DOSSIER

Meshan Çini, historia e 17-vjeçares që bëri 11 vjet burg për dashurinë

08:42 - 29.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Rezarta DELISULA

Ende më rrënqethet mishi kur më kalon ndër mend, zëri i Meshan Çinit, teksa rrëfen për vete, rrëfen vuajtjet e një vajze të re (17-vjeçare), të sapofejuar me Selman Ndreun, djalin e Cen Elezit, pronarin e “Vollgës” apo siç njihej ndryshe, hotel “Kontinental”. I arrestuar më 1946 për tentativë arratisje, ai bashkë me 10 vëllezërit vuajti në burgjet e komunizmit e po të njëjtin fat pati edhe delvinjotja, e cila vendosi mos e braktisë të fejuarin. E dënuar me 20 vite burg, e rrahur, e sakatuar në hetuesi deri në humbjen e dëgjimit, Meshani tenton të vrasë veten dy herë, ndërsa më 1962, pas gjithë atyre vuajtjeve mëson se i fejuari kishte vdekur në internim në fshatin Llakatund të Vlorës nga tuberkulozi. Për 7 vjet, tmerri i hequr barazohej me shpresat, ndërsa e reja kuptoi se pas vdekjes së të fejuarit, e priste një jetë po aq e frikshme pa të. Pasi u end fshatrave e jetonte fshehurazi pa pasaportizim, viti 1991 solli ndryshimin e shumëpritur. Meshan Çini u largua në Greqi e prej andej në Kanada, ku jetoi deri sa vdiq në moshën 88- vjeçare. Në jetën e gruas së fortë që përballoi vuajtje pa fund, i vetmi motiv për të ecur para ishte Eda, vajza e saj e adoptuar (sigurisht që jo zyrtarisht për shumë vite). Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eda Lila rrëfen për nënën e saj, Meshan Çinin, gruan që e deshi aq shumë dhe që i ka lënë një boshllëk të madh me ikjen nga kjo botë…  Ju jeni vajza e birësuar e një prej grave që në komunizëm vuajti burgjeve për dashurinë e besnikërinë ndaj të shoqit, si është historia juaj?

Nëna ime biologjike ndërroi jetë kur unë isha 6-muajshe. Ajo më la mua dhe një vëlla e një motër më të madhe. Babai, i pamundur për të mbajtur vetë 3 fëmijë të vegjël, u martua jo shumë kohë mbas ndarjes nga jeta të nënës sime. Njerka ime, kishte teze Meshanin, e cila në atë kohë ndodhej në Sanatorium duke kuruar pasojat e lëna nga vuajtjet e keqtrajtimet e burgut. Pikërisht në atë kohë bëri histerektomi. Në një kohë kur kuptoi që biologjikisht nuk mund të bëhej kurrë nënë, mbesa e saj u martua me një burrë të ve me 3 fëmijë. Atëherë familjarisht vendosën, sigurisht me aprovimin e babait tim, që Meshani të më rriste mua. Në atë kohë, ajo as nuk mund të më adoptonte, sepse automatikisht edhe e ardhmja ime do të merrte pak a shumë të njëjtat ngjyra me të sajat. Babai im nuk rridhte nga familje e persekutuar. Si të tillë, mendohej se edhe unë do ta kisha më të lehtë për të çarë në jetë, nëse nuk do të merrja mbiemrin e saj. Adoptimi i plotë u bë shumë vite më vonë. Gjithsesi, unë falë sakrificave të saj kam kaluar një fëmijëri shumë më të mirë se shumica e moshatarëve të mi. Kam veshur këpucë me porosi në moshën 5-vjeçare, në një kohë kur ajo hante bukë e kripë e rigon. E në një kohë kur moshatarët e mi e kishin të vështirë të blinin një palë atlete nga ‘Nishgoma’.

Kush është Meshan Çini sipas jush?

Gjatë viteve kam dëgjuar shumë epitete për të. Sidomos 25-vjeçarin e fundit në emigrim. E kanë quajtur mbretëreshë, Margaret Thatcher, Zonja e Hekurt, Zonja me flokët e argjendta e zemrën flori, heroinë, shembull i gruas shqiptare. Të gjitha këto e më tepër e kanë bërë idhull në sytë e mi. Nëse më pyesni kush ishte sipas meje? Nëna më e mirë në botë.

