivën përkatëse në Pragë. Stafetën ua lë të tjerëve, që shpresoj do të jenë më me fat…Mirëpo ka vend që kërkimet për mendimin shtetformues dhe kushtetues të përqendrohen edhe tek personalitete dhe burra të tjerë të shtetit shqiptar, çka do të përbënte kontribut të veçantë në Historinë e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri”, është shprehur Alibali për “Milosao”.

Vetë Konica është interesant në atë që i atribuon vetes: “Mund të thuhet, ndofta, pa e tepruar, se unë jam themeluesi i lëvizjes kombëtare në Shqipëri, si dhe shkrimtari më i njohur në gjuhën shqipe; por kjo nuk ka të bëjë fare me diplomacinë…”, shkruan më 1934.

Libri ka logjikën e periodizimit të shtetit shqiptar dhe ndih në historinë e shtetit dhe së drejtës.

Kushtetuta është “guri mi të cilin mpshtetet tërë trupi politik i një kombi të tërë”, shprehej ai para se të merrte detyrën e diplomatit. Por, Konica jep dhe verdiktin e tij: Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen me Asamble Kushtetuese, dhe se vendi duhet të kishte parlament me dy dhoma, ku Senati të ishte një forum “me dinjitet të veçantë dhe të nderojë Shtetin”.

Intervista jonë me studiuesin e tij hedh dritë edhe në shumë të pathëna, që jemi munduar t’i nxjerrim përmes fjalëve të kursyera të autorit, që duhet vlerësuar për punën e tij.

 

 

Intervistoi Ben Andoni

 

Puna juaj në këtë monografi vlen për një vlerësim të madh. Një punë e madhe që ka mundur të rrokë sa mundë personalitetin e personazhit tuaj. A keni dashur ta sfidoni disi vetë Konicën me zbulimin “e pamëshirë” që i keni bërë?

– Së pari ju falenderoj për vlerësimin dhe për mundësinë që të shprehem në faqet e rubrikës suaj. Faik Konica është personalitet i veçantë që rrallë u druhet sfidave. Si mali, që na shfaqet përpara me honet e larta dhe humnerat e përhumbura, ashtu edhe Konica ka kulmet dhe lugjet e veta. Nga ana metodologjike monografia mbështetet në burime parësore, dhe analiza juridike bazohet në dokumentin a faktin e qëruar e të kthjellët. Në ndonjë rast përfundimet i janë lënë vetë lexuesit. Mirëpo, para së gjithash, është mbajtur parasysh edhe mesazhi në poezinë madhështore të Kadaresë, të titulluar “Epilog brezave që vijnë”, ku shkrimtari bën thirrje për prudencë e maturi në gjykimin e brezave të përparmë. Sfida më e madhe, ku e gjejmë veten ende të mundur, është biblioteka e Konicës, pasuri shumë e çmuar e me vlera të rralla, të cilën ai ia besoi Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Zbulimi është vërtetë i “pamëshirë”, por ende i pjesshëm, dhe ky amanet i tij mbetet ende i papërmbushur edhe sot, pas 75 vjetësh.

Faik Konica i çmitizuar në këtë botim është mitizuar në përfundim të tijin me atë përmasë që del nga hulumtimi juaj skrupuloz. A ju duket se ju ka dalë disi “jashtë” kontrollit kjo masë informacioni që ka krijuar përmbajtjen e librit?

– Informacioni ka qenë i gjerë. Figura e Konicës jepet në raport me njerëzit që e rrethonin. Rrjedhimisht, aty dalin edhe shumë personazhe të tjerë, që njëfarësoji lidheshin apo “përplaseshin” me të. Mirëpo Konica deri në fund të befason me gjetje të reja e të mahnitshme. Për shembull, një shkrim i tij, pa emër, doli në fund në një numër të rrallë të Diellit më 1942, që tashmë është pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare. Shkrimi titullohet “Die dhe Sot”, jepet në libër dhe i atribuohet Faikut për herë të parë. Eshtë njëfarë “Apologjie e vërtetë e Konicës”, ku ai u përgjigjet kritikëve për kinse luhatjet në qëndrimet e tij, çka e bën me forcën karakteristike të argumentit “të kthjellët”, të qëndisur me pendën e tij të magjishme.

