MILOSAO

TREGIM / Midis orës 5 dhe 6 të mëngjesit

07:05 - 27.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Faruk MYRTAJ

I kisha nënqeshur titujt e ca broshurave si “Anglishtja pa mësues” apo “Si të flisni anglisht pas 66 ditësh”, por zbritëm në qytetin e zgjedhur për të mërguar dhe, pas disa përpjekjeve për tu kuptuar në këtë mjedis, iu dorëzuam sugjerimit se punë do mund të gjenim vetëm pasi të ndiqnim kursin për anglishten si të sapo-ardhur. Ishte falas, e nisëm për pak javë, por kaluan disa muaj dhe na u ëmbëlsua aq shumë sa, me time shoqe, gati po besonim se s’kishim kaluar kohë më të bukur.
Leksionet, më saktë bisedat e lira në anglishte, gërshetoheshin me vizita të shumta në qytetin e pa-fund, gjatë të cilave na ngjitën në majë të Kullës së dytë Më Të Lartë në botë, vizituam një serë gjigande ku, në mes të dimrit, gjetëm lulet e pranverave të të gjithë botës dhe mbetëm në pritje të surprizave ditëve të tjera. Koha rridhte si ajri mes gishtave, e kaluam nivelin e pestë të anglishtes për neucomers, gjuha e huaj bëhej më e afërt, buzët e ndjenin, veshët e qasnin dhe joshnim veten të merrnim me mend si do të ndjeheshim kur të arrinim nivelin e shtatë, edhe pse e folura e saj prej fëmijëve tanë do të mbetej përgjithnjë e largët për tu arritur prej nesh…
Sigurisht, ime shoqe s’e dinte ç’do shkaktonte në syprinën e kësaj jete “lermë o Zot të rroj”, kur në mes të kësaj harmonie bëri të ditur se për muajin tjetër s’do kishim dollarë për të paguar rentën e apartamentit ku jetonim. Vetëm në këtë moment u kujtuam, u përmendëm, se në këtë qytet madhështor s’kishim ardhur për të ndjekur kurse gjuhe të huaj, kujtonim më vonë, kur u bëmë sado-si emigrantë të vjetër.
“Do ta ndërpresim kursin…”, i thamë mësuesit Greg, drejtuesit të kursit.
“Ju besoni se anglishtja që keni arritur, do t’ju mjaftoj…”
“Na duhet të paguajmë rentën, profesor…”
“Oh, kjo është tjetër gjë…Sorry…” tha ai, dhe na e la neve të drejtën e leksionit
Pas tri ditësh, duke kërkuar në ngut, gjithandej, u pranuam në një intervistë pune. “E-r-i-k,” u paraqita unë.  “M-o-n-a,” shtoi ime shoqe.  Pritëm, siç presin emigrantët e rinj. Me idenë se gjersa kishim ardhur me dëshirë e shpresë, ashtu edhe do të na prisnin.
“Unë jam Majk”, u prezantua intervistuesi. Përfytyroni një nëpunës pak më shumë të shëndetshëm se i lejonte dukja e moshës. Me zë të ulët, në anglishte sa më të qartë e sa më të thjeshtë, posaçërisht për nivelin e pestë që kishim kaluar ne përballë tij. Ta merr mendja, nuk shfaqte asnjë shenjë bezdie për anglishten tonë. Si me përvojë në komunikimin me emigrantët, edhe neve do të na kuptonte pa folur. E ndjeu që vinim nga Lindja. Të tërë nga Lindja vinin këto kohë. Lindja ishte nisur e tëra, më këmbë, për në Perëndim. Majk na e ndjeu edhe turbullimin. S’kishim asnjë ide për pyetjet që mund të na bënte për këtë lloj pune që, sipas nesh, s’kishte nevojë fare për testim. Aplikantë, me shkollë të lartë vendlindjeje…Por, çdo gjë bëhej lëmsh prej anglishtes. Majk i di edhe përgjigjet tuaja, mos çani kokë, na kish thënë, edhe një minutë para intervistës, një bashkëkombas, emigrant i hershëm.
