DOSSIER

Hysen Cenaj: Si donin të më martonin më ’83 me një algjeriane

14:03 - 01.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Enrik MEHMETI

 

Garën e parë zyrtare e pati në vitin 1977 ku morën pjesë 10 ekipe dhe 76 pionierë. Rezultatin më të mirë në dy garësh e arriti Hysen Cenaj. Një garë dhe një sukses që Hyseni e mban mend gjatë pasi nuk mund të harrojë dhimbjen që i kishte shkaktuar këmba e gjakosur brenda atletes. Për garën e Fierit, kishte tre muaj që stërvitej, ndërkohë që vëllezërit nuk dinin asgjë. Një javë para garës do të dëmtonte këmbën me hekur dhe që nga plazhi do të shkonte pa i thënë askujt, për të qepur plagën. Këmba i dhembte dhe nuk do të shkonte në stërvitje edhe pse trajner Faruku e kërkonte nëpër Vlorë e në lagje. Një ditë trajneri e takoi dhe i thotë se duhet të vinte në garat e kampionatit, por Hyseni nuk i tregoi për plagën edhe pse pranoi të shkonte në garat e Fierit. Kishte dëshirën e madhe për të garuar, për të marrë pjesë në një kampionat edhe pse nuk ia dinte rëndësinë. Para se të fillonte gara, Hyseni 14 vjeçar i preu me një copë xham fijet e të qepurës dhe pasi e lidhi plagën fort u fut në garë. Kur përfundoi garën dhe doli kampion, shkoi në një cep dhe pasi hoqi atleten pa se ajo ishte e mbushur me gjak. Gëzimi për titullin ishte më i madh sesa dhimbja dhe ai gati sa nuk fluturonte. Kështu nisi karrierën e tij kampioni i vogël.

Ishte viti ’83, kur Ekipi Kombëtar i Peshëngritjes së Shqipërisë shkoi në Algjeri për një turne miqësor. Në përbërje të ekipit ishte dhe djaloshi nga Vlora, Hysen Cenaj. Qëndrimi në Algjeri zgjati për gati dy javë dhe ekipi stërvitej bashkë me ekipin e Algjerisë, si një shkëmbim përvoje. Hyseni kujton se “trajneri i Ekipit Kombëtar të Algjerisë ishte rus dhe drejtuesit e kombëtares shqiptare kërkuan zëvendësimin e tij, pasi e kishim të ndaluar që të ishim në kontakt me shtetas rus”. Trajneri rus e kishte në mendje vlonjatin dhe kur e pa në garë u impresionua nga teknika e tij, nga bukuria trupore, por edhe nga sedra e trimëria në garë. Kur Hyseni ngjitet në podium, pasi kishte mundur peshëngritësin rus, trajneri rus ngrihet nga tribuna dhe shkon dhe e përqafon Hysenin. “Kur mbarova garën po mendoja se çfarë t’i thosha përgjegjësit të sigurimit të shtetit që shoqëronte ekipin jashtë vendit. Por peshëngritësi i madh shqiptar, Asim Belinova më del përpara dhe më thotë – hajde labush të të përqafoj se e tregove veten, e rafe ( rrahe ) rusin, u tregove edhe diplomat që i dhe dorën rusit, duke i lënë të kuptonte që ja se çfarë dimë të bëjmë ne shqiptarët. Këto fjalë të mikut tim, më shpëtuan në atë kohë nga përgjegjësi i sigurimit” Hyseni u hyri në zemër që në ditët e para algjerianëve dhe ndërsa ata e kishin seriozisht që ta fejonin me një vajzë algjeriane, ai vetë dhe shokët e skuadrës e konsideronin këtë si një shaka, e cila në ditën e fundit për pak sa nuk shkaktoi një incident diplomatik.

16 maj. Në kompleksin Olimpik të Algjerisë, peshëngritësit e të dy vendeve do të ngjiten në podin e garave. I pari do të garojë Hysen Cenaj në peshën 52kg dhe menjëherë do të vendosë një rekord kombëtar – 100.5 kg në shkëputje, rezultat ky i nivelit të lartë ndërkombëtar. Në ditën e fundit të qëndrimit në Algjeri, zyrtarët e peshëngritjes algjeriane i sollën Hysenit një kontratë për të firmosur qëndrimin e tij në Algjeri. Algjerianët i kishin shkuar deri në fund seriozitetit të tyre për ta mbajtur në Algjeri vlonjatin, që sipas tyre, premtonte shumë për rezultate botërore. Por, shqiptarët, vetëm kur panë kontratën për sportistin e tyre, e kuptuan se shakaja kishte marrë fund dhe gjithçka që algjerianët kishin këmbëngulur për Hysenin, kishte qenë serioze, e vërtetë. Ambasada shqiptare në Algjeri kundërshtoi duke thënë se “Shqipëria nuk shiste lojtarë” E si mund të ndodhte ndryshe në vitet 1983! Ndërkohë, refuzimi i kontratës dhe i qëndrimit të Hysenit në Algjeri i mërziti shumë algjerianët, të cilët nuk shtruan asnjë banket për shqiptarët, nuk u bënë asnjë dhuratë dhe nuk i çuan as për një vizitë të planifikuar në një fabrikë të markës “Adidas”. Ekipi i Shqipërisë do të fitonte 8-0 përballë ekipit të Algjerisë. Pesha 52 kg Hysen Cenaj vendos një rekord të ri – 100.5 kg në stilin e shkëputjes, rezultat i nivelit ndërkombëtar, “Medalje ari”, një rekord për të rritur, pesë rekorde për të rinj

