OPINION

Gjirokastra dhe Durrësi, nën kërcënime haluçinante

06:15 - 19.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Moikom ZEQO




Para dy javësh, një grup akademikësh nënshkruan një peticion kundër projektit të një rruge “Bypass” në zemër të qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës.

Këtë peticion e nënshkruan: Agim Mero, kryetari i forumit për vlerat e Gjirokastrës, akademiku Emin Riza, kryetari i grupit që përgatiti dosjen e Gjirokastrës për UNESCO-n, prof. Luan Omari, ish-Sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave, prof. Farudin Hoxha, ish-Nënkryetar i Akademisë së Shkencave, prof. Vasil Tole, Sekretar i Përgjithshëm aktual i Akademisë së Shkencave, prof. Ksenofon Krisafi me UET, prof. Agron Fico, albanolog, Niazi Jaho, jurist konstitucionalist, dr. Emin Musliu, projektues i hidrocentraleve, dr. Moikom Zeqo, arkeolog, ish-deputet dhe ministër Kulture, Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Muntaz Dhrami, skulptor i popullit, ing. Maksim Muci, kryetar i Komitetit Ndërkombëtar të Digave, prof. Pirro Thomo, studiues dhe specialist i restaurimeve, Shpëtim Emiri, ndërtues i veprave industriale dhe infrastrukturore, ing. Nuro Dhima, gjeolog për veprat hidroteknike, prof. Lida Miraj, arkeologe, kryetare e Shoqatës së Studimeve Bizantine, anëtare e këshillit të “Europa Nostra”, dr. Kliti Kallamata, studiues dhe specialist për arkitekturën tradicionale, Sadik Petrela, drejtor i Fondacionit “Gjirokastra”, dr. Kostas Gijakoumis, bizantolog, zv. rektor i Universitetit Amerikan të Tiranës, prof. Besnik Aliaj, studiues në fushën e studimeve urbanistike, Universiteti “Polis” etj.

Relacioni i përgatitur me kritere të thukëta shkencore, i përkthyer edhe në anglisht, u është dërguar kryeministrit, ministres së Kulturës, institucioneve të tjera shkencore të vendit si dhe ambasadave të huaja. Unë kam botuar si në gazetën “Dita” ashtu dhe në ndonjë gazetë tjetër shkrime të besuara mbi relacionin shkencor që ngre problemin se ndërtimi i një Bypass-i në qendrën historike të Gjirokastrës do të përbënte një denatyrim të papranueshëm për ruajtjen e vlerave historike të këtij qyteti, që përbën në të vërtetë një nga ikonat më të mëdha dhe më të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore shqiptare në shekuj.

Ky debat u bë i hapur në shtyp për arsye se nuk patëm asnjë kontakt paraprak me Ministrinë e Kulturës, ndonëse vërejtjet tona qenë të njohura për publikun.

Në këtë aspekt unë ia dërgova me email tërë materialet, shkrimet e botuara për këtë subjekt edhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare në Paris, dhe mora një përgjigje që kisha të drejtë ta përmendja emrin e tij për protestën e drejtë për të ruajtur me çdo kusht vlerat historike të Gjirokastrës.

Kjo është e vërteta; nuk ka këtu, as ndonjë manipulim të emrit të shkrimtarit dhe as ndonjë arsye tjetër konspirative.

Ministrja e Kulturës ka bërë një takim me disa nga akademikët që firmosën peticionin, unë nuk kam marrë asnjë lajmërim zyrtar prej ministres, por dhe të tjerë, dhe ndonëse siç jam në dijeni askush nuk është tërhequr nga pozicioni i dokumentit që ka nënshkruar, prapëseprapë në faqen e saj të “Facebook”-ut e reklamon takimin gjysmak gati-gati zhbërje të peticionit dhe përmend se gjoja emri i Ismail Kadaresë është keqpërdorur. Jam i detyruar t’i them publikisht zonjës ministre, për të cilën dua të shfaq respektin tim, se e vërteta është krejt ndryshe.

Pikërisht mbas këtij postimi në faqen e “Facebook”-ut, akademiku Emin Riza botoi një intervistë (gazeta “Sot”, 10 mars 2017) ku jo vetëm nuk tërhiqet nga ideja për të kundërshtuar të ashtuquajturin “Bypass”, por thotë shprehimisht: “Nuk jam dakord për ndërtimin e ‘Bypass’ në Gjirokastër. Ky projekt, nëse do të ndërtohet e zhbën si qytet-muze Gjirokastrën.” Dhe më tej: “Gjirokastra është drejt rrënimit të saj. Pse duhet t’i harxhojmë paratë për projektin e ‘Bypass’? Kjo është absurde! Paratë, nëse janë, të shkojnë për restaurimet e banesave, monumente kulture në Gjirokastër. Kjo është e drejtë. Që të shkojnë për restaurimin e Gjirokastrës, por jo për një ndërtim të ‘Bypass’. Unë e di se si është gjendja në Gjirokastër. Rrënimi i banesave janë si ato plagët e vogla që zmadhohen dhe shndërrohen në kancer. E them sërish që projekti i ‘Bypass’ në Gjirokastër në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar të ndërtohet.”

