EKONOMI

Faza e tretë, Ahmetaj: Nga 1 tetori nis aksioni kundër informalitetit. Në fokus bizneset e mëdha, objektiv zgjerimi i bazës tatimpaguese

10:18 - 22.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI




Në fillim të tetorit do të nisë faza e tretë e aksionit anti-informalitet. Nisma u bë me dije nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë vizitës në një sipërmarrje prodhuese. “Aksioni fillon në 1 tetor. Institucionet, Tatimet, Doganat dhe Inspektorati i Punës, të organizuar në grupe të përbashkëta, do të kenë një kalendar të detajuar pune në terren dhe nga zyra, në funksion të objektivit tonë për të zgjeruar bazën tatimore. Por ndërkohë, duke komunikuar me sipërmarrjen, me instrumentit që kemi dhe nëpërmjet medias, në mënyrë që së bashku të kalojmë në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, duke u bazuar te vullnetarizmi, duke u bazuar te transparenca ndaj punës. Dhe këtu gjej rastin të ndaj me ju atë që Kryeministri e ka quajtur mandatin e dytë, midis të tjerash, mandatin e anti-informalitetit. Çdo ditë që do të kalojë, toleranca zero ndaj evazionit do të jetë evidente dhe do të jetë në qendër të punës së Tatimeve, Doganave, apo të gjithë instrumenteve institucionale, fiskale që qeveria dhe shteti ka”, – tha ministri.


Aksioni
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj shpalli fillimin e aksionit kundër informalitetit, i cili në terren do të nisë më 1 tetor, me strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Inspektoratit të Punës në terren, kur do të prezantohet edhe plani i detajuar i masave. Gjatë vizitës në një sipërmarrje prodhuese në fushën e artikujve ushqimorë, ministri Ahmetaj shpjegoi se beteja kundër informalitetit do të shoqërohet paralelisht edhe me një tjetër reformë të rëndësishme, ndër prioritetet kryesore të qeverisë në mandatin e dytë, që lidhet me lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen apo deregulimin e tregut, duke synuar uljen e burokracisë, kohës dhe kostove për publikun. “Çdo ditë që do të kalojë, toleranca zero ndaj evazionit do të jetë evidente dhe do të jetë në qendër të punës së Tatimeve, Doganave, apo të gjitha instrumenteve institucionale, fiskale që qeveria dhe shteti ka”, – u shpreh ministri. Sa i takon fokusit të aksionit, Ahmetaj sqaroi se do të jetë kryesisht sipërmarrja e madhe, por pa lënë jashtë vëmendjes dhe kontrollit të territorit fiskal edhe sipërmarrjen e vogël. Kuponi tatimor, regjistrat fiskalë, inventarët dhe punësimi e sigurimi në punë, do të jenë në vëmendje të aksionit. “Ndërkohë, sigurisht që qeveria, po në muajin tetor, ndërmerr paralel me fushatën anti-informalitet atë që quhet reforma e deregulimit. Është një reformë transformuese e shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe sipërmarrjes, duke i thjeshtëzuar autorizimet, licencat, lejet, dhe duke bërë të mundur nëpërmjet reformimit të marrëdhënies mes doganave dhe sipërmarrjes apo individëve; tatimeve dhe sipërmarrjes apo individëve; por edhe nëpërmjet dixhitalizimit të shërbimeve, të reduktojmë një masë të madhe radhësh, kërkesash për shërbime, që natyrshëm do të jenë më të thjeshta. Pra, po ecim në dy korsi të rëndësishme. Korsia e anti-informalitetit, e cila do të jetë rigoroze dhe në bashkëpunim me sipërmarrjen, dhe korsia tjetër, që është thjeshtëzimi i procedurave për të vazhduar nismën që patëm në fund të 2016-ës, me ligjin e thjeshtimit të procedurave tatimore. Tani bëjmë një përpjekje të re, nëpërmjet planit shumë të detajuar të deregulimit, që kemi mundësi ta shpallim gjithashtu në tetor”, – përfundoi ministri.

Tabaku: Ja çfarë e shkakton informalitetin

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku i është përgjigjur ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili shpalli sot fillimin e aksionit kundër informalitetit ,që pritet të nisë më 1 tetor me strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Përmes një statusi në “Facebook”, Tabaku tregon mënyrat nga se shkaktohet informaliteti. “E dini çfarë e shkakton informalitetin? Taksat e larta, sistemi i komplikuar fiskal me 6 nivele, burokracia dhe korrupsioni. Të njëjtat pengesa që kanë varfëruar vendin dhe larguar investimet e huaja, që janë në nivelin më të ulët historik. E dini çfarë ndodhi herën e fundit që qeveria nisi aksionin anti-informalitet? Mungesa më e madhe në të ardhurat e shtetit me një vlerë prej 80 mln USD në vetëm një muaj! Ka një mësim që duhej ta kishin kuptuar gjoja reformatorët. Lufta ndaj informalitetit nuk është aksion, por një përpjekje dhe politikë qeveritare përmes levave të ndryshme fiskale. Në vend të propagandës që të mbushë portale e lajme, do qe më e udhës të rishikohej politika fiskale. Për këtë të fundit duhet vizion dhe ndjeshmëri politike. Qartazi sa më sipër mungojnë. Mungesa e tyre përkthehet në abuzime dhe korrupsion, për të cilat qeveria është kampion, përndryshe si do shpjegohej gropa 325 mln që KLSH-ja zbuloi se mungonin në buxhetin e shtetit”, shkruan Tabaku në “FB”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.