MILOSAO

Onufri dhe koha e tij

07:00 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Dhimitër S. SHUTERIQI

Kur përmendim Onufrin, këtë artist nga më të talentuarit të pikturës së shekujve të sundimit osman në gjithë Ballkanin, duhet të themi, së pari, se ai është një ndër ato vlera shqiptare që e bëri të njohur, e zbuloi dhe e çmoi vetëm koha jonë. Dhe, së dyti, se e çmon tani edhe bota. Në ekspozitën e artit shqiptar, të mbajtur në Paris, i kuqi i Onufrit u quajt me admirim “i kuqi shqiptar”. Kjo ngjyrë gjaku simbolizon kohën dhe përpjekjet e flijimet e rënda që u bënë nga populli ynë fill pas shekullit të Skënderbeut, për të rimëkëmbur shtetin shqiptar, lirinë e humbur.
Onufri i përket një periudhe të shquar për qëndresën e saj kundër pushtuesve dhe orvatjeve asimiluese të tyre. Gjatë asaj periudhe, me gjithë vështirësitë e pashoqe, pati një gjallërim, të shquar për atë kohë, të përpjekjes kulturore të popullit tonë, – në Shqipëri brenda, por edhe në mërgimin shqiptar, – gjë që flet lart për vitalitetin e këtij populli, pas rrebeshesh si ata të shek. XV dhe nën një sundim barbar.
Vala e kryengritjeve antiosmane në shek. XVI njihet sidomos që nga viti 1571, vit i humbjes së bujshme turke në Lepanto. Kjo humbje u dha zemër popujve të Ballkanit për çlirim. Po fuqitë perëndimore të atëhershme, Venediku sidomos, i zhgënjyen keqazi shpresat e ballkanasve. Përpjekjet e këtyre qenë të mëdha, gjer në vitet 20 të shek. XVII, po përfundimet shumë të hidhura. Shqiptarët, p.sh. qenë tradhtuar e braktisur vazhdimisht e në mënyrën më të pafytyrë nga perëndimorët.
Në Bërzeshtë të Librazhdit e në viset e Dibrës, në vitet 60 të shek. XVI, d.m.th. fill pas dhjetëvjetëshit kur Onufrin e shohim të mbarojë së pikturuari në Valësh të Shpatit (1554), populli është në kryengritje.
Që nga mesi i shek. XVI, pushtuesit kanë nisur fushatën e myslimanizimit të vendit, me shpresën se kështu do ta mposhtnin edhe më shpejt këtë kënd të paepur të Ballkanit. Qëndresa, sikundër shihet, vazhdon të zhvillohet edhe në platformën fetare. Dhe kështu shohim se si, në Shqipërinë e Veriut, në rrethet e Ulqinit e të Tivarit, pikërisht në vitet kur krijon Onufri nën Shkumbin, – 425 vjet më parë, – Buzuku përkthen e boton librin e parë të njohur shqip (1554-55). Në Verilindje kemi fill pas tij, në mos krahas me të, një Pal Hasi nga vepra shqipe e të cilit u nxit Budi më 1599.
Në mërgim, më 1592 Lekë Matrenga i asaj pakice të vogël arbëreshe të Siqelisë, kishte botuar librin e dytë shqip. Gjuha e tij, si dhe ajo e Buzukut, dëshmon për një traditë më të lashtë të shkrimit të shqipes, traditë që duhet supozuar paraosmane. Që në fillim të shek. XVI, Marin Barleti kishte botuar historinë e tij të famshme të Skënderbeut (1508-10), libri shqiptar më i lexuar gjatë kaq shekujve, në atdhe brenda dhe jashtë, ku u përkthye dhe përshtat me dhjetëra herë. Humanizmi shqiptar kishte gjetur kështu autorin e vet të madh. Ky humanizëm e kishte nismën në shekullin e Skënderbeut dhe qe bashkëkohës i humanizmit më të hershëm të Evropës, atij italian. Të tjerë do ta ndiqnin shembullin e Barletit. Kështu Dhimitër Frëngu, arkëtari i fundit i Skënderbeut, la mbi heroin një vepër, e cila, e botuar së pari më 1539, njohu dhe ajo suksesin me plot 20 ribotime ë përkthime. Dhimitri ishte kushëri i parë i humanistit Pal Engjëlli, politikan e dorë e djathtë e Skënderbeut. Më 1636, vazhdën e humanizmit shqiptar të shek. XVI e ndiqte Frang Bardhi me “Apologjinë” e tij mbi Gjergj Kastriotin, që i bën nder shkencës historike të kohës. Tanimë, Budi e Bardhi vetë i kanë botuar veprat shqipe të tyre (1618-35).
Në këtë përpjekje kulturore të përgjithshme e të shumanshme, bën pjesë edhe Onufri dhe shquhet.
