KULTURË

Kreu i Institutit të Arkeologjisë: Do të vazhdojmë gërmimet në sheshin “Veliera”

09:15 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ka marrë një tjetër rrjedhë fati i sheshit “Veliera” në Durrës. Instituti i Arkeologjisë ka vendosur të avancojë gërmimet arkeologjike në shesh, për të parë lidhjen që ka struktura e periudhës osmane me murin bizantin. Brenda muajit të ardhshëm arkeologët pritet të zbulojnë sheshin në këtë zonë. Deklarata është bërë nga kreu i Institutit të Arkeologjisë, Luan Përzhita. Në një intervistë për “GSH”, Përzhita shpjegoi se përse po vijojnë gërmimet në shesh.

Zoti Përzhita, çfarë po ndodh aktualisht me gërmimet në sheshin “Veliera”?

Ne jemi si institut për të vlerësuar zbulimet arkeologjike që kanë dalë së fundi. Do vazhdojnë gërmimet edhe për një muaj tjetër. Raporti përfundimtar do të jepet pas një muaji. Ne jemi që këto struktura të ruhen me të gjithë zhvillimin antik të Durrësit. Po bëjmë çmos që një pjesë e kërkimit tonë të fokusohet te muri bizantin i shekujve 5 e 6, dhe të krijojmë një ansambël të përgjithshëm për të alternuar këtë mur me pjesët e tjera të shekujve 17 e 18. Kjo do të diskutohet në instancat përkatëse nga Ministria e Kulturës, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, e një sërë institucionesh të tjera, që do të vendosin se çfarë do të bëhet më tej.

A ka dëmtime struktura nga pilotimet e betonit?

Ka disa pilotime, por që do të analizohen dhe do të shikojmë si mund të riparohen dhe restaurohen.

Çfarë rëndësie ka ky objekt i zbuluar?

Ka rëndësi historike për qytetin. Është bastion fortifikues i qytetit që lidhet me periudhën ekonomike e ushtarake të tij dhe, mbi të gjitha, mendoj që është një bastion ku herë pas here janë bërë ndërtime gjatë shekujve, nga periudha osmane e deri te periudha e mbretit Zog etj. Shikojmë gjurmë kalldrëmi mbi këto rrënoja në periudha të ndryshme. Kemi një shtesë tjetër në stadografinë e përgjithshme kulturore të qytetit të Durrësit. Pra, përveç ndërtimeve që lidhen me periudhën romake, bizantine të tij, kemi edhe të periudhës së shekujve 17 e 18.

Kur dalin konkluzionet përfundimtare?

Do presim edhe një muaj. Do nisim gërmimet tani të murit bizantin e do shikojmë analizat që do bëhen.

E keni fjalën për murin bizantin që gjendet afër pallatit “FLY”?

Po. Ne do shikojmë lidhjen që kanë këto struktura me murin bizantin. Do shikojmë si do e strukturojmë të gjithë këtë ansambël arkeologjik.

Gërmime do të bëhen edhe brenda sheshit të rrethuar?

Besoj se po. Do të bëhet hap pas hapi. Do shikojmë lidhjen që ka godina e periudhës osmane me murin bizantin, dhe më pas do të zgjerohemi me gërmime përgjatë murit bizantin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.