KULTURË

Armando Lulaj: Arti dhe marrëdhënia me (pu)shtetin

10:09 - 23.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Fatmira Nikolli – Kjo është një bisedë për Shqipërinë, atë që patëm, atë që kemi dhe “atë që duam”. Për raportin qytetar-shtet, shtet-art dhe mandej është edhe një lloj kronike e 100 ditëve. Kronikë e sistemit (funksional të munguar) dhe shoqërisë sonë kaotike- vënë nën një dritë që pothuaj verbon.




Armando Lulaj ndër vite ka qëndruar larg medias, por punët e tij artistike kanë marrë vëmendje e vlerësim.

Në këtë intervistë për “GSH” ai ndalet te projektet e reja dhe ofron një qasje ndaj 1990-ës, 1997-ës, komunizmit dhe kapitalizmit, lirisë dhe frikës prej saj, artit si protestë dhe emigrimit të shqiptarëve si protestë, duke të vënë para zgjedhjes, se cila është rruga e drejtë a “drejtimi i duhur”.

-Prej dy muajsh keni nisur një projekt artistik të quajtur “SPAM”, ku çdo ditë ngrini shqetësime mbi të përditshmen e Shqipërisë që jo rrallë sillet drejt politikës, politikave, ose mungesës së tyre. A do të jetë ky projekt një farë “120 ditëshi të Sodomës”, si një lloj rrëfimi i së pistës përreth nesh?

Spamet janë përgjithësisht mesazhe të parëndësishme ose të padëshiruara të dërguara nëpërmjet internetit, zakonisht drejt një numri të madh marrësish për qëllime të ndryshme, si reklamimi, mashtrimi apo dhe kërcënimi. Projekti “SPAM”, të cilin e kam filluar në nëntor të 2017-ës trajton përgjithësisht marrëdhënien e artistit me pushtetin, pra nuk përfshihet vetëm marrëdhënia e tij me politikën, por edhe marrëdhënia me pushtetin e medias, atë të ekonomisë, gjyqësorin dhe vetë sistemin e artit.

I vetëdijshëm për të përditshmen e pashtershme të këtyre pushteteve ky projekt duhet të vazhdonte për një kohë edhe më të gjatë, por është konceptuar të ekzekutohet në harkun kohor të 100 ditëve, si 100 ditëshi i parë i qeverive.

Këto mesazhe, dërgohen çdo ditë në adresën e-mailit të Këshillit të Ministrave, institucioneve kulturore, pushtetarëve, gazetarëve, artistëve, miqve, kuratorëve, akademikëve, shqiptarë dhe të huaj. Me vetëdije dhe mospërfillje të plotë janë lënë jashtë liste ambasadorët e shteteve të huaja.

Këto mesazhe mund të lexohen ose të kategorizohen menjëherë si SPAM, siç në të vërtetë janë. Është interesant fakti që ju përmendni veprën e Markezit de Sade. Ajo është konsideruar si përralla më e papastër e treguar ndonjëherë për pushtetin dhe ai filloi ta shkruajë atë në nëntor të 1785-ës kur ishte i burgosur në Bastille.

Për më tepër filmi i Pier Paolo Pasolinit, “Salo’ dhe 120 Ditët e Sodomës”, që bazohet tek vepra e de Sade, mbetet për mua një nga filmat më të diskutueshëm e më shokues në të gjithë historinë e kinemasë për sa i përket nivelit të perversionit, dhunës fizike e psikologjike të shkaktuar prej pushtetit.

Ky film që merret me perversionin seksual në Italinë fashiste dhe ky artist, çuditërisht i përkthyer e i cituar gjithnjë gabim nga artistët shqiptarë, por së fundmi edhe nga një botues vendas, vendos spektatorin në një pozicion shumë të vështirë e të parehatshëm prej nga ku ky i fundit është i detyruar të reagojë e të mbajë qëndrim, të largohet ose të ndihet keq e jo të ngulitet rehatshëm në stolin e kinemasë e të harrojë gjithçka gjatë kohëzgjatjes së filmit. Nisur edhe nga sa më sipër, por edhe duke marrë shkas nga perversioni i përditshëm që prodhon shteti, në një nga SPAMET redaktuar posaçërisht për qeverinë thërras në kauzë regjisorin amerikan Ira Isaacs dhe citoj filmin brazilian skat-fetish “2 Vajza dhe 1 Tas”.

