DOSSIER

I PLOTE/ 9 vjet pas ‘Gërdecit’, artikulli i famshëm i “NY Times” për trafikun e armëve

15:47 - 15.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Që Shqipëria të dalë lajm i madh – titull kryesor – në New York Times nuk ndodh përditë. Ndodhi më 27 mars 2008. Mësoni përse.

Shtatë gazetarë, nëntë qytete, disa muaj hetim dhe miliona dollarë të zhdukura pa lënë gjurmë. Këto janë të dhënat kryesore të investigimit që kryen një grup reporterësh të gazetës prestigjioze amerikane “New York Times” mbi tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve në nivel ndërkombëtar. Gjithçka nisi kur kompania amerikane pa shumë kredenciale AEY fitoi një tender nga Pentagoni për blerjen e 300 milionë dollarë municioneve për t’i dërguar në Afganistan.

Presidenti 22-vjeçar i AEY, Efraim Diveroli njeri i hetuar për vepra penale, i drejtohet vendeve të Europës Lindore si Shqipërisë, Bullgarisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Kazakistanit, Malit të Zi, Rumanisë dhe Sllovakisë për blerjen e armatimit të vjetër rus dhe kinez. Në këtë moment gjithçka shndërrohet në një thriller financiar kur kompani fantazmë siç ishte qipriotja “Evdin” krijohen vetëm e vetëm për të financuar rryshfete qeveritarësh.

Pas kësaj kompanie mësohet se qëndronte një trafikant armësh i bënë në shënjestrën edhe të “Amnisty International”, Heinrich Thomet. Hetimet e gazetarëve zbuluan se “Evdin” e kishte selinë në fakt në një klub natë në Larnaka. Mosmarrëveshja mbi rolin e “Evdin” dhe pronësinë e saj mbetën në fakt të pazgjidhura publikisht. Sipas regjistrit të Qipros, “Evdini” ishte regjistruar më 26 shtator 2006 – një javë pasi Diveroli paraqiti ofertën për kontratën e Afganistanit.

Biznesmeni shqiptar Kosta Trebicka i cili ishte kontraktuar fillimisht për ambalazhimin e municioneve që do të shkonin nga Shqipëria në Afganistan lihet papritur jashtë këtij biznesi nga Ylli Pinari, drejtori i “MEICO”, kompanisë qeveritare shqiptare të import-eksportit të armatimit. Gjatë një bisede të cilën e regjistroi vetë me Diverolin, Trebicka thotë se se dyshonte që qëllimet e firmës “Evdin” ishin që një pjesë e parave t’u shkonte qeveritarëve shqiptarë. “Diferencat sipas tij ndaheshin me qeveritarët shqiptarë, duke përfshirë Pinarin, kreun e agjencisë së eksportit të armëve dhe ministrin e atëhershëm të mbrojtjes Fatmir Mediu”, vëren raportimi i New York Times. Nga ana tjetër, vetë Diveroli i thotë Trebickës se çështja ka shkuar shumë lart, deri tek kryeministri dhe djali i tij. “Kjo mafia është shumë e fortë për mua”, thotë Diveroli.

Ndoshta për tregtarët e armatimeve mafia është shumë e fortë. Por, gazetarët e “New York Times” kanë arritur të paraqesin në një artikull të gjatë pikërisht fytyrën e vërtetë të mafias dhe implikimin e saj me aferat e paligjshme të import-eksportit të municioneve. GSH.al e risjell këtë shkrim, për të kujtuar, për të kuptuar.

 

ARTIKULLI I PLOTE

Armët e vjetra për afganët: Kompania e kontraktuar nën hetim

Prej vitit 2006, që kur rezistenca në Afganistan u intensifikua në mënyrë të ashpër, qeveria afgane ka qenë e varur nga mbështetja logjistike dhe ushtarake Amerikane në luftën kundër Al Kaedes dhe Talebanëve.

Por për t’i armatosur këto forca tek të cilat shpreson që të drejtojnë këtë betejë, ushtria amerikane ka qenë e varur qysh në fillim të vitit të kaluar nga një kompani foshnjore të drejtuar nga një njeri 22 vjeçar dhe me një zëvendëspresident që është një masazhator profesionist.

Kompania AEY Inc, e cila operon nga një zyrë e pashënuar në Miami Beach, fitoi një kontratë prej 300 milionë dollarësh janarin e kaluar për t’u bërë furnizuesja kryesore e municioneve për ushtrinë dhe policinë e Afganistanit.

Qysh prej atëhere kjo kompani ka furnizuar me municione shumë të vjetra, mbi 40 vjeçare dhe të ambalazhuara me material dekompozues, sipas ekzaminimeve të bëra tek municionet nga The New York Times dhe sipas intervistave me zyrtarë Amerikanë dhe Afganë. Shumica e këtyre municioneve vjen prej stoqeve të vjetërsuara të bllokut të vjetër komunist përfshirë këtu edhe ato që Departamenti i Shtetit dhe NATO kanë përcaktuar si të rrezikshme dhe të papërdorshme dhe kanë shpenzuar miliona dollarë për t’i asgjësuar.

