Homo Albanicus

Neofashizmi dhe “neo”-shqiptarët

15:49 - 03.04.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqipëria e ka ndarë hapur rrugën e saj me Fashizmin, qysh në Nëntorin e vitit 1944, kur vendi u pastrua prej këmbës së ushtrive të huaja. Asokohe, qëndrimi u nda dhe moralisht e ideologjikisht nga drejtimi që ndoqën disa nga qeveritë e saj kuislinge, që e përfshinë vendin në një Luftë inekzistente me Greqinë, nga ku në fakt nga trualli shqiptar u sulmua, por edhe nga ajo që shpalli vetë ushtria e Wehrmacht-it në Shqipëri, sipas të cilës forcat gjermane nuk ishin në luftë!!! Koha do të provojë se gjermanët janë në luftë me Shqipërinë dhe dy Operacione për pak e fshijnë krejt Lëvizjen Antifashiste.




Pasojat do të ndihen më vonë. Shqipëria do të luftojë me të gjitha energjitë diplomatike, por edhe me mbështetjen e aleatëve të saj të momentit, që t’i shpëtojë damkës pro-fashiste dhe të llogaritet në Koalicionin Fitues. Në Konferencën e Paqes të vitit 1946, Shqipëria do të përballet me një nga momentet më të vështira të historisë së saj të re, kur vihet në diskutim vokacioni i saj. Sikur të mos mjaftojë kjo, përfaqësuesi i lartë i delegacionit grek i citon Enver Hoxhës një shkrim fashist të shkruar prej vetë presidentit shqiptar të kohës. Pak muaj më parë, Kosova si pjesë integrale e saj, ka qenë dukshëm pro fashiste. Nga atje ka raste deportimi hebrenjsh(shifrat duhet të rikonsiderohen me kujdes), por më shumë se kaq lulëzon një nga organizimet naziste më të frikshme. Pasojat e divizionit famëkeq “Skandërbeg” do t’i ndiejnë në kurriz të tyre vetë shqiptarët, këndej e andej kufirit por edhe krejt Lëvizja Anti-fashiste.

Në këtë të fundit është për t’u habitur sot vetë zelli i Shqiptarëve për ta çbërë atë që u bë me aq mund, por edhe harrimi ndaj blatimit të Fuqive të Mëdha për luftën ndaj Fashizmit. Shqipëria, vërtetë, ishte një aleat i vogël, por gjithsesi dashamir dhe që luftoi në vendin e saj me një kosto jashtëzakonisht të madhe. E para ishte humbja e madhe njerëzore dhe e dyta humbjet gati katastrofale sa i përket infrastrukturës.

Sot, gjithçka është zvogëluar dhe mënyra sesi mësohet në shkollë Lufta e Dytë Botërore dhe kontributi i Shqipërisë, lë shumë për të dëshiruar, për të mos thënë që po bjerret. Pasardhësit e njerëzve që s’kanë lidhje me kontributin e shqiptarëve të thjeshtë, atyre partizanë, por edhe atyre të pastër nacionalistë në L2B, duket sikur janë në garë për të zvogëluar gjithçka dhe madje duke hedhur poshtë çfarë të munden. Fillimisht karakterin e luftës, pastaj vetë kontributin. Çuditërisht, një gabim të tillë bëri lideri socialist i vendit pas Çlirimit. Enver Hoxha me shpurën e vet i vuri dërrmën çdo gjëje pozitive dhe përparimtare në vend, që ishte arritur deri më atëherë. Megjithatë, jo deri në fund, ndërkohë që Hoxha shtoi edhe një gabim. Megjithë dërrmën që mori Fashizmi, ai nuk e ndau dot trashëgiminë e tij dhe shumë njerëz që kishin shërbyer ditën të konvertoheshin mirë dhe me të.