“Ajo që varet vetëm nga ju?! Jo veç nga ju të dy. Ne të gjithë duhet të harrojmë diplomat dhe karriket që kemi pasur atje ku kemi qenë. Jemi kartë e bardhë që do shkruhemi nga e para, këtu. S’na pyet kush ç’kemi qenë. Na pyesin ç’dijmë të bëjmë, ç’marrim përsipër të bëjmë. Por s’është e thënë t’i zotërojmë punët që marrim përsipër. Këtu, askush prej të sapo-ardhurve s’e di gjuhën. Secili ka anglishten e tij dhe kjo mjafton të marrim vesh punën që do bëjmë. S’është keq të lexojmë sa më shumë anglisht por, një orë e më parë, do duhet t’i themi ‘shporru  kujtesës’! Vetëm pasi të harrojmë jetën dikur, do të fillojnë të na bëhen të thjeshta e të kuptueshme gjërat këtu. Më vonë ndjehemi aq të lidhur e nderues ndaj punës, ndaj çdo lloj pune, por deri atëherë le të bëjmë atë që na duhet tani…Sikur hyjmë në një dhomë të errët ku nuk shohim asgjë, por dimë vendin e çelsit dhe dora jonë shkon vetiu aty…”
Majk pyeti nëse kishim eksperiencë në këtë lloj pune, për të cilin intervistoheshim.
Unë u bëra i pa gojë. Do isha i pambrojtur, nëse do nxirrja një rrokje të vetme të sinqertë. Ula sytë, teksa dëgjoja time shoqe të thoshte se atje prej nga vinim kishim ushtruar pikërisht këtë lloj profesioni. Në drojë mos nga përskuqja e fytyrës sime Majk do të kuptonte që ajo s’po thoshte të vërtetë, e vështrova me bisht të syrit: “Edhe ti Mona? S’do besoja kurrë se do të gënjeje…” “Le të harrojmë, Erik. Atje nuk aplikonim, atje nuk intervistoheshim. Atje emëroheshim, gjoja punonim, gjoja shpërbleheshim, gjoja…” Mbeteshim në pritje të provohej deri në fund profecia e emigrantëve të vjetër: S’është detyrë e intervistuesit të dyshoj ato që deklarojmë. Ai nuk është i interesuar t’i provojë ato. Aplikimet e të sapo-ardhurve për punë nuk verifikohen. E shkuara e emigrantëve të ardhur për kismet mbetet atje prej nga vijmë…Majk s’kishte punë me lojën e së kuqes në fytyrën time…
“Ekselent”, tha ai.
“Ky qenka Fati ynë…”, tha Mona, në gjuhën tonë.
“O.K!” shtoi Majk. “Kur mendoni të filloni?”
“Sonte!”, thamë ne. Me një gojë, të sigurt tashmë se Majk e kuptonte gjuhën tonë më mirë se ne gjuhën e tij.