Në këtë film tepër të vështirë për t’u parë personazhet konsumojnë jashtëqitje duke përdorur një tas e me pas vjellin në gojën e njëra-tjetrës. Ky SPAM është vetëm për kabinetin qeveritar dhe për tasin e madh ose siç e quajnë ata, “kazanin”. Rrjedhja e ngjarjeve paraqitet të jetë ekzaktësisht e njëjtë me filmin brazilian, por i vetmi ndryshim do të jenë personazhet të cilët nga 2 do të jenë 15, fiks sa numri i anëtarëve të kabinetit qeveritar. Filmi parashikohet të realizohet në ambientet e Kryeministrisë dhe do të titullohet “15 Politikanë dhe 1 Kazan”.

A është një mea-culpa në emër të kolegëve apo një akuzë, kur thoni se ka artistë në Shqipëri që po bëjnë rolin shoqërueses së nuses në krah të politikës?

Asnjëra! Është një kërkesë për të analizuar më thellë fenomenin si dukuri shoqërore, për të kuptuar mosekzistencën e figurës së Intelektualitpolitik, eliminimin total të Artistitpolitik dhe për të vënë në lojë rrugëdaljen dështuese të qeveritarëve që përdorin artin dhe pikërisht atë lloj arti me të cilin dakordësohen të gjithë. Si rrjedhojë e raportit të artit dhe politikës në të shkuarën marrëdhënia midis tyre në të tashmen bëhet edhe më interesante.

Jam i vetëdijshëm për garën e madhe të papërfunduar se kush do të jetë ai ose ajo që do të zëvendësojë Kadarenë dhe rolin e tij në shoqërinë tonë.

Gjithashtu, jam koshient për tentativën e fshirjes ose mos-analizës së shembullit të tij të keq në marrëdhënien e artit me politikën ose në marrëdhënien e artistit me pushtetin. Mesazhi që duhet të përcillet në këto momente që jetojmë nuk duhet të jetë ky, por diçka krejt tjetër sidomos kur trajtojmë një problematikë të tillë që analizon rolin e artistit në një shoqëri si kjo e jona. Ekziston një pengim goxha i fortë prej shtetit kundrejt çështjeve problematike që duhet të përcjellë artisti ose dhe aktivisti në shoqëri, sikurse ekziston një mirëkuptim për rolin që duhet të kenë në shoqëri dhe kjo gjë për mua është e papërtypshme. Tentativa për ta kthyer këtë fenomen në një formë kulture dhe tradite duhet analizuar gjerësisht në çdo aspekt dhe jo ngushtësisht duke ju referuar vetëm disa raporteve të ngushta të disa artistëve e politikanëve të caktuar. Që prej fillimit të vitit 2000 e deri më sot kemi parë ngjizjen e një tipologjie artisti në raport me politikën dhe shoqërinë, tipologji të cilën e quaj Shoqëruesi i Nuses.

Ky lloj artisti bashkëpunon me politikanë të niveleve të larta dhe mbështet politikat e tyre çfarëdo qofshin ato, sikundër ai vetë mbështetet prej politikës. Detyra e tij është zhvillimi i një estetike diplomatike – realisht kështu e quajnë – që shkon përtej artit dhe që realizohet në emër të një besimi personal ideologjik, por në çdo rast populist. Shoqëruesi i Nuses nuk është një figurë komplekse.

Ai nuk është as një figurë interesante, biles ai është i vetëdijshëm që nuk është as fenomen, as pionier dhe as nismëtar gjenial por një ushtar i pozicionuar më mirë se të tjerët sepse qëndron në këmbe duke qenë i mbrojtur prej trupave të të tjerëve. Për politikën ose për politikanët e veçantë ai është një aset i çmuar e i besuar porsi një dëshmitar dhe mbështetës i fortë i çdo martese … ndonëse pyetja që shtrohet natyrshëm është: Po kur kemi të bëjmë me një martesë me të pistën, trafikun, perversionin e korrupsionin si duhet parë e trajtuar roli i shoqëruesit?

1997-ën e konsideroni një përdhunim në masë që ne po rrekemi ta harrojmë. A nuk mendoni se ne plagosëm njëri-tjetrin në atë kohë, më shumë se sa na plagosën nga jashtë?

Viti 1997 ishte një helmim cerebral që nuk duam ta kujtojmë, dhe për më tepër kërkojmë ta harrojmë. Ajo çka kujtojnë njerëzit janë dy-tri histori shpeshherë të ngjashme me njëra-tjetrën e shpeshherë çoroditëse, tipike kjo e gjendjes së shokut. Prandaj i referohem një “përdhunimi masiv”, ku kam parasysh gjendjen e shokut, ku secila prej viktimave, përgjithësisht, u detyrua e kërkoi të harrojë ngjarjen pasi e gjeti veten të pamundur për t’u përballur me pasojat. Ngjarjet kërkohen me doemos të ngrihen, të arkivohen e të zhduken nga kujtesa kolektive. Unë jam shumë i interesuar për pasojat që viti 1997 ka lënë në shoqërinë tonë, jo vetëm në nivelin ekonomiko-social, por më shumë në nivelin psikik. Për këtë aspekt të përmbledhur po punoj me skuadrën e Debatik Center of Contemporary Art mbi një projekt që titullohet “Memories of ’97”.

