EKONOMI

Ilir Meta në konferencën për jetimët: Më shumë punësim, shoqëri më solidare

14:52 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata Kombëtare e Jetimëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe të institucioneve të ndryshme.

Në fjalën e mbajtur në këtë konferencë, Ilir Meta, bëri thirrje për një angazhim të vazhdueshëm të gjithë shoqërisë dhe institucioneve për të përmirësuar statusin e jetimëve dhe integrimin e plotë social të tyre. Kryetari i Kuvendit theksoi se solidariteti njerëzor dhe shoqëror si edhe politikat solidare me fëmijët jetimë janë shtylla të rëndësishme të emancipimit dhe humanizmit të një shoqërie bashkëkohore.

“Shteti e ka prioritet përmirësimin e jetës së çdo qytetari dhe të çdo fëmije, por në mënyrë të veçantë të atyre të cilët jashtë vullnetit të tyre, mund të gjenden të vetëm në jetën. Shembujt e mirë nuk kanë munguar dhe në të kaluarën, por ato duhet të shtohen dhe të promovohen, të shërbejnë si nxitje për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë”, – tha z. Meta,teksa shtoi se politikat e shtetit nuk duhet të vijnë asnjëherë si bamirësi dhe as si pjesë e një fushate politike apo dekori të tillë, por si një politikë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, si një zbatim i të drejtave ligjore dhe të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha si pjesë e një filozofie gjithëpërfshirëse.

“Situata aktuale dëshmon se jetimët kanë ende mjaft probleme komplekse në sfidat për arsimimin e tyre, në mundësitë për punësim, në kujdesin shëndetësor dhe natyrisht edhe në kushtet e pamjaftueshme për të garantuar një strehë dhe deri te mbrojtja nga çdo lloj diskriminimi. Ndaj tyre dhe problemeve me të cilat ata përballen duhet të reagojmë të gjithë në vazhdimësi, me vëmendje dhe vendosmëri”, – shtoi z. Meta.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit nënvizoi se jetimët në Shqipëri, nga më të vegjlit e të rinjtë që jetojnë në streha publike e private, e deri te më të rriturit, vazhdojnë të kenë një problem të madh strehimin.

“Besoj se për këtë çështje duhet që organet e qeverisë vendore të vazhdojnë të angazhohen edhe më shumë për t’i trajtuar me prioritet në politikat dhe vendimmarrjet e tyre për strehimin në banesat sociale. Jetimët vazhdojnë të kenë probleme të rëndësishme me punësimin. Është e vërtetë që Shqipëria është ende një vend i varfër, por duhet të punojmë për një model të ri ekonomik të mbështetur në fuqizimin e ekonomisë prodhuese vendase dhe investimet e huaja.

Për këtë gjithnjë e më tepër po i kthejmë sytë nga ata sektor më vitalp, që rrisin punësimin edhe me investime të pakta, por të efektshme. Më shumë punë dhe mundësi për punësim për jetimët dhe gjithë shoqërinë në thelb do të thotë një shoqëri më e mirë, një shoqëri më e drejtë, një shoqëri më e sigurt, dhe mbi të gjitha një shoqëri më e gëzuar dhe një shoqëri më e dashur për të gjithë”, – tha z. Ilir Meta, duke u ndalur edhe në problemet që jetimët kanë me arsimimin dhe për pasojë i dorëzoheni ndërprerjes së studimeve edhe për shkak të luftës për të garantuar mbijetesë. Kryetari i Kuvendit u shpreh se jetesa e përditshme është domosdoshmëri, por mbi të gjitha një domosdoshmëri afatgjatë për ju dhe për vendin është dhe arsimi juaj i plotë sepse ai të jep për nesër më shumë mundësi punësimi, dhe të ardhura të mjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës.

“Unë do të jem gjithmonë i përkushtuar dhe i vëmendshëm për të përkrahur dhe për të mbështetur çdo nismë pozitive në këtë drejtim me bindjen e thellë se shpreh vullnetin e përbashkët të të gjithë shoqërisë sonë, por edhe aktorëve të tjerë për një aksion të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me synim përmirësimin cilësor të jetës së jetimëve dhe integrimin e plotë social të tyre. Të gjithë bashkë, por ju më shumë se kushdo, mund ta përmirësojmë fatin tuaj që shoqëria jonë të bëhet më e mirë, më solidare, më integruese, më gjithëpërfshirëse dhe më evropiane. Dhe qëndrimin ndaj jush dhe standardet tuaja janë një test për të gjithë shoqërinë tonë”, – tha ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.