Çfarë ju ka treguar nëna juaj për vuajtjet e saj, historitë (sa më gjatë shpjegimi)?

Nuk e kam të vështirë për të folur për vuajtjet e saj. Ajo më ka folur shumë për to. Por, ato vuajtje janë tashmë të njohura nëpërmjet romanit, të cilin ajo publikoi disa vjet më parë, me titull “Bukuria Fatale” e shkrimtarit Rifat Dajti, apo nëpërmjet artikujve jo të paktë të gazetave, të cilat kanë publikuar para dhe pas vdekjes së saj. Unë do ta përmblidhja shumë shkurt jetën e saj deri në ditën e lirimit. Ajo lindi në një familje të njohur jo vetëm për aristokracinë dhe bujarinë e tyre, por edhe patriotizëm. Gjë e cila është çuditërisht e përmendur edhe në literaturë në kohën e regjimit komunist. Babai i saj ka qenë Hajro Çini, i cili jo shumë kohë më parë u nderua me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” nga presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani. Në moshën 17-vjeçare, mamanë time e fejuan me Selman Ndreun, nipin e Cen Elezit, një nga familjet më me emër jo vetëm në veri, por në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që me ardhjen e regjimit komunist në fuqi, askush nuk do ta linte të qetë këtë çift, që për shumë arsye hynin në elitën e asaj kohe. Unë do të doja të thosha që përveç pasurisë, emrit të familjes dhe më së fundi të fejuarit të saj, mamaja ime kish dhe “disavantazhin” e të qenurit shumë e bukur. Tri arsye fatale për ta ndëshkuar për faje të pabëra. Mbas konfiskimit të pasurisë, hedhjes në burg të të fejuarit të saj dhe pothuajse gjithë familjes së tij; mbas kërcënimeve të njëpasnjëshme e ofertave “mikluese” për ta ndarë të fejuarin, Meshanin në moshën 20-vjeçare e fusin në burg, ku plotëson 11 vjet dhe del prej andej në moshën 31-vjecare. I fejuari saj kish vdekur nga tuberkulozi si rrjedhojë e torturave të kaluara nëpër qelitë e burgut e internimet. Ndërsa, Meshani del gjysmë e shurdhuar dhe siç e përmenda më lart, e pamundur tashmë për të pasur një fëmijë të sajin. Ndërsa dalja nga burgu duhet të ishte fillimi i një jete të re, për mamanë time ishte fillimi i torturave psikologjike dhe ekonomike. E përbuzur si armike klasash, e pamundur për të jetuar pranë familjes së saj, për pamundësi pasaportizimi, pa iu dhënë e drejta për të punuar diku, Meshani duhet të mbijetonte. Tani jo vetëm për vete, por edhe për mua. Këtu mund ta kuptoni fare mirë, pse njëri nga titujt që i është dhënë nga të njohurit e saj është “Zonja e hekurt”. Ajo jetonte fshehurazi në shtëpinë e motrës së saj, Firdesit së bashku me bashkëshortin, Xhaferr Shehu (inxhinier i nderuar që ka dhënë kontribut pa fund në tharjen e kënetave në Shqipëri, por që edhe ky u dënua 10 vjet për hir të mamasë sime) sakrifikuan të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre për të mos e braktisur mamanë time. Mami qepte privatisht. Jetonim 7 veta me 1 rrogë punëtori (djalit të Firdesit, Qemalit) dhe mbas daljes së burrit të tezes nga burgu, u shtua edhe një pension 3 mijë lekë. Në kohë votimesh vinte kontrolli për të parë nëse ekzistonte njeri që s’duhej të ishte në shtëpi. Në atë kohë mami fshihej në dollap. Ajo mbijetoi falë guximit dhe këmbënguljes së saj, falë dashurisë dhe sakrificave pa fund të familjes së saj, falë motivit që iu shtua në jetë… ekzistenca ime. Dëshira, pasioni dhe ëndrra e realizuar për t’u thirrur nënë.

A ka shfaqur ndonjëherë pendesë për veprimin e guximshëm që mori në atë kohë?

Kurrë! Shpesh e kam pyetur se më dukej e pamundur që të mos ishte penduar, qoftë edhe pak. Përgjigja e saj ka qenë kjo: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”.

Çfarë kujtoni nga nëna juaj, karakteristikat që kishte?

