SHËNDET

Klevis Thomai: Si të trajtoni sëmundjet e bajameve, kur duhet konsulta me mjekun

13:45 - 19.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shumica e njerëzve e kanë provuar të paktën një herë në jetë të preken nga sëmundjet e bajameve dhe kanë luftuar me infeksionin e simptomat që ato japin. Ka një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në infektimin e tonsilave, e madje jo rrallëherë lind si domosdoshmëri heqja e tyre.




Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku otorinolaringolog pranë QSUT-së, Klevis Thomai tregon shkaqet se pse ky organ infektohet shpesh, shenjat klinike që shfaqin pacientët si dhe mënyrat e trajtimit të sëmundjes. Më tej, mjeku thekson se bajamet e infektuara mund të japin edhe komplikacione të ndryshme e sqaron rastet kur sëmundja është e predispozuar të kthehet në kronike.

Cili është funksioni i bajameve në organizmin e njeriut?
Bajamet janë pjesë e sistemit imunitar. Funksioni i tyre është njohja e organizmit me mikrobet e ambientit, kryesisht me antigjenet ushqimorë. Ato janë aktive gjatë moshës 6 muaj deri rreth 14 vjeç. Pas kësaj moshe, ato e humbasin funksionin e tyre, pasi sistemi imunitar i njeriut është pjekur.

Të gjithë jemi prekur të paktën një herë në vit nga bajamet, pse infektohet kaq shpesh ky organ?
Bajamet e grykës (tonsilat) janë shume të ekspozuara ndaj faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, si ajri i ftohtë dhe i ndotur, ushqimet e kontaminuara, refluksi gastro-ezofageal (urthi), sekrecionet e shtuara të hundës, të cilat bien drejt bajameve etj. Një arsye tjetër është edhe frymëmarrja e vazhdueshme me gojë, sidomos në rastet kur ka defekte apo sëmundje qe pengojnë frymëmarrjen normale me hundë. Duke qenë mjaft të ekspozuara, ato janë të parat që preken dhe nga virozat e stinës, bashkë me hundën dhe faringun. Të kujtojmë se në një vit janë rreth 20 viroza të ndryshme në qarkullim dhe disa prej tyre mund të sëmurin gjithsecilin, e veçanërisht fëmijët dhe moshat e treta.

Cilat janë më specifikisht shenjat e sëmundjes së bajameve?
Bajamet mund të infektohen nga viruse dhe baktere, ndryshimet janë të vogla si në shenja klinike, ashtu edhe në trajtimin e sëmundjes. Zakonisht fillon me dhembje fyti, e shoqëruar ose jo me bllokim të hundëve. Pastaj shfaqet temperature e lartë, që mund të shkojë nga 37.5 deri në 40 gradë Celsius. Mund të shoqërohet me dhembje trupi dhe koke, plogështi, përgjumje, ulje të oreksit (kjo dhe për shkak të dhembjes së fytit). Në disa raste të rralla infeksioni mund të kalojë jashtë bajameve, drejt mureve muskulore të fytit, duke dhënë një komplikacion që quhet Absces Peritonsilar. Në këtë rast kufizohet dhe hapja e gojës dhe rrezikohet që gjendja e të sëmurit të rëndohet mjaft, nëse nuk ndërhyhet kirurgjikalisht për të eliminuar qelbin.

Si bëhet kurimi i tyre?
Trajtimi i tonsiliteve akute (sëmundjes se bajameve) konsiston në ditët e para në respektimin e regjimit të shtratit, ngrënien e ushqimeve të lëngshme dhe me shumë kalori, pirja e sa më shumë lëngjeve në temperaturë ambienti dhe marrja e barnave që shërbejnë për uljen e temperaturës (si paracetamoli dhe ibuprofeni). Nëse gjendja nuk përmirësohet për 3-4 ditë, atëherë pacienti paraqitet tek mjeku i familjes, i cili vendos për vazhdimin e mëtejshëm të trajtimit. Marrja e antibiotikëve pa këshillën e mjekut është e dëmshme për vetë pacientin dhe të gjithë komunitetin, për shkak të krijimit të rezistencave mikrobiale.
Disa njerëz sëmuren shumë shpesh nga bajamet, madje thonë se janë gjatë gjithë kohën sëmurë, pse bëhen kronike dhe si trajtohen ato?
Bajamet bëhen kronike kur në to fiksohen mikrobe të caktuar, si Streptokoku, të cilët nuk shërohen asnjëherë plotësisht. Këto mikrobe i bëjnë bajamet “shtëpinë” e tyre e qëndrojnë në to për vite me radhë dhe kur u krijohen kushtet, japin infeksione akute të herëpashershme.

Cilat janë disa prej komplikacioneve që mund të shkaktohen nga sëmundjet e bajameve?
Përveç kësaj, tonsilitet kronike kanë një rrezik të shtuar për komplikacione në distancë. Ato mund të prekin kyçet, duke dhënë artrite, zemrën, duke bërë sëmundje të valvulave dhe veshkat, deri në shkatërrim të plotë të tyre. Menaxhimi i infeksioneve kronike është më i vështirë dhe ndonjëherë kërkon kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale për të arritur shërim të plotë.

Kur rekomandohet kirurgjia e bajameve?
Nuk ka indikacione të ngurta për heqjen e bajameve, por pacientëve u këshillohet që të heqin bajamet nëse detyrohen të lënë punën apo shkollën mbi 15 ditë në vit për shkak të tonsiliteve akute; sëmuren mbi 5 herë në vit nga bajamet; kanë bërë komplikacionin e abscesit peritonsilar mbi 1 herë; kanë analiza laboratorike mbi trefishin e normës (ASL-O më e madhe se 600) apo nëse tonsilat janë aq të mëdha sa vështirësojnë frymëmarrjen.

Thonë që pasi njerëzit heqin bajamet ftohen më shpejt apo ndryshon zëri, është e vërtetë kjo?
Pasi hiqen bajamet dhe pacienti kalon periudhën 2- javore të konvaleshencës si në çdo operacion tjetër, nuk ka rrezik që të sëmuret më shpesh. Madje ulet mjaft rreziku për bronkite e pneumoni (ftohje), për sëmundje të fytit dhe për infeksione në vesh. Me kalimin e muajve ulet dhe rreziku për prekje të zemrës, kyçeve dhe veshkave. Pas shërimit të plagës operatore, zëri ngelet po i njëjtë si para operacionit, nuk ka asnjë rast të dokumentuar të një ndryshimi të tillë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.