OPINION

Hipokrizia e politikës me tragjedinë e Otrantos

07:23 - 28.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Arta NGUCAJ, Arben BEQIRAJ

 

Jemi Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj, dy artistët që në mars të 2012-ës sollëm dy pjesë të anijes “Kater i Radës” në Vlorë, busullën dhe fenerin, për të krijuar një monument në kujtim të historisë së dhimbshme të “Kater i Radës”.

Të gjitha përpjekjet e këtyre viteve për të bërë të mundur realizimin e një muzeu përkujtimor mbi këtë histori, kanë rënë sistematikisht në veshë të shurdhër.

Kemi protokolluar kërkesën tonë për një truall publik për ndërtimin e “Muzeut për Memorien e Kater i Radës” në Bashkinë e Vlorës në vitin 2012. Me qeverinë aktuale takuam personalisht këshilltarët për kulturën, z. Fate Velaj dhe z. Shkëlzen Maliqi në mars të 2014-ës, të cilëve u ilustruam projektin tonë. Ndershmërisht, z. Velaj na u përgjigj se këtë projekt do ta ndiqte me një delegacion të Barit, sepse ata i kishin premtuar ekspozita private dhe një promovim të mirëfilltë të artit të tij në Pulia të Italisë. U kemi shkruar z. Edi Rama dhe znj. Mirela Kumbaro duke u bashkangjitur projektin tonë, por asnjë përgjigje apo interesim. Zotit Velaj nuk i interesonte argumenti ynë, por tani na del si “nismëtar/kurator”, ideator dhe organizator i konferencës “Një urë për në Otranto”, e mbajtur në teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës.

Por, zotërinj të nderuar, dihet publikisht që ky projekt ekziston qysh prej 2011-ës.

“Corriere Salentino”, 19 dicembre 2011:

Un ponte tra Otranto e Valona in nome dell’arte e della “Kater i Rades”

Çfarë tutele kanë idetë dhe projektet artistike në Shqipëri kur mund të vidhen publikisht në dritën e diellit?

Dhe, n.q.se vërtet nuk njihet odiseja dhe ekzistenca e projektit tonë, përse atëherë kërkohen te familjarët dy objektet e sjella nga ne, busulla dhe feneri, që u kemi lënë nën kujdesje? Çfarë është e drejta e autorit për ju, zotërinj?

Por të bëjmë një hap mbrapa. Përse është kaq i rëndësishëm ky monument për ne? Sepse kjo tragjedi i përket memories së popullit tonë. Ky monument është i rëndësishëm sepse është mbartës i historisë së brishtë e kaotike të post-komunizmit. Na kujton se nga politikat e gabuara varet dhe vetë jeta e njerëzve të thjeshtë. Ky monument do të na kujtonte që kjo histori nuk duhet të përsëritet kurrë më. Do t’u kujtonte brezave të ardhshëm që periudha e tranzicionit nga komunizmi në demokraci nuk ishte fushë me lule.

Ndërsa historia e “Kater i Radës” dëshmoi indiferencën e përgjithshme të politikës shqiptare mbi qytetarin shqiptar në kontroverse gjyqësore me një shtet të huaj, si në rastin e familjarëve së viktimave ndaj shtetit italian, për 17 vjet me radhë. Kjo histori dëshmoi se ndoshta politika shqiptare e këtyre 27 vjetëve nuk ka asnjë lloj ndjenje përgjegjësie etike dhe civile. Dhe, duke marrë hua një thënie të shkrimtarit të madh Luis Sepulveda, do të shtonim që “Një popull pa kujtesë, është një popull i vdekur”.

Çfarë ndodhi me veprën e krijuar në Otranto? Me veprën e krijuar në Otranto, ajo çka ishte e nënkuptonte anija “Kater i Radës”, u transformua simbolikisht në një objekt tjetër. Në krijimin e kësaj vepre ndodhin dy procese të ndryshme, ajo e universalizimit dhe ajo e natyralizimit të masakrës, siç i quan sociologu Daniele Salerno në veprën “Ngjyra e kombeve”.

Universalizimi vjen nga zgjedhja e artistit grek Kristos Varostos si artist që do të krijonte veprën, i cili vendosi të realizonte një monument të menduar si instalacion artistik që duhej ta transformonte anijen në një simbol. Edhe zgjedhja e artistit është e qëllimshme për universalizimin, për të mos trajtuar historinë e mirëfilltë të mbytjes së “Kater i Radës”, por për t’i bërë homazhe migrimit në përgjithësi. Për këtë motiv vepra quhet “L’approdo Opera all’umanità migrante” (Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues). Që në titull humbet referenca e mbytjes së anijes “Kater i Radës”, humbet gjithashtu çfarëdolloj reference historike mbi fundosjen. Si monument humbet edhe emri origjinal, duke u bërë diçka tjetër. Në emrin e veprës kemi edhe paradoksin më të fortë, sepse të vetmin port që kjo anije pa, ishte fundi i detit, dhe kjo anije nuk është simbol mikpritjeje.