Për t’i blerë këto municione kontraktuesi ka punuar me sekserë si dhe me një firmë-hije e cila është pjesë e një liste federale me entitete të dyshuara për trafik ilegal armësh.

Për më tepër dhjetra milionë krehërish me fishekë pushkësh dhe mitralozësh janë prodhuar në Kinë, duke e bërë prokurimin e tyre një dhunim të mundshëm të ligjit amerikan. Presidenti i kompanisë, Efraim Diveroli, është rregjistruar fshehtazi në një bisedë e cila është shenjë e një aferi korruptiv në blerjen e më shumë se 100 milionë fishekëve të vjetër në Shqipëri.

Këtë javë, pas kërkesave të përsëritura për punën e AEY-së nga The Times, ushtria e pezulloi kompaninë nga kontrata të ardhshme federale, duke cituar dërgesa të municioneve kineze dhe duke u justifikuar se Diveroli i kishte keqinformuar duke thënë se municionet ishin Hungareze.

Diveroli, në një bisedë telefonike tha që ai nuk kishte dijeni për këtë vendim. Ushtria planifikonte ta lajmëronte atë me postë të enjten sipas korrespondenceës së brendshme me një zyrtar ushtarak.

Problemet me municionet ishin të dukshme që vjeshtën e kaluar në vende si Naëa në Afganistan, një stacion policie afër kufirit me Pakistanin ku një Lejtnant kolonel Afgan inspektoi gëzhojat e pushkëve mbi dyshemenë e pistë të stacionit të tij. Menjëherë pasi kishin mbërritur atje kutitë e kartonin ishin çarë dhe gjithça që ato kishin brenda kishte rënë përtokë. Brenda kishin qenë municione të prodhuara në Kinë në 1966.

“Kjo është ajo që na japin për të luftuar,” tha kolonel Amanuddin, i cili si shumë Afganë të tjerë ka vetëm një emër. “Kjo na shqetëson sepse shumcia e këtyre janë mbeturina”. Municionet duke u vjetërsuar përgjatë dekadave bëhen shpesh më pak të fuqishme, të besueshme dhe preçize.

AEY është një ndër ato dhjetra kompani të panjohura më parë të cilat kanë lulëzuar pas 2003, që kur Pentagoni filloi të derdhte miliarda dollarë për të trajnuar dhe furnizuar forcat lokale në Afganistan dhe Irak. Kohë më parë dalja e këtyre firmave nga errësira dukej si një shembull i sukseshëm i promovimit nga ana e administratës Bush të kontraktuesve privatë si një element integral i strategjisë së luftës.

Një kontroll i profilit të AEY, përmes intervistave në vënde të ndryshme të botës, ekzaminimit të dokumentave konfidencialë qeveritarë si dhe inspektimit të disa prej municioneve tregon se zyrtarët kontraktues të ushtrisë nën presionin për të armatosur trupat Afgane i lejuan një kompanie të papjekur të hynte në botën e dyshimtë të tregtisë ndërkombëtare të armëve nën emrin e Pentagonit- dhe e bënë këtë pas një kontrolli minimal dhe me anë të një kontrate të paqartë me shumë pak kufizime.

Përveç pezullimit të kësaj jave, AEY është nën hetim nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes dhe nga Zyra e Emigracionit dhe Doganave, një hetim i nxitur nga ankesat për cilësinë dhe origjinën e municioneve që ka furnizuar si dhe për akuza korrupsioni.

Diveroli, në një intervistë telefonike të shkurtër në fund të vitit të kaluar mohoi çfarëdolloj problemi. “Unë di që kompania ime bën çdo gjë, 100 përqind ndershmërisht dhe kjo është ajo që më intereson”, tha ai.

Ai sugjeroi gjithashtu që aktivitetet e tij duhet të mbahen larg publikut. “AEY është duke punuar mbi një projekt të klasifikuar të Departamentit të Mbrojtjes,” tha ai. “Vërtet që nuk dua të flas për detajet.”

Ai ja drejtoi pyetjet një avokati të quajtur, Hy Shapiro, i cili ofroi vetëm një deklaratë me e-mail. “Ndërkohë që AEY vazhdon të punojë fort për të plotësuar obligimet me kontratën e Ushtrisë së SH.B.A, përfaqësuesit e saj nuk janë të përgatitur për momentin të ulen dhe të diskutojnë detajet,” shkruante ai.

Sipas pezullimit, as Diveroli dhe as kompania e tij nuk mund të marrin më pjesë në tendera federalë derisa akuzat e ushtrisë të jenë sqaruar. Megjithatë atij do i lejohet të furnizojë me municion që është porositur tashmë në kontratën për Afganistanin, sipas korrespondencës së brendshme ushtarake.

Në Janar, zyrtarët Amerikanë në Kabul, të shqetësuar për municionet nga AEY, kishin kontaktuar institucionin e ushtrisë Rock Island Arsenal, në Illinois, dhe kishin përmendur mundësinë e terminimit të kontratës. Zyrtarët e Komandës së Suportit të Ushtrisë, autoriteti kontarktues i arsenalit pas një takimi me AEY në fund të shkurtit thanë që do të përforconin kërkesat për standartet e ambalazhimit për municionet e dërguara në luftë.