Me sa dimë gjer më sot, Onufri pikturoi në Elbasan (Shelcan e Valësh), në Berat, Kostur dhe, merret vesh, gjer në afërsi të Shkupit. Pra, në Shqipëri të Mesme dhe në viset rretheqark, ku popullatat fillojnë e përzihen. Ishin kryesisht viset që, kishtarisht, vareshin nga Patriarkati i Ohrit, i cili luajti rolin e vet në qëndresën kundër osmanëve në fushën e fesë.
Mos vetëm gjer aq shtrihej veprimtaria e një artisti aq të talentuar sa Onufri, që zor se e ka shokun në viset fqinje të kohës së vet? Nuk do besuar. Kërkimet në këtë drejtim meritojnë gjithë vëmendjen. Kjo ka rëndësinë e saj jo vetëm për të njohur Onufrin dhe pikturën tonë të shek. XVI e këndej, por edhe rrezatimin e ndikimit kulturor shqiptar mbi popujt fqinjë, gjë e natyrshme në një fazë kur populli ynë shquhej për qëndresën kundër osmanëve, duke luajtur role të dorës së parë në atë qëndresë.
Njohja ende e pamjaftueshme e veprës së Onufrit shtron një problem jo të vogël: çfarë e përgatiti një mjeshtër të rrallë si ai dhe si u përgatit? Ku e mori mjeshtërinë dhe si e zhvilloi? Në vend, ai i pati sigurisht mundësitë jo vetëm të lindjes si artist, por edhe të një zhvillimi të plotë, pavarësisht rrethanave aspak të lehta. Onufri vetë na mëson se është nga Elbasani (Neokastra, – Qyteti i Ri, siç e quan Bardhi), dhe se këtu ka një pozitë dalluese shoqërore për kohën, është kryeprift (protopapë). Pra, pavarësisht se ka punuar në Berat, duket se me Elbasanin vetë Onufri ka mbetur veçanërisht i lidhur.
Kur më 1554 ai pikturoi në Valësh, artisti është në kulmin e zhvillimit të mjeteve shprehëse të tij. Kjo tërheq vëmendjen. Elbasani, i cili u rindërtua gati nga themelet më 1466, a e ka pasur mundësinë të formonte aq shpejt një piktor të aftësive të mëdha? Dimë se jeta ekonomike e Qytetit të Ri, me tregtinë e me esnafët, p.sh. ka marrë një farë zhvillimi në këtë qendër sanxhaku në mes të shek. XVI. Disa copëza skulpture bizantine dhe neobizantine, si ato të kthisura në muret e faltoreve të Shën Jonit e të Kalasë së Elbasanit, janë pak për të dhënë një ide mbi zhvillimin e artit këtu përpara këtij, në Elbasan me rrethe, nuk na ka arritur. Shën Jonin e rrënoi një tërmet përpara vitit 1381 dhe i rindërtuar atë mot nga Karl Topia, ai njohu disa djegie gjer në shekullin tonë (1899, 1944). Kisha e Kalasë u dogj më 1819 dhe piktura e saj u përket viteve pas 1835-ës.
Mos do menduar që Onufrin, në se ia hyri mjeshtërisë së tij në Elbasan me rrethe, u formua sidomos në qendrën e Beratit, ku ai ka punuar edhe me të birin Nikollën e me ndonjë çirak tjetër të talentuar? Berati ishte një qendër, ku traditat e pikturës kishtare nuk patën ndërprerjen që njohim së hershmi në qytetin e Skampës. Apo mos në Berat Onufri punoi vetëm në një fazë pak a shumë të vonë të jetës së tij, kur djalin e kishte të rritur dhe mjeshtër? Nikolla nuk përmendet në punimet e Valshit e të Shelcanit.
Këtyre pyetjeve është e vështirë t’u përgjigjesh. Po e rëndësishme dhe kryesore është se krijimtaria e Onufrit, në Shqipëri të Mesme, ka një kulm të saj, e pakta që më 1554.
Le të shënojmë këtu edhe disa fakte, të cilat, mund të shërbejnë për të pasuruar njohjen e kohës dhe, tërthorazi, edhe të veprimtarisë krijuese të Onufrit.
Në kemi treguar se shqipja, gjer më 1601, përdorej në shërbesat fetare të arbëreshëve të Kalabrisë, të cilët, me prejardhje, janë kryesisht nga Shqipëria e Jugut dhe e Mesme. Ato shërbesa, padyshim, arbëreshët i morën me vete prej Shqipërie. Po mund të mendohet se, për ruajtjen e tyre, gjer në fillim të shek. XVII e pakta, ka luajtur rol edhe kleri shqiptar, me të cilin i furnizonte arbëreshët Patriarkati i Ohrit, kler që shkonte atje nga Elbasani, Berati, Vlora etj. Nga mesi i shek. XVII, Vatikani do ta pengojë thuajse në mënyrë të prerë këtë gjë, pasi ai ka ndërmarrë të krijojë, për punën e tij në Lindje, një kler ortodoks besnik të vetin, në një kolegj që ka çelur në Romë që më 1577 dhe ku nxënësit e parë që njohim janë edhe himariotë e arbëreshë.
