KULTURË

“FOSHNJË NË DUART E EUROPËS”/ Historia e Shqipërisë përmes karikaturës

10:26 - 26.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI – Teksa këqyr imazhin e shqiptarit nga viti 1922 deri më 1926, në këtë organ të Konicës, ka të ngjarë t’i ketë feksur një pyetje: Po vetë shqiptarët ç’imazh kishin të ndërtuar asokohe për vetveten? Kjo temë e kapërcen dukshëm qoftë trajtesën nga ana kulturore, politike, por qoftë edhe atë etike në këtë ese. A është vallë ajo Shqipëria e vogël në karikatura, hera-herës në formën e një kafshëze të pafajshme apo gruaje të bukur dhe bebe, imazhi i vërtetë asaj që banorët e saj kanë për vlerësimin e vendlindjes së tyre? A mjafton ky imazh që t’ua ruajë ekzistencën e tyre si komb në rruzullin e shqetësuar botëror të fillim-shekullit XX?
Adhurimi për shqiptarët, kujt i interesojnë vallë shqiptarët, tragjizmi e deri te traktet “Historia e Shqipërisë përmes karikaturës” është një libër që ka fjetur për shumë vite në kokën e autorit Ben Andoni, Botimet “Poeteka”. Motivimi ose shtysa për të realizuar një botim të tillë erdhi pas përshtypjes së një ekspozite të parë në Tallin të Estonisë. Autori u përball me një ekspozitë të Vendeve Baltike, të cilat prezantimin e tyre me rastin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian e kishin bërë përmes imazhit të vizatimit humoristik.





Shqiptarët, të mësuar me ikonografi shumë patetike, me simbole të fortësh, që nuk i shkojnë fare përmasave të trupit të vendit tonë të brishtë, e kanë të paqartë vetë identitetin e tyre. Duket se shqiptarët rrallë e kanë parë veten si duhet në pasqyrën e historisë. Autori për t’u çliruar nga kjo ikonografi zgjodhi pikërisht ndihmën e karikaturës për të udhëtuar në historinë e identitetit shqiptar në 150 vitet e fundit. Një udhëtim i bukur dhe tejet i vështirë, sepse shpesh u ndesh me mungesën e materialit, por edhe pamundësive teknike. Në parathënien e librit, sillet në kujtesë se këtë vit u dëmtua një seksion i Bibliotekës Kombëtare, vendi i një koleksioni të gazetave të vjetra shqiptare, ku gjendeshin shumë gazeta dhe revista dhe puna e këtij institucioni ende sot e kësaj dite nuk është në hullinë e duhur. Ky ishte një handikap i madh për punën tonë, por që gjithsesi, e kemi zëvendësuar me vizatimet e huaja, kushtuar Shqipërisë. Për fat, kemi punën e Faik Konicës dhe 95 karikaturat e tij te gazeta “Dielli”, që i quan kartune. Ai punësoi një karikaturist amerikan, Frank E. Davidson në një cikël, ku përgatiste tekstin e që do godiste shumë me objektin e tyre në Shqipëri dhe sidomos në mjedisin amerikan. Karikaturat u botuan nga Efthim Dodona. Problemi më i madh ishte gjetja e karikaturave të vjetra kushtuar vendit, por këtë herë në ndihmë na erdhi puna shumë cilësore dhe e pasionuar e Armand Plakës, ashtu si për periudhën e Luftës së Dytë Botërore patëm ndihmën e Klodian Lucës dhe mirëkuptimin e tij për materialet, që na ofroi me dashamirësi.
Andoni veçon se një vlerësim i kushtohet veçanërisht mirëdashjes së arkitektit dhe karikaturistit Arben Meksit për ndihmën e tij të madhe të pakursyer për mbarëvajtjen e këtij libri. Ai ofroi ndihmë të madhe logjistike dhe, mbi të gjitha, këshilla për punët.
Andoni i mbetet shumë mirënjohës dashamirësisë ndaj tij të karikaturistëve të njohur Dhimitër Ligori, Bujar Kapexhiu, Kosta Raka, Agim Sulaj, Mehdi Belortaja, Admir Banaj, Koço Devole, Paulin Palushit. Ky i fundit për ndihmën e madhe, që afroi dhe për të ndjerin, të vëllain Shtjefën Palushi, legjendën e karikaturës sonë.


