

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, vrasjet, djegiet, shpërthimet e depove sollën një situatë surreale në Shqipëri, marsin e vitit 1997. Në situatën e një lufte civile, “Gazeta Shqiptare” dhe gazetat e tjera e pezulluan përkohësisht botimin.
Në pamundësi pra, për t’ju sjellë si çdo ditë “GSH”-në e 20 viteve më parë, do të botojmë (përsëri, përkohësisht) në këtë rubrikë foto dhe video të marsit ’97 për të njohur ose kujtuar çmendurinë kolektive që na përfshiu 2 dekada më parë.
Si sot në 30 Mars 1997
Bilanc vdekjesh dhe atentatesh rezultojnë në fund të kësaj dite. Vriten 5 persona në Shkodër dhe 3 në Berat. Vazhdon situata kritike në disa qytete të vendit. Drejtues të Marinës Shqiptare deklarojnë se aksidenti i Otrantos mund të ishte shmangur. Në Kurbin 69 persona plagosen nga shpërthimet e bombave dhe goditjet me armë. 28 prej tyre shtrohen në Spitalin e Tiranës, për ndërhyrje kirurgjikale, kurse 4 fëmijë shtrohen po në këtë spital për djegie të rënda nga granatat. 5 persona plagosen në Gramsh. Vritet një i ri në Elbasan.