EKONOMI

Veshkat/ Myftar Barbullushi: Sëmundjet kronike, shmangni në maksimum makinën. Ndryshoni stil jetese

09:00 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE 

 

Sëmundjet kronike po shndërrohen në një shqetësim madhor për shëndetin e shqiptarëve, veçanërisht të moshave të rritura. Krahas evidentimit në rritje të rasteve të reja me hipertension, diabet, dëmtim të veshkave, sëmundje kardiovaskulare dhe obezitet, po shfaqet në rritje edhe niveli i vdekshmërisë së shkaktuar prej tyre. Në këtë intervistë dhënë për suplementin “Life Pages” të “Gazeta Shqiptare”, shefi i Shërbimit të Nefrologjisë dhe Hemodializës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Myftar Barbullushi thekson nevojën emergjente për parandalimin e këtyre sëmundjeve, duke filluar që nga ndërgjegjësimi i vetë pacientëve për kontrollet e hershme. “Po ndryshuam stilin e jetesës, po hoqëm sa të kemi mundësi makinën, po shtuam lëvizjen e përditshme, po ulëm ngarkesën në ushqime, në mënyrë absolute ne ulim edhe sëmundjet kronike”, – shprehet Barbullushi.
Profesor, cilat janë sëmundjet kronike më të shpeshta që hasen tek shqiptarët?
Nëse u referohemi sëmundjeve kronike, aktualisht ne sot jemi para një “bumi” të sëmundjeve kronike, “bum” i cili ka influencuar dhe do të influencojë shumë jo vetëm në jetëgjatësinë tonë, por sidomos në sëmundshmërinë tonë. Sot sëmundjet e zëmrës, diabeti, tensioni i lartë, sëmundjet e veshkës dhe një sërë elementësh të tjerë kanë marrë dimensionet e një epidemie. Mesazhi që do të kishte vlerë sot nuk është mjekimi i këtyre sëmundjeve, sepse shkenca ka treguar që është e paaftë të shërojë të tilla sëmundje, sot mesazhi i mjekëve është parandalimi i këtyre sëmundjeve. Sëmundjet kronike janë të tilla që mund të parandalohen shumë lehtë, por që të parandalosh një sëmundje nuk është e lehtë, pasi nuk është problem mjekësor, por është problem social. Duke qenë se është problem social, kërkon mbështetjen e politikës, e organizatave sociale, të medias dhe së fundi e mjekëve, të cilët duhet të jenë pjesë e këtij grupi që duhet të trajtojë këtë problem.
Cilat janë disa nga të dhënat më të fundit që kemi mbi sëmundjet kronike?
Po e nis me sëmundjet e veshkave. Sot të dhënat tregojnë se në çdo dhjetë vetë, një prej tyre vuan nga humbja, dëmtimi i funksionit të veshkës. Dhe kjo është shifër alarmante. Po t’i shtosh kësaj shifre edhe faktin se vetëm në 10 vitet e fundit ka një rritje të numrit të personave që kanë dëmtim të funksionit të veshkave deri në 82%, pra kemi një rritje të jashtëzakonshme, do të thotë që sëmundjet e veshkave duhen marrë me shumë seriozitet. Kjo jo vetëm se kanë rritur shumë sëmundshmërinë, por ajo që është më e rëndësishmja është se kanë rritur shumë dhe konsumin e buxhetit. Të dhënat tregojnë se pas diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, sëmundjet e veshkave po marrin një pjesë shumë të madhe në buxhet. Dihet shumë mirë se dializa, transplanti etj., kanë kosto të lartë.
Përveç sëmundjeve të veshkave, çfarë sëmundjesh të tjera mund të veçojmë?