 

22 vjeçari Diveroli lidhi kontratë 300 milionë USD

Megjithatë pas këtij takimi, AEY dërgoi përsëri një milionë krehër fishekësh në Afganistan të cilat u konsideruan si nën-standart nga Komanda e Kombinuar Tranzit e Sigurisë së Afganistanit (Combined Security Transition Command-Afghanistan). Lejtnant kolonel David Johnson, zëdhënësi i Komandës tha që ndërkohë që nuk ka raporte për goditje të gabuar të municionit, një pjesë e tij ishte e cilësisë kaq të dobët saqë ushtarakët kishin vendosur mos ta përdornin. “Përgjigja jonë e drejtpërdrejtë është që ky municion është i një cilësie krejt të padëshirueshme, këto municione nuk janë të standarteve me të cilat janë mësuar shumica prej nesh,” tha Johnson. “Ne nuk jemi të kënaqur me mënyrën e shpërndarjes së tij.”

Disa zyrtarë thanë që këto probleme do të evitoheshin nëse ushtria do të kishte shkruar kontrata të rregullta dhe do të kishte ekzaminuar furnitorët me më shumë kujdes.

Të dhënat publike tregojnë se kontratat e AEY qysh prej 2004 kanë pasur një vlerë totale prej më shumë se një e treta e një miliardë dollarëve. Diveroli e vuri këtë shifër akoma më lart: ai tha se bënte një biznes prej 200 milion dollarësh çdo vit.

Disa zyrtarë të qeverisë dhe të ushtrisë në kushte anonimiteti për shkak të hetimeve, e vunë në dyshim sesi Diveroli dhe një grup njerëzish në të njëzetat dhe pa eksperiencë ushtarake apo prokurimesh kanë pasur në duar një punë kaq të rëndësishme të qeverisë.

“Shumë prej nesh bëjnë pyetjen,” tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit. “Si mundi ky njeri të merrte një biznes kaq të fuqishëm? ”

 

Një Kompani ambicioze

Intensiteti i rebelimit në Afganistan e alarmoi Pentagonin në 2006, dhe njësia Amerikane që trajnon dhe pajis forcat Afgane bëri një urdhër kërkese të madh municionesh përmes një komande logjistike të ushtrisë.

Kërkesa ishte për 52 lloj municionesh: krehër fishekësh për pushkë, pistoleta dhe mitralozë, granada dore, raketa, fishekë dhe predha për shotgun, murtaja , tanke dhe shumë të tjera. Në total kjo përfshinte qindra milionë fishekë dhe predha të llojeve të ndryshme.  Forcat Afgane përdorin kryesisht armë të bëra në Bashkimin Sovjetik. Kjo do të thotë që shumë nga këto municione mund të bliheshin vetëm jashtë shtetit.

AEY ishte një nga 10 kompanitë që bënë një ofertë përpara afatit të përcaktuar në Shtator të 2006.

Michael Diveroli, babai i Efraimit, e kishte themeluar kompaninë në 1999, kur Efraimi ishte 13 vjeç. Për shumë vite, gjatë një periudhe kur kompania kishte një aktivitet të kufizuar, Michael Diveroli, i cili tani operon një kompani furnizuese për policinë në të njëtën rrugë të zyrave të kompanisë AEY, ishte i vetmi ekzekutiv i listuar i kompanisë.

Në 2004, AEY e listoi Efraim Diverolin, që në atë kohë ishte 18 vjeç, si një aksioner të kompanisë me një përqind të pronësisë.

Eksperienca e të riut Diveroli me municionet duket se është kufizuar në një punë të shkurtër në Los Angeles për Botach Tactical, një kompani furnizuese për policinë dhe ushtrinë nën pronësinë e xhaxhait të tij, Bar-Kochba Botach.

Diveroli e ndërpreu një nga intervistat sapo u pyet për Botach Tactical. Botach, tha në telefon se Michael dhe Efraim Diveroli kishin punuar shkurtimisht për të, por pasi kishin parë lumin e kontratave pas fillimit të luftës, kishin dalë me një biznes të vetin.

“Ata më lanë dhe më morën gjithashtu klientelën,” tha ai. “Ata thanë thjesht: ‘Pse të punojmë për Botach? Le ta bëjmë vetë për veten tonë”.

Kur Efraim Diveroli mbërriti në Miami Beach, AEY po transformohej dhe po kërkonte agresivisht kontrata të lidhura me çështjet e sigurisë.

Ajo fitoi një kontratë prej $126,000 për furnizimin me municione të Forcave Speciale; AEY gjithashtu furnizoi me municione dhe pajisje në vitin 2004 Departamentin e Energjisë, Agjensinë e Mbrojtjes së Mjedisit, Administratën e Sigurisë së Transportit si dhe Departamentin e Shtetit.

Në 2005, kur Diveroli u bë president i kompanisë AEY në moshën 19 vjeçare, kompania po bënte oferta ndaj një spektri të gjerë agjensish qeveritare dhe furnizonte me pajsije paramilitare- armë, helmeta, jelekë antiplumb, uniforma mbrojtëse për bombat, bateri dhe karikues për makina me rreze X — për ndihmat Amerikane që shkonin në Pakistan, Bolivi dhe gjetkë.