Një mirënjohje i shkon pinjollëve të Zef Bumçit dhe Bardhyl Ficos, që nuk dyshuan për qëllimin e këtij libri. Ata treguan shumë qytetari, por edhe shumë mirëkuptim për këtë libër pa asnjë lloj paragjykimi. Autori u mundua shumë për autorët e tjerë, që ishin pjesë e Fondit të Galerisë Kombëtare, por nuk e gjeti mirëkuptimin për ata që arriti e kontaktoi. Nga ana tjetër, autori nuk mundi të përfshijë autorë kosovarë, por e ndjeu si detyrë morale që t’i kishte ata në një farë mënyre në këtë botim. Kështu, gjeti mirëkuptimin e profesor Shyqri Nimanit dhe Agim Krasniqit. Me këtë rast, me këtë përfaqësim shumë modest, besoi se plotësoi një dëshirë që Kosova të ishte e përfaqësuar. Andoni falënderon Galerinë Kombëtare dhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen. Ben Andoni shkruan se karikaturistët, falë asaj që arrihet me të drejtën e lirisë së shtypit, ekspozojnë abuzimet e pushtetit, korrupsionin e qeverive dhe hipokrizinë e shoqërisë, por edhe çfarë ndodh në rajone të nxehta. Në karikaturat e tyre qoftë edhe ato që mund të konsiderohen si të parëndësishme publiku kap një koment të vazhdueshëm mbi ngjarjet, njerëzit, qëndrimet dhe preokupimet, ndikimin e Fuqive të Mëdha apo domethëniet e çdo klimë politike të dhënë.

Ato pasqyrojnë ndryshimet momentale në ndjenjën publike. Shqipëria zë vend falë konjukturave të kohës, por edhe faktin që e lidh me interesat e kohës. Andoni pyet, po vetë shqiptarët? Përgjigjet se ai që e kupton rëndësinë dhe impaktin e karikaturës në modernitetin e kohës është Konica dhe vetëm ai. “Karikatura është formë e ligjshme e artit… “, ia përvesh Faik Konica një bashkëbiseduesi të tij, që e qesëndis si “karikaturë” fustanellën, që ai mbajti dikur. Dhe, nuk ndalet vetëm me fjalë, por kupton dobinë e kartonëve(e quan kështu në shqip) teksa boton plot 95 syresh të tilla, njërën pas tjetrës, në gazetën “Dielli”. Sipas Andonit, grafisti Frank E. Davidson, që merr detyrën prej Konicës, i duhet të zbardhë idetë e Konicës për bashkatdhetarët e tij. Nuk mjafton pra, thjesht shkrimi, por duhet imazhi, i shpjegon ai. Në vitet e para të shekullit të shkuar, masa më e madhe e bashkatdhetarëve që janë në Shqipëri, por edhe ata në SHBA, janë pothuaj të paarsimuar. Kështu, impakti i vizatimeve, që shpreh qëndrimin e Konicës, përmes diçiturave dhe shpjegimeve të gjata flet sa për faqe të tëra shkrimi.


NGA KARIKATURA TE TRAKTET
Traktet, që hidhen nga komunistët dhe nacionalistët do ta shfrytëzonin karikaturën dhe niveli i tyre tregon dhe mundësitë e kohë, shkruan Andoni. Kulmin do të arrijë gazeta humoristike “Fshesa”, e cila do ketë shumë fabula dhe do të përdorë shumë histori, kurse grafistët komunistë të Brigadës së VII sulmuese nxorën në tre numra fletushkën “Thumbi”. Karikaturistët e asaj kohe do ishin Polikron Kotini, Misto Mame, Andon Kuqali dhe disa nga këto u shpërndanë në forma volante…
Sipas tij, karikatura shqiptare e mëvonshme do t’i detyrohet shumë organit humoristik “Hosteni”. Ky organ pas Luftës së Dytë Botërore do t’i jepte një hop të paparë zhvillimit të këtij zhanri, por nuk do t’i shpëtojë sot ideologjizimit të gjithçkaje. Analiza e “Hostenit”, se ajo (karikatura), “duke u udhëhequr nga mësimet e Partisë, ka shprehur ideologjinë e saj, duke vënë në bazë, me humor shfaqjet e huaja, që pengojnë ecjen e shoqërisë sonë përpara, ka goditur manovrat e imperialistëve dhe revizionistëve. Karikatura u është përgjigjur flakë për flakë problemeve që kanë preokupuar shoqërinë tonë”,-tregon realisht forcën e këtij arti në komunizëm. Karikaturistët e parë shqiptarë, që punojnë institucionalisht, do të jenë Polikron Kotini dhe Zef Bumçi. Më pas vinë Bardhyl Fico, Dhimitër Ligori, Enriko Veizi, Bujar Kapexhiu, Shtjefën Palushi, Sabaudin Xhaferri, Ilir Pojani, Agim Sulaj dhe më vonë Arben Meksi, Medi Belortaja, Like Rehova e shumë e shumë të tjerë…
Të gjithë bashkë do shikohet se arritën ta shkundnin deri diku shoqërinë shqiptare, drejtuar shpesh në një udhëkryq të frikshëm.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.