EKONOMI

Sindikalisti, Dobrushi: Ndryshojnë kriteret për të dhënë mësim, ja kush preket

08:43 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Ndryshimet e parashikuara në projektligjin ‘Për sistemin arsimor parauniversitar” nuk do të prekin mësuesit që aktualisht janë në sistem. Sqarimi vjen nga Xhafer Dobrushi, kryetar nderi i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës pas miratimit në qeveri të kritereve të reja që duhet të plotësojnë këta profesionistë për të ushtruar profesionin. “Lidhur me ndonjë shqetësim që ka ngjallur ndryshimi i kritereve për t’u punësuar në arsim, duke kërkuar nivele më të larta shkollimi për të gjitha kategoritë e mësuesve, sqarojmë se këto kritere nuk prekin mësuesit që aktualisht janë në sistem me statusin e të punësuarit definitiv. Ndryshimet kanë të bëjnë me mësuesit e rinj që do të shkollohen dhe punësohen në arsimin parauniversitar në të ardhmen”,- shprehet Dobrushi për “Gazeta Shqiptare”. “Që kur MAS hartoi draftin për këto ndryshime, u organizuan disa konsulta me përfaqësues  të FSASH/SPASH, të cilët bënë propozime konkrete dhe dhanë sugjerime për ndryshimet që do të bëhen. VKM-ja i reflekton plotësisht mendimet dhe propozimet e sindikatave”, – shton Dobrushi.

Projektligji

Një javë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin, i cili përcakton llojin e ri të diplomës që duhet të disponojnë mësuesit e arsimit parauniversitar sipas nivelit të sistemit arsimor ku japin mësim. Sipas propozimit të qeverisë, mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor. Ndërkohë që mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master profesional”, që formon mësues të arsimit fillor. Deri më tani edukatorët e kopshteve mund të ushtronin profesionin nëse dispononin një diplomë të nivelit ‘Bachelor’, që jo detyrimisht duhet të ishte e profilit ‘parashkollor’, ndërsa mësuesit e ciklit të ulët nuk kishin detyrimin të kishin master në ‘arsim fillor’, por mjaftonte diploma e ciklit të dytë të studimeve. Po kështu përcaktohej edhe për gjimnazin, por sipas projektligjit të ri “mësuesit për arsimin e mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë ‘Bachelor’, në lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë si dhe diplomë të ciklit të dytë ‘Master’, me 120 kredite në fushën apo lëndën që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë”. Sipas dokumentit, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar për lëndë të profilit, specialitetit dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë, përkatësisht, në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë së specializuar. Gjithashtu, një risi që sjell ky projektligj ka të bëjë me faktin se “profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë, ose diplomë universitare me kohëzgjatje, së paku 4 vite akademike, të ngjashme ose të përafërta me fushën apo lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar. Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura do të përcaktohen në një moment të dytë, përmes një udhëzi të ministrit.

Provimi i shtetit

Ndërkaq, sikurse parashikohej edhe aktualisht, mësuesit nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre, nëse nuk kanë kaluar me sukses provimin e shtetit. Më konkretisht, projektligji përcakton se “mësuesi i arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i shkollave profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesit me diploma të ngjashme ose të përafërta me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, e ushtron profesionin pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr.10171, datë 22.10.2009, ‘Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.