OPINION

Dita kundër racizmit si ditë për zgjim dhe dinjitet!

06:19 - 22.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Rivelino ÇUNO

Sot është Dita Ndërkombëtare Kundër Racizmit. Bota e qytetëruar ka mësuar nga ditët, përvojat, historitë dhe veset e saj më të liga. Ndaj edhe ka ndërtuar institucione të së mirës, praktika, ligje, rregulla që mbrojnë të mirën, si dhe ditë të kujtesës për ta theksuar nevojën për të mirën.
Jemi të gjithë qenie njerëzore, të gjithë të barabartë, të gjithë krijesa të Zotit fuqiplotë, e megjithatë kemi prodhuar kaq shumë ndasi, paragjykime, luftëra, konflikte, urrejtje e ligësi.
Kjo ka ndodhur dhe ende ndodh, ngaqë e mira ka nevojë për shumë mund dhe kujdes që të përforcohet.
Në ditë të tilla nuk duhet të flasim edhe aq shumë për të ligat. Në ditë të tilla duhet reflektuar për të mirën.
Sot, kudo në botë ka ende luftëra për shkak të racës, fesë, etnisë a përkatësive të ndryshme.
Sot të gjitha viktimat e pafajshme të këtyre luftërave thërrasin për ndërgjegjësimin tonë.
Ne këtu në Shqipëri nuk kemi pasur luftëra apo ligësi të niveleve që kanë përjetuar vende të tjera në botë.
Por sidoqoftë, paragjykime, diskriminim, marxhinalizim e veçim kemi pasur.
Sidomos ne egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, që ende nuk e kemi gjetur strehën e duhur institucionale dhe ligjet e praktikat që të na rikthejnë të drejtat dhe dinjitetin që na e ka dhënë Zoti fuqiplotë dhe garanton Kushtetuta e Shqipërisë.
Të themi të vërtetën, ne ushqejmë ndjenja vëllazërore me të gjithë qytetarët e thjeshtë shqiptarë, sepse, njëlloj si të gjithë ata, edhe ne vuajmë nga e njëjta varfëri, nga e njëjta shpërfillje institucionale, nga e njëjta arrogancë drejtuesish të papërgjegjshëm dhe nga të njëjtat halle e probleme.
Kurrë nuk jemi ndjerë të diskriminuar e as të paragjykuar nga sivëllezërit tanë shqiptarë, qytetarë të thjeshtë.
Kemi jetuar bashkë me ta në komunitete, lagje, fshatra. Kemi bërë shkolla e punuar me ta, e madje edhe kemi bërë martesa e jemi bërë një familje me ta.
Ne egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, kemi vuajtur, përveç varfërisë e mjerimit, edhe diskriminimin që na është bërë nga kultura përjashtuese e institucioneve të shtetit shqiptar, të cilat kanë mangësi etike dhe shfaqin vlera antidemokratike.
‘Pashallarë’ pushtetesh që nuk pyesin për ne hallexhinjtë e mjerimit.
Këta ‘pashallarë’ pasurohen duke përdorur institucionet publike dhe duke i kthyer këto institucione në ngrehina antihumane.
Urrejnë njeriun e thjeshtë, e urrejnë dyfish njeriun me ngjyrë a përkatësi të ndryshme.
Është kultura plaçkitëse dhe antinjeri që i krijon e ndërton këta pushtues dhe sundues plaçkitës të pushteteve dhe institucioneve, që mbjellin racizëm, ndasi dhe veçime, paragjykime apo diskriminim.
Prandaj ne, egjiptianët dhe romët e Shqipërisë, kemi nevojë për zgjim.
Të zgjohemi nga plogështia e dorëzimi që të shohim të vërtetën në sy.
Të zgjohemi që të pranojmë e mbrojmë identitetin dhe dinjitetin tonë.
Të zgjohemi që të ndërgjegjësohemi. Të ndërgjegjësohemi që të arrijmë të bëhemi bashkë luftëtarë për të drejtat tona dhe dinjitetin tonë.
Të ndërgjegjësohemi e të veprojmë politikisht për të kërkuar e fituar integrimin dhe përfaqësimin e merituar.
As integrimi e as përfaqësimi nuk vijnë si dhurata nga pushtetet. Integrimi dhe përfaqësimi fitohen me beteja politike dhe civile.
Prandaj ne si egjiptianë dhe romë të Shqipërisë kemi krijuar edhe partinë tonë, shtëpinë tonë të përbashkët politike të cilën e kemi quajtur PEISH – Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë, që të bëhemi bashkë e t’i fitojmë bashkë edhe integrimin, edhe përfaqësimin.
Beteja jonë e përbashkët politike dhe civile do të na vendosë edhe dinjitetin në vend.
Kjo është dhe arsyeja pse motoja jonë është: Zgjim, Ndërgjegjësim, Dinjitet.
T’i themi “jo” racizmit.
T’u themi “po” bashkëjetesës dhe harmonisë.
T’i themi “po” tolerancës.
T’i themi “po” dinjitetit.
* Kryetar i PEISH – Partia për Europianizim dhe Integrim e Shqipërisë

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.