BLUETOOTH

Vendimi i papritur, mbyllet “Big Brother Albania”

10:05 - 04.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pamela ALIAJ
Si çdo vit në ekranet e shqiptarëve, transmetohej një ndër show-t më të mëdhenj televiziv i ndjekur në Shqipëri edhe më gjerë, “Big Brother Albania”. Ai pati një sukses shumë të madh për vite me radhë, dhe jo vetëm për shkak të audiencës së gjerë që e ndiqte çdo vit transmetimi për 3 muaj me radhë, por, gjithashtu, edhe për personazhet e spikatur e të veçantë që shtëpia më e famshme në Shqipëri, kishte. Por mesa duket, këtë vit nuk kanë nisur audicionet për “Big Brother Albania 10”. Kjo është vënë re edhe nga mungesa e spotit publicitar që niste që në shtator për përgatitjen dhe paraqitjen e pretendentëve në audicionet e fshehta, por, gjithashtu, është konfirmuar edhe nga burime të brendshme për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, duke thënë se produksioni do ta bëjë “pushim” këtë vit duke pritur se vitin tjetër do të ketë të reja akoma më interesante lidhur me shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Mbase mund të marrin sërish formatin e huaj duke futur brenda saj jo njerëz të thjeshtë për t’i bërë të famshëm, por mbase VIP-a që tashmë janë të njohur dhe shumë të dashur për publikun. Megjithatë ende nuk është thënë fjala e fundit për surprizat, që na pret sezoni i ri, por një gjë është e sigurt, që produksioni ka një vit të plotë kohë për ta bërë këtë show akoma edhe më surprizues dhe të dashur për shikuesit. Ndërkohë kujtojmë ndër vite fituesit e 9 sezoneve të “Big Brother Albania”. Ku janë ata tani? Me çfarë merren? A iu shërbeu sadopak fama që morën apo u mjaftuan me çmimin e madh?


Arbri
“Big Brother 1”, duke qenë se ishte dhe i pari në transmetim nga TCH kishte një audiencë shumë të madhe. Fituesi i parë doli një djalë i mirë dhe shumë i shkolluar si Arbri. Loja e Arbrit ishte shumë “low profile”, duke transmetuar kulturë dhe tolerancë tek të gjithë konkurrentët e tjerë. Qetësia që e karakterizoi gjatë gjithë lojës i siguroi Arbrit një vend në finalen e madhe dhe më në fund fitoren. Arbri ishte një fitues, i cili përdori shumë pak strategji për të fituar pasi ishte formati i parë i reality show në Shqipëri .


Qetsori
Ai ka qenë edicioni më i ndjekur, pa dyshim, ndër 9 edicionet e transmetuara deri tani, duke shtuar, gjithashtu, se ishte edhe më aktivi i “Big Brotherit”. Edicioni i dytë ka qenë një edicion me plot intriga, dashuri, miqësi, seks dhe përplasje. Përzgjedhja e karaktereve në këtë edicion ishte perfekte duke ndërthurur shumë lloje temperamentesh dhe karakteresh në një format të vetëm. Fituesi i këtij edicioni ishte Qetsori, i cili ka qenë që prej ditës së parë deri në fund i nominuar. Loja e tij e “pisët” dhe agresive e solli atë në qendër të vëmendjes të reality show-t. Një ndër armët e tij më të forta ishte dhe roli i leadership-it (drejtuesit) që e karakterizonte në shtëpi, ku ai ishte kuzhinieri kryesor dhe iniciatori i çdo debati.


Jetmiri
Edicioni i tretë ishte një edicion, i cili u karakterizua nga një spektakël i jashtëzakonshëm dhe karaktere të shumtë. “Big Brother 3” ishte një luftë e vërtetë. Fitues doli Jetmiri, konkurrenti nga Vlora, i cili ishte një kopje identike e Qetsorit. Ai ishte mjaft agresiv dhe prepotent ndaj gjithë konkurrentëve të tjerë dhe arriti të krijojë edhe një lidhje brenda shtëpisë. Të gjitha këto e vendosën Jetmirin në qendër të vëmendjes duke fituar kështu edhe simpatinë e të gjithëve.