Libri është vlerësuar me Çmimin Faik Konica, të Federatës Panshqiptare VATRA të Amerikës, por ende nuk po lexohet si duhet, fillimisht mbase prej masës, por me sa duket nga moskuptimi i figurës së Konicës, që në Shqipëri perceptohet thjesht si polemizues, artist dhe diplomat. Ndërkohë ju i keni dhënë pozicionin e largpamësit sa i përket bazave ose punës së themelimit të shtetit shqiptar?

– Eshtë e vërtetë se Konica ripërkufizohet si ideolog i shtetit shqiptar, sidomos në  lidhje me idetë shtetformuese e botëkuptimin kushtetues. Dhe libri rreket të rikthejë vëmendjen në periudhën kritike midis dy luftërave botërore, kur Mbreti Zog u përpoq të fuqizojë pavarësinë, të modernizojë vendin, të ruajë neutralitetin dhe të forcojë lidhjet me SHBA. E thënë figurshëm, ngjarjet përcilllen përmes dritares së Legatës Shqiptare në Uashington. Për shembull, në libër del edhe çështja çame, si dhe parimet që shteti shqiptar zbatoi në ngritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, të cilat kanë vlerë edhe sot. Libri po gjen vlerësim në lagje të ndryshme të dijes  – po të huazojmë Çabejin – siç janë e drejta, historia, letrat etj. Shpresa është që lidhja e librit me lexuesin të mos i ngjajë dashurisë që vyshket ende pa u tharë vesa e mëngjesit. Natyrisht vërejtje për mangësi të natyrshme mbeten përgjegjësi e autorit. Faik Konica si diplomat jepet në libër në trajtë të plotë, pasi qasja mbështetet në praktikën dhe arkivën e Legatës Shqiptare në SHBA, si dhe burime të tjera. Përtej diplomatit, Konica ishte para së gjithash ambasador i kulturës së lashtë shqiptare, të cilën e njihte në rrënjë dhe e pasqyroi me kthjelltësi të pashembullt përballë një bote së shumti indiferente. Ai ishte, natyrisht, edhe polemist “brilant”, siç e quan Kadareja. Mirëpo, shpërthimet e herëpashershme, e jo rrallë të çekuilibruara të Konicës ishin, ndofta, pasojë e depresionit të thellë, prej të cilit vuante prej kohësh.

A gjykoni se mendimi kushtetues i Faik Konicës ka vlerë në ditët që jetojmë? A vlen kjo për studimet të mëpasshme më thellësisht profesionale?

Quhemi pa të drejtë si komb që nuk ka traditë demokratike, shtetndërtuese etj. Jo rrallë jemi vetë ne që i besojmë kësaj përralle. Mund të thërrasim në ndihmë studiuesen e shquar britanike, Margaret Hasluck, që pat thënë se “vetëqeverisja e shqiptarëve ishte shumë pranë demokracisë së vërtetë…[Madje], në trajtën e vet fillestare, ajo ishte mirëfilli qeveri e popullit, prej popullit, për popullin”. Në kushtet kur vendit, më 21-22 korrik 2016, iu imponuan ndryshime kushtetuese të pashembullta, dhe që nuk hasen kurrkund në rruzullin tokësor, ndofta mendimi kushtetues i Konicës duhej mbajtur parasysh. Pasi Faik Konica bën thirrje për Asamble Kushtetuese, për kombinimin e duhur midis demokracisë së drejtpërdrejtë dhe të përfaqësuar, për Kuvend me dy dhoma, për institutin e pleqësisë në pushtetin vendor me bazë rrethin etj. Gjedhi i  tanishëm, kinse demokratik, apo “çqeverisja”, siç mund ta quante Konica modelin e sotëm, në fakt duket thjesht si njëfarë përzierjeje apo hibridi midis partitokracisë dhe ambasadorokracisë.

Ndër vite është gjykuar në mënyrë shumë të ngushtë për manovrimet që Konica ka bërë me Nolin për qeverinë në mërgim, që ndihej nga Zogu. A mendoni se ka këtu fushë studimi interesante?

