KULTURË

Apoloni, zbulohet një mozaik i rrallë i shek.V

11:00 - 25.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Apoloni, por edhe Athinaja, në një pozë paqësore, dallohet nga parzmorja me kokën e Gorgonës Meduzë, që i mbulon gjoksin. Ajo është e preferuara ime. Gorgona me funksionin e saj mbrojtës nuk di nëse na mbron apo e mbrojtëm, por sytë e këqij që vijnë vërdallë nuk e mundin dot Athinanë, më besoni! Radhiten në portik edhe shtatoret e zonjave, matronave, me veshje elegante, me pala e kinde.
Ky portik, si dhe gjithë muzeu, nëpërmjet gjetjeve të ndryshme na mëson se apolloniatët parapëlqenin artin dhe arkitekturën. Ata zbukuruan qendrën e qytetit me vepra të gdhendura në mermer. Këto statuja e mbishkrime transmetonin dikur mesazhe, jehona e të cilave na vjen me pjesëza edhe sot në këtë arkadë të populluar me vepra arti”.
Nga Leon Rey, te Hasan Ceka e Skënder Anamali- mes falënderimeve për grupet e punës, një kujtese ndaj emrave që patën kaluar e lënë gjurmë nëpër Apoloni, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro “thirri” në ceremoninë e ‘inaugurimit’ të Parkut të restauruar të Apolonisë, edhe perënditë antike greke.
“Punime janë kryer në monumentet brenda hapësirës së Manastirit, duke përfshirë portikun e statujave, trapezarinë, kishën, depon arkeologjike, muzeun dhe ambientin përreth zonës së Parkut”, thoshte Kumbaro në fillim të muajit. Punimet u bënë në kuadër të projektit “Rehabilitimi i Manastirit të Shën Mërisë dhe peizazhit në Parkun Arkeologjik të Apolonisë”. Dje, ministrja renditi gjithë pasuritë që ka Apolonia, nga nëntoka te mbitoka, derisa ia dha ambasadores Romana Vlahutin. “Ka ende vende të trashëgimisë që kanë infrastrukturë të dobët”, – tha ambasadorja e BE-së, duke premtuar të mbështesë strategjinë e turizmit të qëndrueshëm. Ajo kujtoi përmbytjet e mëdha aty, fortifikimet e anëve të lumenjve.
“Besoj se nuk do t’ia dilnim dot nëse ky projekt nuk do të kishte pasur kujdesin e profesor Pirro Thomos”, – tha dje kryeministri Edi Rama nga Parku i Apolonisë, duke shtuar se Thomo meritonte më shumë duartrokitje se ai vetë dhe se ministrja Mirela Kumbaro. Teksa falënderonte restauratorin, ai foli edhe për kujdesin ‘maniakal’ të një tjetri të rëndësishëm të kulturës sonë bashkëkohore, Maks Velos, që e përshëndeti me kënaqësinë për praninë e tij, “sepse është një prani, – tha Rama, – që më siguron që gjërat këtu janë bërë më së miri, se përndryshe Maksi nuk do kishte ardhur”. Mënyra e falënderimit të shefit të qeverisë, kundrejt BE-së që ka financuar investimin qe jashtë kanoneve protokollare, kur tha se “më në fund i bindëm që të mos financojnë vetëm në burgje”.
Rama, nuk la pa kujtuar se 10 vjet më parë u dha alarmi për shkatërrimin e vlerave të Apolonisë, e nisur nga përcaktimi, veç vlerës materiale, dëmi kishte vlerë të parikuperueshme të trashëgimisë kulturore e historike. Ai kujtoi se atëkohë, kërkimet e grabitjet ecnin paralelisht dhe bëheshin ditët për diell- kërkime që ishin grabitje e grabitje që dukeshin si kërkime; e madje për këtë frazë, kryeministri tha kishte dëshmitar të pakontestueshëm edhe priftin (të cilin e përshëndeti në distancë).
PËR HERË TË PARË
Pas investimit të BE-së në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në Apoloni zgjerohet zona e vizitueshme, janë restauruar disa sektorë të rëndësishëm të Parkut, siç janë Kisha e Shën Mërisë, trapezaria e Manastirit dhe portiku me statuja.