Historianë dhe dëshmi të ndryshme kanë dhënë një mori emrash komunistësh të konvertuar prej fashistëve më aktivë të kohës. Në ato që janë shqyrtuar dhe nga ndodhitë në Bashkimin Sovjetik u pa se Komunizmi kishte shumë paralelizma me Fashizmin. Rasti i Shqipërisë ishte edhe më specifik. Presidenti i parë i vendit Omer Nishani, në vitet e para të fashizmit, ishte anëtar i Këshillit të Shtetit dhe shumë aktiv me shumë shkrime në shtypin e kohës ku e lavdëronte doktrinën fashiste dhe bash fjalët e tij do i kujtojë Caldaris, përfaqësuesi grek në Paris delegacionit shqiptar, që nuk pitëtin nga sikleti i pafundëm.

Vetë kolaboracionistët shqiptarë asnjëherë  nuk luajtën pastër. Dy qeveritë e para që ndoqën njëra-tjetrën e Shefqet Vërlacit dhe ajo e Mustafa Krujës, që erdhi në dhjetor 1941, do mbahen mënd jo thjesht për servilizmin, por arsyet pa bosht që pranuan të bënin mbështetjen e tyre. Më shumë të motivuar ishin për problemet e tyre sesa kishin në kokë imazhin e Shqipërisë, siç mundohen sot t’u mveshin njerëzit, që po i rehabilitojnë. Madje, Kruja një erudit dhe studiues i vlerësuar do të mbahet mënd për fjalën e tij si kryeministër në “Campidoglio”, të gjatë gati dy orë. Një hyrje tipike e leksikut dhe sintaksës fashiste: “Asht një nder dhe përgjegjësi e madhe për mue të hypi në këtë kodër fatlume, të flas në mes të foreve prej Rome Sovrane, Nanë e Mësuese, Triumfuse. Rendi i ri, dëshiri ma i flakt, i njerëzimit që vuen, mishërim dhe zbatim i një plani hyjnuer, i pregatitun dhe i lajmëruem nga njeriu providencial Benito Musolini, krijusi i qytetërimit të ri fare origjinal, i cili asht traditë dhe përnjëheri revolucion”…Gjithsesi trendi po përvijohet. Në deklaratën që bënë tri Fuqitë e Mëdha të koalicionit antifashist ShBA, Anglia dhe BRSS më 17 dhjetor 1942 për rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur pas lufte, janë të parashikuar të gjitha. Pathosi i Krujës do të bjerë shpejt, kur me zgjuarsinë e tij e kupton se gjërat nuk janë fare kështu, siç ai mendonte se do të ishin, teksa Fashizmi merr tëposhtë. Njësoj si ai, në krahun e kundërt, e në shkrime që janë zbuluar sidomos pas viteve ’90 janë akuzuar një varg shqiptarësh, që do të mbajnë poste të larta:  Ramiz Alia, Kahreman Ylli, Qazim Kondi, apo shkrues si Aleksandër Xhuvani, Pollo, Anton Mazreku, Haki Stërmilli etj., do përfliten për kontribute fashiste. Madje, aludohet edhe për vetë Enver Hoxhën në një përfshirje të tillë, që s’janë provuar.

Në fund, ajo që nuk mund të mohohet është lufta e Shqiptarëve ndaj Fashizmit, por edhe tollovitja e tyre, lindur fillimisht mu në gjirin e tyre. Duket se një frymë e re po lind në kohën tonë dhe në emër të demonizimit të çdo gjëje të shkuar, po merr jetë dhe shuarja e antifashizmit nga një perspektivë që mban pak era e një neo- fashizmi të kohëve tona. Ndoshta do një hulumtim shkencor për të kuptuar sensin, ideologjinë dhe pikat e kontaktit të kësaj fryme, por mohimi i luftës, relativizimi i të keqes dhe zhurma për të larguar vëmendjen tregon që në Shqipëri diçka vërtetë realisht nuk shkon. Paçka se Shqipëria mbetet krenare për atë që bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore me mundësitë e saj modeste.

Nuk duhet të harrojmë edhe faktin se rrymat që duan të ngjallin Fashizmin duken gati me një trend pan-evropian që presin të ngjallen pas kaq vitesh “heshtje” dhe letargjie të diktuar. Për fat të keq, fryma po duket dhe në Shqipëri nga kinset e pafund, që të fusin në qerthujt e fjalëve dhe mbrojnë në çdo hap punën e tyre. Duke harruar se Shqipëria e ka ndarë udhën me Fashizmin prej dekadash. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.