Po. E Premtja e Madhe e 7 prillit 1939 ishte ndër ditët e zeza të kombit shqiptar në shekullin e kaluar. Ajo shkaktoi një ujëvarë të turbullt ngjarjesh historike, e pasojat i hasim sot e gjithë ditën. Shqipëria ishte vendi i parë në Europë që u përball i vetëm me makinën ushtarake fashiste. Por fatkeqësisht u braktis nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Ky pohim është deklaruar së pari nga Mbreti Zog, por gabimisht u atribuohet vetëm komunistëve. Rrjedhimisht, atdheu u gjend sërish buzë humnerës. Papritmas burrat e shquar të shtetit shqiptar e panë veten si në vitet e Luftës Ballkanike, kur në pikëpyetje ishte vetë ekzistenca e vendit. Pikërisht në ato kohëra tragjike, ata u treguan në lartësinë që komandonte momenti. Vetë Noli ishte zanafilla e Bashkimit të Shenjtë, siç u quajt aleanca historike midis kundërshtarëve të paepur politikë. Fillimisht ai bindi Konicën, me mendimin që figura e Mbretit Zog mbetej qendrore për vijimësinë e shtetit shqiptar dhe përmbushjen e vakuumit instuticional të krizës së imponuar ekzistenciale. Dokumentet në arkivat amerikane sjellin në vëmendje një intensitet të paparë diplomatik gjatë muajit kritik të dhjetorit 1942, pikërisht kur Aleatët bënë deklarata shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Fatkeqësisht, deklarimet nga Londra, dhe nga qarqe shoviniste e të qeverisë greke në mërgim, ishin në disonancë të plotë me qëndrimin e SHBA dhe të BS për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë. Pikërisht në këto kohëra të jashtëzakonshme Zogu, Noli Konica e të tjerë luftojnë si burra të vërtetë shteti. Por, pa pritur, Faiku ndërron jetë. Këtë periudhë e trajtojnë me kompetencë edhe studiues të tjerë dhe, ndofta, mund të ndriçohet më shumë.

Afrimi i Konicës me Zogun a mendoni se e bën disi më të afrueshëm modelin monarkik për Shqipërinë në kokën e tij?

Patriotizmi pragmatist mund të thuhet se ishte parimi themelore që udhëhiqte ata burra shteti në ato kohëra të çuditshme, por me rëndësi kritike. Interesat e shenjta të kombit prevalonin mbi formën e regjimit. Në dallim nga Sami Frashëri, që ishte prerazi kundër monarkisë, Konica ishte neutral. Ka një moment relevant në libër, kur Shqipëria u bë mbretëri në 1 shtator 1928. Njohja nga Fuqitë e Mëdha po vononte kur, papritmas, vjen njohja nga SHBA. Ky gjest miqësor u prit jashtëzakonisht mirë në Tiranë. Në oborrin e Legatës Amerikane në Rrugën e Elbasanit u zhvillua një miting spontan. Banda e Vatrës luajti himnet kombëtare. U mbajtën fjalime. Foli edhe ministri amerikan Hart. Vlen të theksohet një pasazh nga raporti i tij, drejtuar Departamentit të Shtetit: “Edhe pse shumë të huaj, zyrtarë ose jo, kur i drejtohen popullit të këtij vendi, e kanë zakon t’i trajtojnë shqiptarët si çiliminj, unë kurrë nuk e kam bërë këtë gjë…”.

Ka një paradoks: mendimet konstitucionaliste të Konicës janë të shpërndara, të Samiut (Frashëri) janë të përmbledhura, kurse kohë më parë Ali Pasha gati e bëri të gjallë Shqipërinë shtet, ju Konicën e vendosni të parin për konceptin e tij modern. Pse zë këtë vend nga ana konstitucionaliste, sipas jush?

