20 vite me pare

20 VITE ME PARE – 15 prill 1997

07:00 - 15.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pollo kap majat e partisë, tani Sekretar i Përgjithshëm. Shehi: Mjaft më me PD, por jo me bazën”

 

“Betejë” në PD, hapen letrat, e diela, ditë “lufte”

 

Ndryshon kryesia. Kërkohet largimi i Berishës. Momente tensioni në 12 orët e Këshillit Kombëtar. Hapen dosje. Mocionistët ikin

Tiranë – Betejë e ashpër në PD. Në të 12 orët e një mbledhjeje supermaratonike Këshilli Kombëtar i Partisë ka nxjerrë mbi tapet akuza e kundërakuza, fakte e kundërfakte e deri hapje dosjesh, për të konkluduar më pas në një ndryshim të pjesshëm në Shtabin Drejtues të partisë. Ka dhënë dorëheqjën sekretari i Përgjithshëm i partisë, Besnik Gjongecaj, i ndjekur nga sekretari për organizimin, Ylli Vejsiu e Ferdinand Xhaferri. Janë larguar nga mbledhja firmëtarët e dokumentit antikryesi e antiberisha. Një votim i fshehtë ka hequr nga Kryesia e vogël, Koplikun, Shehin dhe Vrionin për të katapultuar në vend të tyre Gjanajn, Halilin e Shamatën. Ka qenë ky kuadri në të cilën u zhvillua një nga mbledhjet më të ashpra që Këshilli Kombëtar i PD ka njohur që nga krijimi I partisë. Një masë esktreme sigurimi ka shoqëruar në rrethinat e Pallatit të Kongreseve mbledhjen maratonomike të demokratëve. Një radiografi është bërë në fillim të takimit nga Presidenti Berisha. PD dhe shkaqet e shpërbërjes së institucioneve të saj, korrupsioni elementet bartës të tij në rrugët që do të sillnin oksigjenin e PD së të nesërmes. Këto kanë qenë drejtimet e fjalimit të Berishës, i cili u ndoq nga një analizë e Shehut e më pas e Meksit. Kanë kundërreaguar firmëtarët e deklaratës antikryesi. Larg Berisha nga drejtimi i partisë dhe i PD të drejtohet nga një këshill drejtues deri në zgjedhje që do të zëvendësonte kryesinë aktuale. Por mekanizmi i votës ka hedhur poshtë deklaratën në fjalë pas së cilës autorët e saj braktisën sallën. “Nuk mund të qendronim në një mbledhje të PD ku ekzistonte presioni dhe lufta e biografive”, ka deklaruar pastakimeve Dashamir Shehi.

Takimi ka vazhduar më pas nën një shi akuzash e kundërpërgjigjesh. Burime brenda mbledhjes thonë se Berisha e akuzoi Rulin e Dostin për bashkëpunëtorë të sigurimit. “Eshtë një shpifje e qëllimshme e përdorur rëndom në partinë tonë”  ka replikuar Ruli për Gazetën, duke hedhur poshtë insinuatat që u thanë në takim për të. Ndërkohë Arbnori nuk ka kursyer akuza esktreme për deputeten Aferdita Zëri e për Vrionin. E zhvilluar në këtë linjë takimi i së dielës duket se ka hapur një mori letrash që për vite e muaj me radhë janë mbajtur të mbylluar për një ditë të tillë. Në përfundim të takimit Këshilli Kombëtar ka aprovuar edhe një rezolutë sipas së cilës “njihen përgjegjësitë e PD e forumeve drejtuese të saj. Në qeverisjen e vendit dhe në gjendjen e krijuar ne vend”. Dokumenti dënon ashpër përpjekjet e disa ish-pushtetarëve të PD për të shfrytëzuar situaten aktuale për interes e tyre”, duke konsideruar edhe përgjegjës në drejtim të shtetit dhe raportin e pandershëm me PD. Burime brenda partisë konsiderojnë takimin e së dielës si më te ashprin në historinë disa vjeçare të PD, reflekset e së cilës mund të shfaqen shpejt edhe në bazën periferike te saj.

Rezear Xhaxhiu

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.