KULTURË

Filmat e komunizmit? Flet Elvira Diamanti: Më parë të dënohen krimet  

07:55 - 22.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Lulja, bufetierja e kafenesë te “Shoqja nga fshati”, disa kohë më parë ishte një studente që linte gjithçka për të parë komedinë “Zonja nga qyteti”.

Mirëpo, vrapin nuk e bënte pse ëndërronte të jetonte në fshat. Siç ne të gjithëve na ka pëlqyer dhe vazhdon të na pëlqejë, (Agron Tufën përjashtuar), tashmë në një tjetër këndvështrim, edhe aktores së re Elvira Diamanti i pëlqente humori, batutat, loja e aktorëve dhe gjithë realiteti i krijuar.

Vetëm se ajo dhe të gjithë ata që e shihnin filmin nga kryeqyteti e dinin mirë që realiteti ishte i krijuar. Nuk do të donin t’i afroheshin, përveçse për të bërë xhirimet e radhës. Propagandën e kuptonin të gjithë, krijuesit dhe zbatuesit, përpiqeshin vetëm të gjenin mënyrën më të butë për ta përcjellë. Aq dhe ashtu siç mundnin. Aktorja Elvira Diamanti, aktualisht drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, nuk e merr fare mundimin të mohojë cilësinë e dobët të prodhimeve të caktuara.

“Në morinë e veprave që kemi trashëguar nga diktatura ka disa që janë mediokre apo propagandë e shëmtuar, por pikërisht duke i parë sot nga distanca që koha vetë krijon, arrijmë të kuptojmë edhe më mirë kohën që kemi jetuar, ashtu sikundër ka vepra shumë të mira që edhe sot krijojnë emocion. Do të doja të thosha se ne që i trajtojmë këta filma si një rrezik për gjeneratën e re bëjmë një gabim të madh duke i nënvlerësuar të rinjtë. Sot, në epokën e internetit dhe të superinformacionit, si është e mundur që të rinjtë mund të gënjehen e të dëmtohen nga propaganda e këtyre filmave?! Kjo është e pamundur dhe nënvlerësim për inteligjencën e shoqërisë shqiptare. Ajo që mendoj është se në fund të fundit, vetë koha do të seleksionojë veprat e realizmit socialist dhe do të bëjë që regjisorët, aktorët, kompozitorët dhe përgjithësisht gjithë krijuesit e atyre viteve të marrin atë që meritojnë. Publiku shqiptar nuk ka nevojë për guidë për t’i thënë se çfarë duhet të pëlqejë e çfarë duhet të ndiejë. Aq më tepër për krijimtari që u përket dekadave më parë”, pohon Diamanti.

Keni ndjekur me siguri debatin rreth ndalimet të filmave shqiptar të përpara ’90. Duhet të keni diçka për të thënë jo vetëm si aktore e atyre filmave, por edhe si drejtore e AQSHF sot…

E kam ndjekur dhe më bën shumë habi absurditeti i këtij diskutimi që sikur bëhet për të shmangur gjëra të tjera shumë të rëndësishme. Si drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dua t’ju them se kemi një pasuri të vyer të trashëgimisë sonë filmike, një pasuri e cila shkon në 8 milionë e 500 mijë metra film dhe që duhet ruajtur me çdo kusht, sepse ne jemi një arkiv i Shqipërisë, por edhe me gjerë, pjesë e trashëgimisë rajonale e botërore. Një vend i vogël, por edhe i varfër si Shqipëria ka një nga arkivat më të pasur në rajonin e Ballkanit, edhe për dëshirën e madhe që shteti diktatorial i Enver Hoxhës kishte për të dokumentuar çdo gjë.

A duhet të flasin krijuesit për ato që po “akuzohen”?

Gjithë ky debat që filloi aq papritmas, të paktën të vlejë për të hapur një debat edhe me të gjerë se kaq, të kapërcejë gjithë këtë zhurmë mbi artin dhe propagandën e kohës, e të bëjë që shoqëria shqiptare të mos heshtë më për atë që ka ndodhur në ato dekada diktature të tmerrshme e absurde. Si mund të gjykohen e kryqëzohen krijuesit, artistët, kompozitorët, piktorët, kur edhe nën trysninë e propagandës dhe syrit vigjilent të strukturave të mirorganizuara na dhanë kënaqësi estetike, emocione e të qeshura? Si është e mundur që askush në këtë vend nuk kërkoi kurrë falje, nuk u tërhoq nga jeta publike, e si është e mundur që ne të gjithë nuk diskutuam kurrë mbi atë që ndodhi në diktaturë? Më duket se ende ka kohë për të folur, për të diskutuar e debatuar… për të kërkuar ndjesë mbi shumë jetë të shkatërruara nëpër burgje e internime. Dhe sinqerisht mendoj se kjo do të ishte shumë me e vlefshme për të gjithë ne, edhe për fëmijët tanë. Do të na kuptonin më shumë e do të na gjykonin më pak. E për t’u kthyer te filmat… t’i lëmë të qetë krijuesit, t’u themi faleminderit që na dhanë disa penelata ngjyrash në grinë e mërzitshme të diktaturës.