Ndërkohë që prej shumë kohësh po punoj mbi një projekt tjetër tepër të vështirë për vitin 1997 si edhe po bashkëpunoj me punonjësit e palodhur të Arkivit Qendror të Filmit dhe kompaninë Indiane “Quality Matters” në restaurimin dhe digjitalizimin, me fonde të mijat personale dhe sponsorizim të kompanisë, të një materiali arkivor me regji të Kreshnik Hashorvës dhe kamera të Bashkim Asllanit. Ata me të vërtetë kanë realizuar një material të pangjashëm me të gjithë filmat, reportazhet apo dokumentarët që janë bërë ndër vite për ngjarjet e vitit 1997. Materiali i tyre është cinema vérité.

Nuk kemi të bëjmë me imazhe të forta e shokuese në këtë material, por me një nënstrukturë në të shumtën e rasteve banale, por që tregon më mirë se gjithçka tjetër shokun ekonomik, injorancën dhe ankthin kolektiv. Kanë kryer filmime për rreth 9 muaj në Shqipëri, Itali dhe Greqi, kanë djegur 8500 metra celuloid 35mm për të realizuar 31 akte që formojnë filmin Kronik ’97. Filmi nuk përfundoi kurrë për shkak të mungesës së fondeve, dhe besoj vështirësive për ta kthyer atë në një narrativë klasike, për shkak të konceptimit të tij porsi një vepër arti, trajtuar në episode dhe në ngjarje që shpeshherë shkojnë në drejtime të ndryshme dhe mbeten të pazgjidhura. Kjo është e bukura dhe e veçanta e këtij materiali që për mendimin tim tanimë duhet të konsiderohet si një ready-made që nuk duhet të preket, montohet e pritet nga askush. Forca e tij qëndron në jo-montazhin final, qëndron në materialin bruto, në aktet e pazgjidhura dhe bisedat e ndërprera. Shpresoj që tani pas 21 vitesh, pas restaurimit dhe dixhitalizimit, i cili është në proces përfundimi, autorët të kenë filmin e tyre dhe ta konsiderojnë këtë një dhuratë dhe një detyrim që më në fund i bëhet veprës së tyre prej këtij grupi pune.

– Për shekuj të tërë shqiptarët kanë kërkuar lirinë dhe më në fund, kur pas 1990-ës qenë më të lirë se kurrë, filluan të kenë frikë. Ju e lidhni frikën nga liria me frikën nga përgjegjësitë. Duket interesante kjo logjikë në një vend ku nuk duket të mbahet shumë përgjegjësi dhe ku pakkush vihet para përgjegjësisë?

Pas 1990-ës e gjithë shoqëria u përball me frikën nga gjithëpërfshirja, por edhe me frikën nga përjashtimi. Kjo gjendje ankthi u përplas tek ne si pasojë e ndryshimeve historiko-sociale si rënia e regjimit komunist, emigracioni masiv dhe ndërtimi i një regjimi tjetër tashmë kapitalist.

Në SPAM-in e dërguar flas për lirinë e fjalës në raport me të vërtetën dhe luftën që duhet bërë për ta gjetur e treguar atë sikundër flas për përgjegjësinë që ka secili prej nesh në ekspozimin dhe nxjerrjen në pah të mashtrimit shtetëror. Politika gjithnjë ka kërkuar ta zhdukë e ta eliminojë lirinë, ta largojë atë prej popullit dhe njëra nga shenjat dalluese të suksesit të saj është ajo e formimit të një popullate përgjithësisht të trembur, të frikësuar, apatike, pasive dhe të konsumuar. Paradoksalisht sot më shumë se kurrë ndonjëherë askush përveç popullit nuk gjendet i vendosur përpara përgjegjësisë.

– Kaosi urban dhe arkitektura kanë qenë në fokus të spam-eve tuaja. A është faji i individëve apo i masës, apo janë individët që drejtuan masën drejt këtij kaosi që tanimë duket i pamenaxhueshëm?

