EKONOMI

Gjykata shpall të pavlefshme zgjedhjet për presidentin e Urdhrit të Psikologut

10:35 - 25.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka shpallur si të paligjshme zgjedhjet për kreun e Urdhrit të Psikologut, duke urdhëruar ripërsëritjen e tyre. Shkak për këtë vendim është bërë numri i anëtarëve që kanë marrë pjesë në votim, i cili ishte më i vogël sesa ai që përcaktohet në ligjin “Për Urdhrin e Psikologut”. Ndërkaq, pas këtij vendimi, përmes një letre të hapur, ka reaguar presidentja Valbona Treska, e cila ka siguruar anëtarët se vendimi nuk prek ‘Urdhrin’, ndërsa ka shtuar se çështja do të çohet në Apel. “Gjykata mori vendim që të përsëriten zgjedhjet për presidentin e Urdhrit, por kjo pa cenuar vetë institucionin dhe legjitimitetin e tij. Gjithsesi ky vendim nuk është i formës së prerë dhe do të shqyrtohet më tej në Gjykatën Administrative të Apelit. Në këto kushte, duke qenë se vendimi i shkallës së parë do të apelohet dhe do të jenë gjykatat e shkallëve më të larta që do ta shqyrtojnë, ju bëj me dije se: Urdhri do vazhdojë punën e tij si deri më sot, pa ndërprerje, deri në një vendim të formës së prerë. Nëse edhe Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë njësoj, zgjedhjet do të përsëriten vetëm për presidentin”,- thuhet ndër të tjera në reagimin e Treskës. Po ashtu, teksa u është referuar zgjedhjeve, presidentja e zgjedhur ka theksuar se ajo ka marrë 70% të votave, por pavarësisht kësaj është e hapur për t’u rifutur sërish në kandidim. “Personalisht do të futesha çdo ditë të jetës sime në zgjedhje, me çdo kandidat, që përpiqet të manipulojë mendjen e të tjerëve, që dezinformon, që shkon deri në personalizimin e konfliktit, duke u fshehur pas propagandës dashakeqe se kjo bëhet në interes të profesionit. Të mos harrojë askush se psikologët, pavarësisht frymës bojkotuese dhe partiake që u përpoq të përçohej nga ndokush në Asamblenë tonë të Parë, patën sy të shikonin, veshë të dëgjonin, dhe mençuri e qytetari për të qëndruar në sallë e për të çuar deri në fund atë që ishte nisur, pavarësisht emrave fitues”,- thuhet në letrën e hapur.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.