“O.K.” përsëriti ai, si për të pohuar ndjesinë tonë se kishim mërguar në vendin më të bukur të botës, ku të gjithë thoshin Okay, në të gjitha rastet, në secilën prej fjalive. Emigrantët e vjetër e kishin një porosi edhe për këtë: Në intervistat, përdorni fjali sa më të shkurtra. A ka mundësi me vetëm dy-tri fjalë? Në mos, me një të vetme! Që sigurisht do duhej të ishte O.K…

***
Autobuzi urban na sjellë deri te hyrja e GYM-it, një palestër moderne në zemër të qendër së qytetit të madh. Le të rrëfejmë diçka më shumë për këtë hapësirë me pajisje për ushtrime gjimnastikore dhe atletikë, ku kryhen edhe një varg shërbimesh të tjera. Gjatë orëve të natës, vetëm unë dhe Mona nxitojmë, vrapojmë thuaj, mes dhjetra aparateve, shtangave, paraleleve, pedanave për kërcim nga lartësia në pishinë, pista vrapimi, topa tenisi, fushë kriketi, zona të mbyllura për artet marciale e të tjera sporte me radhë. Këto palestra, lexova me ngut on line, kanë qenë popullore edhe në Greqinë antike. Ushtrohej gjimnastika militare dhe mjeksore, praktika e vetëmbrojtjes, terapia fizike në ndihmë të të sëmurëve dhe të plagosurve, garime atletike e sporte për ruajtjen e formës fizike, prej boksit deri te vallzimi. Në antikitet, në gymnasym, palestra të tilla, jepeshin edhe mësime filozofie dhe diturie, por nuk ndodhi t’i shinim në palestrën këtu…
Hollësi të punës që morëm përsipër mbase nuk ia vlen t’i përshkruajmë, por ju sigurisht jeni të interesuar të dini pagesën për të. S’ishte aq e lartë, për ndokënd që mezi priste të pasurohej në këtë qytet të pafund, por sigurisht jo e vogël në sy të një lexuesi me jetë të ngjashme me jetën time dhe të Monës. Sapo Majk përmendi pagesën në dollarë për orë, ne të dy, automatikisht, kujtuam atë që ata, mërgimtarët e vjetër, na kishin rrëfyer dhe ne e kishim marrë si shaka. Truri ynë filloi të funksiononte si makinë e llogaritëse. E dhëna paraprake, veprimi i parë: një dollarshi kthehet automatikisht, me kursin e këmbimit zyrtar, në monedhën e vendit prej ku vinim. Në rastin tim, dhe të Monës, çdo dollari i shtoheshin automatikisht tri zero. Tri zero, madje diçka më shumë. Përderisa pagesa për orë ishte njëmbëdhjetë dollarë, shumëzuar me një mijë e pak- kursi zyrtar i këmbimit në monedhën tonë, mëmëdhetare, dilte se do të merrnim njëmbëdhjetë mijë lekë për orë. Këtë shifër e shumëzonim me tetë (orë pune) dhe dilte…një kuotë që…as e mendonim dot ta kishim atje, në vendlindje. S’ishin pak. Ishin shumë. Ishin shumë fare…
Pa llogaritur këtu mbarësinë dhe të ardhmen e fëmijëve…
Sidomos emigrantët e sapo-ardhur, seç marrin një si përndritje, sikur bukurohen në çast, menjëherë, vetëtimshëm, sapo bje fjala për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e tyre. Befasia e këtij lloj lumturimi ndodh përtej shpejtësisë me të cilën funksionon makina llogaritëse që kthen si në magji dollarët në monedhë vendlindje.
Çdo lloj pune të lodh, por orët e natës sjellin edhe një si përhumbje të veçantë, gjë që për fat ndihmon ikjen më lehtë prej së shkuarës. Të shkosh në punë në orën që mund të ishe në shtrat, pikërisht kur mund të merrje një libër e të lexoje, qoftë edhe sa për të pritur çastin kur njeriu yt të shtrihej pranë teje, është gjendje krejt tjetër. Kënaqësia e momentit të kësaj ore nisjeje nate bëhet edhe më e shtrenjtë, nëse arrin të sjellësh ndërmend subjekte të tregimeve O’Henry. Ai dhe Ajo punojnë në punë e turne të ndryshëm, s’mbajnë mend prej sa kohësh kanë pasur mundësi t’i gëzohen afërsisë së trupit të njeri tjetrit në shtratin e tyre bashkëshortor. Takohen aty tek dera, aty puthen, njeri duke hyrë, tjetri duke dalë, mezi por duhet të ndahen, në kahje e udhë të ndryshme; nuk i japin dot kuptim të mjaft dhe arësye të qëndrueshme tërë kësaj mënyre të jetuari…por kjo jetë duhet të vazhdoj për të plotësuar kërkesat e saj…
Ndryshe nga heronjtë e hershëm O’Henry unë dhe Mona jemi tërë kohën bashkë. Kudo bashkë, nisemi e njëherazi arrijmë kudo, dhe udhën e bëjmë bashkë, në të njëjtët autobuzë. Tërë kohën bashkë. Edhe në këtë palestër, bashkë…
“S’më besohet dot që i shpëtova fëmijët”, thotë ajo, aty, kur ndodhemi vetëm fare. Nuk i a vlen ta pyes pse vallë e përdorë njëjësin për shumës në këtë rast. Unë sigurisht nuk isha kundër shpëtimit të fëmijëve që janë edhe të mijtë, i them duke qeshur. Për ta siguruar që arrij ta kuptoj njëjësin e saj si shumësin tonë. Kjo është dashuria, them me vehte. Të plotësosh tjetrin në heshtje.