Në disa raste i referohem arkitekturës së ndërtimeve pa leje jo për të zbardhur një masakër urbanistike individuale apo kolektive, por për të gjetur së çfarë fshihet brenda saj. Aty i betonuar ndodhet një stil shoqëror, një sistem politik e ligjor tashmë shumëvjeçar.

Ato ndërtime për mua janë shumë frymëzuese. Zgjidhjet arkitektonike të këtyre strukturave që në shumë raste janë zgjidhje të pa-përdorueshme e të pa-banueshme shfaqen shumë komplekse dhe në limitet e absurdit. Struktura të tilla të detyrojnë të imagjinosh një konceptim dhe përceptim tjetër mbi hapësirën, dhe ato pa më të voglin dyshim që janë më interesante se çdo ndërtim tjetër i ri, i miratuar e i realizuar në vend.

Këto zgjidhje janë aq frymëzuese sa me të vërtetë mendoj se koncepti i mini-piramidës në sheshin qendror ka qenë me pa të voglin dyshim një vizion i huazuar prej këtyre strukturave. Shpresoj të jetë e vërtetë, sepse vetëm duke u ballafaquar me këtë realitet ai shesh merr kuptim. Megjithëse mendoj që niveli i këtyre arkitektëve anonim është ku e ku më lart se arkitektët tashmë të njohur të Sheshit Skënderbej.

– COD (Qendra për Hapje e Dialog) ka qenë që në hapje një institucion i diskutueshëm për rolin që do të kishte: nëse do të kontrollohej nga qeveria, nëse do të vihej në shërbim të saj, të ishte pra vetëm një zgjatim i zyrave të propagandës apo nëse do i shërbente publikut. Sot, pothuaj katër vite më pas, është pa drejtues dhe me një të ardhme të paqartë. Cili qe (apo është ende?) sipas jush roli i COD?

Nuk ka mbetur më asnjë përgjigje për rolin që luajti COD!

– 27 vite ikje, ose një eksod i vazhdueshëm i shqiptarëve. Ju thoni se qeveria duhet të ndalojë së luajturi me art dhe të shohë seriozisht për një zgjidhje për çështjen. Më artin e qeverisë, nënkuptoni “teatrin” që luajnë instancat qeveritare, kurimin e fasadës, propagandën?

Ky është një fenomen global dhe tashmë gati të gjitha qeveritë harxhojnë shuma të mëdha për makiazh e propagandë duke filluar nga Shtetet e Bashkuara e deri tek Shqipëria. Në këtë industri të të bërit lajm në çdo moment dhe kur në të vërtetë mungon argumenti ose qëndrimi, padyshim që të vegjlit e kanë shumë më të vështirë të dalin në sipërfaqe dhe një nga mënyrat për ta arritur këtë është përdorimi i tejskajshëm i propagandës. Ajo çka tashmë të gjithë dimë dhe shohim është se në të shumtën e rasteve argumentit qeveritar i mungon thelbi, sikurse ndonjëherë i mungon realisht edhe vetë “gjëja” e shpallur, dhe është fasada ose sipërfaqja ajo që merr përmasën e thelbit ose të një “gjëje” në mjegullnajë por inekzistente. Këto makinacione të zyrës së propagandës së qeverisë kanë efektin e ejakulacioneve të parakohshme e të njëpasnjëshme, e duke imagjinuar më pas së kush punon në atë zyrë e gjitha bëhet tejet qesharake. Ekzaktësisht e njëjta platformë propagande u përdor edhe me pajtimin e fundit, në COD, të artit dhe politikës duke përmbushur disi ndërthurjen që përfaqëson kreu i kësaj qeverie, element të cilin e kanë kthyer në një kalë beteje.

Këto lojëra qeverisjeje që po bën Kryeministri i këshilluar shumë keq prej miqve të tij kërkojnë një rrugëdalje tejet dëshpëruese dhe e vetmja strategji që ka do të jetë konsiderimi i të gjithës si një vepër arti performative disa vjeçare. Unë pohoj në një nga SPAM-et që i vetmi artist emergjent që ka Shqipëria në këtë moment është ky politikan i korruptuar, i cili duhet të ketë kurajën e të vizatojë mbi dokumentacionin e shërbimeve sekrete që i vendosen përditë mbi tavolinë, ku përveç të tjerëve shfaqen emrat e miqve të tij, ministrave të tij, qeveritarëve të korruptuar, të cilët janë drejtuar, mbrojtur e që vazhdojnë të mbrohen prej tij. Këto vizatime do të ishin thjesht fantastike, do të bënin diferencën dhe në krahasim më të parat do të ishin si nata me ditën.

