KULTURË

Visar Zhiti: Unë ballë për ballë me Nishanin, ç’i thashë në takimin e parë e të fundit

15:00 - 23.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Fatmira NIKOLLI

 

(pjesa e dytë)

I ngarkuari me punë i Shqipërisë në Vatikan, Visar Zhiti, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” reagon pas deklaratës së presidentit Bujar Nishani, se një ish-i përndjekur e akuzon shkrimtarin e ish-ministrin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit në vitet 1982-1983. Atë kohë, vetë Zhiti ka qenë në burg. Në përgjigjet të pyetjeve, ai përgjigjet se: “Unë nuk e di kush është i përndjekuri P.V. Atë duhet ta dijë presidenti. Nuk kam spiunuar të burgosurit, kam refuzuar dhe ka një dokument të bërë publik për këtë. Me administratën e burgut kam pasur atë marrëdhënie që kishte një i burgosur me administratën e burgut dhe me komandën. Madje kam punuar si skllav”, tha Zhiti.

Ditën e mërkurë, në një intervistë për “Panoramën”, presidenti i vendit, Bujar Nishani thoshte se “kur u bë publik propozimi i kryeministrit Rama për të emëruar Zhitin ambasador në Selinë e Shenjtë, unë mora mesazhe dhe dëshmi nga ish-i përndjekuri politik P.V., i cili e akuzonte Zhitin si bashkëpunëtor të administratës së burgut të Spaçit”.

Ky reagim i Nishanit vjen pas një reagimi të Visar Zhitit në “GSH”, ku ai publikoi edhe një poezi dhe e kritikoi Nishanin pas dekretimit të ministrit Fatmir Xhafaj. “(Presidenti) flet për diktaturën e dikurshme, kur është vegël e saj e mbetur, flet për të persekutuarit, kur vetë është persekutor, edhe pse i paaftë”, thoshte Zhiti më 20 mars. Ndërsa, në intervistën e tij të sotme për “GSH” thotë se “një president duhet të jetë i përgjegjshëm kur flet për qytetarët e vendit të tij, sidomos kur janë të persekutuar nga regjimi ku ai ishte ushtarak i tij i zellshëm. E përsëris, unë pata fatin dhe fuqinë që ta refuzoj bashkëpunimin me të keqen, por presidenti nuk duhet të flasë si kafeneve apo studiove klanore, e porosis të ketë kujdes, se një herë i shtypën njerëzit, i thyen, i bënë vegla të tyre dhe tani ua përflasin – u bëjnë shantazh e i shpërdorojnë”.

Në shkurt të vitit 2015, presidenti Nishani refuzoi kandidaturën e Zhitit si ambasador në Vatikan, sipas propozimit të kryeministrit Edi Rama, kur Zhiti megjithatë shkoi, por si i ngarkuar me punë. Pas dy vitesh, debati rihapet.

Më poshtë pjesa e dytë e intervistës së shkrimtarit, poetit, ish-ministrit e diplomatit, Visar Zhiti.

– A ju është kërkuar të bashkëpunoni, të spiunoni, të kallëzoni, të përgjoni apo të dëshmoni kundër të burgosurve në Spaç?

E kam refuzuar. Zoti më dha forca ta bëj. Në dosjen time është dokumenti me firmë që kam refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, është botuar. Një president s’e ka të vështirë ta gjejë e duhet të më përgëzonte për aktin dhe sakrificën. Ndërkohë kam treguar se dhuna është më fajtore se ata që i kanë thyer, ata janë viktimat, mëshirë dhe dhembje për ta. Një president duhet të jetë i përgjegjshëm kur flet për qytetarët e vendit të tij, sidomos kur janë të persekutuar nga regjimi ku ai ishte ushtarak i tij i zellshëm. E përsëris, unë pata fatin dhe fuqinë që ta refuzoj bashkëpunimin me të keqen, por presidenti nuk duhet të flasë si kafeneve apo studiove klanore, e porosis të ketë kujdes, se një herë i shtypën njerëzit, i thyen, i bënë vegla të tyre dhe tani ua përflasin – u bëjnë shantazh e i shpërdorojnë. E kam shkruar dikur, para se të flisni për bashkëpunëtorët e Sigurimit, flisni për ta që i bënë të tillë dhe si. Një president duhet ta dijë këtë dhe t’i mbrojë qytetarët e vendit të tij e jo të bëhet përndjekësi i tyre.

