Edhe në 9 qarqe të vendit do të futet skema e re e ndihmës ekonomike. Në një deklaratë për mediat, zëvendës ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka thënë se skema e re i jep pagesën e ndihmës ekonomike atyre që kanë vërtet nevojë.
“Kjo skeme e re ka në bazë të saj vetëdeklarimin nga familjet aplikuese para administratorit vetëm me një mjet identifikimi, të dhënat e të cilëve hidhen në një sistem elektronik dhe kalojnë në një proces verifikimi me sistemet e tjera online, të tatimeve, zyrës se punësimit, të hipotekave, drejtorisë së transportit, sigurimeve shoqërore, etj, për vërtetësinë e tyre. Procesi me pas vijon me verifikimin e situatës në terren”, deklaroi zëvendës ministrja, Bardhylka Kospiri.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se nëpërmjet kësaj skeme nuk rritet artificialisht numri i përfituesve të ndihmës ekonomike por targetohen më mirë familjet e varfra.
“Masa e pagesës tashmë është e plotë dhe është sa dyfishi i pagesës se mëparshme”, deklaroi Kospiri.
Sipas saj Bashkive ju është disbursuar një fond prej 6% të fondit të ndihmës ekonomike, i cili është dy herë më i lartë se fondi i mëparshëm.