Hey, Take Courage and Just do It! Mendoj se arti gjendet tek boshllëqet, tek humori, tek detajet e pakapshme, tek përplasjet masive dhe kontradiktat e forta që në disa raste mbeten të pashpjeguara deri në fund e jo tek strategjitë e skaduara të estetikës relacionale ose ngjyrosjeve të pëlqyera prej të gjithëve, eksperimenteve puntorike-artistike me sipërmarrjen e deri tek teatri i radhës ai i bashkëqeverisjes me popullin. Ekziston një moskuptim i madh në komunikimin midis qeverisë dhe popullit. Populli e ka kuptuar lojën e qeverisë socialiste dhe përgjigjen më të dhunshme vazhdon ta japë me anën e tentativave të shumta për t’u larguar nga vendi. Kjo ikje nuk është një ikje çfarëdo, është një ikje performative, është një dezertim masiv e i fuqishëm dhe në mënyre absolute ky është arti që po godet më fort politikën sot, asgjë tjetër.

– Në një prej spam-eve tuaja keni thënë se çmimi i një gazetari këtu është vetëm një copë bukë. Shtoni se një qen rruge ka më shumë skrupuj se gazetarët. A po i shkoni pas avazit deklaratave fyese të kryeministrit kundrejt mediave apo po denonconi situatën e gazetarëve dhe medias si një grupeve shoqërore që mund të ngrënë zërin për këdo, përveç vetes?

Ndryshimi është thelbësor pasi është vetë Kryeministri ai që ushqen, manipulon dhe korrupton këto media, të cilat më pas urdhërojnë këta gazetarë ndërsa unë thjesht konstatoj pozicionet e gjithsecilit. Ajo çka ndodhi dhe vazhdon të ndodhë pas deklaratave dhe epiteteve të vazhdueshme të tij kundrejt medias dhe gazetarëve, por dhe anasjelltas, është thjesht një marrëveshje pëlqimi e miratuar midis qeverisë dhe mediave, dhe kjo më duket me të vërtetë e rrezikshme.

Ndonëse kemi të bëjmë me një artist të shndërruar në një politikan shumë të kamur e të korruptuar duhet thënë që mediat dhe gazetaria në përgjithësi kanë humbur besueshmërinë e publikut dhe se profesioni i gazetarit dhe raporti i tij me të vërtetën është kthyer në një profesion me pasoja të rrezikshme për shoqërinë, por jo për politikën. Shumë pak artikuj të gazetarëve investigues ngjitin tek publiku dhe kjo nuk shpjegohet vetëm me dhunën dhe propagandën e pushtetit për të shkatërruar dhe eliminuar lajmin, atëherë kur ka, por ka të bëjë më shumë me integritetin e zhdukur dhe pabesueshmërinë e gazetarit. Padyshim që një qen rruge ka më shumë skrupuj se këta lloj gazetarësh për shumë arsye, njëra prej të cilave është sepse qenit të rrugës nuk i është zhdukur ende nuhatja dhe as forca, ndërsa këtij lloj gazetari duket se po. Unë besoj tek gazetaria, prandaj si shumë të tjerë jam i mendimit që duhet të mbështetemi pak më shumë tek mediat alternative ose aktivizmi, duke braktisur disi mediat e mëdha kombëtare të cilat modelojnë dhe manipulojnë përceptimin tonë mbi realitetin.

– Artistët shqiptarë të lidhur me krimin (në politikë)? Vetëm pse e shesin artin e tyre të ky kontigjent, a do të thotë se i shërbyen dhe se punuan për të? A nuk jeni dakord me frazën: wash your dirty money with my art?

Nuk kam thënë kurrë që artistët shqiptarë janë të lidhur me krimin në politikë në sensin e ngushte të fjalës, ndonëse kam pohuar që artistët dhe kriminelët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ajo çka mundohem të them është se artistët duhet të gjejnë mënyra alternative veprimi dhe jo të kërkojnë medoemos vetëm bashkëpunimin dhe financimin e tyre nga shteti ose nga ambasadat. Artistët shqiptarë janë kthyer porsi kreditorët që rrinin në radhë tek Sudja ose tek Xhaferri. Kështu ngjajnë kur i sheh nëpër dyert e ministrisë ose në takimet e ambasadave. Kjo sindromë e të lypurit që trashëgohet nga e kaluara nuk duhet të gjejë më vend në këtë shoqëri. Thirrjet dhe lëngimet e tyre patetike kundrejt mosfinancimeve duhet të përfundojnë një herë e mirë.