Akademiku i shquar Emin Riza, që mund të quhet gjirokastrologu më i madh i banesës tradicionale të këtij qyteti të jashtëzakonshëm monumental, nuk flet në mënyrë diplomatike, as me pasiguria të shprehuri, por shumë qartë është kundër projektit të “Bypass” dhe tregon një shqetësim të epërm për shkatërrimin e vazhdueshëm të shtëpive që janë monumente kulture të Gjirokastrës, për të cilat Ministria e Kulturës dhe shteti shqiptar në këta 26 vjet nuk ka bërë asgjë serioze dhe paraprijëse.

Unë kam shkruar shkrime dhe kam dhënë intervista televizive edhe kundër të ashtuquajturit projektit “Veliera” në qytetin e Durrësit, që kërkon të shkatërrojë dhe betonizojë vlerat arkeologjike të qytetit më të vjetër, të krejt bregut lindor të Adriatikut, të Durrësit, që është matrica e formësimit të kombit shqiptar në shekuj.

Kam shprehur mendimin që për qytetin e Durrësit të aprovohet një monitorim për 10 vjet për të mos bërë ndërtime në zonën e brendshme dhe arkeologjike të qytetit por të shtrihen ato në periferi.

Në Durrës ka ndodhur një krim jo thjesht për arkeologjinë, por edhe një shkelje e ligjeve të shtetit dhe, për habi, nuk ka asnjë të pandehur dhe fajtor për këto shkelje. Të njëjtën gjë mendoj edhe për rastin e Gjirokastrës, subjektin e së cilës e artikulova pak më sipër.

Shpreh si qytetar i thjeshtë, si njeri i letrave dhe i kulturës, se duhet të ketë një Komitet të Emergjencave për Monumentet e Kulturës pranë Kryeministrisë, se duhet të ketë një kushtëzim kushtetues për të drejtat dhe nismat që mund të marrin pushtetarët vendorë dhe ata të qendrës, për nisma dhe ndryshime urbanistike për qytete kaq të lashtë si Durrësi, ku gërshetohet kultura kombëtare me atë ndërkombëtare, apo të një qyteti kaq emblematik si Gjirokastra, pasuri e patjetërsueshme dhe e epërme e shqiptarëve në amshim.

Ka probleme të tjera shumë të mëdha Shqipëria. Dhe, më duket që nuk është vendi dhe koha për të bërë ndërhyrje zbukurimore apo thjesht të rregullimeve të shesheve të qyteteve, ndërkohë që me miliona eurot e projekteve për këto gjëra mund të bëhen gjëra më të drejtpërdrejta dhe të dobishme. Kështu, me projektin e 6 milionë eurove në Durrës mund të bëhen kanalet e qytetit që mos të përmbytet nga shirat, të realizohet zbulimi i plotë i amfiteatrit etj., sesa të shtohet një hartë e pashpirt dhe e kotë me beton mbi shekujt e masakruar të Durrësit.

Edhe projekti prej 4 milionësh i “Bypass”, shumë mirë që ekzistojnë para të tilla, do të ishin një mrekulli për të bërë restaurimin e monumenteve të Gjirokastrës. Sidomos të ndërhyhet në kodrën ku është ngritur kështjella e Gjirokastrës, që ka pësuar një dëmtim dhe çarje tektonike nga tërmeti i vitit 2015. Do të ishte vërtet diçka befasuese që, duke pasur parasysh pikturën e Eduart Lirit për Gjirokastrën me harqet e ujësjellësit të Ali Pashë Tepelenës, të bëhej rindërtimi i këtij monumenti, që do ta shumëfishonte semantikën dhe paraqitjen pikturike të Gjirokastrës kaq mahnitëse.

Kam shpresë se politika shqiptare, që nuk është shquar këta 26 vjet për kapacitete dhe personalitete të nivelit të lartë kulturor dhe shkencor, të ndryshojë mbas vitit 2017, dhe të marrë mendimin e specialistëve, të afrojë ata personalitete të kulturës që ka vendi, për të fuqizuar potencialin shkencor dhe artistik, dhe për të përballuar problemet e shumta që na rezervon në mënyrë kaq të beftë e ardhmja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.