Na tregoni më konkretisht për filma ku edhe ju keni qenë pjesë.

Që të jem edhe më konkrete mbi këtë debat, që ngjan me një stuhi në gotë, do të doja të shtroja një pyetje të thjeshtë. Çfarë dëmi i sjell publikut shfaqja e filmit “Lulëkuqe mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjëtorja”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin 36′”, “Çifti i lumtur”, “Kapedani”, “Liri a vdekje”, “Rrugë të bardha”, “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Pas vdekjes”, “Zonja nga qyteti”, “Apasionata” dhe shumë e shumë të tjerë sepse rreth tyre shtrohet çështja, rreth filmave artistikë, nuk po diskutojmë dokumentarët që janë propagandë e pastër dhe nuk transmetohen. Dua t’ju rikujtoj që shumë prej tyre janë vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare në festivale të rëndësishme të kohës. Natyrisht që ka edhe shumë filma të dobët, por nuk do të doja të citoja asnjërin prej tyre, sepse publiku i gjykon vetë. Mos kujtoni se ne nuk dinim e nuk dimë të bëjmë dallimin, patjetër që ka edhe filma të dobët, qoftë edhe të ngarkuar me propagandë, por duhet të kujtoni në çdo rast trysninë nën të cilën punonin regjisorët. Ata përpiqeshin të na bënin të mendonim për realitete të ndryshme nga ai që jetonim dhe ne bënim sikur gënjeheshim. Ama, unë nuk mund të mohoj që vrapoja për të parë filmin “Zonja nga qyteti” dhe jo sepse ëndërroja të jetoja në fshat, por sepse kishte mjaft elementë të tjerë që ishin shumë të mirë, që ende sot pëlqehen.

Ndoshta dikur nuk guxonit të bisedonit rreth kësaj, por a i keni bërë ju këto biseda më vonë me regjisorë a mes aktorësh? Pra, këtë diskutim që shpërtheu këto ditë në media, a e keni bërë mes jush me kohë?

Patjetër që kemi folur, pas viteve ’90, sepse më parë njerëzit ishin të frikësuar edhe të flisnin, jo më të vepronin kundër sistemit. Ose do të bënin me kokën e tyre dhe do të përfundonin ku përfunduan shumë të tjerë. Shumë nga regjisorët, siç më kanë thënë më vonë, përpiqeshin të shmangnin temën e ditës, duke bërë gjëra të tjera, sepse e kishin shumë të vështirë të përballonin kontrollin e premierës. E kanë ndier këtë trysni gjithmonë dhe duke dashur të bënin atë që dinin të bënin më mirë, i janë shmangur me aq sa kanë mundur politikës. Po të shohësh, kur kohët ndryshuan paksa, kemi filma që janë shumë të dobët. Regjisorët më të mirë kanë kërkuar që të bëjnë ose ngjarje nga lufta, ose tema që i qëndronin larg rrezikut. Unë kam qenë pjesë e filmave për të cilët e di se janë realizuar vetëm t’i shpëtuar një “urdhri” tjetër.

Mirë apo keq, a bën të diskutohet zhdukja e gjithçkaje? Është sa absurditet, aq dhe e pamundur…

Për t’u rikthyer te debati i ditëve të fundit, mendoj se të hedhësh këtë ide për ndalimin në mënyrë absolute të shfaqjes nëpër televizione të filmave të para viteve ’90 është më e pakta e nxituar dhe me një mllef që kjo trashëgimi nuk e meriton… Çfarë do të themi pas kësaj? Të ndalohet gjithë letërsia e para viteve ’90, apo pikturat, skulpturat, çdo gjë që është krijuar në ato vite?! Mendoj se ky debat është i padrejtë, tani mbas pothuaj tri dekadash sepse shoqëria shqiptare e kaloi gati në heshtje gjithë sa ndodhi në ato vite diktature, ku ne jemi rritur në një izolim të plotë, duke mos ditur madje as se sa shumë gjëra na ndaloheshin. Është i padrejtë për krijuesit, artistët, kompozitorët, piktorët, shkrimtarët, si dhe për të gjithë ata që nën diktaturë na kanë dhënë edhe kënaqësi estetike dhe shpirtërore. /Panorama/

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.