Nuk është fjala për ndonjë renditje apo klasifikim. Jemi përqëndruar tek Konica për shkak të monografisë, dhe për faktin se ishte veçanërisht i mprehtë, i kthjellët, erudit, si dhe i botuar. Konica, për shembull, është i pari që na njofton për përpjekjen e dështuar kushtetuese të Ali Pashë Tepelenës. Korrespondenca “kushtetuese” e Aliut me Metternich-un mund të jetë në arkivën përkatëse në Pragë. Stafetën ua lemë të tjerëve, me shpresën që të jenë me fat…Mirëpo ka vend që kërkimet për mendimin shtetformues dhe kushtetues të përqendrohen edhe tek personalitete e burra të tjerë të shtetit shqiptar, çka do të përbënte kontribut të veçantë në Historinë e Shtetit dhe së Drejtës në Shqipëri. Së fundi, ka rëndësi të çmohet edhe kontributi i Konicës sa i takon së drejtës zakonore shqiptare. Për shembull, në botimet e Konicës, referohet për herë të parë instituti i lashtë zakonor shqiptar i ndores, që as sot nuk njihet sa duhet. Jo rrallë shohim që ndorja përzihet padashur me institutet e tjera zakonore të besës e të mikpritjes. “N’doren tande” ishte si kumt i shenjtë, përmes së cilit aktanti i gjendur në nevojë të skajshme – po të huazojmë një term semiologjik të përdorur në analizat e rrëfimeve përkatëse të Kadaresë – e linte fatin e vet në dorë të pritësit apo strehuesit, shpesh të panjohur a të rastësishëm. Dhunimi apo shkelja e këtij instituti zakonor përballej me sanksionet më të rënda në kanunin e maleve, në veri e jugë. Shembuj të ndores ka shumë. Instituti i së drejtës së pashkruar, që veproi ndër shqiptarët për shpëtimin e hebrenjve, është pikërisht ndorja, dhe jo besa. Ndofta në botim të dytë mund ta përfshij kontributin e çmuar të Konicës në evidentimin e këtij instituti të çmuar zakonor tonin.

Pse Konica dhe Noli kanë dritëhije aq të mëdha? Mendoni se kjo ndodh për shkak të formimit të tyre apo mos gjetjen e zbatimit të ideve të tyre në vendin tonë?

Këta burra të mëdhenj i bashkonte ideali kombëtar. Vendosja para gjithshkaje e interesit të vendit mundësonte luhatje të domosdoshme taktike me theks pragmatist, në përputhje me situatat kritike e rrethanat e koklavitura që krijoheshin. Sa u takon mangësive, fjalën po ia lemë Nolit, që citon Shejkspirin: “Madhështia tek burrat e mëdhenj është pasojë edhe e difekteve të tyre”. Po qe se do të ishin vërtetë të përkryer, ndofta ata nuk do të ishin aq të mëdhenj…

Libri juaj është edhe një histori e bukur për Shqipërinë. Si e shikoni peshën specifike të punës së Konicës në të gjithë hullinë ku eci Shqipëria për t’u bërë shtet?

– Druaj se, para së gjithash, është histori tragjike…Dhe, sikurse shkruan diku Roland Barti, tragjikja shpesh puqet me të bukurën. Këputja në mes – si me sëpatë – e jetës së një shteti, kombi, mbretërie me 7 prill 1939 është, ndofta, nyja bashkuese midis këtyre dy kategorive kundërthënëse. Praktikisht vdiq shteti shqiptar. Fatet e një populli u transformuan papritur e tragjikisht. Dhe pse? Për shkak të prirjeve perandorake të Musolinit, i cili disa muaj më pas, madje, u shpalli luftë edhe Britanisë së Madhe e SHBA-së. “Faqe të tragjedisë së madhe”, i cilësonte me dhimbje Konica ato ditë të zeza për kombin. Përmes revistës “Albania” ai pat filluar luftën për lindjen e Shqipërisë në kapërcyellin e shekullit XIX – XX. Ai njihte edhe “Rilindjen para Rilindjes” tek viset e Arbërit – siç na e kujton epokën me elegancë Prof. Demiraj. Kudo ku u ndodh, në Shqipëri, Vienë, Romë, Lozanë, Boston, Uashington, Konica u përpoq për vendin e tij me sa mundi. Ai e ndjeu rëndë peshën e pushtimit fashist. Luftoi dhe kundërshtoi, u përpoq të orientohej saktë në situata të koklavitura. Bëri edhe lajthitje. Më tej – ku del edhe e bukura – u bashkua me Zogun dhe Nolin, e luftoi deri në fund si burrë. Mirëpo në Shqipëri – që ndonjëherë mund të quhet vend i çudirave – nuk ngurrohet sot ndonjëherë të përkujtohet e nderohet ndonjë shërbëtor e përkrahës aktiv i fashizmit, duke lënë, si pa dashje, në harresë përpjekjet e Zogut, Nolit, Konicës etj., si dhe luftën e Koalicionit Anti-Fashist e gjakun e qindra mijëra dëshmorëve apo sakrificat e miliona viktimave nga 5 kontinentet. Le të kthehemi tek Mbretëresha Geraldinë, që ra në dashuri me këtë vend e popull, dhe të cilën shqiptarët mbarë e nderuan pa kufi. Tjetër shfaqje e tragjikes është largimi i Geraldinës, ende lehonë, edhe pse, bashkë me të birin, mund të strehohej në Legatën Amerikane. Mirëpo Geraldina e shpartalloi “mitin e moskthimit”, duke na risjellë kësisoj të bukurën. Me një gjest të rrallë dashurie e humanizmi, ajo u kthye përfundimisht në Tiranë për t’u prehur në amshim në këtë dhé të bekuar më 22 tetor 2002.  Ndodhur në Tiranë, u lidhëm në Boston me ish-kryetarin e Vatrës, z. Andon Athanas, bashkëkohësin dhe mikun e Nolit e Konicës. I prekur thellë për humbjen e mbretëreshës shqiptare me gjak amerikan, z. Athanas kërkoi t’i përcillnim ngushëllimet të birit në homazhet. Përmes një lidhjeje apo rastësie të çuditshme fatesh të këtyre njerëzve të mëdhenj në pasjetë (posterity), më pas do të dilte se vetë Athanasi kishte ruajtur pjesë të bibliotekës së humbur të Faikut. Pikërisht ato 272 libra iu besuan Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë në nëntor 2016, duke shenjuar një tjetër sfidë, madje konkrete dhe të prekshme, ndaj “mitit të moskthimit”. A nuk duhet nderuar sivjet 15 vjetori i vdekjes së Mbretëreshës Geraldinë, dinjiteti i së cilës u nëpërkëmb barbarisht nga diktatura e pushtimi fashist?