Ermela
Ajo ishte fituesja e parë femër pas 3 edicionesh të “Big Brother Albania”. Ermela ishte një nga konkurrentet më inteligjente dhe që luajti më së miri me gjithë karakteret e pjesëtareve në lojë dhe u kurorëzua si mbretëresha e edicionit numër Ajo mbajti një qëndrim perfekt ndaj të gjithë pjesëmarrësve të tjerë duke u përpjekur gjithmonë për të provokuar anën më të keqe të karakterit të tyre.


Arbri
Ky ishte një ndër të vetmit edicione ku u diskutua shumë për fituesin, pasi të dy konkurrentet final Arbri dhe Liam luftuan ashpër me njeri-tjetrin për çmimin final të 100 milionë lekëve. Fitues doli Arbri nga Kosova, një nga të vetmit fitues që janë futur në mes të lojës në “Big Brother” dhe kanë fituar çmimin e madh. Loja e tij gazmore dhe humori i tij e bëri shumë shpejt që të dali në pah karakteri i tij lozonjar. Arbri ishte i pari fitues nga Kosova në BB Albania.


Anaidi
Një edicion, i cili nxori një fitues të padiskutueshëm si Anaidi. Loja e tij u bazua në një inteligjencë të mprehtë që u dallua qartë në marrëdhëniet e tij me gjithë lojtarët e tjerë të “Big Brother”. Anaidi ishte fantastik në zbulimin e gjithë sekreteve të konkurrentëve të tjerë, gjë që ishte një nga qëllimet kryesore të edicionit numër 6. Ana e tij e ndjeshme ku ishte prej vitesh mik me një djalë me aftësi të kufizuara, e vlerësoi akoma më tepër si lojtar duke i dhënë pikë më shumë për të arritur më pas fitoren e edicionit të BB6.


Nevila
Ky është “Big Brother” i dytë ku u diskutua mbi fituesin. Ajo ishte fituesja e dytë femër, vajza gjirokastrite, e cila ishte rritur pa prindër. Nevila, një vajze e vuajtur nga periferitë tregoi një karakter shumë të qetë e miqësor me të gjithë. Shumë personazheve një sjellje e tillë duket se u pëlqeu, ndërsa shumë të tjerë e kanë urryer si personazh. Por, gjithsesi, ajo arriti të fitonte çmimin e madh prej 100 milionë lekësh. Mbase më shumë se aftësitë e saj, votimet e audiencës ishin për shkak të gjendjes së saj të mjerueshme dhe jetës nga e cila ajo vinte, duke përfituar kështu çmimin e madh.


Veseli
Rrugëtim 100 ditësh i Veselit ishte i mbushur jo vetëm me romanca, por, gjithashtu, u ballafaqua edhe me sfida të shumta. Pasi i rrëzoi nga loja katër konkurrentë, ishte Alba ajo që mbeti me të në fund si finaliste e vetme. Më në fund votat e publikut e dhanë fituesin në show-t që shumë herë u kontestua. Kësaj radhe megjithatë nuk kishte dyshime, sepse Veseli kishte përkrahjen më të madhe dhe ishte favorit për ta fituar garën. Ai arriti të fitojë çmimin prej 100 milionë lekësh, i cili ndahet pasi të dalë nga shtëpia. Veseli, një djalosh nga Prizreni arriti që gjatë gjithë periudhës sa ishte në “Big Brother Albania 8” të shfaqë karakter dhe të reflektojë mashkullin tipik kosovar.


Daniel dhe Fotini
Ndryshe nga gjithë vitet e tjera, “Big Brother Albania 9” vendosi të sillte fitues një çift dhe jo një person. Që në fillim përzgjedhjet e formatit ishin bërë me çifte ku spikasnin edhe fituesit Daniel dhe Fotini. Loja e tyre ishte akoma edhe më interesante duke qenë se ata u bënë çift brenda shtëpisë së famshme, dhe jo vetëm aq, por, gjithashtu, ata përfunduan duke u martuar, duke bërë kështu që për herë të parë pas 8 edicionesh, të realizohej një show i tillë përpara syve të mijëra ndjekësve brenda dhe jashtë vendit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.