“Kurse unë s’besoja se do dilnim sërish në mesnatë, në dëborë, si dikur dashuruar!”, shtoj unë. Për të thënë diçka që ka vlerë në shumës, me mua dhe me Monën.
Në fakt, ajo është që vendos radhën e gjërave që duhet të bëjmë. Edhe në këtë rast. Në një mendje të mos flasim për llojin e punës që bëjmë, por ca gjëra le t’i themi. Për shembull që vrapojmë të dy për të arritur urbanin e natës, mes borës, mbahemi duarsh të mos rrëzohemi nën vrullet e erës që e zbret temperaturën rreptë si një epruvetë laboratori. E shkuara, që provuam ta lemë pas, na shfaqet si ëndërr që s’e tregojmë më kur zgjuhemi. Ndodh të ëndërrojmë duke udhëtuar për në punë, urbanët janë komodë, me ngrohje, zgjohemi ndonjëherë, cikemi lehtë nga lëkundjet, jemi të dy aty dhe rehatohemi sërish, na merr gjumi shpejt, sërish e dimë pse, për shkak të ngrohtësisë.
Në tërë atë hapësirë të shlirshme në palestër Mona fluturon. Më befason, sidosi, gjallëria e veprimeve të saj, dhe bëj gjithçka të mos mbetem pas. Vargu i  pajisjeve e makinave merr dalëngadalë shkëlqimin e dëshiruar. Kur të vijnë abonentët e parë gjithçka do jetë gati. I dimë ata që vijnë herët fare, pa gdhirë mirë. Janë dy çifte që luftojnë me mbipeshën. Sipas nesh, e vuajnë me tepri shëndoshjen, shumë ashpër, në mos çuditshëm. Asgjë nuk u mungon, unë dhe Mona s’i kuptojmë dot, përse në merak kaq të madh. Zonja flet me Monën. Lum’ ti, për këto linja. Do jepja gjysmën e pasurisë, të bëhesha si ti…
Nuk e përfytyroj dot Monën me hallin e tyre. Kockë-e-lëkura e saj, më bën fajtor. Më lerë të të ndihmoj pak më shumë, i them. S’di pse, besoj se ca kilogram më shumë do ta bënin më të hijshme. Por nuk ia them. Nga drojtja se në këtë botë shëndeti tepër i dikujt, mungon diku tjetër. Shtimi apo rënia në peshë hap punë për dikë tjetër. Secilit, mbase, i duhet të humb diçka për tjetrin që, kthen edhe ai diçka.
Me kalimin e ditëve, puna më e rëndë bëhet më e lehtë. Pa e kuptuar, na mbetej i lirë një tridhjetë minutësh, që po zgjerohej pak nga pak. Diku midis orës 5 dhe 6 të mëngjezit, pothuaj në të njëjtën orë, dilnim nga palestra, çapiteshim nëpër koridorin me ngrohje, shtruar me pllaka si të lara në qumësht, që reflektojnë qetësi. Në hollin atje është një stol. Aty uleshim. Ai që na shihte, përgjumur, kush e di për ç’na merr. Pallto e zezë e Monës dhe xhupi im gri, hedhur në shpinoren e stolit. Mbase shembëllenim si çift dashurie, lodhur nga jetë e natës, si njerëz që kanë mundësinë ta shijojnë kënaqësinë deri në fund. Vetëm si dy njerëz që kanë braktisur kursin e anglishtes për të sa-ardhurit, që të mund të paguajnë rregullisht rentën e apartamentit, nuk besohet të na shkojnë ndërmend.