Si rrjedhojë vihet re tek artistët shqiptarë një kërkim vizual që kërkon të tregojë sofistikim, shkollim e edukim, por që në shumicën e rasteve luan rol krejt të kundërt me thelbin, mesazhin dhe vetë punën. Kuptohet menjëherë nga spektatori i formuar kjo lloj sindrome dhe defekti që padyshim ia ul forcën veprës sepse ndikon në përcjellshmërinë e saj. Realiteti është krejt ndryshe, është i varfër e periferik, por kjo gjë nuk reflektohet aspak në këto punë, siç nuk reflektohen aspak çështjet sociale dhe politike.

Nëse bëhet është kaq politikisht e rregullt saqë nuk shqetëson realisht asnjeri. Mungesa e hapësirave të pavarura, mungesa e institucioneve, mungesa e grupeve, largimi i disa kuratorëve dhe mënjanimi i disa kritikëve me peshë në vend, shkatërrimi në dekada, por shpresoj tanimë ringritja e Galerisë Kombëtare të Arteve nuk mund të justifikojnë mungesën dhe moskërkesën e gjeneratës së re për të treguar diçka ndryshe duke u bazuar tek realiteti që jetojmë. Politikat dhe pompimi i gjeneratës së pemthymve (pem-thym kategorizohen ata artistë relativisht të rinj të cilët ecin pas gjurmëve të gjeneratës së mëparshme e porsi ata qëndrojnë pranë politikës) ishin dështime porsi Rilindja dhe fajin për këtë e kanë vizionet e gabuara, as afatgjata e as afatshkurtra, të kuratorëve që kanë operuar këto vite. Për sa i përket frazës së përmendur ajo i përket artistit hungarez Janos Sugar dhe ishte një akt proteste kundrejt institucioneve private që operonin në Hungari, një histori që përfundoi me gjyq, ku artisti u akuzua për vandalizëm, por që më pas vepra u bë pjesë e koleksionit të Ludwig Museum në Budapest. Konstatimi i Sugar është i saktë dhe ai nuk u mbështet vetëm nga kolegët e tij hungarezë, por edhe nga një pjesë e sistemit të artit, sidomos koleksionistët. Në Shqipëri nuk ka koleksionistë të mirëfilltë arti bashkëkohor. Në fund të vitit 2013 ka pasur disa tentativa për të ngritur një grup të tillë, të përbërë nga të njejtët individë që ndërtojnë dhe kanë në dorë ekonominë, për të investuar në artin bashkëkohor por me sa di unë ky grup nuk arriti të finalizonte shumë.

Koleksionistët e tjerë janë akoma shumë larg kategorisë së artit bashkëkohor dhe duket që kanë pak hundë për këtë. Për t’u kthyer edhe një herë tek Hungaria e për të ilustruar me një shembull ndryshimet madhore që shfaqen midis dy vendeve, në vitin 2016 ky muze organizoi një ekspozitë relativisht të madhe me artistë shqiptarë dhe kosovarë.

Duke njohur precedentin e Sugar pasi konkordova me kuratoren dhe asistenten e ekspozitës, u dërgova të gjithë artistëve pjesëmarrës punën time “La Rivoluzione Siamo Noi” e cila përbëhet nga një T-shirt me foton e kryeministrit lakuriq si dhe një letër ku i kërkoja secilit prej tyre të mos anashkalonin më debatin e madh të hapur në vend: pra të vishnin bluzën nëse mendonin që Kryeministri është thjesht një artist ose ta vendosnin atë në kornizë nëse mendonin se ai është thjesht një politikan i korruptuar. Nuk e di se ç’kanë bërë me letrën dhe bluzat, do ishte mirë t’i pyesnit, por me siguri vazhdojnë të kenë frikë të përgjigjen, t’i fshihen përgjegjësive dhe të ulërasin nëpër portale e blogje që medemek nuk e pëlqejnë lojën prandaj nuk përgjigjen.

– Ju besoj e kujtoni debatin e madh që u bë pas publikimeve të dokumenteve nga Wikileaks – rezultoi se shumë biznesmenë nëpër botë, por edhe emra të njohur të artit kishin llogari bankare të padeklaruara në parajsa fiskale dhe kishin ‘pastruar paratë e tyre me art”. Bota duket kaq e vogël, apo jo?

Nuk duket, por është pasi sistemi i artit, ai i mirëfillti ose vendimmarrësi – dhe këtu nuk flas për turmën, spektatorët ose fansat e artit bashkëkohor që maten me numrin e shitjes së biletave në ekspozita – në të shumtën e rasteve përbëhet nga elitat ekonomiko-financiare dhe nuk është dhe aq i zgjeruar dhe padyshim që shumë prej tyre nuk do të deklarojnë. Edhe tek ne filloi me paratë që fshiheshin nën dyshek ndërsa tani artikulohet gjithnjë e më shumë pasuria e politikanëve dhe jo vetëm në parajsa fiskale dhe gjithnjë të padeklaruara, dhe për këtë çështje nuk raporton në mënyre serioze e profesionale asnjëri prej gazetarëve investigativë.

