KULTURË

Nënkryetari i KMSH, Gazmend Aga: Fyejnë klerin, por filmat nuk ndalohen me forcë

14:15 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Ne dënojmë sistemin diktatorial dhe aktivitetin e tij antihuman kundër besimit dhe nga morali i përgjithshëm fetar që kemi nuk jemi hakmarrës, porse mundohemi ta analizojmë të kaluarën me qëllim që të njëjtat gabime të mos përsëriten. Njerëzit e fesë dënojnë gabimin dhe mëkatin, jo gabimtarin dhe mëkatarin. Ata janë subjekt të ligjit”. Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Gazmend Aga, reagon për herë të parë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, mbi debatin për “ndalimin e filmave të ish-Kinostudios”.

“Ne si njerëz të fesë e dimë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh i fyer, i përbuzur e i lënduar”, thotë ai, “sepse këtë e kemi vuajtur në mënyrë masive në sistemin komunist, por përgjigja jonë nuk është asnjëherë – fyerjes me fyerje e përbuzjes me përbuzje”. Duke pranuar propagandën që kanë filmat, Imami Aga thotë se megjithatë nuk mund t’i adresohen Kinostudios të gjitha mëkatet dhe se në fund, artistët nuk e kanë pasur qëllim në vetvete propagandën.

Si është parë nga KMSH dhe nga ju vetë debati për ndalimin e transmetimit të filmave të ish-Kinostudios, pasi përhapin propagande?

Është e vërtetë se një pjesë e filmave të prodhuar nga Kinostudio përhapin propagandë ku ndonjëherë bie ndesh jo vetëm me parimet e fesë, por edhe vetë traditave të popullit tonë. Një debat konstruktiv me qëllim interesin publik është pozitiv, sepse nga njëra anë është një punë e madhe e shumë aktorëve, regjisorëve dhe njerëzve të tjerë të shquar, të cilët nuk kanë pasur si qëllim propagandën, por artin dhe duhen vlerësuar për këtë, por nga ana tjetër duhet mirëkuptuar ndjeshmëria e qindra e mijëra të lënduarve nga propaganda komuniste, pjesë vuajtëse e së cilës është dhe kleri mysliman.

-Mes tyre, ka filma të xhiruar në kohën që feja u ndalua, janë të vitit 1967. A ndjeheni të fyer ju prej atyre filmave? A e fyen besimin islam ose klerin mysliman?

Ne si njerëz të fesë e dimë fare mirë se çfarë do të thotë të jesh i fyer, i përbuzur e i lënduar, sepse këtë e kemi vuajtur në mënyrë masive në sistemin komunist, por përgjigja jonë nuk është asnjëherë- fyerjes me fyerje e përbuzjes me përbuzje. Ne qëndrojmë në korrigjimin e gabimeve të së shkuarës që ato të mos përsëriten.

Sistemi vetë ishte një fyerje e rëndë për klerin dhe besimin, sepse e shpalli Shqipërinë vend ateist në mënyrë arbitrare. Gjithë propaganda dhe aktiviteti antifetar, antihuman, antivlerë, lufta e klasave etj. nuk mund t’i adresohet e gjitha Kinostudios, e cila si gjithë pjesët e tjera të sistemit ka mëkatet e veta, kuptohet jo të vogla.

– A mendoni se ndalimi i tyre do përmirësonte imazhin e klerit, a qoftë do ndalonte propagandën komuniste?

Ne jemi për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe opinionit publik dhe asnjëherë për vendime arbitrare dhe imponuese sepse ne nga kjo vuajtëm. Personalisht mund të them se në nder të ndërgjegjes kolektive do ishte mirë që filmat propagandistikë të mos shfaqeshin shumë ose aspak, por jo duke u censuruar me forcë.

A jeni dakord me një censurë tani, ndaj asaj që lejonte censura e kahershme?

Më të dënuarit nga censura jemi ne besimet fetare, prandaj nuk pajtohemi lehtë me censurën, por më shumë me dakordësinë e opinionit publik për atë që është më e mirë për shoqërinë.

A janë këta filma ‘çernobil’, siç i sheh Tufa, i cili thotë se ne nderojmë edhe martirët e fesë, edhe martirizuesit e klerit, njëherësh në të njëjtin vend, kujtojmë këtu se shumë klerikë myslimane kanë humbur jetën gjatë regjimit – në një kohë që ne respektojmë edhe të persekutuarit edhe persekutuesit?

Ne dënojmë sistemin diktatorial dhe aktivitetin e tij antihuman kundër besimit dhe nga morali i përgjithshëm fetar që kemi nuk jemi hakmarrës, porse mundohemi ta analizojmë të kaluarën me qëllim që të njëjtat gabime të mos përsëriten. Njerëzit e fesë dënojnë gabimin dhe mëkatin, jo gabimtarin dhe mëkatarin. Ata janë subjekt të ligjit.

 

‘BBC’ për “ndalimin”

e filmave shqiptarë

BBC’ ka trajtuar debatin e fundit mbi ndalimin e transmetimit në televizione, të filmave shqiptarë të xhiruar nga ish-Kinostudio. Propozimi për të cilin “GSH” ka shkuar që në muajin dhjetor, tani i ka kaluar kufijtë e medias lokale. “A duhen ruajtur filmat e epokës së komunizmit”, -pyet ‘BBC’ duke sqaruar se ka një përpjekje tani në Shqipëri për të ndaluar filmat e kohës së komunizmit në televizione. Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i financuar nga shteti – shkruan ‘BBC’ – argumenton se ndalimi do të mpakë nostalgjinë për regjimin e vjetër. Ndërkaq në një bisedë më shumë se 7 minuta ku flitet për filmin “Tomka dhe shokët e tij” dhe “Zonja nga qyteti”, një opinion pro ruajtjes jep edhe Thomas Logoreci. Regjisori shqiptaro-amerikan që jeton në Tiranë, është një nga themeluesit e Projektit të Kinemasë Shqiptare, e krijuar për të mbrojtur arkivin e rrezikuar të filmit shqiptar. Ai i tha Dan Damon pse është kundër ndalimit të filmave dhe foli për vlerat që kanë këta filma: vlerat artistike e historike. Mes filmave të tij të parapëlqyer, ai ka përmendur “Kapedanin”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.