OPINION

Ristartim përsëri nga Roma i Bashkimit Europian, pas 60 viteve

06:20 - 26.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Prof. Anastas Angjeli

Kur përpara 10 viteve, në 25 mars të 2007-tës, në Berlin u nënshkrua deklarata që mbante emrin e të njëjtit qytet, kishin kaluar 50 vite që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës. Atmosfera nuk mund të ishte veçse entuziaste. Progresi i zgjerimit dhe arritjet e zhvillimit shumëplanësh të BE ishin impresionues. Integrimi evropian i nisur 50 vite më parë ishte në një fazë optimizmi dhe gjithçka dukej e mundur. Një grupim i vogël shtetesh, vetëm 6, kishin nisur një rrugëtim të përbashkët dhe tani numri i shteteve kishte arritur në 27. Edhe pse sot, 10 vite më vonë, Unionit i është shtuar edhe një vend tjetër anëtar, dje në 25 mars të 2017, në Romë ku ju vu “vula” BE-së, ishin po 27-të vende dhe liderë të tyre duke festuar.

Natyrisht, nuk kemi të bëjmë me ndonjë paradoks. As  me ndonjë lojë fjalësh. Kjo, sepse ky 60-vjetor i Traktatit të Romës u festua në atë që në histori e qe ka hyrë dhe do të mbetet e njohur (nuk e dimë se për sa kohë) si epoka post Brexit… e BE.

Gjithsesi, kjo nuk duhet konsideruar si një dështim, sa si një mesazh dhe shenjë pesimizmi. Përkundrazi, rruga e progresit të BE-së nuk ndalet, edhe se në këtë rrugë ka dhe do të ketë vështirësi. Kjo, sepse kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, kemi të bëjmë me një nga “eksperimentet” më të suksesshme të historisë moderne, jo vetëm evropiane, por edhe asaj botërore. Dhe një projekt i tillë mund të ketë vetëm një të ardhme që nga çdo aspekt do jetë më i arrirë dhe më cilësore se e shkuara. Por që të arrihet një gjë e tillë dhe sidomos pas një periudhe 10-vjeçare të trazuar, nuk mund të mos analizohet e shkuara dhe nuk mund të mos piketohet e ardhmja. Kjo, me synim për të arritur një ristartim cilësor në udhëtimin e BE-së.

Dhe me sa duket, ky është edhe qëllimi i Deklaratës së Romës në këtë 60-vjetor të BE-së. Një ristart. Një fillim i ri për një Evropë që duhet të përshtatet në një ambient të ri politik, ekonomik, social dhe global.

Bashkimi Evropian, siç duket nga përmbajtja thelbësore e Deklaratës së Romës, në këtë 60-vjetor të saj nuk mund të projektojë të ardhmen e përbashkët, pa pasur një këndvështrim dhe një vetëndërgjegjësim të qartë për situatën aktuale. Një situatë e ndryshme, një botë me risqe më të mëdha pasigurie se ajo e parakrizës financiare dhe një Evropë, që duhet të vazhdojë rrugëtimin pa njërin prej vendeve që ka vendosur të shkëputet nga Unioni, pa Britaninë e Madhe.

Bashkimi Evropian po përballet me sfida të paprecedentta, si globale ashtu edhe të brendshme: konflikte rajonale, terrorizëm, presione migratore në rritje, proteksionizëm dhe pabarazi ekonomike dhe sociale. Së bashku ne jemi të vendosur të përballemi me sfidat e një bote që po ndryshon dhe t’u ofrojmë qytetarëve tanë siguri dhe mundësi”. (Nga Deklarata e Romës).

Në këtë frazë të Deklaratës së Romës gjejmë edhe “fjalët kyçe” që tregojnë vetëndërgjegjësimin e përmendur më sipër. Sfidë, ndryshim, pasiguri, pabarazi sociale. Por njëkohësisht gjejmë edhe një fjalë që siç duket, për Bashkimin Evropian përbën edhe “çelësin e suksesit”. Së bashku. Vetëm kjo është mënyra. Së bashku. Zgjidhjet edhe përballimi i sfidave mund të jenë efektive vetëm kur jemi së bashku dhe në rrugë evropiane. Dhe në një periudhë kaq jetësore për Bashkimin Evropian si kjo e tanishmja, ky është një mesazh më shumë se i rëndësishëm dhe optimist..