– A është regjimi që ne themeluam, apo regjimi që ne gjetëm?

The gangster regime we fund” është titulli i një artikulli të botuar për ngjarjet e vitit 1997 dhe është pjesë e një pune timen të vitit 2011 me titull Regjim. Tek kjo punë, e cila ekspozohet thjesht si një tekst i ngjitur në mur, foljes në anglisht fund (sponsorizoj, financoj) i shtova një “o” duke e tjetërsuar kështu në foljen tjetër found (gjej, gjetëm), duke iu referuar kështu të gjithë atyre që kthehen nga emigracioni dhe kërkojnë të vendosen përsëri në Shqipëri, pra kemi një dopio konstatim si për regjimin e gangsterëve që sponsorizuan ndërkombëtaret dhe pasojat e vitit 1997, ashtu edhe për regjimin e gangsterëve që ne, por më shumë ata që u kthyen nga jashtë gjetën këtu.

– Si e shpjegoni mungesën e protestave në vend (lëmë mënjanë organizimet politike që mbledhin simpatizantët e militantët)?

Sa herë që dëgjoj komentet e politikanëve ose të ambasadorëve të huaj mbi protestat në vend, si dhe për vlerën e demokracisë dhe rëndësinë e të protestuarit çuditërisht më vjen ndërmend një slogan dhe një poster i Zyrës së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, aty rreth viteve ’60 në mos gaboj, që thotë tekstualisht “Të protestosh është anti-amerikane”, dhe ndonëse kanë kaluar shumë vite dhe politikat kanë ndryshuar mendoj se populli i ka akoma parasysh këto lloj mesazhesh, duke ditur që jemi një nga vendet më besnike ndaj politikës amerikane, dhe duhet ta ketë interpretuar sloganin në fjalë si “Të protestosh është anti-shqiptare”. Sidoqoftë, kam shkruar dy SPAM-e për protestat dhe se si e shoh unë aktin e të protestuarit në Shqipëri. I pari ka të bëjë me militantët e paguar të partive politike, të cilëve nëse ju ofron para vërshojnë drejt teje dhe kjo masë është shumë e lëvizshme.

Kam dashur gjithnjë që në një protestë ose miting partie çfarëdo, duke përdorur një mjet fluturues, në momentin që lideri i kësaj partie do të merrte fjalën të hidhja në drejtim të njerëzve një sasi të konsideruar parash vetëm e vetëm për të parë se si do të vraponin protestuesit e flakte partiakë drejt parave e do të linin liderin e partisë vetëm fillikat. Ndërsa në një tjetër SPAM ftoj qytetarët që të bashkohemi pranë pishinës së njërit prej liderëve më të rëndësishëm politikë, padyshim ai lider që e ka pishinën më të madhe dhe të pështyjmë brenda saj deri sa ta mbushim përplot me salivë.

Mesatarisht një njeri gjatë gjithë jetës së tij krijon aq salivë sa që arrin të mbushë plot dy pishina, pra llogaritjet nuk janë aq të vështira për të kuptuar se për sa persona kemi nevojë.

– Veç serisë së Spam-eve jeni marrë edhe më herët me raportin qytetar-shtet. Kryesisht duke zhbërë simbolet komuniste nga Enver në Never, apo duke djegur yllin pesëcepësh. Nga komunizmi në kapitalizëm, duke se ka ndryshuar mënyra, por jo aq thelbi i të drejtave të njeriut, apo jo? A është individi sërish në luftë me sistemin, tanimë nën një çadër tjetër ligjore, që jo doemos ofron siguri?

Në vitet e fundit të regjimit komunist nëpër burgjet shqiptare qarkulloi libri “Kapitalizmi dhe Liria” i liberalit Milton Freedman, dhe shumica e intelektualëve të asaj kohe brenda dhe jashtë burgut e konsideruan porsi Dhjata e Re. Dorazi, nëpër qarqe të ndryshme të elitave të vendit lëvizte ky libër dhe ky mendim katastrofik liberal që do t’i hapte rrugë ekonomisë liberale në vend. Shumë prej këtyre individëve dëshironin të ishin porsi Çunat e Çikagos, të cilët do të rindërtonin ekonominë e vendit duke e shkatërruar e më pas privatizuar atë tërësisht, por një numër i konsiderueshëm i këtyre individëve u penduan me kalimin e viteve. Pra, pikërisht në momentin kur u çliruam prej burgosjes filloi helmimi i shoqërisë dhe pikërisht këtë nëntekst mbart dhe puna ime “NEVER”.

