Kryesore

Pensionet e ushtarakëve, si bëhet llogaritja bazuar në vitet e punës dhe pagën referuese

13:30 - 05.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ata individë që kanë dhënë kontributin e tyre e kanë punuar si ushtarakë në disa prej disa institucioneve të përcaktuara në ligj, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar.




Në faqen zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksohet se kategoritë që mund të marrin këtë pagesë janë ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, punonjësit e Policisë së Shtetit, punonjësit e Gardës, ata të Shërbimit Informativ të Shtetit e punonjësit e Policisë së Burgjeve. Gjithashtu, nga pensioni suplementar mund të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

“Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri apo vendimi të padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate si dhe koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim për motive politike, pas titullimit në karrierë nga personat që kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, – nënvizohet në ligj.

Përfitimet që jepen për kategoritë e sipërpërmendura llogariten në bazë të pagës referuese, e cila përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë apo funksion në datën e lindjes së të drejtës së një përfitimi. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion. Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. ISSH gjithashtu bën me dije se pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi kanë të drejtë ta marrin burrat mbi 47 vjeç që kanë jo më pak se 15 vite shërbimi si dhe gratë mbi 42 vjeç që kanë mbi 12 vite shërbim.

Të gjitha kategoritë e sipërpërmendura mund të përfitojnë pension pleqërie sipas ligjit, ndërsa ajo pjesë e kategorive e deklaruara si invalide mund të marrë pension suplementar të invaliditetit të plotë apo të pjesshëm. Ndërkaq, të gjithë ata ushtarakë apo policë të rënë në krye të detyrës, familja e të ndjerit mund të përfitojnë pension suplementar familjar. “Ushtaraku i shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i Shërbimit Informativ të Shtetit, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për kohën që për arsye shëndetësore bëhen të paaftë për punë, paaftësi e cila vërtetohet me raport mjekësor, marrin përfitime suplementare”, – citohet në nenin 8 të ligjit Nr.10 142. Ndërkohë, masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet: 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë, 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim si dhe 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.

Dokumentacioni
Personat e interesuar duhet të paraqiten në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin dhe të pajisen me dy format kërkese. “Një format-kërkese e plotësuar paraqitet në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë/lirim apo pension pleqërie. Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura dërgojnë në rrugë postare modelarin nr. 3 ‘Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese’ në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin”, – citohet në faqen zyrtare të ISSH-së. Ndërkaq, formatit tjetër të kërkesës, plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës e dorëzohet pranë ALSSH, ku individi ka vendbanimin. Por aplikantët duhet të bëjnë kujdes, pasi data e regjistrimit të kërkesës është tepër e rëndësishme. Personi që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Përveç kërkesës, të interesuarit duhet të bashkëngjitin edhe dokumentacionin përkatës. Kështu, për pension të parakohshëm, aplikanti duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit, deklaratë për punësimin (e përvitshme), vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave, vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive. Ndërsa për pensionin suplementar të pleqërisë e atë të invaliditetit, kandidati duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit.

Kategoritë përfituese

1. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë, nënoficerë, studentë ushtarakë dhe kursantë për nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie.
2. Punonjësit e Policisë së Shtetit kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).
3. Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentët dhe ushtarët, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion në pritje për riemërim në detyrë dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.8869, datë 25.3.2003 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo që kanë dalë në pension.
4. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, në marrëdhënie pune me këtë shërbim, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.
5. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).
6. Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit.
7. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.
8. Anëtarët e familjeve të personave të përmendur në pikat 1-7 të këtij neni.

Dokumentacioni

Për pensionin të parakohshëm:
– Fotokopje e kartës së identitetit
– Deklaratë për punësimin (e përvitshme)
– Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave
– Vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues
– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive
Për pensionin suplementar të pleqërisë:
– Fotokopje e kartës identitetit
Për pensionin suplementar të invaliditetit:
– Fotokopje e kartës identitetit
Për pensionin suplementar familjar:
– Certifikatë familjare
– Certifikatë e vdekjes së personit
– Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit
– Vërtetim për vazhdimin e shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik
Për pensionin suplementar familjar, kur ushtarakët humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj:
– Certifikatë familjare
– Certifikatë e vdekjes së personit
– Fotokopje e kartës së identitetit të përfituesit
– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.