Kryesore

Pagesa e papunësisë, ja sa muaj e përfitoni në bazë të kontributeve të derdhura

14:20 - 22.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme programin mbi pagesën që kanë mundësi të marrin të gjithë personat e papunë që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj. “Përfitojnë të ardhura nga papunësia të gjithë personat e siguruar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 53, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”,-theksohet në vendimin e qeverisë. Përfituesit do të kenë mundësinë të marrin 50% të pagës minimale në shkallë vendi, në rastin kur plotësojnë kriteret e iu miratohet kjo e ardhur. Ndërkaq, në vendim bëhet me dije se personat që ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar; largohen nga puna me dëshirën e tyre; apo plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale, nuk mund të përfitojnë të ardhura nga papunësia.





Pagesa sipas kontributeve
Individët, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, u paguhet e ardhura e pagesës së papunësisë në varësi të periudhës së kontributit në sigurimet shoqërore. Kështu e përfitojnë 3 muaj pagesën të gjithë të papunët që kanë një periudhë kontributi, të paktën 1 vit si dhe 6 muaj personat me një periudhë kontributi të paktën 3 vjet. Ndërkohë individët që kanë një periudhë kontributive minimalisht 5 vjet, mund të përfitojnë nga pagesa e papunësisë për 9 muaj, e ata që kanë mbi 10 vjet kontribute e marrin këtë pagesë për plot 1 vit. “Personat gra mbi 55 (pesëdhjetë e pesë) vjeç dhe burra mbi 60 vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 (dymbëdhjetë) muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 (një) vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi. Për rastet e paraqitjes së kërkesave të përsëritura për përfitim, llogaritja e periudhës së kontributeve fillon me përfitimin e fundit të pagesës të të ardhurave nga papunësia”,-nënvizohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkaq, në këtë të fundit theksohet se individët, të cilët aplikojnë për të përfituar të ardhura nga papunësia, duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës, i cili përfshin një kërkesë për aplikim; librezën e punës; një dokument identiteti (fotokopje); si dhe një vërtetim për ndjekjen e arsimit të mesëm, për fëmijët në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, dhe për personat që ndjekin arsimin e lartë apo janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Ndërkohë, vetë zyrat e punësimit duhet të sigurojnë për secilin aplikues një certifikatë të gjendjes familjare; vërtetim nga dega e tatim-taksave se personi nuk është subjekt i regjistruar pranë këtyre organeve; si dhe një vërtetim nga dega e tatim-taksave ose e sigurimeve shoqërore se personi ka derdhur kontribute për periudhën e kërkuar.

Ndërprerja e pagesës

Të gjithë personave përfitues të pagesës të së ardhurës nga papunësia u ndërpritet përfitimi kur refuzojnë të punësohen ose të ndjekin një program punësimi të përshtatshëm, të ofruar nga zyra e punësimit; apo refuzojnë të marrin pjesë në kurse trajnimi dhe kualifikimi, të ofruara nga zyra e punësimit. Gjithashtu, kjo pagesë papunësie ndërpritet edhe kur përfituesit nuk paraqiten një herë në muaj; apo nuk plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar. Është detyra e përfituesit që të njoftojë brenda 5 ditëve në zyrën përkatëse në rastet kur gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, ky individ punësohet apo vetëpunësohet; apo ka ndryshime në gjendjen familjare (lindje apo vdekje). Gjithashtu, personi duhet të njoftojë edhe në rastet kur personat që ka në ngarkim të tij kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ata që studiojnë apo janë të paaftë (KMCAP) kanë mbushur moshën 25 vjeç. Në vendim theksohet se nëse nuk njoftojnë brenda këtij afati për rastet e sipërpërmendura, atëherë përfituesit duhet të kthejnë shumën e të ardhurave që kanë marrë në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore.


Masa e pagesës
Personat, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e së ardhurës nga papunësia, kanë të drejtë të marrin të ardhura shtesë familjare mbi masën e nivelit bazë, në masën 5% të të ardhurave nga papunësia, për çdo fëmijë në ngarkim, deri në moshën 18 vjeç, si dhe për personat që janë duke vazhduar studimet ose janë të paaftë (KMCAP), deri në moshën 25 vjeç. Shtesa familjare për çdo fëmijë, në masën 5% të nivelit bazë, nuk duhet të jetë më shumë se 30%. Fëmijët mbi moshën 15 vjeç (mosha minimale sipas Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë), të cilët janë në ngarkim të personit përfitues të së ardhurës nga papunësia dhe që nuk janë të përfshirë në sistemin arsimor, nuk do të përfitojnë shtesën familjare prej 5%. Në rastet kur prindërit janë të divorcuar me vendim gjykate, shtesën familjare e merr prindi që ka fëmijën në ngarkim, e në rastet e punësimit të përkohshëm gjatë periudhës së përfitimit të pagesës të së ardhurës nga papunësia, e ardhura e papunësisë merret me ndërprerje. Periudha, gjatë së cilës përfituesi merr pagesën e së ardhurës nga papunësia, njihet si vjetërsi pune, e siguruar për efekt pensioni pleqërie, familjar dhe invaliditeti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.