– Pra, e keni refuzuar?

Unë e kam refuzuar, madje është shpallur edhe në shtyp, është botuar. Së pari, e tregoi deputeti Uran Butka vite më parë, që gjetën në dosjen e Visar Zhitit poezinë më të bukur të tij, refuzimin për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Ndërkohë kam kaluar kontrollet e pastërtisë së figurës publike kur kam qenë deputet dhe kur jam emëruar ministër. Një president e ka shumë të lehtë të hapë dosjen time. Unë kam kaluar provën me bashkëvuajtësit e mi dhe me veten dhe le të dalë në gjyq kush të dojë që të provojë të kundërtën. Në burgologjinë time “Ferr i çarë” e kam treguar me emra dhe në librin tjetër “Panteoni i nëndheshëm” ka dokumente se si më ndiqnin, aty janë dhe pseudonimet e tyre. Ndërkaq, shtoj se dua ta këshilloj presidentin e vendit tim të sillet mirë me qytetarët dhe të përvuajturit deri dhe me ata që u thyen burgjeve, se së pari u korruptuan për t’i shërbyer shtetit dhe që u shpërdoruan nuk është faji i tyre. Ata janë pasoja dhe jo shkaku dhe unë e kam thënë i pari që bashkë me listën e atyre që u bënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të dalë edhe lista e atyre që i bëri ata ashtu, si dhe me ç’metoda e tortura. Presidentit i takon të jetë i përgjegjshëm dhe jo të bëjë shantazhe e dhunë presidenciale, por të veprojë me drejtësi e kurajë që të kurojë plagët e së kaluarës, por jo t’i ngacmojë ato për të kulluar gjak sërish. Bashkëpunëtorët një herë i thyen dhe tani i nëpërkëmbin dhe i fyejnë. Mëshirë dhe drejtësi. Dhe nderimin më të lartë për qëndrestarët dhe martirët, edhe kur janë të gjallë, por të mos presin të vdesin për t’i dekoruar me cinizëm. Një president duhet të jetë i përgjegjshëm për të kaluarën, të tashmen dhe për të ardhmen e jo të iki pas 5 vjetësh pa asnjë gjurmë për popullin dhe vendin.

– Pse presidenti flet për ju si një njeri pa qëndrueshmëri psikike, cili ka qenë reagimi juaj në takimin me të?

Vërtet? Do të buzëqeshja në një rast tjetër, por kam kohë që e kam humbur buzëqeshjen. Shkak është edhe ai. Unë jam ai që kam qenë dhe kur më dekretoi si ministër, e përsëris, edhe kur më dekoroi si “Mjeshtër i madh” dhe deri më tani atij i kam folur si qytetar, kryeqytetarit, qytetarit të parë të vendit, por të parët ndonjëherë dalin të fundit. Ai bën psikanalistin duke pasur si kulturë rregulloren e kallshnikovit dhe alarmet ushtarake. Por punë e tij, dhe pyetjet që keni për të, mos m’i bëni mua. Më vjen mirë që atij i jam dukur i tillë, nuk dua të jem normal si ai. Besomëni, nuk kam shumë kohë për të, se presidenti im i vërtetë është Krishti dhe porositë e tij më japin kurajë dhe qëndresë. Nga takimi i vetëm që kam pasur me Nishanin, mbase do ta tregoj ndonjëherë, nëse ai nuk e ka të incizuar, kujtoj që reagimi im në fund ka qenë: fale o Zot, se nuk di çfarë bën! Në fakt, tani do të shtoja: Por ai e di se ç’bën, pengesa për vendin…

Pjesën e parë të intervistës për “GSH”, ku poeti Visar Zhiti e akuzon presidentin Nishani se “është një karikaturë e Enver Hoxhës që e akuzon pa fakte, por me letra nga populli”, mund ta lexoni KETU.

 

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.