EKONOMI

Vendimi, qeveria u rrit mësuesve kompensimin për transportin

10:34 - 04.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

Këshilli i Ministrave ka miratuar masën e re të kompensimit, që do të marrin mësuesit që punojnë larg vendbanimit, për transportin. Sipas vendimit, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 5 km deri në 10 km, ata do të marrin shpërblim në masën 1000 lekë në muaj. Ndërkohë që, kur kjo largësi është në distancën mbi 10 km deri në 20 km, atëherë masa e shpërblimit do të kapë vlerën e 1500 lekëve. Ndërkaq, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 20 km, atëherë masa e përfitimit do të jetë 2700 lekë në muaj. Ajo që bie në sy është fakti se vlera që do të përfitojnë tashmë arsimtarët për transportin ka pësuar rritje. Deri më tani, për një distancë deri në 10 km nuk përfitohej shpërblim mujor. Ndërkohë që, kur largësia ishte nga 10-20 km masa e shpërblimit ishte 1000 lekë në muaj, ndërsa për largësinë mbi 20 km mësuesit përfitonin 1800 lekë në muaj shtesë mbi pagë.

Përfituesit

Vendimi i miratuar ditën e djeshme bën një përkufizim të ri, të atyre mësuesve që do të përfitojnë kompensim për transportin. Sipas VKM-së, parashikohet përballimi nga fondet publike të shpenzimeve për transportin e: Punonjësve mësimorë të arsimit parauniversitar, ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator), të institucioneve arsimore publike, që punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në largësinë mbi 5 km dhe kthehen brenda ditës në vendbanim. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat kanë nënshkruar kontrata për shërbimin e transportit të nxënësve dhe mësuesve për vitin buxhetor 2017 para datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ky vendim do të zbatohet duke filluar nga data 1.1.2018. Për të gjitha rastet e tjera, vendimi do të zbatohet duke filluar nga data 1.7.2017.

 

NDRYSHIMET NË VENDIMIN “PËR PËRDORIMIN E FONDEVE PUBLIKE PËR TRANSPORTIMIN E PUNONJËSVE ARSIMORË QË PUNOJNË DHE TË NXËNËSVE QË MËSOJNË JASHTË VENDBANIMIT”

ISHTE: Punonjësit arsimorë që përfitojnë transport të siguruar nga njësitë arsimore vendore, të parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, bazuar në vendimin nr. 194, datë 22.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve arsimorë në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar:

a) nuk përfitojnë shpërblim mujor për largësi më pak se 10 km nga vendbanimi i tyre;

b) përfitojnë shpërblim 1 000 lekë në muaj, kur kjo largësi është nga 10 km deri në më pak se 20 km;

c) përfitojnë shpërblim 1 800 lekë në muaj, kur kjo largësi është mbi 20 km.

BËHET: Punonjësit mësimorë të arsimit parauniversitar, që përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit të siguruar nga njësitë arsimore vendore, të parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim mujor të diferencuar, sipas pikës 4, të vendimit nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar”, sipas distancave, si më poshtë vijon:

a) në masën 1 000 (njëmijë) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 5 km deri në 10 km;

b) në masën 1 500 (njëmijë e pesëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 10 km deri në 20 km;

c) në masën 2 700 (dymijë e shtatëqind) lekë në muaj, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm/qendra e punës deri në institucionin arsimor publik është në distancën mbi 20 km.”.

 

ISHTE: a) punonjësve arsimorë (drejtor, nëndrejtor, mësues) të institucioneve arsimore publike

(shkolla publike të arsimit bazë, kopshte publike) të cilët punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, në largësinë mbi 5 km nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm, dhe kthehen brenda ditës;

BËHET: a) Punonjësve mësimorë të arsimit parauniversitar, ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator), të institucioneve arsimore publike, që punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, larg vendbanimit të përhershëm të tyre, në largësinë mbi 5 km dhe kthehen brenda ditës në vendbanim;”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.