Gjithashtu ajo furnizonte ushtrinë amerikane në Irak, ku biznesi i saj përfshinte një kontratë prej 5.7 milion dollarësh për pushkë për forcat Irakene.

Dy zyrtarë të përfshirë në kontraktim në Bagdat thanë se AEY shumë shpejt fitoi një reputacion të keq. “Ata nuk ishin të besueshëm, edhe kur bëheshin kjo ndodhte pas shumë justifikimesh,” tha njëri prej tyre i cili kërkoi që mos të jepte emrin sepse atyre nuk u lejohej të flisnin me reporterë.

Në këtë kohë, në jetën e Efraim Diverolit filloi të kishte tensione të reja. Në nëntor të 2005, një grua e re kërkoi një urdhër mbrojtjeje prej tij në një departament të dhunës shtëpiake të Gjykatës së Dade County.

Eventualisht kjo grua nuk u paraqit në gjyq dhe akuzat e saj nuk u gjykuan kurrë. Por sipas dokumentave të gjykatës gruaja kishte thënë se pasi marrëdhënia e saj me Diverolin kishte mbaruar, ai e kishte ndjekur atë dhe i kishte lënë mesazhe kërcënuese.

Sipas kësaj dosjeje, njëherë këto sjellje ishin agravuar deri “në mbajtjen e saj forcërisht përtokë gjatë një grindjeje verbale dhe refuzimi i tij për ta lëshuar.” Një herë tjetër sipas raportimeve të saj, Diveroli kishte mbërritur në shtëpinë e saj pa njoftuar, i pirë dhe “kishte ecur jashtë shtëpisë, duke përplasur dyert dhe dritaret.”

Dokumentat e  gjykatës tregojnë se gruaja ishte e shqetësuar dhe mendonte se nuk mund ta shpërfillte atë sepse sjellja e tij e frikësonte.

Diveroli kërkoi shtyrjen e gjyqit për shkaqe të sigurisë kombëtare. Ai i shkroi gjykatësit në 8 dhjetor të 2006. “Unë jam Presidenti dhe i vetmi punonjës zyrtar i kompanisë sime. Biznesi im tani për tani ka një rëndësi të madhe kombëtare sepse unë jam i kontraktuar me liçensë nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe po bëj më të mirën për t’i pajisur trupat tona me të gjithë ato për të cilat ata kanë nevojë sipas kontratave të hyra në fuqi”.

Ndërkohë që oferta e AEY për një kontratë më të madhe qeveritare po konsiderohej, vështirësitë personale të Diverolit vazhdonin. Në 26 nëntor të 2006, policia e Miami Beach u thirr në shtëpinë e tij gjatë një grindjeje midis tij dhe një të dashure tjetër. Sipas raportit të policisë, ai kishte flakur “rrobat e saj jashtë korridorit dhe i kishte thënë të ikte nga shtëpia.”

Një dëshmitar i tha policisë se Diveroli e kishte tërhequr atë zvarrë brenda në shtëpi. Policia e gjeti gruan duke qarë; ajo tha se nuk ishte tërhequr zvarrë. Diveroli nuk pati denoncim.

Në 21 dhjetor të 2006, policia u thërrit përsëri në shtëpi. Diveroli dhe zëvendës presidenti i AEY, David Packouz, kishin bërë një sherr me djalin e parkimit të makinave.

Grindja kishte filluar, sipas policisë, në momentin kur djali kishte refuzuar t’i jepte çelësat Diverolit dhe ky i fundit kishte hyrë në garazh vetë për t’i marrë ato. Një dëshimtar tha se që të dy, Diveroli dhe Packouz e rrahën djalin; fotografitë e policisë tregojnë çjerrje dhe të nxira në fytyrën dhe kurrizin e tij.

Kur policia kontrolloi Diverolin, ata gjetën se ai e kishte fallsifikuar patentën e cila i shtonte katër vjet moshës së tij në mënyrë që ai të dukej brenda moshës legale për të blerë alkol. Ditëlindja e tij kishte qenë të djeshmen.

Sipas raportit ai i kishte thënë policisë: “Nuk kam më nevojë për atë. Tashmë jam 21 vjeç”.

Diveroli u akuzua për rrahje, sjellje të papërshtatshme, dhe posedimin ilegal të një dokumenti të vjedhur ose të fallsifikuar.

Kjo akuzë e dytë e vuri në rrezik biznesin e tij. Diveroli kishte një leje federale për të mbajtur armë zjarri, e cila ishte një kërkesë për punën e tij. Me një dënim ligjor kjo leje do të anullohej.

(Packouz u akuzua për rrahje dhe akuza u rrëzua më vonë; ai refuzoi të intervistohej. Për të evituar që ky dënim të dilte në të dhënat e tij, Diveroli hyri në një program 6-mujor për ata që kanë vetëm një precedent penal në Maj të 2007 dhe kjo e shpëtoi nga një gjyq i mundshëm).

Një i afërm pagoi garancinë prej 1000 dollarësh për Diverolin ndërkohë që oferta e tij për kontratën e Afganistanit ishte në fazën e fundit të shqyrtimit.