A janë të tepruara disa nga qëndrimet e Konicës sa i përket bashkatdhetarëve?

Po. Pikërisht këtu dalin në pah dritëhijet më të spikatura të tij. Nga njëra anë ai ndihmonte të gjithë njerëzit. Dhe ndryshe nga “sjellje tipike mashkullore shqiptare…”, Faiku ishte jashtëzakonisht i sjellshëm dhe xhentil me gratë. Mirëpo, nga ana tjetër, ai jepte udhëzime që nëna e patriotit Kristo Kirka të mos lejohej të shkonte në atdhe vetëm sepse përkrahte Nolin?! Ja një “kundërthënie” tjetër, thuajse tragjike, e Konicës…

Mundet të ishte kursyer disi galeria e madhe e personazheve me të cilët ju keni fokusuar me projeksion Konicën?

Përsëri përgjigja është pozitive. Në fakt, ndofta figura e Faik Konicës shfaqet më e plotë në raport me njerëzit që e rrethonin. Nga ana tjetër, janë lënë jashtë disa personazhe e ngjarje. Për objektivitet e në respekt të normave të privatësisë, është lënë mënjanë edhe ndonjë opinion aspak miklues për Konicën, i shprehur në rrethana private. Së fundi, mangësi është mospërqendrimi sa duhet tek figura e Mehmetit Konicës, diplomatit të shquar e vëllait të Faikut.

Çfarë vendi zë në mendimin tuaj Konica në panteonin e njerëzve që kanë bërë shtet Shqipërinë?

Sikurse është trajtuar në monografi, tek Aliu kemi “shkëndijën kushtetuese” të shtetit të ardhshëm shqiptar; tek Samiu kemi “themelet”; tek Faiku gjejmë “ngrehinën” më të plotë; kurse tek Mehmeti kemi “fasadën”, apo përqasjen e shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Mirëpo, natyrisht, në panteonin shqiptar mund të vlerësohen e studiohen edhe burra të tjerë të shtetit, diplomatë e juristë të shquar, me vlerat, por edhe me “dritëhijet” e tyre. Përpjekje kësodore janë bërë nga profesorë të shquar të së drejtës e historisë së Shqipërisë, dhe rruga mbetet e hapur për studiues të tjerë. Thelbësore është sërish të mbahet parasysh se, ndryshe nga miti tjetër i “mosbërjes”, ky vend është në të vërtetë “i bëshëm”. Shqiptarët kanë pasur traditë juridike, kushtetuese e shtetndërtuese, e cila bukur mirë mund të shërbejë sot për shkundjen dhe zhdërvjelltësimin e shtetit shqiptar përballë sfidave të mijëvjeçarit të tretë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.