Ah sa shumë gjëra…! Kishte zë të mrekullueshëm. Para disa vitesh dëgjova në skenë live Inva Mulën. Qava. Mamaja ime pa asnjë instruktore muzike këndonte pikërisht ashtu. Kishte dhuntinë të këndonte këngë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Vallëzonte me shumë sqimë. Deri një muaj përpara se të ndërronte jetë, e kemi incizuar duke vallëzuar si artiste e ansamblit. Tepër e shkathët dhe e hollë në përgjigje, tepër elegante në të veshur. Nuk zbriste kurrë në dhomën e ndenjes pa vënë perlat e pa lyer buzët. Shumë e edukuar. Edhe dikujt shumë më të vogël se vetja i drejtohej me ‘Ju’, nëse nuk e njihte mirë. Respekti për të ishte gjithçka. Ashtu si ia dhuronte gjithkujt, pa folur, me mënyrën e saj e kërkonte mbrapsht. E dashuronte jetën. Po e mbyll këtu se janë të panumërta karakteristikat e saj, që rrallë i sheh në ditët e sotme.

A mbante marrëdhënie me miq në Tiranë, qoftë të hershmit apo ata të takuar gjatë viteve të internimit e burgosjes dhe kush ishin ata?

Ah, harrova titullin tjetër… “Ministre e punëve të jashtme”. Mbante lidhje me të gjithë. Me miq të burgut, të spitalit, shoqe shkolle, shoqe lagjeje, të njohur e të panjohur, që i bënte të njohur në kohë rekord. Nga mikeshat e burgut po ju përmend zonjën Gjyste Qosaj. Takimi me të ishte tepër mallëngjyes. Kishin më shumë se 50 vjet pa u parë. I ledhatonin thinjat dhe rrudhat njëra-tjetrës. Zonja Gjyste ndërroi jetë 2 vjet përpara mamit.

A u kthye ndonjëherë në Tiranë pas largimit në Kanada dhe çfarë gjeti pas mungesës së saj?

U kthye 3 herë në mos gaboj. Madje, një herë udhëtoi vetëm, edhe pse në aeroplan për herë të parë ka hipur në moshën 67-vjeçare. E adhuronte Shqipërinë me të mirat dhe mangësitë e saj. Ishte patriote fanatike dhe këtë na ka ushqyer dhe mua dhe 2 fëmijëve të mi, që i donte më shumë se çdo gjë.

Çfarë këshillash ju ka dhënë mamaja?

Unë jetoj me këshillat e saj. Ndoshta tani më tepër se kurrë. Kur isha e vogël, bezdisesha sepse nuk lodhej duke më dhënë këshilla. Mund të them se ishte një burim i pashterueshëm këshillash, duke filluar nga mënyra e të ndenjurit, e të ngrënit, e të folurit, e të qeshurit. Për çdo gjë. Por, këshilla më me vlerë që kam marrë, është: “Respekto veten që të të respektojnë të tjerët”.

Si ishte jeta juaj në Kanada?

E falënderoj mamin (nuk di për çfarë ta falënderoj më parë) që më solli në këtë vend të mundësive. Pa iu futur shumë detajeve, përveç mungesës së pazëvendësueshme të mamit, ndjehem e kompletuar nga çdo drejtim dhe jam e lumtur.

Meshan Çini sot nuk jeton më, a ju la ndonjë amanet?

Amanet? Nuk do të thosha amanet, por pata një bashkëbisedim të mrekullueshëm 2 ditë përpara se të largohej nga jeta. Më tha që s’kish dhimbje, që ishte e lumtur dhe krenare për të gjithë ne, më pyeti “a e di sa të dua?” ju përgjigja “po, më shumë se çdo gjë”, “të dua sa dritën e syve” më tha. Ju luta që të mos më linte vetëm. “Jo – më tha – kurrë. Do të jem gjithmonë mbrojtja jote”. Ajo s’më ka gënjyer kurrë për asgjë. E di që do e mbajë premtimin.

