Sociale

Vetëm gjysma e personave me aftësi të kufizuar marrin pension invaliditeti

12:45 - 27.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rreth 141 mijë persona në vendin tonë rezultojnë me aftësi të kufizuara e vetëm 67.741 prej tyre marrin pagesë invaliditeti e madje kjo kategori has një sërë vështirësish në përfitimin e shërbimeve publike. Gjatë tri dekadave të fundit ka rezultuar se këta qytetarë kanë plot pengesa në sigurimin e arsimimit të përshtatshëm, formimin profesional, punësimin, lirinë e lëvizjes, krijimin e një jetese të pavarur, ushtrimin e të drejtave politike, si dhe aksesin në informacion e shërbime.




Ditën e djeshme, në qytetin e Lezhës u bë lançimi i projektit 3 vjeçar “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri”. Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ardiana Jaku, e Alessandro Angius, përfaqësues i Bashkimit Europian në Tiranë.

Ky projekt, i mbështetur nga BE, do të zbatohet në partneritet nga organizatat World Vision Albania, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, MEDPAK, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Brenda këtyre 3 viteve synohet të fuqizohen organizata të shoqërisë civile dhe 33 mijë individë në Berat, Korçë, Lezhë dhe Dibër. Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Alfrida Marku, e pranishme në këtë aktivitet bëri me dije se pjesë e familjeve të përjashtuara nga skema e ndihmës ekonomike, janë plot 100 të tilla që në përbërje të tyre kanë një pjesëtar me aftësi të kufizuara. “Në Lezhë më shumë se 1 mijë familje janë përjashtuar padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike e 100 prej tyre kanë në përbërjen e tyre persona me aftësi të kufizuara, të cilat përveç kësaj kanë një realitet social dhe ekonomik mjaft të vështirë, çka në mënyrë absolute nuk duhej t’i përjashtonte ata. Faktet tregojnë që kemi shumë familje të kualifikuara si përfituese, të cilat demonstrojnë një realitet social dhe ekonomik shumë më të mirë sesa ato të përjashtuara padrejtësisht”,-u shpreh Marku. Më tej kjo e fundit nënvizoi faktin se ndoshta nga ana e zyrës së punës ofrohet si alternativë punësimi në industrinë përpunuese, fasone, por harrohet nga ky institucion se përpara që t’i propozohet një qytetari një mundësi punësimi duhet detyrimisht të verifikohen kushtet fizike të punës dhe, nga ana tjetër, të hetohen saktë dhe qartë se sa respektohet paga minimale në këto vende pune.

Nga ana tjetër, drejtoresha e World Vision në Ballkanin Perëndimor, Eljona Boce Elmazi bëri me dije se 10.4% e fëmijëve në Shqipëri kanë një aftësi të kufizuar. “Në Shqipëri 10.4 % e fëmijëve kanë një aftësi të kufizuar. Sipas të dhënave të Censusit, 6.2 % e popullsisë në vend janë me aftësi të kufizuar. Këta fëmijë kanë nevojë të marrin shërbimet e specializuara sot në mënyrë që të tejkalojnë barrierat e të kenë një jetesë të pavarur” – u shpreh Elmazi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.