BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Gjergj Leka: Ky është stili im, nuk jam pronar lokalesh, por qejfli i tyre

16:00 - 12.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Gjergj Leka: Ky është stili im, nuk jam pronar lokalesh, por qejfli i tyre




Me një cigare në dorë duke pohuar edhe një herë se “ky është stili im” është shfaqur në coverin e albumit të parë kantautori i mirënjohur Gjergj Leka. Një album dubël, ku në dy CD do të mund të shijojmë këngët e CD-së së titullar “Dje” dhe tjetrës “Sot”. Gjergj Leka ka zgjedhur edhe një mënyrë krejt të veçantë jo vetëm për të shpërndarë albumin e tij, por edhe për ta promovuar atë. Distribucionin ai nuk ja ka besuar asnjë shtëpie diskografike dhe e bën vetë, ndërkohë që një turne koncertesh do të lançojë këngët në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Por në këtë intervistë Leka sqaron edhe gjithë njerëzit, që e komentojnë si pronar lokalesh, ai pohon se është thjesht një qejfli i tyre dhe jo pronar. Për më tepër le të ecim së bashku…
Ndërsa në coverin e albumit shfaqeni në një foto me cigare më poshtë saj pohoni se “ky është stili im”. Përse keni zgjedhur këtë mënyrë për t’u prezantuar përpara publikut?  
Unë cigaren e kam pirë që në moshën 12 vjeçare dhe duke qenë se punoj natën e dua gjithmonë atë. Më pëlqen, e shijoj por edhe e përzgjedh. Dikur përdorja markën më të mirë shqiptare sot gjithashtu një markë të mirë. Kur kam dalë në intervistën e parë pas kthimit në Shqipëri dhashë një intervistë, ku kisha dalë në foto me cigare. Pas kësaj më ka bërë përshtypje se më vjen një telefonatë nga njerëz nga lart dhe më thonë “që ty s’të ka hije si artist të dalësh në foto me cigare”. Por cigarja është një nga kënaqësitë e mia në jetë. Ka kënaqësi që paguhen me vlerë monetare ka edhe kënaqësi që paguhen me shëndet. Në vendet që nuk pihet cigare unë i respektoj dhe nuk pi, dal e pi jashtë, por nuk jam dakord se s’ka pse vjen e ma thotë këtë dikush që nuk duhet të pish cigare. Ka plot vese sot edhe nga më të rrezikshmet, por ky është një ves që mua më pëlqen dhe e kam si në ditë gëzimi edhe hidhërimi. Nuk kam nevojë që dikush do të më thotë si do ta bëj jetën time.


E përzgjidhni cigaren që pini?
Sigurisht ka edhe selektime në duhan ashtu si në çdo gjë. Por unë nuk do të këshilloja njeri të ndërronte cigaren, madje dueht të përdorin duhan të pastër. Unë vetë nuk do të pi kurrë Davidoff.
Mos është një lloj tendence kjo e juaj a provokim, për t’u shfaqur pikërisht me cigare në dorë në foto?
Unë nuk e bëj për provokim cigarja është stili i jetës sime. Unë edhe kur kam koncerte a emision e llogaris skaletën në mënyrë të tillë që çdo 20 minuta të pushoj për të pirë cigare. Kur nuk kam cigare unë nuk bëj dot as muzikë, ndoshta është dhe psikologjike nuk e di, po kjo nuk ka rëndësi. Nëse flitet për helmim prej saj ne helmohemi gjatë gjithë ditës, mjafton të bësh një shëtitje në Tiranë.
Ju keni një karrierë të konsiderueshme në muzikë, por ndërkohë vetëm tashmë ju po nxirrni albumin tuaj të parë.
Po është e vërtetë është albumi im i parë dhe për këtë arsye bëhet dubël album. Dhe gjithashtu kjo është hera e parë që bëhet një album pa shtëpi diskografike. Unë nuk e nxora albumin më parë se nuk kisha mundësi. Janë dy albume në të dhe nuk është për një elitë të caktuar por për të gjithë njerëzit. CD-ja e parë që titullohet “Dje” është me muzikën që unë kam bërë gjatë viteve ‘80 të rishkruara të riorkestruara dhe të kënduara edhe nga shumë këngëtarë të tjerë, që janë zërat më të mirë në tregun tonë sot.


CD-ja “Sot” është me material të ri që i përkasin këtyre dy viteve të mia të kthimit në Tiranë, konkretisht të bëra për emisionin “Kthehem të dielën”. Një gjë e veçantë e tyre është se janë të gjitha ngjarje të jetuara. Për shembull kënga “7 mrekullitë e botës” u dedikohet atyre që unë kam njohur dhe që çuditërisht ato kanë lindur në datën 7. Kënga “Makth dashurie” është historia ime e parë në Shqipëri pas kthimit nga Italia, apo “40 ditë të një dashurie”, etj. Një pjesë e teksteve janë të shkruar edhe nga unë, pasi janë të jetuara. Të dy albumet nuk kanë thjesht tekste, por poezi nga Ismail Kadare dhe Xhuliana Jorganxhi. Të gjitha këngët janë të realizuara në studion time. Një ndihmë të madhe për këtë album ka dhënë distribuese “Number 1”. Ndërkohë që albumi shoqërohet edhe nga katër klipe.
Përse nuk keni bashkëpunuar me ndonjë shtëpi diskografike për shpërndarjen e albumit?
Unë do ta kisha bërë nëse nëse këto shtëpi diskografike do të ishin bashkëkohore. Unë nuk jam dakord që albumet me të drejtën e autorit të blihen me pak para nga shtëpitë diskografike. Kuptoj shumë mirë çmimet e ulëta sepse siç e kam thënë tregu është i mbushur me pseudoartistë, këngë të vjedhura dhe “super komerçiale” e çuditërisht janë edhe ato që shiten më shtrenjtë.  Edhe pse nuk mund të përfshihen në një “enë” të gjitha shtëpitë diskografike, sepse ka raste si “Super Star”, “Super Sonic” që punohet seriozisht. Shumica e shtëpive diskografike nuk blejnë të drejtën e autorit por i blejnë këngët nga këngëtari dhe kjo është e paligjshme. A e imagjinoni sa të pasur do të ishin Hila, Saraçi etje nëse do t’u njiheshin të drejtat e autorit. Gjithsesi tani po ndryshon pak. Është kjo zgjidhja ime pasi e kam në dorë vetë për të kontrolluar prodhimin tim. Zgjedhja ime sepse dua ta kontrolloj dhe të mos më vidhen këngët përmes internetit. Çdo CD ime do të ketë një numër serie e nuk do të shitet trotuareve të Tiranës e të Shqipërisë, apo që këngët e mua të dalin në televizionet muzikore dhe dyqanet e gabuara. Albumi do të shpërndahet në një mënyrë të veçantë me 200 pika distribucioni ku pikat më të shumta do të jenë pub-et lokalet, supermarketet, benzinatot, etje gjithashtu me një çmim modest do të shpërndahet edhe gjatë turneut veror.
Për ju thuhet se jeni edhe pronar i një lokali në Tiranë?
Unë nuk jam pronar lokalesh por qejfli i tyre. Mua më kanë nxjerr pronar të mjaft lokaleve madje, si “Pentagram”, “2 Pistat”, “Gjergj Leka”, etj ku unë në fakt jam thjesht klient i tyre dhe jo pronar. Është një gabim i shtypit ky.
Ky shkrim u botua më   31 maj 2008


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.