E kam menduar që në vitin 2012 kur e realizova, që ajo punë ka nevojë për shumë vite që të kuptohet e të perceptohet nga masa, ka nevojë për rreth një dekadë… Individi duhet të jetë gjithnjë në luftë me sistemin, me pushtetin, për ta ndryshuar dhe për ta frenuar atë… por sidoqoftë individi mbetet individ, dhe për ta thënë me Duchamp-in, gjatë mbytjes së një anijeje cili do të qe ai individ që do të shpëtonte të tjerët dhe jo veten?

– Keni përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Venecias, me “Trilogjinë shqiptare: Një seri stratagjemash të tërthorta”, ku ishit përqendruar në një kërkim mbi Luftën e ftohtë. Kjo përvojë, çfarë solli tek Lulaj, në marrëdhënien tuaj me (pu)shtetin me të cilin bashkëpunuat dhe në raportin tuaj me vendin që përfaqësuat?

Marrëdhënia ime me pusht(e)tin nuk ka ndryshuar, por është zgjeruar edhe më tej. Kjo qeveri ka një interes të madh tek arti, por jo për ta zhvilluar atë – realisht nuk mundet, sepse ndërhyrja e pushtetit në këto përmasa e vret artin dhe nuk e zhvillon atë – por për ta përdorur atë politikisht e për t’i treguar mbarëbotës që ky mjet ose kjo vegël emancipuese është kali i betejës së socialisteve të reformuar e të kulturuar që kërkojnë të bëjnë shtet. Realisht kush është ai individ me dy gram tru që e beson këtë? Nga ana tjetër, demokratët nuk kanë pasur kurrë ndonjë interes të madh politik tek arti përveçse e kanë konsideruar porsi tenderët që ndanin me sopatë, pasi dihet që janë dhe do të mbeten injorantë kalibri në raport me artin, sikundër dhe LSI-stët, të cilët në krahasim me dy të parët kanë probleme edhe më bazike, pasi, siç thotë një i afërmi im, të dy kryetaret (burrë e grua) së bashku kanë një fjalor të përbërë prej 350 fjalësh, imagjino të merren me art apo ta stimulojnë atë. Në Bienalen e Venecias u prezantua një projekt që kishte filluar që në vitin 2011 kur në pushtet ishin PD dhe LSI dhe përfundoi në vitin 2015 kur në pushtet ishin PS dhe LSI.

Për të realizuar tri filmat e trilogjisë më është dashur të takohem ose të aplikoj për leje të ndryshme tek zyrat e shumë përfaqësuesve të të tre forcave politike dhe realisht marrëdhënia ose bashkëpunimi me të gjitha palët ka qenë njësoj si me kompanitë private pasi gjurmët e shtetit ishin zhdukur prej kohësh. Seritë dhe nivelet e strategjive të tërthorta nuk kanë të bëjnë vetëm me regjimin komunist apo me periudhën e luftës së ftohtë, ndonëse padyshim që ajo ishte pikënisja, ato kanë të bëjnë edhe me pushtetin politik, ekonomik e financiar aktual, jo vetëm ne nivel lokal por edhe global.

Projekti ishte projektuar porsi një makinë kohe e cila përdorte të kaluarën për të shfaqur prezantimin e pare – natyrisht hipotetik – të një pavijoni shqiptar në Bienalen e Venecias, aty rreth viteve ’70, por për të folur për të ardhmen, pra për të tashmen e vendit. Për ta mbyllur më lejo të shtoj që socialistët kanë edhe një tipar tjetër dallues. Ata janë mjeshtër të rrëmbimit të skenës dhe manipulimit dhe tentojnë në të gjitha mënyrat, edhe duke u transportuar në kohë, për të përfituar nga çdo projekt edhe nëse projekti është qartazi kundra tyre. Në një nga SPAM-et them që kur shteti tenton të të vjedhë skenën, ti me të vërtetë po kalon periudhën tënde më të mirë!

 

 


Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to artsy Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte shume e zymte te merresh me punet e politikes, dhe pavaresisht se Armando Lulaj ka pasur mbeshtetje nga shteti shqipetar, prezanton ne art shume shume bukur, perseri ate qe merret me anen e zymte te politikes shqiptare. Ndoshta nje artist qe ka deshire te merret me politike me mire te propozoje ndonje zgjidhje per gjithe keto shqetesime.

    Përgjigju ↓