Nuk do dyshuar se, në pjesën e dytë të shek. XV, kur arbëreshët u vendosën në masë në Itali, ata shpunë atje një traditë më të lashtë kishtare në gjuhën e tyre. Ekzistenca e librave në gjuhën shqipe vërtetohet që më 1332 në Veri, gjë që na lejon të pohojmë plot gojën se shqipja shkruhej e pakta që nga shek. XIII, në mos edhe më herët.
Provat për të lidhur hallkat e këputura nga shkatërrimet e mëdha të kohëve, na ngjitin në vitet kur jetonte dhe krijonte Onufri, por edhe më herët, në vitet kur arbëreshët çonin përtej detit shërbesat e tyre fetare në gjuhë shqipe, pra në shek. XVI dhe më lart, në të XV. Puna e Onufrit nuk mund të kuptohet mirë pa e lidhur me këto fakte bashkëkohëse arbëreshe dhe të mëpastajme elbasanase, sikundër nuk mund të kuptohet pa u lidhur me veprimtarinë e Barletëve dhe të Buzukëve me të tjerë.
Dhe vimë këtu te një pohim, sipas të cilit Onufri nuk është pa ndonjë takim me artin perëndimor të Rilindjes, sado jo sa duhet i qartë të na jetë bërë ky takim. Marrëdhëniet shqiptaro-arbereshe që u përmendën, mund të shpjegonin këtë. Po marrëdhëniet tregtare etj. midis të dy brigjeve adriatike nuk u ndërprenë plotësisht me pushtimin e Shqipërisë, kurse Venediku, në bregdetin tonë, Ulqinin e Tivarin i ruajti gjer në pjesën e dytë të shek. XVI, Butrintin edhe më pas.
Problem tjetër me rëndësi, kur flitet për Onufrin dhe djalin e tij Nikollën, është ai i traditës pikturore që artisti ynë përtëriti dhe përforcoi në Shqipëri, po ashtu siç bëri Buzuku në fushën e shkrimit të shqipes, të dy në mes të shek. XVI. Piktura shqiptare e shek. XVII njihet ende pak. Po në shek. XVIII kemi një fazë të hovshme të zhvillimit të saj, veçanërisht në zonat e Korçës, Beratit dhe Elbasanit me shfaqje në viset përreth, si në Maqedoni e Greqi, gjer edhe në Rumani e Hungari. Disa nga përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje të madhe ishin prej krahinave të Elbasanit dhe vepruan sidomos në Shqipëri të Mesme. Kështu Kostandin Shpataraku, kështu edhe Vëllezërit Katro të Grabovës së Gramshit. Është koha e Grigorit, Todhrit, Beratasit me shumë të tjerë, që punuan në fushën e shkrimit të shqipes, koha e një mendimtari iluminist, si Kavalioti. “Zbraztësia” e shek. XVII, apo ajo si zbraztësi që na paraqit përshtypja e parë, se faktet që njohim sot janë të pastudiuara sa duhet, do bërë përpjekje që të “mbushet”. Dhe kështu të argumentohet, me sa të jetë e mundur më mirë, se si lidhet piktura jonë e shek. XVIII me atë të shek. XVI, Shpataraku p.sh., por edhe një David Selenica më në Jug, me traditën e Onufrit dhe të djalit të tij, nga të cilët i ndajnë gati dy shekuj, po ashtu si në fushën e lërimit të shqipes, duhet bërë edhe më e qartë lidhja, nga njëra anë e Todhrit dhe e Beratasit me Bogomilin, kurse nga ana tjetër, lidhja e këtij të fundit me traditën paraosmane të lërimit të shqipes, për të cilën na siguron përdorimi i saj në shërbesat kishtare arbëreshe gjer e pakta në fillim të shek. XVII.
Ky problem nuk është thjeshtësisht ai i një suazimi dhe njohjeje më të afërt të Onufrit e të veprës së tij. Ky është problemi i vazhdimësisë së kulturës shqiptare, të cilën pushtuesit, sado e rrënuan dhe u orvatën t’ia bënin jetën të pamundur, të cilën shpërnguljet e copëtuan, prapë nuk arritën ta ndërprisnin e ca më pak ta ndalonin, sikundër nuk e ndërprenë e nuk e ndalën dot asnjëherë qëndresën shqiptare, ku dhanë ndihmën e tyre të çmuar edhe arti i të pikturuarit, edhe shkrimi i shqipes në Shqipëri apo tek arbëreshët, krahas humanizmit shqiptar, që u zhvillua në mërgim, po që pat ndonjë shfaqje të vetën të shënuar në atdhe (p.sh. me Bardhin). Ky humanizëm shkëlqeu me Barletin jo më shumë se 30 vjet pas pushtimit të plotë të Shqipërisë. Kurse veprat e Buzukut e të Onufrit nuk erdhën më vonë se tri të katërta shekulli pasi ranë Kruja dhe Shkodra.
Tiranë 1970


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.