BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Mimoza Ahmeti: Jetën time e drejton meditimi

16:00 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Sot po ju sjellim, Mimoza Ahmeti: Jetën time e drejton meditimi





Mimoza Ahmeti: Jetën time e drejton meditimi

“ Lidhja ime me muzikën është prej ADN-je. Kodi im është muzikë. Harpa ime janë nervat. Unë jam një person me Nerv, domethënë me ndjeshmëri të lartë ndaj energjisë dhe di ta dëgjoj mirë atë. Energjia dhe historia burojnë nga qielli. Koha, vetëm, zhvillohet në Tokë”

“Muzika është për etjen e dëgjimit të shpirtit, piktura për imazhin e syve, ndërsa poezia është rindërtimi i ëndrrës që pothuajse e preka, por ma rrëmbeu shkujdesja… Jetën time e drejton meditimi.”

Poezia, muzika, piktura, janë kaq pranë dhe larg njëra–tjetrës, sa pakkush mund t’u përkushtohet të triave. Mimoza Ahmeti ia ka arritur. Dhe suksesshëm, madje. E kanë vërtetuar këtë librat e saj të mrekullueshme në poezi. Mënyra krejtësisht origjinale sesi ajo është shfaqur si këngëtare. Nudizmi abstrakt i servirur në pikturat e saj. E duke shkuar dhe më larg. Tek politika, që realisht duket larg tre gjinive të artit të lartpërmendura. Është gjithmonë në kërkim të sfidave të reja. Siç është në këtë rast konkurrimi për çmimin “Kult” në letërsi. Çmim për të cilin është më se e bindur se e meriton. Por kjo bëhet e besueshme vetëm nëse vlerësimi i shoqërisë përkon me mendimin e saj. Kjo duket që nuk është përparësi për Mimozën. Në gjithçka ajo bën ka veç një qëllim, “të pasurojë emocionalisht kuptimin e jetës së saj”. Poetja më e njohur femër brenda dhe jashtë Shqipërisë, Mimoza Ahmeti vjen për herë të parë në “Bluetooth”, duke na rrëfyer mendimet dhe ndjesitë që ajo përjeton përballë çdo gjëje…
Jeni një person që për publikun jeni shfaqur në shumë dimensione. Ju vetë, si e përshkruani veten tuaj?
Vetë përshkrimi në një farë mënyre është gjithë çfarë kam bërë dhe vazhdoj të bëj për të pasuruar emocionalisht kuptimin e jetës sime dhe për të zbuluar kuptimin e emocioneve të mia, cilat do qofshin. Ky raport në lëvizje ka diçka të përhershme dhe të pandryshueshme, këmbënguljen për të mos u rrafshuar.
Jeni poetja femër më e njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve.
A e ndieni veten të vlerësuar sa duhet?
Sa herë që kam diçka për të thënë, që e di vetëm unë, e ndjej veten shume të vlerësuar. Mendoj: Fryma më ka vlerësuar. Nga vlerësimet e njerëzve nuk them se nuk gëzohem, por ndjej edhe siklet e përgjegjësi.
Konkurroni në çmimet “Kult”, me “Gruaja haluçinante”. A prisni që të vlerësoheni maksimalisht. Ç’domethënie do të kishte për ju një çmim i tillë?
Me thënë të drejtën, nuk pres ndonjë çmim. Jo sepse nuk e meritoj. Por se jam 100 për qind e bindur se e meritoj. Nëse kjo bindje do të përputhej me vlerësimin e të tjerëve, do të thosha se shoqëria dhe unë jemi në një kuotë mendimi dhe është tepër e bukur për t’u besuar.
Le të hidhemi në një tjetër fushë arti. Pikërisht në muzikë. Aty ku ju keni eksploruar me shumë sukses. Cila është lidhja juaj me muzikën dhe a jeni duke përgatitur diçka për fansat tuaj të kësaj gjinie?
Lidhja ime me muzikën është prej ADN-je. Kodi im është muzikë. Harpa ime janë nervat. Unë jam një person me Nerv, domethënë me ndjeshmëri të lartë ndaj energjisë dhe di ta dëgjoj mirë atë. Energjia dhe historia burojnë nga qielli. Koha, vetëm, zhvillohet në Tokë.
Dorën tuaj e kemi parë edhe në pikturë. Ç’vend zë piktura për ju?
Zë vendin e disa kompozimeve të mrekullueshme me figura gjysmë të shtrira, ku nudizmi është aq abstrakt, saqë është e fundit gjë që vërehet. E zhveshur krejt është vetëm ideja…
Po me politikën, si janë marrëdhëniet tuaja aktualisht?
Të mira. Unë e zhvilloj politikën sipas pikëpamjes sime, që është rritja e kuptimit dhe kam pasur fushë për ta zhvilluar këtë.
Mes poezisë, pikturës, muzikës dhe politikës, kush e drejton botën tuaj? Po jetën tuaj?
Muzika është për etjen e dëgjimit të shpirtit, piktura për imazhin e syve, ndërsa poezia është rindërtimi i ëndrrës që pothuajse e preka, por ma rrëmbeu shkujdesja… Jetën time e drejton meditimi.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me vajzat dhe bashkëshortin? Ku ndahet jeta juaj personale nga arti? Jetën tuaj, si do ta përshkruanit?
Kjo është një temë sa zbavitëse aq edhe kushtimore, pasi familja është një vatër semantikash të ndryshueshme, të brezave të ndryshëm, që duhet të gjejnë një mesatare të artë. Kjo nuk është e lehtë… Dhe vështirë të ndahen.
Ky shkrim u botua më 9 Qershor 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.