AKTUALITET

Para përballjes me Shullazin/ Shtohen masat e sigurisë për dëshmitarin kyç Ylvi Beqja

15:53 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana LALA

 

Dyshimet se jeta e Ylvi Beqjas, mund të jetë në rrezik ka detyruar Zyrën për Mbrojtjen e Dëshmitarëve te Drejtësisë, të shtojë masat e sigurisë për biznesmenin dhe familjen e tij.

Lajmi konfirmohet nga burime të besuara të “BalkanWeb”, të cilat bënë me dije se prej të paktën dy javësh, biznesmeni i penduar në çështjen kundër Emiljano Shullazit, po ruhet nën masa të rrepta sigurie.

Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Shtetit, nuk preferoi të jepte komente për këtë çështje, por burimet pohuan se masat u ndërmorën pas dyshimeve se jeta e Ylbi Beqjas, mund të ishte në rrezik nga të pandehurit apo persona të tretë, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë për çështjen në fjalë.

Mësohet se në bazën ku Beqja mbahet në ruajtje, qëndrojnë forca të shumta speciale dhe policie, për të shmangur çdo kontakt të tij me persona që mund të përbëjnë rrezik potencial për të.

Ylvi Beqja, është dëshmitari kyç kundër Emiljano Shullazit dhe të pandehurve, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.

Pesë të pandehurit akuzohen për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, Ylvi Beqja, Jani Zaka e Adriatik Kërçuku, shkatërrim të pronës me tritol, krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe kërcënimin e profesor Mynyr Konit.

Dje në gjykatën e Krimeve të Rënda nisi procesi ndaj Shullazit dhe miqve të tij, por ndonëse u zhvilluan dy seanca brenda ditës, prokuroria nuk mundi ta lexojë kërkesën për gjykim pasi u përball me kërkesat e shumta të avokatëve të të pandehurve. Seanca e radhës ndaj Shullazit, pritet të zhvillohet me datë 23 maj. Ndërkohë, ndryshe nga me herët, në seancat e së mërkurës, Emiljano Shullazi u paraqit personalisht në gjykatë bashke me katër miqtë e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.