Deklarata e Romës duhet konsideruar si një pikënisje, por njëkohësisht edhe si një vizion se si duhet të jetë Evropa pas 10 vitesh. Për këtë arsye, kjo deklaratë edhe pse e shkurtër, por kuptimplotë fiton një vlerë shumë të madhe. Për herë të parë pas një periudhe gati dhjetëvjeçare, kaq të trazuar, kaq të shumëdebatuar Bashkimi Evropian duket se po rikthen vëmendjen te disa vlera dhe komponentë që historikisht janë konsideruar si pikat më të forta të tij, (Traktati i Mastrih’tit) por që vitet e fundit janë vënë në dyshim:

“Një Evropë sociale: një Bashkim që është i bazuar te zhvillimi i qëndrueshëm, që promovon progresin ekonomik dhe social si dhe kohezionin dhe konvergjencën, duke ruajtur integritetin e tregut të brendshëm. Një Bashkim që mban në vëmendje diversitetin e sistemeve kombëtare dhe rolin kyç të partnerëve socialë, një Bashkim që promovon barazinë ndërmjet burrave dhe grave si dhe të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë; një Bashkim që lufton papunësinë, diskriminimin dhe përjashtimin social dhe varfërinë; një Bashkim ku të rinjtë marrin arsimimin më të mirë dhe mund të studiojnë dhe të punësohen anë e mbanë kontinentit, një Bashkim që mbron trashëgiminë kulturore dhe promovon diversivitetin kulturor”. (Deklarata e Romës, 25 mars 2017)

Pra kohezioni social, lufta ndaj pabarazisë ekonomike, ndaj përjashtimit social duket se do të jenë pikat kryesore mbi të cilat Bashkimi Evropian do të mbështesë ekzistencën e tij në vitet e ardhshme. Ky është një mesazh shumë shpresëdhënës.

Pikë tjetër e rëndësishme e Deklaratës së Romës është padyshim edhe angazhimi për një Evropë më të begatë dhe më të qëndrueshme ku “…një treg i përbashkët që përqafon zhvillimet teknologjike dhe një monedhë e fortë dhe e përbashkët hap rrugë të reja për zhvillim, kohezion, konkurrencë, inovacion… nëpërmjet investimeve, reformave strukturore duke pasur si synim përmbushjen e Bashkimit Ekonomik dhe monetar, ku ekonomitë konvergjojnë, ku energjia është e sigurt dhe ku ambienti është i pastër…”.

Një fokus tjetër i Deklaratës së Romës është edhe nevoja për një Evropë më të sigurt, ku qytetarët do të ndihen të sigurt dhe do të munden të lëvizin lirisht, ku kufijtë me jashtë do të jenë të sigurt dhe ku krimi i organizuar dhe terrorizmi do të përballohen me efektivitet.

Në 60-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Romës duket se Evropa do të ketë një start të ri. Kuptohet që për të bërë të mundur këtë, do të nevojiten shumë  më shumë se sa vetë deklarata, por duket se vullneti nuk mungon, vendosmëria është e patundur…

Ndaj dhe vendin tonë, në rrugën e vet të pandalshme të integrimit europian, ky 60-vjetor e gjen përballë sfidave të rëndësishme. Nevoja për një sistem politik më funksional, për një zhvillim ekonomik më të drejtë e më social e bën miratimin dhe zbatimin e plotë të reformës në drejtësi (miratimin sa më shpejt dhe fillimin e zbatimit të vetingut si pjesë thelbësore të reformës në drejtësi) mbetet sfida e sfidave në rrugën tonë integruese… Bashkimi Evropian ka qenë përherë një nga mbështetësit më të fortë të vendit tonë në të gjithë rrugëtimin tonë si shoqëri drejt përmirësimit të nivelit të demokracisë sonë. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot të mbetet një shtysë për përmirësim të vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë dhe të sistemit politik. Por, akoma më shumë kjo mbështetje është një shenjë e qartë se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të jetë tjetër përveç integrimit të plotë në Bashkimin Evropian. Me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin e Europian ne jemi më të garantuar në të ardhmen tonë euroatlantike, me një zhvillim ekonomik e social më të mirë, rajoni ynë, më stabël dhe më i sigurt.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.