Që të pranohej, kompania duhet të ishte, sipas zhargonit të ushtrisë, “një kontraktor i përgjegjshëm”, gjë që kërkonte ekzaminimin e korrektesës së vet financiare, aftësive të transportit, perfomancës në të shkuarën dhe bindjen ndaj ligjeve dhe rregullave të kontratave qeveritare.

Një javë pasi i afërmi pagoi garancinë e tij, Shërbimet e Investimeve të Bankës së Amerikës i dhanë Diverolit një letër e cila vërtetonte se kompania e tij kishte aq likuiditet sa të blinte municione në sasi të mëdha. Kjo letër thoshte se AEY kishte në llogari $5,469,668.95.

AEY iu dha një kontratë në Janar të 2007. Të pyetur pse zgjodhën AEY, Komanda e Suportit të Ushtrisë u përgjigj me shkrim: “Propozimi i AEY përfaqësonte kontributin më të mirë për qeverinë.”

 

Arsenalët e Bllokut Lindor

Si ushtria ashtu dhe AEY i konsiderojnë burimet nga ku kompania blen municionet si çështje konfidenciale, duke refuzuar të thonë se si dhe ku janë marrë këto municione, me çfarë çmimi janë paguar ose sa ka qenë sasia e shpërndarë.

Por sipas të dhënave të ofruara nga një zyrtar i shqetësuar për performancën e kesaj kompanie, një ‘spiun’ në Ballkan dhe një kërkues për çështjet e trafikut të armëve në Europë, dhe sipas intervistave me shumë njerëz që punojnë në arsenalet shtetërore në Europë, tregojnë se vendet ku AEY bënte pazar nga stoqet ishin në Bllokun e vjetër Lindor përfshirë: Shqipërinë, Bullgarinë, Republikën Çeke, Hungarinë, Kazakistanin, Malin e Zi, Rumaninë dhe Sllovakinë.

Këto stoqe varionin që nga bunkerë me temperaturë të kontrolluar e deri në magazina të pa-ajrosura të mbushura me municione të ekspozuara dhe në dekompozim. Disa nga këto arsenalë përmbajnë municionë të konsideruar në qarqet ushtarake si të cilësisë së lartë. Disa të tjerë janë stiva me skrap të pavlefshëm të armëve sovjetike.

Kontrata e ushtrisë bënte pak dallim midis të dyjave.

Kur Ushtria e Shteteve të Bashkuara ose NATO blen armë për vete procesi rregullohet nëpërmjet standarteve të kontrollit të cilësisë të cilat mbulojnë prodhimin, paketimin, maganizimin, testimin dhe transportin.

Këto standarde ekzistojnë sepse municionet janë vulnerabël ndaj kohës. Ndërkohë që vjetërsohen eksplozivët dhe ndezëset degradojnë dhe gëzhojat e tyre ndikohen nga moti. Kushtet mjedisore si lagështia, vibracionet, lëvizjet e temperaturës e përshpejtojnë degradimin dhe i bëjnë municionet më pak të besueshme.

Sipas rregullave të NATO-s municionet duhet të testohen metodikisht gjatë jetës së tyre; disa mostra provohen duke u gjuajtur me armë mekanike dhe matet shpejtësia dhe saktësia e tyre.

Për krehërat e fishekëve testimi fillon që pas 10 vjetësh nga data e prodhimit të tyre, sipas Peter Courtney-Green, shef i Zyrës së Suportit për Municionet në Agjensinë e Mirëmbajtjes dhe Furnizimit të NATOs.

Bashkimi Sovjetik, i cili ka dizenjuar armët që ka blerë AEY ka bërë testime të tilla të cilat janë ende në përdorim. Por kur ushtria nënshkroi kontratën për Afganët, ajo nuk kërkoi as standarte të NATO-s dhe as ato Ruse. Ata i thanë furnizuesit vetëm se municionet duhet të jenë “të efektshme për përdorim të të gjitha njësive pa kualifikim.”

Nuk u përcaktua kurrë se çfarë nënkuptonte kjo. Një zyrtar në Komandën e Suportit të Ushtrisë tha që për shkak se municioni ishte për armë të prodhuara jashtë, dhe konsiderohej jo-standart, ai duhej vetëm t’ju përshtatej armëve për të cilat ishte marrë.

“Nuk ka kërkesa specifike për testim apo kufijë moshe,” tha Michael Hutchison, zëvendës drejtori i blerjeve në Komandë. “Për shkak se municioni nuk është standard i inventorëve të Sh.B.A, ushtria nuk ka standarte cilësie apo ambalazhimi për atë lloj municioni.”

Kur ushtria bën blerje të tilla, tha Hutchison, Komanda e Suportit të Ushtrisë varet nga standartet që sjell ‘klienti’ – në këtë rast njësitë ushtarake në Afganistan. Dhe ky klient tha ai nuk ka sjelle kërkesa për testimin apo moshën e tyre.

Duke mos pasur kërkesa standartesh, AEY e shfrytëzoi rastin për ta hapur fushën e pazarit. Një ndalesë ishte Shqipëria, një shtet kështjellë gjatë kohëve sovjetike dhe një kandidat për të hyrë në NATO në ditet e sotme. Shqipëria ka stoqe të mëdha armatimesh, shumica e të cilave janë sjellë nga Kina në vitet ‘60 dhe ‘70.