Askush s’na pyet, e kotë të mendojmë për këto gjëra, mbase as bisedën me Majk mund të mos e kishim rrëfyer. Një çift emigrantësh, në zgjim të natës. Jemi të dy bashkë, nuk vlen asnjë hollësi tjetër. Lexuesi le ta plotësojë si të dëshirojë këtë dhe mungesa të tjera. Stolin ku ulemi, vendoseni ku të mundni. Edhe ndriçimin, mjaft të bjemë në një mendje, se jeta është një teatër masiv, secili luan një rol, le të themi rolin e tij. Take it easy…Sloëly-sloëly…Avash avash…Anglishtja, si gjuhë, mbase në të kundërtën e fatit të superfuqisë që e përdori si mjet komunikimi, vazhdon perandorimin e saj. Edhe fjala Kismet është në të, mbase prej gjuhës sime e të Monës. Po, ne dolëm nëpër botë për kismet…
Si mund të mos rrëfejmë se në këtë koridor të ngrohtë kemi dëgjuar muzikë…. Mbase kjo ndodh edhe gjatë ditës, mbase vazhdon tërë natës. Por, ne dëshmojmë për muzikën në orët midis 5-ës dhe 6-ës. Nuk dimë, s’ka përse të pyesim për orët e tjera, kur jemi duke nxituar, pothuaj me vrap, në palestër. Midis orës 5 dhe 6, aty, në atë holl, ne dëgjojmë muzikë të shkëlqyer, marevilouse, ekstraordianry, par exselence music…Për të qenë sa më korrekt, shtojmë se muzika fillon pasi ne heqim pallton e madhe të zezë të Monës dhe xhupin tim gri, madje më saktë akoma pasi i hedhim ato në shpinoren e stolit. Ose, në sekondën kur pasi marrim frymë thellë thellë, prekin dorën e njeri-tjetrit, mbyllim sytë, pikërisht atë çast dëgjohet muzikë.
Në atë hapësirë koridori llamburitës, që na lëbyrë vështrimin në çastet e para ulur te stoli, nuk lalis asnjë lëvizje tjetër. Jemi vetëm ne të dy, vetëm ne, ne dhe manekinët në vitrinat e pafundme përgjatë koridorit. Tërë ato reklama rrobash, syzesh, këpucësh, sandalesh, bizhuterish, por s’ka lidhje midis. Ne nuk flasim për to. Nuk kemi ndërmend për t’i pasur ndonjë herë, ndonjë ditë. Jo pse mund të jemi edhe të lodhur, jo. Reklamat aty s’janë për ne. Qenia jonë e tjetërt prej tyre, është po aq e kthjellët sa edhe e tyre prej nesh. Manekinet janë brenda eksponateve, vështrojnë nga ne, kqyrin rrugën në atë koridor, por jo ne. Në mëngjezin që vjen, dhe gjatë tërë ditës, dikë presin. Sigurisht, dikë e kanë joshur. Por kjo ndodh në orët kur ne s’jemi aty.