Meshani me shoqen e burgut, Gjystja (Zonja me shami), me të cilën u takuan mbas 50 vjetësh

  Eda Lila me nënën, Meshanin dhe familjen e saj

Historia e arratisjes e burgosjes së familjes së Cen Elezit dhe hetuesit që torturonin gra

Meshani me motrat e saj

Selman Ndreu, djali i Cen Elezit, u fejua me Meshan Çinin, vajzën e familjes aristokrate gjirokastrite në vitin 1945. Pas 8 muajsh fejesë, fisin Ndreu e informojnë se do i arrestonin si bajraktarë që ishin, ndaj tentojnë të arratisen. Shoqëruesi i paguar 500 lira i tradhton dhe 11 djemtë e familjes Ndreu bien në burg në vitin 1946. Sipas tregimit të Meshan Çinit, ishte Dali Ndreu, ish-i fejuari i Liri Gegës, që hyri garant dhe kërkoi që ata të mos pushkatoheshin. Vëllezërit e tij u dënuan nga 20 vjet, ndërsa Selman Ndreu, 10 vite. “Shkova ta takoj në burg, sepse kur mora lejen, më thanë që atje e kishte në dorë Hito Çako. Hito ishte rritur në familjen time dhe shkollën ia dha babai im. I kërkova Hitos, sepse shërbëtor në familje e kisha, të mos ma sillte Selmanin e lidhur. E bëri për mua. Ai më kërkoi që unë të shihja jetën time, e në fakt deri në ato momente nuk e kisha menduar çdo bëja, e aty për aty vendosa të mos e lë”, kujtonte Meshani duke shtuar se në kohën e Koçi Xoxes, njerëzit burgjeve i torturonin e këtë torturë e ka besuar kur jorgani i të fejuarit i vinte i mbuluar me gjak. Nga Gjirokastra në Burrel e Peshkopi… Meshani ndiqte të fejuarin e saj, ndërsa pasi i larguan nga Tirana më 1947-ën, jetonte me motrën nga një fshat në tjetrin, nga Lanabregasi në Sulot e Kavajë. Në vitin 1952, në orën 3 të mëngjesit në shtëpinë e së motrës në Kavajë, troket dera dhe kërkojnë që Meshan Çini të shkojë me ta në Degën e Punëve të Brendshme. “Unë isha me temperaturë, më kishte prekur një grip spanjoll. Më morën gjasme për një pyetje ashtu siç isha, veshur me këmishë nate, robdishan dhe pallton sipër. Prita në Degë deri në 7 të mëngjesit kur erdhi kryetari, Manush Veliu. Ky më tha se duhej të shkonim në Degën e Punëve të Brendshme në Durrës. Më morën ashtu, edhe pse motra kërkoi të vinte me mua. Ata s’donin të binin në sy se po më arrestonin dhe Manush Veliu i tha sime motre që do më sillte sërish në shtëpi. Në Durrës shefi i Degës ishte Jashar Kasimati, ndërsa hetuesi Sotir Xhaja. “Je e arrestuar”, – më tha Sotiri, pa folur asnjë fjalë. U mpiva, unë s’kisha bërë asgjë. Më futën direkt në birucë, i bija derës sepse kisha nevojë për tualet dhe dëgjoja zërin e tij të ashpër: “Aty, aty, ta bësh…”, tregon Meshan Çini para vdekjes në një emision të Milaim Zekës. Rrëfen me zë të dridhur, duke fshirë herë pas here lotët, se kurrë nuk qau madje as kur e rrihnin në hetuesi. “Një fjalë, një grusht dhe një goditje e tmerrshme në vesh më dërrmoi, që humba dëgjimin. Ato 4 muaj hetuesi ma bënë bilancin, krushqi me Hysni Demën, nusja djalit të Cen Elezit, burrin e motrës në burg, vajzën e Shefqet Vërlacit shoqe të ngushtë… Pretenca kërkoi 25 vjet, u dënova 20. Më pyetën nëse kisha ndonjë kërkesë për herë të fundit. Prisnin t’i kërkoja mëshirë, por s’e bëra kurrë”, tregonte e ndjera. Pas qëndrimit në Durrës dhe izolimit në Tiranë për 1 vit, Meshan Çini tentoi të vriste veten dy herë. Më pas të renë e transferuan në burgun e vjetër dhe disa kohë më vonë në kamp internimi, ku ndenji deri në vitin 1963. Që pas lirimit (11 vite burg), ajo jetoi nëpër fshatrat e Tiranës deri sa u largua në vitin 1991 drejt Greqisë për t’u vendosur përfundimisht në Kanada, ku edhe vdiq.

Vajza e adoptuar e Meshan Çinit me familjen e saj


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.