Natyralizimi vjen me ndërtimin fizik të veprës. Anija trajtohet dhe pastrohet nga ndryshku. Prihet pjesa e saj më e rëndësishme, barku i anijes ku ngelën në kurth nëna me fëmijë, dhe mbi të gjitha në trupin e anijes vihen pllaka të ndryshme qelqi për të përfaqësuar valët e detit. Anija kështu duket sikur lundron, sipas artistit, në stuhi. Varostos e krahason “Kater i Radës” në atë natë të 1997-ës, me Greqinë dhe Italinë aktuale, si dy shtete që gjenden nën stuhinë e situatës politike e financiare evropiane. Anija kthehet kështu në metaforë të krizës së këtyre dy vendeve dhe fshihen të gjitha trajtat e tragjedisë. Në trajtat kryesore shprehëse të veprës zhduken të gjitha referencat e historisë së “Kater i Radës”. Së pari zhduket ajo e kontestit historik-shoqëror në të cilin ndodh masakra, dhe si pasojë e kësaj zhduket automatikisht përfaqësimi i viktimave që humbën jetën.

A është e mundur që një episod i historisë shqiptare të transformohet nga disa për të folur për vendet e tyre, Greqinë dhe Italinë?

Ku është klasa jonë politike?

Një artist tjetër ka trajtuar një histori të tillë. Christian Boltanski, artist francez, ka punuar ndër të gjitha mbi tragjedinë e Ustikës në Itali, kur një avion civil shpërtheu i goditur nga një raketë ushtarake dhe humbën jetën 81 persona. Ishte 27 qershori i 1980-ës, por kjo është një histori tjetër. Boltanski mori të gjitha pjesët e ngelura nga shpërthimi dhe rindërtoi në mënyrë artistike fantazmën e avionit, duke përfshirë në procesin e realizimit të veprës edhe familjarët e viktimave. Krijojnë Muzeun e Memories së Masakrës të Ustikës.

Boltanski nga qindra pjesë rindërtoi avionin dhe i dha dinjitetin e duhur historisë së Ustikës, ndërsa z. Varostos dhe z. Luigi de Luca kishin në dorë anijen të tërë dhe e bënë copash për të folur për krizën greke dhe atë italiane!

A është e mundur që, me paturpësinë dhe hipokrizinë më te madhe, ajo që është një faqe e trishtë e historisë sonë bashkëkohore të përdoret si pretekst për të shkruar mbi situatat politike-financiare të Greqisë dhe Italisë, duke shpërfillur, mbi të gjitha, ndjenjat e shqiptarëve dhe të kujt kish humbur familjarët e vet? A është e mundur që cinizmi arrin deri aty ku humbet edhe respekti më elementar për kë ka humbur jetën, siç është përkujtimi?

A është e mundur që z. Kristos Varostos dhe organizuesit e tjerë të masakrës së dytë të “Kater i Radës”, si z. Luigi de Luca, z. Luciano Cariddi etj., sot më 26 mars 2017, me hipokrizinë më të madhe t’u bëjnë homazhe viktimave të masakrës së “Kater i Radës” duke hedhur lule në det për 20-vjetorin e përkujtimit? Nga ana humane edhe mund ta bëjnë, por ndoshta me përpara duhet t’u kërkojnë falje familjarëve të viktimave dhe popullit shqiptar në përgjithësi, për atë që bënë në Otranto. Sot këta njerëz trajtohen publikisht nga elita e politikës shqiptare, me z. Edi Rama në krye, si shpëtuesit e “anijes”.

Cilën anije? Si e ka emrin? Për çfarë flitet? A e di elita jonë? A është e mundur që politikanët tanë të jenë kaq të verbër apo të leshtë? Apo të gjitha këto pyetje i gjejnë përgjigjet në ekspozitat personale dhe homazhet që i bëhen “vlonjatit” tonë, z. “këshilltar të kulturës” Fate Velaj në jugun e Italisë?

Zotërinj të nderuar politikanë, përpara se të bëni ftesa zyrtare, ndoshta duhet të dokumentoheni më mirë, sepse, që “Kater i Radës” kujtohet ende sot, kjo është e mundur në radhë të parë falë vullnetit dhe sakrificës së stërmadhe të familjarëve të viktimave të saj që nuk kanë lejuar që tragjedia të zbehet nga mjegulla e harresës për 20 vjet me radhë me kokëfortësinë e dikujt që është totalisht i ndërgjegjshëm që bën një luftë pa asnjë lloj mbështetjeje, në vetminë dhe injorimin më total nga politika. Që për “Kater i Radës” flitet akoma sot, që objekti “Kater i Radës” ekziston, edhe pse i copëtuar në mënyrë të turpshme, është e mundur falë një komuniteti që u interesua për të, si shoqata “Skënderbeu” me Giuseppe Chimisso-n në krye, Klodiana Çuka e shoqatës “Integra ONLUS”, gazetari e shkrimtari italian Alessandro Leogrande, autor i “Naufragio. Morte in Mediterraneo”, dedikuar asaj tragjedie, gazeta “Shqiptari i Italisë” me Keti Biçokun, Irida Camin gazetare e “Top Channel”-it në Itali, gazetarja Ornella Bellucci, autore e audio-dokumentarit “Kater i Radës”, gazetarin Enrik Mehmeti, ne personalisht si artistë dhe qytetarë vlonjatë, si dhe gjithë interesi i komunitetit shqiptar në Itali i shprehur përmes rrjeteve sociale. Kështu që, do të ishte normale dhe krejt e natyrshme që rryma drejt mbylljes së kësaj historie me një “Muze të Memories” të kish pjesëmarrjen e kujt i dha dhe i jep rëndësinë dhe dinamicitetin e duhur që kjo histori të mos humbiste në humnerën e harresës.

I paharruar qoftë kujtimi i “Kater i Radës” dhe historia e Shqipërisë!

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.