Më në detaje, drejtori i këtij Parku, Marin Haxhimihali, tha dje pas interesimit të “GSH” se “për herë të parë janë hapur disa mozaikë shumë të rrallë. Një është i ri, që hapet për herë të parë për publikun e do të jetë i vizitueshëm gjatë gjithë kohës”.
Në fakt, ky mozaik, është edhe zbulimi më i ri në Apoloni; zbulim, edhe pse më herët dihej prej një grushti njerëzish, e zbulim se, së dyti, tanimë ai do të jetë i vizitueshëm- jo më i mbuluar.
“Është fjala për një mozaik të Antikitetit të vonë që gjendet pranë ambientit të trapezarisë. U takon shekujve V-VI, me përmasa 5 metra me 1 metër e gjysmë. Tanimë, me anë të një ballkoni prej xhami vizitori mund ta admirojë nga sipër mozaikun, dhe kjo zgjidhje është unikale në parqet arkeologjike të Shqipërisë. Është model francez”, – tha drejtori i Parkut për “GSH”.
Në këtë mënyrë, kalimi nga Antikiteti i vonë në Mesjetë është krejt i natyrshëm, vizitori e sheh historinë në dy ambiente të pranëvëna.
Pse zbulimi i mozaikut është i rëndësishëm?
Haxhimihali vëren se hapja e mozaikut të ri në mjedisin e trapezarisë, ka vlera të jashtëzakonshme, e jo vetëm për Apoloninë, por të gjithë rajonin. “Deri më tani njihej pjesa mesjetare e Manastirit të Shën Mërisë së Apolonisë, kurse ky mozaik, na bën të kuptojmë që këtu ka pasur një jetë dhe aktivitet njerëzor disa shekuj më parë”. Ai vëren se në librat e historisë, thuhej që jeta në Apoloni përfundon në shekullin IV pas Krishtit dhe rifillon në Mesjetë me Manastirin, pra me një shkëputje të konsiderueshme. Ndërsa zbulimi, e rrëzon këtë teori.
“Prania e këtij mozaiku, dëshmon që këtu ka pasur prani njerëzore edhe mbas tërmetit katastrofik të shekullit IV. Mendoj se ky mozaik, lidhet me bashkësinë e krishterë”, – sqaron drejtori i Apolonisë, duke shtuar se “peshkopi i së cilës, shpërngulet në shek. V nga Apolonia drejt Bylisit. Kjo është e rëndësishme për historinë e Shqipërisë”.
MOZAIKU
Mozaiku ka disa motive të stilizuara nga bota e kafshëve, disa referenca të krishtera dhe motive gjeometrike. I ruajtur në gjendje shumë të mirë, mozaiku është zbuluar nga vitet 2000 prej arkeologut Skënder Muçaj, por deri në fillimin e këtyre punimeve, të rrallë kanë qenë arkeologët që ishin në dijeni të ekzistencës së tij. “Ka qenë një sfidë e imja personale që hapja e këtij mozaiku të ishte pjesë e projektit të financuar nga BE-ja”, – thotë Haxhimihali. Cila është domethënia e mozaikut, a ishte pjesë e një të tëre më të madhe?
“Ndoshta ka qenë bazilikë paleokristiane, – thotë Haxhimihali, – ose banesë e asaj kohe; arkeologët nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit, sepse pjesa tjetër e zonës, është ende e pagërmuar.
Mozaiku shihet si një vlerë e shtuar e turizmit dhe ofertës turistike, sipas drejtorit të Parkut.
“Janë rihapur dy mozaikë të tjerë, njëri pranë Manastirit dhe tjetri te Vila me Impluvium”, – kujton Marini.
Ai vë në dukje se investimi i BE-së ka bërë të mundur vënien në eficencë të një sistemi të ri elektrik dhe të mbrojtjes kundër zjarrit, megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, investimi nuk është i përfunduar, sepse së shpejti pritet të fillojë hapja e shtigjeve të reja turistike dhe vënia e biletarisë elektronike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.