Cilësia e këtyre stoqeve varion shumë, sipas Ëilliam D.G.Hunt, një oficer teknik Britanik në pension, i cili vlerësoi gjithë stokun e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë viteve 1998 – 2002. Ai tha që një ushtarak, i cili planifikonte ta përdorte këtë municion duhet të shqetësohej vërtet; të paktën 90 përqind e stokut ishte më i vjetër se 40 vjeçar.

“Nëse është bërë një prokurim nga ai stok për qëllime luftimesh unë do të kisha shumë dyshime për të”, tha ai. “Nuk po sugjeroj se gjithë municioni do të dështonte. Por perfomanca e tij do të ishte dramatikisht e ulët. Ky municion është sigurisht nën standart.”

Problemet me municionet në dekompozim në Shqipëri u dukën herët këtë muaj kur një depo jashtë Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, pati një sëre shpërthimesh duke vrarë të paktën 22 vetë, duke plagosur të paktën 300 të tjerë dhe duke shkatërruar me qindra shtëpi.

Përpara se kontraktuesit e ushtrisë të fillonin të bënin pazar nga depo të këtilla, vlerësimi i Perëndimit ndaj municioneve shqiptare ishte shumë i qartë sipas programeve që sponsorizoheshin për ti shkatërruar ato. Përgjatë 2007, sipas Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara kishin kontribuar me 2 milionë dollarë për të shkatërruar armët e vogla të tepërta si dhe 2,000 tonë municione në Shqipëri.

Një program i NATO-s që përfundoi vitin e kaluar përfshinte 16 vende perëndimore që kontribuan me rreth 10 milionë dollarë për të shkatërruar 8,700 tonë municion të pavlefshëm. Shtetet e Bashkuara kontribuan me $500,000. Midis gjërave të shkatërruara kishte dhe 104 milion krehëra fishekësh të llojit 7.62 milimeter — ekzaktësisht lloj i municionit që AEY kishte kërkuar nga kompania shtetërore e eksportimit të armëve të Shqipërisë.

Shqipëria ofroi të shiste dhjetra milionë krehërash të prodhuar që në vitet 1950. Për t’i provuar, ju dhanë një përfaqësuesi 25 vjeçar të AEY 1,000 fishekë për t’u gjuajtur, sipas Ylli Pinarit, drejtorit të kompanisë së eksportit të armëve gjatë kohës së shitjes.

Asnjë perfomancë balistike profesionale nuk u krye, tha ai. Këto fishekë u gjuajtën me dorë.

Në bazë të kësaj, AEY bleu më shumë se 100 milionë fishekë për urdhërin e Pentagonit. Këto datonin prej vitit 1960, sipas listave të paketimit.

Kompania gjithashtu mori në punë një biznesmen vendas, Kosta Trebickën, për t’i hequr municionet nga kutitë prej druri, apo kutitë prej hekuri të vulosura hermetikisht— paketimi standart ushtarak që mbron municionet nga lagështia dhe pluhuri, dhe që siguron besueshmërinë si dhe lehtësinë e transportimit të tyre në terren.

Trebicka, në disa intervista, tha që Diveroli donte t’i hiqte këto kuti hekuri dhe metali, që të ulte koston e transportit ajror dhe të maksimizonte përfitimet. Disa zyrtarë amerikanë thanë që ata dyshonin se paketimi ishte hequr, sepse kishte shenja të origjinës së prodhimit kinez si dhe moshën e municionit.

 

Lidhjet çeke

Ndërsa fishekët në Shqipëri po bëheshin gati për t’u nisur në Afganistan, Diveroli filloi të kërkonte municione nga Republika Çeke në mënyrë që të përmbushte kërkesën e Ministrisë së Brendshme në Irak.

Në maj të 2007, sipas dy zyrtarëve amerikanë, qeveria çeke kontaktoi ambasadën amerikane në Pragë dhe i bëri të ditur shqetësimin e saj: AEY po blinte nëntë milion fishekë përmes Petr Bernatik, një qytetar çek që ishte akuzuar për trafik të paligjshëm armësh.

Akuzat përfshinin edhe dërgesa granata-hedhësesh, çka ishte në kundërshtim me embargon ndërkombëtare ndaj Kongos, po njëkohësisht edhe për dërgesa armësh zjarri në Sllovaki.

Bernatik i kishte mohuar publikisht të dyja këto kauza. Por në Uashington ato konsideroheshin mjaft të vërteta dhe ai ishte listuar në listën e ruajtjes së Kontrollit të Tregtisë së Mbrojtjes, siç bëhej e ditur nga zyrtarët amerikanë.

Kjo listë që ruhet nga Departamenti i Shtetit, përdoret për të parandaluar që shpërndarësit amerikanë të kontraktonin njerëz të dyshimtë në bizneset e tyre. Por në të njëjtën kohë edhe për të parandaluar që kompani të ligjshme të tregtimit të armëve të pasuronin apo të “legjitimonin” rrjetet e tregut të zi.

AEY nuk ka qenë kurrë e implikuar në shitjet në treg të zi. Por, sipas dy zyrtarëve amerikanë, të cilët kërkuan fshehtësi, duke qenë se ata nuk ishin të autorizuar të zbulonin bisedat diplomatike, qeveria çeke, e cila kishte liri në këto shitje e pyeti ambasadën amerikane nëse dëshironte që Bernatik të përfshihej në marrëveshjet e AEY-së.