Natyrisht, bashkë me veshkën është një “trio” e sëmundjeve, duke futur diabetin, sëmundjet e zemrës dhe hipertensionin. Nëse shohim sëmundjet e enëve të gjakut në tru, nëse shohim sëmundjet e zemrës, hipertensionit dhe diabetit, të gjitha kanë diçka të përbashkët, atë që ne e quajmë fenomenin e arteriosklerozës, dëmtimin e enëve të gjakut. Duke qenë se këto janë 3-4 organe më të vaskularizuara, me më shumë enë gjaku, për pasojë janë edhe më të predispozuara për t’u prekur, pasi në themel është dëmtimi i enëve të gjakut. Dhe në themel të dëmtimit të enëve të gjakut është obeziteti, yndyrnat, jeta sedentare, stresi, etj. Dhe natyrisht shtrohet pyetja se si do të kurohen këto? Nuk ka se si mjekohen enët e gjakut, ato parandalohen. Nëse shikoni kardiologjinë, ajo ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në uljen e vdekshmërisë në botë, është ulur vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës gjatë 10 viteve të fundit, pasi njerëzit të cilët humbnin jetën nga sëmundjet e zemrës sot mund te vendosin një stendë, të kryejnë një “by pass”, etj. Por, mos harroni që ky kontingjent, i cili shpëton nga zemra do të kalojë tek problemet e veshkave. Nëse një person ka probleme të dëmtimit të enëve të gjakut dhe korrigjon një pjesë, që është pjesa e zemrës, është e vështirë të korrigjosh atë pjesë që është pjesa e veshkës. Dhe ky kontingjent, i cili ka kryer këto ndërhyrje, ka bërë që të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme edhe numri i të sëmurëve që kanë probleme me veshkat.
Meqenëse ishim tek dëmtimi i enëve të gjakut, çfarë mund të bëhet me këtë pjesë?
Parandalimi i dëmtimit të enëve të gjakut lidhet me dy elementë, i pari ka të bëjë me mjekun e familjes  dhe ndryshimi i stilit të jetesës. Po ndryshuam stilin e jetesës, po hoqëm sa të kemi mundësi makinën, po shtuam lëvizjen e përditshme, po ulëm ngarkesën në ushqime, në mënyrë absolute ne ulim edhe sëmundjet kronike.
Po mjeku i familjes çfarë roli ka?
Mjeku i familjes ka rolin kryesor. Ka një citat shumë interesant në Tomas Edison, i cili thotë “mjeku i familjes nuk kuron, ai parandalon”. Mjeku i familjes nuk është ai që na kuron, është ai që na tregon brenda familjes se si duhet të ushqehemi, si duhet të sillemi me aktivitetin fizik, si duhet të sillemi me jetën tonë shpirtërore dhe fizike.
A janë të përgatitur mjekët e familjes në këtë drejtim, për të dhënë këshillat e duhura, pasi ka një skepticizëm sa i përket këtij shërbimi?
Për mjekët e familjes sot ka nevojë. Në programin kombëtar, fokusi i punës sonë ishte krijimi i kabineteve epidemiologjike në të gjitha rajonet e Shqipërisë në bashkëpunim me mjekun e familjes. Dhe ne kemi bindje që për t’u realizuar kjo gjë natyrisht duhet një program edukues edhe nëpërmjet medias me mjekun e familjes.
Profesor, po i rikthehem edhe një herë dëmtimit të enëve të gjakut. Çfarë problemesh sjellin dëmtimet e enëve të gjakut tek shëndeti i një personi që ka probleme me to?
Pacientët që kanë dëmtim të enëve të gjakut mund të shfaqin hemorragji cerebrale, infarktin, humbjen e funksionit të gjakut, sytë, insuficenca kardiake etj.
Si janë rastet me insuficencë kardiake?
Edhe evidentimi dhe trajtimi i pacientëve të prekur nga kjo gjendje mbetet problematik. Kjo, pasi 10-15 për qind e të prekurve nuk marrin fare trajtim, duke u identifikuar më pas në stadet më të rënda të sëmundjes, ndërsa 50 për qind e pacientëve që trajtohen, nuk marrin mjekimet e përshtatshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.