DOSSIER

“Rroftë fashizmi, Enveri, pushteti”, si sillen turmat me liderët

10:12 - 26.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira NIKOLLI

Le të rrojë Italia fashiste”, “Rroftë Zogu”, “Rroftë Ciano, ti na ke lirue” lexohet diku, “Rroftë Shoku Enver”, “Rroftë Jugosllavia Federative”, “Rroftë Tito”, “Rroftë Aleanca Sovjetike”, “Rroftë Stalini”, një rroftë e pafund që shoqëron pandërgjegjen deri në ditët e sotme- një dokument i rëndësishëm vizual për historinë e kohërave të fundit të Shqipërisë është arkivi i pasur i fondit të Muzeut ‘Marubi’.
Imazhi i parë është ngritja e flamurit në Shkodër më 1914. Mandej duket se i njëjti grup udhëton në kohë dhe thotë njëzëri: “Rroftë mbreti, fashizmi, Enveri, pushteti, ushtrija, bashkimi, lirija, indipendenca, kombi!” – rroftë, rroftë, rroftë. I ngjan një “trupi” të vetëm, një orkestër e tërë që si marionetë të duart e dikujt – me sytë nga dirigjenti thërret në kor të njëjtën fjalë.
“Ku mbaron vallë muzika? Ku fillon zhurma? Në kryqëzim të kohërave, një pikëpyetje e madhe përgjon e ngatërruar ku mbaron populli, ku fillon turma?”. Ky fragment nga ‘Demokratët Populistë’ të Bardhyl Londos zgjidhet të sjellë në vëmendje a është “turma si popull apo turma si kope?”
“Rroftë-Long Live”, titullohet ekspozita nga fondi i arkivës së Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, kuruar nga Blerta Hoçia, që do të qëndrojë e hapur deri në 23 shtator 2017 pranë ‘Marubi’.
Për t’u kthyer te çështja “turma si popull apo turma si kope”, shënohet se në të dyja rastet ajo ka qenë vendimmarrëse në krijimin e asaj çka jemi sot. “Kjo ekspozitë kërkon të nxjerrë në pah një përbërës kaq të rëndësishëm në zhvillimin e historisë së çdo shoqërie, por ndoshta gjithmonë të lënë në hije: masat, turmat. Turma heroike në ngritjen e flamurit për Pavarësi në njërën anë dhe turmat po aq të frymëzuara të secilit regjim”.
Kuratrorja Blerta Hoçia tha dje për “GSH” se fotot janë të viteve 1914-1947, deri me ardhjen komunizmit. “Është një periudhë e Zogut, një periudhë e fashizmit dhe më pas nis komunizmi. Interesi nuk ishte te datat në veçanti, kohët tregojnë se turmat janë njësoj. Janë të pandryshueshme, janë sikur të ishin të trashëguara”.
Në tekstin prezantues të ekspozitës, shënohet se tiparet kryesore të një turme të frymëzuar, sipas antropologut dhe sociologut francez Gustave Le Bon, mund t’i dallojmë në çdo grupim njerëzish, të cilët ndajnë me fanatizëm të njëjtën ide që iu është ngjitur si një infeksion deri në atë pikë saqë cilido qoftë niveli i tyre intelektual, ata shndërrohen në një qenie të përbashkët pa individualitet, një organizëm të formuar prej qindra mijëra organizmash të tjerë ku secili më vete dikur ka pasur pavarësi, pavarësi që zhduket në momentin e shfaqjes së magjepsjes që ushtron një formulë apo një ideal në mendjet e tyre.
“Materiali i kësaj ekspozite nuk ofron një studim mbi formimet e turmës, por vjen si një dëshirë për ta vështruar atë, për t’u përballur me faktin që ajo është dhe ekziston si e tillë edhe në kohën tonë digjitale. Një dëshirë për t’u ndërgjegjësuar së pari vetë ne, që në çdo moment mund të shndërrohemi në turmë”.
FOTOGRAFIA SI MJET
Fotografia si mjet që ka dokumentuar këto krijime dhe bashkime njerëzish, duke qenë thjesht e pranishme, duke i ndarë me turmën ethet e ideve të paqarta që atë e entuziazmojnë – sjell tanimë dëshmi të këtyre bashkimeve dhe një mungesë e theksuar e karakterit, mungesë kjo që i bën masat të asimilojnë pa shumë vështirësi cilëndo fantazi. “Në morinë e fotografive që janë dokumente të kohërave dhe të idealeve të ndryshueshme ashtu si vetë natyra e kohës, mund të dallojmë fare qartë dëshirën që secili nga këto ideale të ketë jetë të gjatë”, shënohet në tekstin e ekspozitës.
E pyetur pse nuk e ka sjellë më pranë kohëve tona imazhin turmës që thërret rroftë – madje edhe sot, Hoçia sqaron se, “ideja e ekspozitës është nxjerrja e arkivave të Muzeut Kombëtar ‘Marubi’”.
Për të ngacmimi për këtë ekspozitë erdhi natyrshëm gjatë punës së saj si fotografe. “Unë vij nga një përvojë personale si fotografe. Kisha bërë shumë foto turmash dhe kur u përballa me arkivën e Marubit, pashë të njëjtat gjëra që vetë i kisha fotografuar. Nuk është një ngjarje në veçanti që më ka bërë përshtypje, më ka bërë përshtypje se si njerëzit e humbasin veten kur janë në bashkësi, jo vetëm në bashkësi politike, por në çdo bashkësi krijohet një ndjesi tjetër”. Hoçia nënkupton një farë vetëdijeve kolektive që duke anashkaluar atë personale, ngre logjikën e turmave.
Për të, ky fond është një pasqyrë që ilustron historinë e vendit dhe zgjerohet në shumë fusha të ndryshme si ajo sociale, etnografike, politike. Duke kërkuar në të ato formime e grupime të popullit ku mund të hasej karakteri i tij, kemi përpirë histori të mbështjella në  legjenda të jashtëzakonshme. Por çfarë mbetet prej legjendës në një fotografi? Një turmë anonime, që thotë ‘Rroftë’.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.