Ca gjëra të kësaj bote ndjehen, merren me mend. S’ka pse thuhen. Mbase në ndonjë moment, nuk ngulim këmbë që ndodh një herë të vetme, Mona shkon  ndërmend se këpucët me taka të larta që feksnin atyre orëve nate luminishente do t’i dëshironte t’i kishte. Kur ishim në Atdhe. Atje po. Jo këtu. Në momentin tjetër, të kësaj mëdyshjeje po aq të përgjumur, e ndjej se i rrëzon sërish kapakët e syve si perde të rënda. Këpucët e atyshme bëhen pjesë e asaj të shkuare që do duhet ta harronim. ‘S’duhet as ta kisha shkuar ndërmend, marrokja unë!’ Si për t’u shfajësuar për fajin që s’bëri, Mona afron dorën tek e imja. Njeri nga sytë e mi u hap paksa, akrepi i vogël në orën që regëtinte atje përballë ishte mes 5-sës dhe 6-ës. Pra, mund të dremitnim edhe pak, pra mund të dëgjonim edhe pak muzikë ëndërruese…
Në ato të të dhjeta sekonde zgjuar gjej kohë të mjaft të qortoj veten, që nuk kam çmuar rëndësinë e ndonjë dhurate për Monën, gruan, femrën e ngrohtë që në këtë orë të zbardhjes së ditës ka mbështetur kryet në supin tim dhe merr frymë njëherazi me mua. Në mos një unazë a byzylyk marrëzisht të shtrenjtë nga ato të vetrinave aty përballë, një shëtitje në muzg, një tufë lulesh të qëmtuara pavarsisht stinëve në natyrë, që kurrë nuk e privon dëshirën për lule, pa pritur doemos ditë-lindjet e fëmijëve, aq më pak Ditët e Valentinit të sakrificës dhe, më trishtë akoma, pse duhej të prisja përvjetorët e martesës për t’i dhuruar diçka…Përse, shpresoj të më falin zanat e mira, kjo prirje për t’i parë si formalitete, të tepërta, gjoja në besimin se dashuria ishte, edhe pa to. A s’mund të dhurojmë pafundshëm, të ndjehemi gëzuar duke dhënë diçka që ende na duhet, po kaq, në mos më shumë, të falenderojmë, jo vetëm për mirënjohje, pra edhe të panjohurit dhe, përse vallë vonojmë t’i gëzojmë njerëzit afër nesh duke i falenderuar edhe pa shkak të shfaqur? Kurrë e asnjëherë s’është kotë, përderisa janë gjallë pranë jetës tonë…
“Sidosi…në këtë jetë që bëjmë, në mënyrën se si jemi mësuar ta gëzojmë e masim atë, ja që na bëhen të domosdoshme edhe ca para…” Nëpërbuza këto fjalë, si të laja hesapet me atë llojin e materializmi që ligësisht na e mësuan nën predikimin e të qenit të barabartë në varfëri. I pëshpërita, pothuaj fshehurazi, ilegalisht, këtë frazë të copëtuat në ngërçin e vetë. Me shpresën se Mona, edhe nëse do më dëgjonte apo ndjente, nuk do më keqkuptonte, nën atë pushtet të heshtur të  ironisë së jetës aty përqark. Besova në indiferencën e përgjumjes së saj. Ajo e dinte, megjithatë, prej kohësh, që isha votues i shpallur për ta nnxjerrë jashtë ligjit tërë paranë e botës. Edhe sikur të rrezikonim dështimin në kthimin e këmbimit klasik të vlerave na natyrë. Si të më kuptonte duke ndjerë, duart e saj në të verbër gjetën të miat, si çelsin e ndriçimit në dhomën e errët.
Muzika e midisorëve 5 dhe 6, mrekulli e butë vetëmnjëgjuhëshe, derdhur si pëshpëritje dashurie në vesh, gjente udhë e depërtonte në thellësi të trupit e të shpirtit tonë. Ishte më shumë se gjendje shlodhëse, hyjnore, aromë dehëse që fare  pashpjegueshëm vepronte në atë stol krejt të rastit për të na lumturuar, diçka e ndjerë verbtazi, por aq tërësishëm në këtë mjedis sa dukej se yshtëte ta besonim se na kishte qenë pothuaj munguese, deri këto ditë, pra edhe në dheun tonë…Si prej ç’kushedi aparati, tingujt e zërat, pëshpërimat thuaj, rrëmbeheshin e miksoheshin kabllove, ngjiteshin atje lart në bokset e montuar e maskuar mes reklamave, manekineve, buzëqeshjes së tyre të ngrirë, krejt të pafajshme, dhe kullonin pastaj si ujrat e verës përmes barit të tokave të buta, etur për to.
