Speciale

Rama sulmon për herë të parë “Top Channel-in”. Eshtë “lojë” apo janë prishur përfundimisht?

23:27 - 09.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“’Top Channel’ gënjen hapur”. Këtë ka postuar sonte kryeministri Rama duke e çuar në një nivel të ri betejën me mediat në vend. “Nivel i ri” duke qenë se “Top”-i njihet si një ekran mjaft i afërt me Edi Ramën, që kur ky ishte shef i opozitës, vite më parë.

Ditët e fundit u vu re një rritje e dozës së kritikës së “TCH” ndaj qeverisë. Sidomos për rastin Tahiri, ky TV ka qenë akuzues. Madje, dosjen italiane për ish-ministrin e Brendshëm e publikoi i pari pikërisht “Top Channel”. “Nemesi vonon, por nuk harron”, thotë një shprehje e urtë: Sonte ka ardhur hakmarrja e Edi Ramës.

Kreu i qeverisë ka postuar një lajm të “TCH” duke e akuzuar këtë televizion se gënjen hapur, në fakt për një çështje banale. Sipas Ramës, ndryshe nga sa thotë TCH, konferenca me komisionerin Hahn është transmetuar në ERTV.

Kryeministri ka kapur një detaj të parëndësishëm për të nisur një sulm direkt ndaj një mediaje kombëtare.

POSTIMI I PLOTE I EDI RAMES

“HAHNI DHE KAZANI”
Ky është titulli i lajmit të Top Channel që mund ta shihni bashkëlidhur.

Në lajm, siç do ta lexoni, thuhet se kryeministri e cilësoi median si të pabesueshme.

Po, e vërtetë, kështu mendoj! Por si për ta vërtetuar me dëshminë e vet se sa të pabesueshme janë mediat, Top Channel, siç e shihni, e informon publikun se konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me Komisionerin nuk u transmetuan në ERTV! Ju të gjithë tani mund ta shikoni vetë provën e kësaj gënjeshtre me bisht, nëse zbrisni në postimin e dytë e të tretë të ditës dhe klikoni videon e dhënë live nga ERTV.

Tani pyetja që vjen vetiu është: Nëse një televizion kombëtar që ka bërë histori falë gjenialitetit të të ndjerit Dritan Hoxha, është katandisur sot të gënjejë kaq hapur, edhe për një fakt kaq të thjeshtë, si mund të quhet e besueshme media në Shqipëri?

TEKSTI I LAJMIT TE “TCH” QE NUK I PELQEU RAMES

“Liria e medias është një kriter I rëndësishëm për vlerësimin demokratik të një vendi. Dhe vlerësimi demokratik I një vendi që kërkon të hyjë në bashkimin europian është pjesë e kritereve të Kopengahenit, një mur I pakalueshëm për çdo kandidat për familjen europiane.

Shpesh Brukseli ka qenë kritik ndaj sektorit mediatik në Shqipëri, duke nënvizuar pavarësinë e saj, lirinë për shkak të presionit të interesave ekonomik të pronarëve. Sot komisioneri Hahn, në një konferencë të rëndësishme për të cilën jo rastësisht ishte zgjedhur Tirana, këmbënguli tek besueshmëria e mediave dhe tek kujdesi nga fenomene të reja si fake news. Të njëjtën gjë në fakt përmendi edhe kryeministri Rama.

I cili ama shkoi shumë më larg kur etikoi mediat dhe gazetarët, ashtu si ka bërë edhe javët e fundit. Por në sy të komisionerit Hahn, ai nuk përmendi më fjalët kazan mediatik, as ripërsëriti epitete si idiote, të paaftë, injorantë, shprehje më të cilat gazetarët ndeshen rëndom gjatë punës me të.

Gjithashtu konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me komisionerin hahn, nuk u transmetua siç trasmetohen rëndom aktivitetet e tij ekskluzivisht vetëm përmes kanalit të tij personal televiziv ERTV, por pati edhe kamera te tjera. Kryeministri kërkoi sot që ti rikthehet medias liria e saj, por këtë duhet të fillojë ta bëjë nga vetja.

Të pranojë se kur I bëhen pyetje, ai s’mund t’i përgjigjet me fyerje, të pranojë se nuk ka pyetje, por vetëm përgjigje te keqija. Kryeministri e di mirë se fyerja nuk mund të jetë më vepër penale, pavarësisht se ai kërkon kthimin e saj si të tillë. Sepse këtë e pengon pikërisht Komisioni Europian. Kryeministri duhet të pranojë se ai, dhe jo mediat paguhet me taksat e shqiptarëve dhe se misioni i tyre është pikërisht të ruajnë sesi këto taksat përdoren apo shpërdoren.

Kryeministri e di, ashtu si edhe ata përpara tij, se lajmësi nuk goditet dhe ktë e thotë jo vetëm be, por edhe kanuni qindra vite më parë. Dhe nëse qeveria I bën mirë detyrat e shtëpisë edhe për lirinë e shprehjes, atëherë po, le të shohim se ku janë edhe problemet tona. Por sic thoshte Ronald Reagan, problemi gjithmonë është qeveria”/ TCH

GSH.al 

Lexo këtu: “Top Channel” kritikon Saimir Tahirin: Përse nuk flet për patentat dhe 863 mijë eurot? Po dëmton PS!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.