“Shtetet e Bashkuara nuk u munduan ta bllokonin transaksionin-, thotë një zyrtar amerikan, pjesërisht sepse pajisja e Irakut me armë ishte në interes të Amerikës, por edhe sepse Bernatik kish qenë i akuzuar, por jo i dënuar”.

Në 7 maj 2007, qeveria çeke lëshoi një licensë për eksport. Bernatik është shprehur në një intervistë telefonike se vitin e shkuar ai kishte rregulluar shtatë fluturime për në Irak për AEY-në.

 

Një ndërmjetës i mistershëm

Tregtia ndërkombëtare e armëve vepron pjesërisht “në dritë” dhe pjesërisht në të zezë dhe është e lidhur me kompanitë jetëshkurtra të armëve, ndërmjetësa dhe korrupsionin zyrtar. Qeveritë janë munduar të bëjnë diçka për vite me radhë, por suksesi ka qenë i kufizuar.

Ndërkohë që Diveroli filloi të merrte porosi të mëdha për armë, ai po i hynte një rruge të errët dhe në një intervistë të shkurtër ai pranoi se ishte i ndërgjegjshëm që korrupsioni do t’i shkaktonte probleme në marrëveshjet e tij në Shqipëri. “Çfarë po ndodh me Ministrin shqiptar të Mbrojtjes? Kush është i pastër? Kush nuk është? As që dua t’ia di fare” ka thënë ai.

Sipas mënyrës sesi ishte ndërtuar tregtia e AEY-së, Diveroli, të paktën zyrtarisht, nuk kishte të bënte drejtpërdrejtë me zyrtarët shqiptarë. Ndërkohë, një kompani ndërmjetëse e regjistruar në Qipro, Evdin Ltd, e bleu municionin e pastaj ia shiti kompanisë së tij.

Paketuesi lokalë që ishin përfshirë në këtë pazar, Trebicka ka bërë të ditur se ai dyshonte që qëllimet e firmës Evdin ishin që një pjesë e parave t’u shkonte qeveritarëve shqiptarë.

 

Rryshfeti, përfitoi edhe ministri Fatmir Mediu

Arkëtimet ishin kolosale, ka thënë Trebicka, Shqipëria ia shiste municionet Evdin-it me 22 dollarë për 1 000 fishekë dhe Evdini ia shiste ato AEY-së për shumë më tepër. Diferencat sipas tij ndaheshin me qeveritarët shqiptarë, duke përfshirë Pinarin, kreun e agjencisë së eksportit të armëve dhe ministrin e atëhershëm të mbrojtjes Fatmir Mediu.

(Mediu dha dorëheqjen javën e shkuar pas shpërthimit në depot e çmontimit të armëve, ndërsa Pinari është arrestuar). Qeveria shqiptare është xhindosur nga akuzat e Trebickës. Kryeministri Sali Berisha, Mediu dhe Pinari e kanë mohuar përfshirjen në këtë aferë. Por Trebicka thotë se pasi ai ia bëri të ditura Ministrisë së Mbrojtjes dyshimet e veta rreth Evdin-it, kompanisë së tij i prishën kontratën e paketimit.

Më 11 qershor 2007, Trebicka dhe Diveroli ndanë shqetësimet e përbashkëta rreth mënyrës sesi bëhej biznes në Shqipëri në telefon. Trebicka e regjistroi të gjithë bisedën dhe më pas ia dha dosjet audio hetuesve amerikanë.

 

Diveroli: Çështja shkoi tek kryeministri dhe i biri

Bisedat, sipas tij, tregonin që kompania amerikane ishte në dijeni të korrupsionit në marrëveshjet e saj me Shqipërinë dhe se Heinrich Thomet, shpërndarës armësh zviceran qëndronte pas Evdin-it.

Në regjistrimet e tij që Trebicka i ndau me “The Times”, Diveroli thotë që Thomet, i quajtuar edhe “Henri” vepronte si ndërmjetës.

“Pinarit i duhet një djalë si Henri që të kujdeset për të dhe shokët e tij, çka nuk është fare puna ime. Unë nuk dua t’ia di për këtë punë, mua më interesojnë vetëm tregtitë e ligjshme” ka thënë Diveroli.

Ky i fundit gjithashtu i rekomandon Trebickës të përpiqet ta rifitojë kontratën duke i çuar “ndonjë nga vajzat e tij” për të bërë seks me Pinarin. Sipas tij edhe paratë do të bënin punë.

“Le ta bëjmë të kënaqet, ndoshta të jep edhe ty ndonjë mundësi tjetër. Nëse merr 20 mijë dollarë nga ty…” tha ai.

Në fund, Diveroli u duk sikur ishte pishman për biznesin e tij në Shqipëri. “Shkoi më lart deri Kryeministri dhe i biri,” tha ai. “Nuk mund të luftoj me këtë mafia. U bë shumë e madhe. Kafshët thjesht dolën shumë jashtë kontrollit”.

