KULTURË

Botohen vizatimet e Atjon Zhitit, vlerësime nga Kadare e Qëndro

09:00 - 20.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


“Është i habitshëm fakti që në arkivën e Atjonit gjejmë interpretime sipas mënyrës së tij të veprave të Gustav Klimtit, Eduard Munch-ut, Pablo Picasso-s, Salvador Dalisë, Eduard Mane-së apo të Ibrahim Kodrës”. Janë vizatime të fëmijërisë dhe adoleshencës, të gjitha të mbledhura tok në një album me 250 faqe në shqip e italisht. Me pasthënie nga kritiku i artit e botuesi Gëzim Tafa, që e ka përgatitur albumin, botimi luksoz i “Mali Printing House” ka vlerësime nga personalitete të artit dhe kulturës në vend. “E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurrele të zinj, tek vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë, për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshtërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij, ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka. Kjo fytyrë e bukur engjëllore…”, shkruajnë Helena e Ismail Kadare. “Ishte vetëm tre vjeç kur vizatoi në letër të bardhë me të kuqe, të zezë, dhe të kaltër, ‘Kryqet dhe Nënë Tereza’. Për herë të parë kishte ndërtuar magun fëminor me qasje drejt hyjnores nëpërmjet kryqëzimit të linjave, pa ndrojtje, pa vetëdije, në një raport intim me vetë motivin. Përballë monumentalitetit dhe vertikalitetit të figurës së shenjtores me guxim vendos edhe silueta kryqesh”, shkruan Tafa. Më poshtë po botojmë të plotë parathënien e një prej njohësve më të mirë të artit pamor në vend. (fa.ni)




KUTIA ME XIXELLONJA

Nga Gëzim Qendro

Një kuti me xixëllonja. E lënë nxitimthi në ikje e sipër atë praggjëme që pikëlloi shumëkënd. E mbetur diku, gjysmë e përmbysur mbi barin e kopshtit të magjepsur të fantazisë së tij. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.
Të çliruara nga kutia xixëllonjat dalin pa ngut njëra pas tjetrës, duke na ndjellë drejt mugëtirës së kopshtit me regëtima dritash drithëruese, bartëse kumtesh nga një botë e largët e paarritshme numenale. Dihet se xixëllonjat dërgojnë përmes dritës së luciferinës kumte dashurie sipas kodesh misterioze, që i përcjellin përmes itineraresh marramendëse dhe tekanjoze dritash pulsuese ftuese dhe larguese njëkohësisht. Të rrethuar nga vallëzimi i dritëzave misterioze nisim të ecim përmes tyre dhe fillojmë të dallojmë në mugëtirën e kopshtit shëmbëllesa, forma dhe silueta shpesh të pakuptueshme. Pasi ecim një hop shquajmë nën një pemë një njeri që çon një letër, ia jep zogut letrën dhe zogu e lexon dhe ia çon njeriut tjetër, por pasi e shohim njeriun të nisë një letër tjetër që me siguri do t’ia japë një zogu që po pret ta marrë, largohemi duke ndjekur udhërrëfyeset tona prej luciferine. Duke bërë kujdes mos pengohemi e shohim veten në një livadh paksa më të ndriçuar dhe ja, atje tej dallojmë një kalë që nuk bën zhurmë nga që shokët janë në gjumë; kurse pas siluetës së një shkurreje një lot i bukur kërkon këpucën e vogël… kurse pa shih, ja, aty lart në sfondin e qiellit të pikëluar nga yjet shohim një flamur, por… sa gjynah flamuri qenka vetëm. Ndërsa largohemi duke e lënë flamurin në vetminë e tij qetësia e kopshtit të magjepsur prishet nga troku i disa kuajve dhe ja për çudi, kali që  pak më parë nuk bënte zhurmë tani, …i gëzuar ecën kali si një shok me shokët e tij. Pasi shuhet troku i tyre, ndjekim sërish dritëzat e xixëllonjave dhe befas zbulojmë që ndodhemi përballë një shajnie në formën e një peme mimoze. Ngurosemi të nemitur nga shfaqja e beftë e saj, ndërkohë një zë fëmije butësisht na qetëson duke na thënë se ajo pemë …është motra e tij.