Lodhja, fshehurazi, por jo tinëzisht, provonte të joshte e përkëdhelte nevojën e trupit për gjumë, arrinte të na i rëndonte qepallat e syve, bënte t’i ulte qepenët e tyre, për sado pak çaste. Mbase pa qëllimshëm, ne e kryenim ndonjë lëvizje, herë njeri e herë tjetri, herë të dy njëherësh, dhe arrinim të mbeteshim zgjuar. Etur në shpirt për atë ajër të ngopur me dritë e muzikë, luteshim që ajo kënaqësi ta mbante zgjuar edhe trupin tonë, pas atyre orëve.
Mbase ishte mrekulli e natës që shtonte diçka në atë muzikë. Nëse kjo muzikë, e njëjta, do të transmetohej në po këtë koridor, edhe gjatë ditës, do t’i duhej të përballonte tonet e larta, britmat e klithmat e rrugëve, rënduar nga mizëria e makinave, dis-harmonia e zërave e hapave të milionave që nxitonin, bërtisnin, klithnin për tu dëgjuar si të gjallë, të  dëgjoheshin prej dikujt tjetër, në nxit të arrinin diku në kohë, mbase tek buka, gjalpi, mishi, gazeta, politika, femrat, luftrat o fare, asgjëkundi.
Nata, kjo natë duke u gdhirë së paku, ishte tjetër. Muzikë e saj ishte tjetër…
Thjesht ndjenim sikur nuk kishim shijuar kurrë muzikë të tillë, në këtë mënyrë. Në pritje pa ngut, fare të qetë, të ardhjes së klientit të parë në palestër, i jepeshim  dehjes në të. E dinim cili prej abonentëve vinte më herët dhe kur shfaqej ai tek korneri i fundit në veriperëndim të Gym-it. Pas arritjes së tiij ne mund të iknim, ishim të lirë ta linim palestrën dhe të niseshim për në shtëpi. Atë moment mezi e prisnim, por le të vonohej edhe ca, asnjë punë nuk prishte, përkundrazi…Pështetur te njeri tjetri në atë stol, në atë muzikë…
“Shpirtat e nënës”, pëshpërit sërish Mona, ashtu përgjumshëm.
Shpirtrat janë të fëmijëve, të fëmijëve tanë, që në këtë orë ende flenë tridhjetë kilometra prej aty dhe unë, merret vesh, ndjehem okay me pëshpërimën e saj.
Nuk është rasti të them se nga lodhja e madhe nuk të zë as gjumi. E bëmë qysh në krye marrëveshjen se nuk do tregonim rreth llojit të punës që bënim. S’përmendëm asnjë titull kënge apo zhanër muzike. Fjala ishte thjesht për një gjendje shpirtërore që provonim pas pune, në atë koridor, me prani muzike, midis orës 5 dhe 6.
Mbase kjo jetë, pa përjashtim për secilin, dikur, më në fund, e lë të lirë një qoshkë. Ky stol ndodhi të ishte qoshku ynë. Ky stol u gjend aty, pikërisht kur ne të dy, në orën e fundit të një nate, në thyerje të saj, pasi kishim kryer le të themi si detyrë, nevojë materiale, por edhe kushtim, devocion për ato lotë njerëzor të çiftit që i lutej Zotit ta ndihte të vogëlohej në peshë. I ishim mirënjohës intervistuesit Majk, edhe pse të lodhur sa dukej se mezi e prisnim atë orë të fundme nate duke u shndërruar në dritë, që na dha shansin t’i gëzoheshim kësaj harmonie shpirtërore…
Diku nga ora 6 pa dhjetë, tek fundi i koridorit shfaqej një aziatike e imtë. Përditë, në të njëjtën minutë, nxiton, me xhup të kafejtë e atlete të bardha. Ka edhe ajo e bekuar pjesën e saj në këtë muzikë, shtoj në meditimet e mia asaj ore. Sapo do jetë ndarë me fëmijët e saj, edhe ajo, se punë fëmijësh dhe ëndërrimesh ishte kjo shtysë e madhërishme kësaj jete…
Edhe ajo, si tërë emigrantët e sapo-ardhur, duken më të rinj se janë, më të rinj se ditën që zbritën nga avionët e linjave prej vendlindjeve të largëta, më të freskët kur kthehen tek ta se kur ngrihen mëngjezeve nga gjumi. Edhe pse, po t’i pyesësh se si vallë mund të jetë kjo e ardhme e tyre, s’dinë të thonë, o nuk arrijnë të shpjegohen, s’japin dot detaje pse u besojnë shenjave e ndjesive që as këto s’i përmendin dot. Aq më pak po tua kërkosh në gjuhën  e këtushme.