Rekordi botëror që mbeti i paregjistruar 1983

Kishte arritur një formë të mirë sportive. Ishte 20 vjeç dhe ishte në kulmin e energjive që mund të kishte një i ri, një sportist, një vlonjat i rritur me sedrën për të qenë gjithmonë i pari. Viti 1983 kishe qenë një vit i mbushur me medalje e rekorde. Kishte fituar “Medalje ari” në Turqi e në Algjeri dhe kishte thyer një rekord ballkanik në Selanik. Ishte në kulmin e tij. Rezultatet gjithnjë e më të larta ishin afër rekordit botëror në stilin e shkëputjes që ishte 115 kilogramë. Në fakt rekordi kishte qenë 110 kg, por atë kohë në Shqipëri nuk kishte njoftime dhe të dhëna për rezultatet që arriheshin jashtë shtetit nga sportistë të huaj. Ishte gati për ta thyer këtë rekord, i hanin duart. Kishte fuqinë e një kampioni, fuqinë e një deti të tërbuar. Së bashku me trajnerin Kastriot Ruka kërkoi në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes që të lajmërohej në Federatën Botërore të Peshëngritjes për kërkesën e një peshëngritësi shqiptar që do të provonte të thyente rekordin botëror. Rregulli e kërkonte që të ngrihej një juri, në përbërje të së cilës do të ishin dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar kombëtar, të cilët do të certifikonin thyerjen e rekordit. Por, rregulli e kërkonte edhe që t’i nënshtrohej një kontrolli antidoping, kusht të cilin Shqipëria, jo vetëm që nuk e plotësonte, por edhe nuk e diskutonte fare si problem për sportistët shqiptarë. Por, Federata Shqiptare e Peshëngritjes u tregua cinike me peshëngritësin e Vlorës dhe rekordmenin e Shqipërisë, duke mos e plotësuar këtë kërkesë. Gjithsesi Hysen Cenaj kishte vendosur ta provonte thyerjen e rekordit botëror. Duhej fuqi e madhe, përqendrim, mbështetje morale. E ku tjetër përveçse në Vlorën e tij, mund t’i kishte të gjitha këto. Në 3 shtator të vitit 1983, pallati i sportit “Flamurtari” ishte mbushur si kurrë më parë. Ishte pasdite. Në stadiumin me të njëjtin emër aty pranë sapo kishte përfunduar një ndeshje futbolli dhe të gjithë ata që ishin në stadium pas takimit u drejtuan për në pallat. “Flamurtari” kishte fituar në futboll me “Labinotin” e Elbasanit me rezultatin 3 me 0. Askush nuk shkoi në shtëpi. Në qytet ishte përhapur lajmi se peshëngritësi, djali i Vlorës, kampioni i tyre, Hysen Cenaj do të provonte për të thyer një rekord botëror. Prova e parë – 105 kg prova e dytë – 110 kg – dështoi prova e tretë – 116 kg Dhe rekordi u thye. Nga 115 kilogramë që ishte rekordi, Hyseni ngriti 116 kilogramë. Entuziazmi në pallat ishte i madh. Vlora po përjetonte një ngjarje të madhe. Por edhe zhgënjimi dhe irritimi në qytet ishte i madh kur u mësua që, thyerja e rekordit nuk do të njihej, sepse Federata Shqiptare e Peshëngritjes ishte treguar cinike, e padrejtë me sportistin e Vlorës, ashtu si ndodhte dhe në sportet e futbollit apo të basketbollit, kur zyrtarë të lartë të sportit në Tiranë nëpërmjet arbitrimit ndikonin në rezultatet e ekipeve të Vlorës. Ai rekord botëror mbeti i paregjistruar atë ditë shtatori të vitit 1983. Por mundësia nuk do t’i jepej as edhe një vit më vonë në kampionatin Evropian në Spanjë. Dhe do të ishte përsëri një shqiptar, trajneri i kombëtares së tij, që do ta pengonte të tentonte për rekord botëror.

 

 

Titujt

 

– Në mars të vitit 1986 i akordohet titulli “Mjeshtër i Sportit”

– Në vitin 1987 – Dekorohet me urdhrin “Naim Frashëri”

– Në vitin 1988 – Titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit”

– Në vitin 1999 – Titulli “Nderi i Sportit Shqiptar”

– Në vitin 1999 – Fiton titullin “Sportist i Shekullit në Vlorë”, duke u renditur i pari në anketën e zhvilluar në qytetin e Vlorës.

– Në vitin 2009 – “Nderi i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes”

– Në vitin 2012 – “Personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës”

– Në vitin 2014 – “Nderi i Qarkut Vlorë”

– Në vitin 2015 – “Qytetar Nderi i Vlorës”

–   Në vitin 2016 – “Nderi i Artë i Peshëngritjes Shqiptare”


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to Dibra e Madhe Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. po ca jane keta idioter qe thone federata u tregua cinike.,..zyrtaret e tiranes u treguan cinike dhe nuk pranuan qe te behshin testet e antidopingut..gjasme sikur nuk i donin vlonjatet…po ikni mor sigurimsa ..kelysher komunistash se ne kohen e enver kermes vetem lab ka pasur nga trekendeshi vlore gjirokaster tepelene…mos na boni me vjell..se arsyeja e vertete qe federata nuk pranonte testin e anti dopingut ishte se shteti yn ei mbushte me testosteron sportisten tane per te arritur rezultate nderkombetare… po ikni se i dime te gjithe se cfare ndodhte atehere

    Përgjigju ↓