Sociale

Mbi 4500 raste të raportuara për dhunë në familje në 2017-ën. Manastirliu: Shifrat, kambanë alarmi për të vepruar

14:00 - 06.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Gjatë vitit 2017-të, janë raportuar mbi 4500 raste dhune në familje, e si pasojë lind domosdoshmëria për forcimin e ligjit dhe mbrojtjen e grave të dhunuara. Kjo deklaratë është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në mbledhjen e parë për këtë vit, të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore.




“Mbi 4500 raste dhune në familje janë raportuar gjatë vitit të fundit, ndaj në cilësinë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore gjej rastin të adresoj në këtë tryezë të rëndësishme nevojën për të përshpejtuar ndryshimet që kemi propozuar në ligjin “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, për t’iu dhënë mundësi grave të dhunuara të marrin sa më parë mbrojtjen nga strukturat shtetërore”,-theksoi Manastirliu në fjalën e saj. Sipas statistikave brenda vitit 2017 janë raportuar plot 4543 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare ose 380 raste më shumë se viti i mëparshëm. Sipas ministres, shtimi i denoncimeve është tregues i rritjes së besueshmërisë së grave në organet përkatëse, por, nga ana tjetër, këto të dhëna janë një kambanë alarmi për vepruar sa më parë për të eliminuar këtë fenomen që çdo vit i merr jetën dhjetëra grave dhe vajzave.

Në këtë takim të Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore merrnin pjesë edhe zv/kryeministrja Senida Mesi, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që adresojnë çështjet e barazisë gjinore. “Ky takim i parë i Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore na bën bashkë në këtë muaj të veçantë, në muajin e grave, pak ditë para 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Një moment reflektimi për të gjithë, për të respektuar të drejtat e grave, për t’u angazhuar që çdo grua të jetojë në një mjedis pa dhunë, pa diskriminim dhe të ketë mundësi, të çlirojë potencialin që ka brenda vetes, sepse fuqizimi i një gruaje të vetme na fuqizon të gjithave, ndaj duhet të ngremë zërin për të drejtat tona jo thjesht dhe vetëm për të arritur kuotat e barazisë gjinore, që sigurisht janë me rëndësi, por për të garantuar që çdo grua të ketë shanse e mundësi të barabarta”, tha ministrja.

Buxhetimi gjinor
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se deri më tani janë bërë hapa domethënës përpara, të vlerësuar ndërkombëtarisht, për sa i përket barazisë gjinore. “Ne jemi vendi i parë në rajon, që ka përfshirë buxhetimin gjinor, si fond i posaçëm për të nxitur politikat me bazë gjinore në buxhetin e shtetit. Kështu, në buxhetin e vitit 2017, u parashikuan rreth 15 miliardë lekë ose 90.1 milionë USD për të mbështetur këto politika. Kjo shifër përbën rreth 2.3% të totalit të shpenzimeve buxhetore. Ne besojmë se punësimi është forma më e mirë për fuqizimin e gruas dhe ne kemi shënuar hapa përpara në këtë drejtim. Kështu, në fund të vitit 2017, nga të gjitha zyrat e punësimit rezultojnë të ndërmjetësuar për punë 23 136 persona, nga të cilët mbi gjysma (50.5 %) janë gra dhe vajza, duke e ulur hendekun gjinor me 2%. Nga zbatimi i programeve të nxitjes së punësimit janë punësuar mbi 5200 punëkërkues të papunë, nga të cilët 62% janë gra dhe vajza”,- u shpreh Manastirliu.

Kjo e fundit më tej nënvizoi se është propozuar përshpejtimi i procedurave ligjore dhe përcaktimi i afateve të qarta për kërkesat e urdhrit të mbrojtjes për gratë viktima të dhunës në familje; si dhe është propozuar të mos ankimohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes për t’iu dhënë mundësi grave të dhunuara të marrin sa më parë mbrojtjen nga strukturat shtetërore. Manastirliu shprehu bindjen se Këshill Kombëtar do të mbështesë përshpejtimin e këtyre ndryshimeve ligjore, por mbi të gjitha zbatimin konkret të këtyre masave, në mbrojtje të çdo gruaje që përballet me dhunën në familje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.