OPINION

Refleksion /Marrëveshja PS-LSI, koha për rivlerësim

07:17 - 30.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Spartak BRAHO

 

 (Në prag të 4-vjetorit të marrëveshjes së Aleancës për Shqipërinë Europiane, të prillit 2013)

Ndoshta shumë gjëra që do të prekim në këtë shkrim janë të njohura, por në këtë rast të domosdoshme për t’u rikujtuar. Shkodër, 1 prill 2013, – e majta shqiptare, Partia Socialiste dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, në konferencën ballkanike të Partisë Socialiste Europiane deklaruan bashkimin në Aleancën për Shqipërinë Europiane. Së bashku me liderët socialistë europianë dhe ballkanikë përshëndetën Edi Rama dhe Ilir Meta jo pa entuziazëm për krijimin e këtij bashkëpunimi strategjik në kuadër të një koalicioni, që përgatitej të futej në zgjedhje. Në 23 prill të 2013-ës këto dy forca politike firmosën edhe Kartën e Parimeve të Bashkimit, që do të ishte edhe juridikisht data e noterizimit të kësaj aleance politike. Duke respektuar me rigorozitet kujtimet për fjalën që mbajtën dy bashkëkryetarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, “ndërsa Edi Rama prezantoi ftesën” për bashkëpunim qëllimet dhe objektivat e saj, për krijimin e një koalicioni paralektoral për zgjedhjet e pritshme, analizoi dhe anatemoi edhe shkaqet që kishin çuar në disa vite të përçarjes së të majtës shqiptare”.

Ndërsa, Ilir Meta në fjalën e tij, të parë në një optikë më strategjike nënvizoi se, “Bashkimi i së majtës bëhet me synimin dhe në funksion të Integrimit Europian të Shqipërisë. Ky bashkim është një aksion historik politik i domosdoshëm, që bashkon dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë për një ndryshim të domosdoshëm, për të hapur një perspektivë të re, e cila do të mbyllë tranzicionin”. Marrëveshja politike Rama-Meta, siç u pa në ditët në vijim të pranverës së 2013-ës në Shkodër çliroi një energji shprese mbarëpopullore, aq se shumëpritur “habiti” edhe vetë protagonistët që e ngjizën.

Një milion qytetarë në ditën e 26 qershorit të 2013-ës vendosen ta votonin këtë aleancë. Këto nuk ishin një milion “shuplaka” siç i pëlqen të thotë Edi Rama ndaj opozitës, por një kartabiankë mbarëqytetare në mbështetje të dokumentit firmosur nga dy liderët kryesorë dhe koalicionit të majte. Marrëveshja si “Kushtetuta” e bashkëpunimit të dy forcave rrezatonte frymë shprese, që garantonte jo vetëm bashkëqeverisje, por edhe fillimin e reformave të thella në të tëra planet, ravijëzonte synimin kryesor, përparimin ekonomik të vendit dhe integrimin europian të tij. Ja çfarë deklarohet në dokumentin programatik: “Me përgjegjësinë e përbashkët historike, për t’i dhënë Shqipërisë sot një forcë të re të progresit si garanci për mirëqeverisjen e vendit, përmes bashkimit të të gjithë socialistëve e të progresistëve, duke nxjerrë mësimet e duhura nga eksperiencat pozitive, por edhe nga gabimet e së shkuarës, si edhe duke marrë përsipër barrën e promovimit të idealeve e të ideve të së majtës së re të shekullit XXI, vendosin: Të bashkohen në kuadrin e koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’”.

Çfarë mund të thuhet tani pas 4 vjetësh për bilancin e kësaj marrëveshjeje dhe çështja shtrohet a është i nevojshëm rivlerësimi i saj? Ajo që dua të vë në dukje në këtë rast është se të dy liderët kryesorë, veç e veç janë shprehur se do t’i qëndrojnë besnikë marrëveshjes deri në datën e përfundimit të saj, që lidhet me mandatin 4-vjeçar të bashkëqeverisjes. Ndërsa Partia Socialiste dhe vetë Edi Rama ka lënë të kuptojë për një rikonfirmim në vazhdimësi të “Koalicionit për Shqipërinë Europiane”, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Meta janë shprehur se ky vendim, pra për vazhdimësinë e koalicionit qeverisës do të merret në forumet drejtuese në ditët në vijim.

Gjykoj se kjo “pritje” është e lidhur jo vetëm me analizën e realizimit të saj gjatë 4 viteve, ku krahas pozitivitetit, ajo u shoqërua edhe me defekte e përplasje, por edhe me situatën e krizën politike aktuale të stimuluar nga opozita, ku më kryesoret janë kërkesat ultimative për qeveri teknike, bllokimi i reformës në drejtësi dhe vetingut, si dhe ideja për të bojkotuar zgjedhjet. Në këtë pikë, ajo që e dallon Ilir Metën është se kapërcimi i tërë këtyre qëndrimeve të opozitës për zgjidhjen e krizës është i lidhur me dialogun me të për ta nxjerrë nga bunkeri ku ka hyrë e qëndron me budallallëk. Duke mos marrë përsipër të bëj analizën shteruese të realizimit të marrëveshjes së prillit 2013, as për të nxjerrë gabimet apo defektin e njërit krah apo tjetrit, gjykoj të vë në dukje se vetë ajo pati ndonjë defekt që në hartimin e saj qoftë edhe në përmbajtje e konceptim. Ajo u formulua si një dokument i “pëlqimit reciprok”, por e paprecizuar në mënyrë konkrete dhe definitive për t’u zbatuar rigorozisht. Nëpërmjet ngritjes së strukturës kontrolluese midis palëve. Marrëveshja nuk parashikon metodikën funksionuese dhe ngritjen e strukturave kontrolluese reciprokisht nga të dyja forcat politike, të cilat nuk do të lejonin deformimin për çështjet e vendosura nga qendra në bazë.

