OPINION

Makiazhi i Ramës kundër dekriminalizimit

07:23 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ina K. ZHUPA

 

Në qytetin e Dibrës, gjatë kohës së zgjedhjeve lokale qarkullonin tek njerëzit fjalët që dy eksponentë, njëri i PS dhe tjetri i aleatëve çamë po përgatiteshin që në zgjedhjet e ardhshme të fusnin në listat për deputet, njëri vajzën dhe tjetri motrën e tij. Kjo, sepse ata vetë kishin frikë të rikandidonin për shkak të ligjit të dekriminalizimit. M’u duk si një thashethem që nuk kishte pikë kuptimi, sepse gratë nuk mund të përdoreshin në këtë mënyrë pa pasur një ditë kontribut politik. Ky episod m’u rikujtua pasi lexova se një nga të propozuarat për kandidate për zgjedhjet e Kavajës është gruaja e Gentian Dajës, i denoncuar shpesh për kriminalizimin e tij nga opozita. Mesa duket, Dibra nuk ishte thjesht eksperimenti i Ramës sesi do të vidheshin zgjedhjet parlamentare, por ishte një miniaturë e planeve të tij për të bllokuar dekriminalizimin dhe për të qeverisur me të inkriminuarit. Ato që unë i quajta thashetheme, paskan qenë pjesë e një plani për të mbuluar kriminelët me imazhin e grave.

Gratë përdorin makiazhin për të fshehur njollat ose shenja të ndryshme që nuk duan të duken publikisht. Për t’u dukur më të bukura dhe më tërheqëse. Ndërsa Rama përdor gratë si makiazh për të fshehur kriminelët dhe për të mos i dalluar publikisht që qeveris me ta, përdor gratë për t’u dukur më normal në sytë e ndërkombëtarëve dhe të shqiptarëve. Taktika që të vënë një femër si kukull, që mund të jetë gruaja, motra, vajza, kunata e një trafikanti apo e një të inkriminuari që ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të kandidojë është shërbimi më i keq që mund t’i bësh vendit. Është tallja më e madhe që mund t’iu bësh shqiptarëve. Ky makiazh i Ramës kundra dekriminalizimit është përpjekja e radhës kundra zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfaqësim dinjitoz dhe garë normale me moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit nuk mund të ketë. Gara që drejtohet nga bashkëshorti, vëllai, babai i inkriminuar është thjesht dukja e një gara dhe imazhi i një fushate. Nuk ka asgjë të bëjë me garën e vërtetë, me fushatën dhe me zgjedhjet e vërteta. Është thjesht teatri i luajtur në ekranin e televizorit, që më pas vula e institucioneve shtetërore të gdhijë dhe të ngryset në shtëpinë e të inkriminuarve.

Rama përpiqet ta shesë si sukses numrin e grave dhe kandidimin e tyre në poste lokale dhe qeveritare. Por, nuk është numri i grave që mund ta bëjë Ramën më të pranueshëm dhe më pro barazisë gjinore, është zëri i tyre dhe përfaqësimi i tyre si rezultat i meritës dhe asaj çfarë kanë kontribuar në arsimimin e tyre dhe punën e tyre për të qenë ato një zgjedhje dinjitoze. Sa për numër të barabartë grash me burrat kishim Enver Hoxhën, që ishte shumë i kujdesshëm për “barazinë gjinore”, por askush nuk mund të thotë që është ky përfaqësimi politik dinjitoz. Rama të mos fshihet pas grave, duke i bërë ato thjesht një numër më shumë në kandidime lokale dhe parlamentare. Partia Socialiste nuk mund të vazhdojë të jetë peng e kriminelëve të Rilindjes, aq më pak Shqipëria. Ka plot gra dhe burra të denjë vendi ynë, që mund të jenë kandidatë për zgjedhjet lokale në Kavajë, por edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Uroj shumë që Rama të tërhiqet nga kjo vendimmarrje që nuk çon asgjëkund, nga ky makiazh politik për të mbuluar të inkriminuarit prapa femrave dhe për t’i bërë ato emra në listë dhe jo figura në lista. Duhet t’i vijë turp nga të gjitha gratë që i përdor si vegla, duhet t’i vijë turp nga shqiptarët që i trajton si injorantë që mund t’u hedhësh lehtësisht hi syve. Vështirë se ky makiazh politik në flamurin e barazisë gjinore dhe mbrojtësit të grave do të funksionojë për të fshehur kriminelët. Kriminelët, pa të cilët Rama nuk qeveris dot dhe e ka lidhur fatin dhe ekzistencën e tij nuk do mund të përfaqësojnë më Shqipërinë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.