“Fëmijët këtu kanë Zotin e tyre të posaçëm” thotë Mona, edhe për mua.
Në orën gjashtë, fiks, pikërisht atëherë, shfaqej tek hyrja e sallës së fitnesit i pari prej klientëve. Muzika duket se tingëllon ndryshe. A thua e humbiste, në çast, magjinë e pak-më-parshme. Ngaqë do të iknim ne? Si mund, kaq shpejt, e ashpër, pak si grricëse, si çdonjera nga zhurmat e jetës së zakonshme jashtë, në rrugë.
S’ishte koha t’i bënim me zë këto dialogë. Duhet të nxitonim për në shtëpi.
Tek e fundmja, kjo ishte jeta. Njëqind vjet sikur, të njëqindët në kërkim të çasteve të tilla. Mezi i gjen, tepër rrallë, i gjen atje ku s’i pret, ndoshta atëherë kur ndjehesh i pa shpresë, ose aq i lodhur si midis orës 5 dhe 6, pas një nate të pagjumë. Mund të jenë gjithë-gjithë vetëm pak ditë, pak orë, por edhe veç pak minuta mund të jenë, ndarë e shpërndarë e fshehur në mëngën e fateve tona që flenë dhe i zgjuajmë kush e di ku. Duken pak, por janë vetë jeta në të vërtetë, po të mendosh se vijnë përpara ose para detyrimeve që marrim përsipër, ëndrrave që shohim. Prej orës dhjetë të mbrëmjes deri në pesë të mëngjezit unë e Mona ime pastronim tërë atë sipërfaqe palestre, tërë ato makineri, muret, anekset dhe…diku pas orës pesë uleshim tek stoli…aty ku shpirtëronte muzika…e kjo vazhdonte deri në orën gjashtë…


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Vangjush Ziko Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Vangjush Ziko
    Toronto

    “Tema e tregimit është një temë aktuale, mbi emigrimin, zhvendosjen e njeriut të kohës sonë me një botëkuptim të caktuar apo të vonuar në një vend tjetër me botëkuptim ndryshe.

    Merita kryesore e Faruk Myrtajt është sa në planin filozofik, po aq edhe në atë artistik. Ai ka një qasje bashkëkohore në të dy drejtimet. Nga njëra anë ai çmitizon botkuptimin e mbartur të personazhit nëpërmjet një procesi psikologjik ballafaqimi me realitetin dhe botëkuptimin tjetër, të panjohur më parë prej tij. Ky ballafaqim bëhet me një vetëironi të matur ndaj vetes dhe ndaj botës së ëndërruar me të cilën po ballafaqohet. Bota ku ka ardhur ka të mirat dhe të metat e saj.

    Ballafaqimin autori e përqëndron në botën intime të personazheve, të cilët tashi për tashi gjejnë një ngazëllim nga pagesa ditore dhe nga kënaqësi lirike intime ” që iu jep puna e përditshme në palestër midis orës 5 e 6 të mëngjesit” dhe vetëm kaq, krahas vështirësive të tjera të jetës së përditshme.

    Proza e Faruk Myrtajt është një prozë moderne, bashkëkohore realiste në konceptimin artistik dhe në filozofinë e saj krijuese, prozë e detajit, e meditimit dhe përjetimit konkret, që gërsheton çastet e rëndomta të përditshmërisë me çaste intime lirike; mjedisi përshkruet me detaje konkrete psikologjike i shoqëruar me një dialogu të matur të veshur me petkun e një ironie të lehtë gjykuese dhe vetëgjykuese, që e bëjnë një prozë inteligjente.”

    Përgjigju ↓