E kështu të dalldisur nga vallëzimi i xixëllonjave rrotull nesh endemi nëpër kopsht, duke pyetur veten se kushedi sa mirë do të jetë ndjerë Atjoni brenda këtij kopshti të magjishëm, si do t’i ketë rënë pash më pash, si ka njohur çdo centimetër katror të tij dhe dashur çdo pemë, lule e fije bari. Si të gjithë fëmijët edhe ai, i mahnitur pas kopshtit të fantazisë tij në këto piktura nuk synon paraqitjen mimetike të botës fenomenale, por itinerarin onirik brenda nënvetëdijes së tij. Humbella gjthëpërpirëse e bardhë e katërkëndëshit të rrafshit topologjik të letrës, makthi i shumë artistëve të rritur as e step, as e tremb. Përkundrazi, ai kupton hap pas hapi se është hapësira e parë ku mund të ushtrojë pushtet, të shprehë ndjenjat e tij më të holla, zbulim ky që pasohet nga ndjenja ku përzihet habia dhe kënaqësia kur vëren se mjeti gjurmëlënës që mban në dorë i bindet duke lënë shenja në formën e linjave, pikave, penelatave me ngjyrë, të cilat pak më parë nuk ishin aty. Demiurg i plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.
Është pa vend të rrëmosh në këtë rast për strategji të mirëfillta artistike, pasi pikturat e një fëmije e kanë vlerën pikërisht në drejtpërdrejtshmërinë e pikturimit, freskinë e gjurmëve të imagjinatës së harlisur dhe në çlirimin e plotë nga pesha e traditës. Është çarja e guximshme e koracës së botës së dukjeve, përpjekje për të kaluar me natyrshmërinë e fëmijës në botën numenale përmes ndjenjës. Duke shpërfillur pyetjen frenuese se çfarë do të thonë të tjerët kur ta shohin, mangësi të cilave nuk u shpëtojnë dot shumë artistë të rritur. Këto tablo dhe vizatime janë regjistrime gjendjesh të larmishme shpirtërore, të cilat nuk kanë aspak qëllim të shfaqen si paraqitje në kuptimin përshkrues, imitues apo përshenjues të botës optike përreth. Janë padyshim gjurmë të pagabueshme të energjisë mendore dhe gjendjeve të caktuara shpirtërore që ka përjetuar piktori i vogël gjatë kryerjes, të cilat shprehen me dinamizëm, ritëm, përmes ndërveprimit të trajtave dhe formave të organizuara nga një sintaksë pamore lakonike që fqinjëron më tepër me qasjen konceptuale sesa me atë optike.
Si të gjithë pinjollët e racës së krijuesve, Atjoni nuk doli kurrë nga kopshti i magjepsur i fantazisë së tij. Si fëmijë i çuditi të rriturit me sigurinë dhe fjalët e pjekura, si i rritur i habiti me spontanitetin dhe pastërtinë e fëmijës. Ai kopsht ishte bota e tij, të cilën s’mund t’ia merrte apo përdhoste askush, ishte profilaksi shpirtërore dhe strategji mbrojtjeje nga çmendina jashtë tij, ku shkelet pa mëshirë çdo gjë me vlerë.
Kjo ekspozitë është njëfarë rrjete me xixëllonja të zëna miqësisht rob nga kureshtja dhe simpatia jonë. Ato, herë lozonjare si dritëza që regëtijnë përzishëm dhe herë me përndritje dhe vërshime të befta gati verbuese luciferine na grishin të shijojmë përzierjen alkimike të inteligjencës me talentin dhe ndjeshmërinë artistike.
Këto janë vetëm xixëllonjat që arritëm të mbledhim. Dhuratë për këdo. Nga Atjoni.


Shfaq Komentet (2)

Leave a Reply to gesa Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. me ket QOKE “shkrim” Qendro ka humbur respektin dhe konsideraten e skenes artistike profesioniste. qendrim patetik, deri ne qesharak, sa ç’mund te jete patetike dhe qesharake deshira apo nevoja konsistete për të “pjedestalisuar” heronj që mbijnë nga nuli, pa asnje kerkim dhe kontribut ne skene. po ca ben o gezim se na flliqe fare me keto ndijime personale. per ksi Qokash te qofshim fale

    Përgjigju ↓