Në këmbimet e postës elektronike, Thomet mohoi që Evdin të kishte një rol zyrtar. Përfshirja e tij në marrëveshjen e Shqipërisë, tha ai, ishte në prezantimin e Diverolit me partnerë dhe zyrtarë potencialë.

Bogdan Choopryna, manaxheri i përgjithshëm i Evdin, gjithashtu tha se pretendimet e Diverolit nuk ishin të vërteta. “Ne dëgjojmë atë çfarë thotë Diveroli, dhe pastaj a jam unë përgjegjës për atë që ai thotë?” tha ai. Perveç të qënurit ekzekutiv i Evdin, Choopryna, 27 vjeç, ofron shërbime marketingu për produktet e një kompanie zvicerane të drejtuar nga Thomet.

Mosmarrëveshja mbi rolin e Evdin dhe pronësinë e saj mbetet e pazgjidhur publikisht. Sipas regjistrit të Qipros, Evdini ishte regjistruar më 26 shtator 2006 – një javë pasi Diveroli paraqiti ofertën për kontratën e Afganistanit. Kompania kishte deklaruar zyrën e saj në Larnaca, Qipro, dhe Pambos Fellas si drejtor të përgjithshëm.

Vizita e një reporteri në këtë adresë gjeti një biznes kontabiliteti mbi një klub nate. Evdin nuk kishte zyrë apo staf atje. Dhe Fellas, që ishte brenda, tha që ai nuk ishte drejtori i përgjithshëm i Evdin, por një “drejtor i emëruar”, roli i vetëm i të cilit ishte regjistrimi i kompanisë.

Ai tha se kishte bërë qindra regjistrime të tilla kompanish kundrejt një pagese dhe nuk dinte asgjë për biznesin e Evdin.

Disa shenja të drejtojnë nga Zvicra. Pinari fillimisht u tha dy reporterëve që ai punonte me Evdin, përmes Thometit. (Pasi një reporter ia tha këtë Thometit, Pinari e ndryshoi historinë, duke e referuar reporterin te Fellas dhe zyra e Evdin në Qipro. Diveroli gjithashtu tha se kompania qipriote drejtohej nga një “individ zviceran.”

Në të kaluarën Thomet është akuzuar nga grupe private, përfshirë Amnesty International, për trafikim të jashtëligjshëm të armëve me anë të një numri të ndryshëm emrash kompanish. Aktivitetet e tij kanë shkaktuar shqetësime edhe në Uashington, ku, si Bernatik, ai dhe Evdini janë në listën e mbikqyrjes të Kontrollit të Tregëtisë Ushtarake, tha një zyrtar amerikan.

Thomet tha se akuzat se ai në të kaluarën ishte përfshirë në tregëti të jashtëligjshme armësh ishin shkaktuar nga “deklarata të pavërteta të konkurentëve të mëparshëm.”

Hugh Griffiths, manaxher i veprimeve në Iniciativën e Profilit të Transferimit të Armëve, një organizatë private që hulumton transfertat e jashtëligjshme të armëve, e përshkruajti Thomet si një sekser me kontakte në vendet e Bllokut Lindor, vende me fabrika dhe stoqe armësh. Afërsia e tij me blerjet e AEY-së, tha Griffiths, lindi dyshime se Pentagoni nuk kishte kontrolluar sa duhet tregëtinë që bëhej në emër të tij.

“E thënë thjeshtë, një pjesë e madhe e njerëzve të përfshirë në futjen e jashtëligjshme të armëve në Afrikë janë po të njëjtët njerëz që janë të përfshirë në marrëveshjet e mbështetura nga Pentagoni, si dërgesat e AEY-së në Afganistan dhe Irak,” tha ai.

Pas pezullimit të së mërkurës, ushtria kishte planifikuar të vazhdonte të pranonte municinet që tashmë kishte porositur nga AEY në datë 21 mars; sipas Komandës së Suportit së Ushtrisë, ishin porositur municione me vlerë 155 milionë dollarë amerikanë.

Në Afganistan, oficerët amerikanë të municioneve po ekzaminojnë të gjitha armatimet e armëve të vogla që ka dërguar AEY. Dërgesa e fundit, që erdhi në arka druri, sipas tre oficerëve, përfshinte gëzhoja të liruara e të gerryera. Në Rock Island Arsenal, pala kontraktuese tha se po bashkëpunonte me hetuesit, të cilët kanë vizituar edhe Shqipërinë dhe Afganistanin.

Në Miami Beach, që përpara pezullimit, AEY ka humbur anëtarë të stafit. Michael Diveroli, themeluesi i kompanisë, i tha një reporteri se ai nuk kishte më asnjë lloj lidhje me kompaninë. Packouz, që ishte zëvëndës president i AEY-së dhe, Levi Meyer, 25 vjec, i cili për pak kohë u rendit si manaxher i përgjithshëm, janë larguar nga kompania gjithashtu. Meyer dha këtë deklaratë: “Nuk jam më i përfshirë në atë rrëmujë.”

 

* Artikull i botuar në numrin e 27 marsit 2008 të New York Times dhe International Herald Tribune. Ky material u raportua nga C. J. Chivers, Eric Schmitt dhe Nicholas Wood dhe u shkrua nga Chivers. Përktheu: Gazeta Shqiptare

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.