Padyshim, lipset që këtë analizë ta bëjnë në mënyrë shteruese dhe të plotë vetë të dyja forcat politike, forumet e drejtuesit e tyre me qetësi e dashuri. Në këtë rast le të themi dy fjalë shkurtimisht, duke nënvizuar disa prej defekteve: Objektivisht disa defekteve erdhën për rrjedhojë edhe për faktin se si PS-ja, ashtu edhe LSI-ja erdhën në bashkëqeverisje, ndonëse me qasje programore pothuajse të njëjta, por në rrugë të ndryshme. PS-ja nga një periudhe 8-vjeçare në opozitë, ndërsa LSI-ja nga një periudhë 4-vjeçare në koalicionin qeverisës me PD-në. Ishte ky faktor që strukturat partiake reciprokisht në bazë ishin të “majisura” me mllef e dyshim. Nuk ishte e mjaftueshme vetëm ndarja e dikastereve kryesore, kaq ministra ti, kaq unë; kaq zv.ministra ti e kaq unë etj., pasi në strukturat e bazës pati përplasje, nxitime, xhelozira që sollën edhe emërime të pastudiuara. Kjo “xhelozi” u evidentua më hapur, por dhe herë mbylltazi nga disa drejtues të PS-së. Veçanërisht rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2015 në disa bashki, ku kandiduan përfaqësues të LSI-së nuk u justifikuan në mbështetjen e strukturave të PS-së.

Këto ishin disa nga shkaqet që në strukturat partiake në disa rrethe u ngritën tonët e akuzave reciprokisht. Është evidente se të dyja partitë u futen në bashkëqeverisje për kryerjen e reformave të rëndësishme. Reforma territoriale hapi siparin e bashkëpunimit të suksesshëm, duke vazhduar më pas edhe me reforma të tjera, deri së fundmi te reforma e drejtësisë. Por, në këtë bashkëpunim ishin disa reforma të ndërmarra nga qeveria në fushën ekonomike, shëndetësi etj., të cilat nuk patën përqasjen e duhur me LSI-në, pasi një pjesë e tyre nuk u shtruan në tavolinën e konsultimeve dhe iluminimit reciprok jo vetëm midis strukturave qeverisëse e parlamentare, por edhe me elektoratin. Edhe disa veprime tendencioze e manipulative të strukturave ligjzbatuese për të krijuar imazh negative dhe alibira, me synimin njollosjen e përfaqësuesve të LSI-së dobësuan kohezionin.

Nuk u vlerësua, por u nënvlerësuan kritikat e LSI-së ndaj fenomenit kanabizimit të territorit gjatë vitit 2016 dhe u konsideruan këto si tendencioze. Tek disa ministra të veçantë të saj u vunë re shenja arrogance dhe megalomanie të “partisë së madhe, që s’pyet për aleatin e saj kryesor. EDHE veprimi i Partisë Socialiste për futjen në qeverisje dhe koalicion të PDIU-së, ndonëse u tha se ishte lëvizje taktike e Ramës, gjykoj se ishte e pamotivuar, e pakonsultuar dhe jashtë parimeve të Marrëveshjes për Shqipërinë Europiane. 3. Por, le të themi se të gjitha këto kanë ndodhur e për rrjedhojë dhe kanë kaluar, por jo pa qejfmbetje. Secila palë ka bagazhin e saj të vërejtjeve, të cilat herë pas here edhe janë thënë me gjysmë zëri e herë me zë të plotë.

Në pikën 2 të marrëveshjes së prillit të 2013-së shkruhet e zeza mbi të bardhë: “Zhvillimi konstruktiv i bashkëpunimit mes PS e LSI bazohet mbi parimet e kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë së të gjithë faktorëve, institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak”. Nisur nga premisa e mësipërme, për mendimin tim dhe këtë nuk e them thjesht si politikan dhe deputet i zgjedhur me konsensus nga PS-ja dhe LSI-ja, ky koalicion bashkëqeverisës duhet të vazhdojë të marrë përsipër realizimin e këtyre objektivave. Kjo është parimore. Jemi në kohën e pritshme e të duhur që kjo pikë e marrëveshjes, e formuluar si një “paragraf kushtetues” i saj të vihet në axhendën e diskutimit e rikonfirmimit në tryezën e koalicionit për vendimmarrje. Kjo do të thotë që koalicioni qeverisës PS-LSI të kalojë me prioritet në zgjidhen e çështjeve të papërfunduara, të kryeje reformën zgjedhore, reformën në drejtësi etj., të zgjidhe krizën që imponohet nga opozita e djathtë dhe kërkesat ultimative të saj, me qëndrim të përbashkët dhe dialog të pandërprerë. Besoj se për këto qëllime të mëdha edhe në të ardhmen këto dy forca politike të së majtës shqiptare kanë një rrugë të përbashkët.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.