Kryesore

Skandali me listën fituese në portalin e infermierëve, emrat përsëriten disa herë

13:35 - 21.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pas publikimit të listës me emrat e kandidatëve fitues që aplikuan në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, janë konstatuar një sërë gabimesh që mund të ndikojnë edhe në penalizimin e aplikuesve.




Pas verifikimeve të listës nga “Gazeta Shqiptare“, si dhe pas ankesave të shumta të infermierëve, teknikëve të imazherisë, logopedistëve, e fizioterapistëve, rezultonte se në disa raste, emri i një kandidati rezultonte më shumë se një herë në listë, i pozicionuar në vende të ndryshme, me pikë të ndryshme.

Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë për mediat, bëri me dije dy ditë më parë se janë plot 1945 kandidatë që do të testohen, por mesa duket janë më pak se kaq, pasi emrat e kandidatëve përsëriten në të njëjtën listë, brenda të njëjtit qark. Kështu, është konstatuar se aplikanti Shqiponja Muharrem Ramadani (Haxhaj) rezulton në listën e kandidatëve infermierë për Qarkun Tiranë plot 5 herë, ku është pozicionuar në vendin e 187-të me 8.6 pikë, në vendin e 254 me 8 pikë, më tej me 7.9 pikë në vendin e 275-të, për të vijuar me vendin e 304-t me 7.5 pikë dhe së fundmi rezulton edhe në vendin e 464-t me 6.1 pikë në total.

Reagimet
Kjo ka ndodhur edhe me shumë kandidatë të tjerë, të cilët kanë kërkuar një shpjegim në lidhje me situatën e krijuar. “Unë si dhe shumë të tjerë, nuk jam e kënaqur me vlerësimin, sepse doli që tabela e vlerësimit nuk është bërë ashtu siç thanë. Unë personalisht jam vlerësuar me 10.1 pikë, por mendoja se do të vlerësohesha më shumë pasi kam 7 vite punë pa ndërprerje dhe automatikisht vetëm nga kjo pjesë kam 7 pikë. Ndërkohë, vlerësimi për notën mesatare varionte nga 5-10 pikë. Por me vlerësimin e këtyre i bie që mesatarja ime është vlerësuar me 3.1 pikë. Të shikojmë në vijim se çfarë do ndodhë, jetojmë në botën e çudirave”,-thotë për “Gazeta Shqiptare”, infermierja Nertila Laraku.

Ndërkaq, kreu i Shoqatës së Infermierëve të Shqipërisë, Elson Jaçaj tregon se reagimi i ministrisë erdhi fill pas publikimit të shqetësimit në “Gazeta Shqiptare”. “U duk qartë që reagimi i ministrisë ishte pas intervistës sime në “Gazeta Shqiptare” e në datën 15 mars nuk u nxor asnjë njoftim se kur do të shpallej lista e fituesve pasi ishte thënë para që do publikoheshin po me datë 15. Kur lista u shpall, doli një numër i vogël fituesish, as gjysma e aplikantëve. Nga lista e fituesve rezultoi që ata që kishin qenë në listën e parë të shpallur para disa javësh si të përzgjedhur; në këtë listë nuk figuronin fare. Disa kandidatë që nuk u rezulton emri te lista fituese po i marrin në telefon nga Ministria e Shëndetësisë duke u thënë që janë fitues, por për shkak të gabimit të sistemit nuk iu ka dalë emri”,-thekson Jaçaj për “GSH”.

Ky i fundit shton se kishte disa fitues që edhe pse kishin aplikuar vetëm në Tiranë, u kishte dalë emri dhe në qarqe të tjera dhe tashmë nuk dinë si të veprojnë. Të zhgënjyer flasin edhe infermierë të tjerë që kanë aplikuar në portal, të cilët theksojnë se ky proces nuk është aspak transparent. “Shpallja e fituesve në bazë të dosjes që kanë dorëzuar nuk janë marrë në shqyrtim, e kjo duket qartë tek disa aplikantëve që sapo janë licencuar dhe janë vlerësuar me pikë maksimale, ndërsa disa të tjerë që kanë dhe eksperiencë pune janë vlerësuar me pak pikë, ose nuk janë përzgjedhur fare për fazën e dytë. Aplikantët nga qytete të ndryshme nuk janë përzgjedhur në qytetet përkatëse, por ministria ka bërë një lëmsh duke i çuar si fitues në qytetet e tjera”,-thotë për “GSH” Ueda Ejbeja. Më tej kjo e fundit thekson se në momentin që doli lista e parë, rezultonte fituese si infermiere- mami në Fier, por te lista e dytë nuk rezultonte më fituese. “Në ministri më thanë se do njoftohesha në telefon për datën e provimit, dhe ishte mundësia e dytë për aplikantët që nuk ishin zgjedhur, nuk e prisnin që të hiqeshim ne që na shpallën fitues dhe të vendoseshin të tjerë nga disa herë”,-thotë e revoltuar infermierja për “GSH”.

Ueda Ejbeja / Portali, tallje me infermierët
Portali është “tallje” me infermierët e papunë, por korrupsioni në Shqipëri s’do zhduket kurrë. Nëse janë vërtetë siç thuhet, pra 420 vende pune të lira, askush s’do hyjë në punë falas, por me mik, parti dhe lekë; minimalisht kërkohen 3 mijë euro për t’u punësuar direkt me vendim ministrie “, – thotë Ejbeja.

Nertila Laraku / Vlerësim i gabuar
“Unë si dhe shumë të tjerë, s’jam e kënaqur me vlerësimin. Jam vlerësuar me 10.1 pikë, por mendoja se do vlerësohesha më shumë pasi kam 7 vite punë pa ndërprerje dhe automatikisht vetëm nga kjo pjesë kam 7 pikë. Ndërkohë, vlerësimi për notën mesatare varionte nga 5-10 pikë. Por me vlerësimin e këtyre i bie që mesatarja është vlerësuar me 3.1 pikë”, – thotë Laraku.

Bajame Plaku
“Në listën “Teknik imazherie”, unë isha pozicionuar në vend të 14-të me 9.7 pikë, dhe më poshtë në vendin e 58-të me 8 pikë. Kam çuar një dosje dhe emri ka dalë dy herë, e këtu vetëm 9 vende të lira ka. Si mund të bëjnë eksperimente të tilla me njerëzit?! Ky portal nuk është transparent. Janë shumë raste që emri është përsëritur disa herë”, – tregon Bajame Plaku.

Elson Jaçaj/ 95%, të zhgënjyer nga portali
“Nga anketimi që bëmë ne si shoqatë, mbi mënyrën e përzgjedhjes së dosjeve dhe besueshmërisë së transparencës mbi portalin; mbi 95% u shprehën të zhgënjyer dhe të fyer nga kjo mënyrë punësimi pasi kishte studentë me mesatare dhe me çdo kualifikim që rezultonin me pikë të ulta. Pra, përzgjedhja e fituesve do bëhet siç ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe: kush ka mik më të forte ose kush paguan më shumë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.