Kryesore

Endërrime të pamundurish/ Argjendi: Përse nuk e gjuaj dot topin fort?

14:10 - 30.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatos Baxhaku – Jemi nisur për në Dragostunjë, një fshat afër Librazhdit. “Afër” është një fjalë e madhe, sepse vetëm pak minuta më pas do të shohim vërtet se sa afër jemi nga vendi për ku jemi nisur. Na shoqërojnë dy zonja nga qendra e Librazhdit të “World Vision”, një shoqatë ndërkombëtare humanitare që është në pararojë të ndihmës, për fëmijët në nevojë, për fermerët që duan të ecin përpara. E dimë se fjala kyç do të jetë varfëria, por atë e harrojmë hë për hë, teksa një diell i vakët pranveror bie mbi sheshin kryesor të qytetit. Një vajzë e re afër nesh porosit: “Një kapuçino me qumësht të ftohtë, të lutem çuni sa më shpejt!” dhe nxjerr me padurim paketën e cigareve. Dikush i ka thënë që cigarja nuk pihet esëll dhe ka bërë mirë.




Një bust i bronztë, me qëndrimin tradicional krenar të heronjve në gjysmëprofil, shikon shpërfillës kalimtarët që i gëzohen pranverës. Ka të drejtë të jetë krenar. Ai masiv bronzi përfaqëson kujtimin e Gjergj Arianit Komnenit, kryetrimit arbër që nisi kryengritjet antiosmane që në 1433. Asokohe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, më pas dhëndri i tij, ende ishte nën hyqmin e Muratit II. Do na e kishte dashur ënda të merreshim më shumë me historinë e bronztë të Arianitit, që u bë i famshëm më shumë me emrin Gjorg Golemi, qëkurse profesor Dhimitër Shuteriqi i mblodhi bëmat e tij të kënduara brez pas brezi nga të moçmit ndër shkrepat e largët të Librazhdit, mirëpo puna është punë dhe ne kemi ardhur këtu me një objektiv të qartë: si punohet në Librazhd për të zbutur sa më shumë plagët e njerëzve më të pamundur të shoqërisë. Ata janë fëmijë të sëmurë, të varfër, shumë herë të izoluar ndër rrëpira shkrepash, me prindër të papunë.
Projekti që lufton këtë plagë mban emrin e mbarë “Tungjatjeta”. Është ndër përshëndetjet e pakta të shqipes, që nuk mund të përkthehet fjalë për fjalë në gjuhët e huaja, njësoj sikur të vijë nga një kohë tjetër, nga një kohë kur njerëzia u vinte shpatullat bashkërisht halleve. “Projekti ‘Tungjatjeta’ – thotë Donika Qelemeni, koordinatorja e tij në Librazhd – ka si qëllim që të krijojë grupe komunitare me qëllim që t’u vijë në ndihmë fëmijëve me aftësi të kufizuar në bashkitë Librazhd dhe Prrenjas”.

Bashkë me Donikën e lemë pas shikimin hijerëndë të Gjorg Golemit dhe nisemi për në Dragostunjë. Në të njëjtën kohë me ne, por nga një rrugë këmbësorësh më të shkurtër, nxiton për në shtëpi edhe Astrit Çela, i cili shumë shpejt do të bëhet një nga protagonistët e kësaj historie.
Zhgënjehemi pak nga ideja e të qënit afër, sepse rruga mbi të cilën ecën me mund makina jonë është diçka mes shtegut, dheut të ngjeshur, gurëve të rënë nga lart dhe disa përrenjve që çajnë përmes xhadesë së shtrembër dhe pastaj disa vende të tjera, ku rruga tashmë është veçse një kujtim. Teksa makina kolovitet duke rënkuar, na kujtohet se në këto anë Dragostunja konsiderohet edhe si “fshati i hoxhallarëve”. Që këndej është Ylli Gurra, myftiu i Tiranës. Kur në betejën pa fund kundër varfërisë, ndonjërin nuk e ndihmon as Allahu vetë, atëherë ai gjen rrugë të tjera. I tillë ishte rasti i një 24-vjeçari, të cilin të gjithë e dinin në shkollë, por ai ishte rreshtuar në radhët e xhihadistëve në Siri. Vetëm kur ai u vra në 2014, fshati u kujtua për familjen besimtare Balliu, e cila ishte shkulur që këtej e kishte vajtur diku në Arabi.

Më në fund, poshtë gjelbërimit të harlisur, dallojmë shtëpitë e lagjes “Çela”. Astriti, i zoti i shtëpisë, ka mbërritur para nesh, falë rrugës së shkurtër këmbësore. Duke dihatur, na prin për në shtëpinë e tij. Jashtë në oborr, një top futbolli vazhdon të rrokulliset në një si vijë uji, shenjë se dikush po luante këtu para pak minutash. Nga brenda mezi arrijmë të dëgjojmë pëshpërima të shkëputura. Donika e “World Vision” është këtu si në shtëpinë e vet. Ia kemi zili lirshmërinë e saj teksa mundohemi të mësohemi me ambientin në të cilin porsa kemi hyrë. Jashtë dielli i mesditës ka nisur të shkëlqejë fort, ndërsa brenda është një vapë mbytëse, e përzier me erën e njohur të lagështirës. Një sobë me dru bubullon në mes të dhomës, pastaj dallojmë me radhë Diturinë, nënën e fëmijëve, dhe dy vëllezërit, Argjendin dhe Eduartin, me fytyra të qeshura, por me gjymtyrë të përçudnuara. Të dy vuajnë nga distrofia. Më rëndë është, Argjendi, 11 vjeç. I vëllai, 9 vjeç, qëllon që shkon nganjëherë në shkollë. Kur nuk bie shi, apo nuk bën ftohtë, ai nis rrugën e mundimshme drejt dijes, ashtu, duke çapitur me mund përmes hendeqeve, shkurreve, pengesave lloj-lloj. I duhen dy orë në këmbë për t’u ulur në klasë bashkë me shokët.

Kjo familje është e goditur drejt e në zemër. Teksa dy vëllezërit luajnë me një lodër elektronike, të falur kush e di se nga kush, Dituria, e ëma rrëfen historinë: “Unë kam pasur e kam një jetë të vështirë – nis të flasë ngadalë ajo – jam nga një fshat i Peshkopisë. Atje u martova. Linda një djalë, Danielin. Në Dibër njerëzit punojnë. Një lloj jete normale atje mund ta kesh, ndryshe nga këtu. Mirëpo fati i keq e desh që të ma vrasin burrin. Kështu që mbeta vetëm me djalin. Në ato anë punonte Astriti, ky mu qep, o do martohej me mua, o s’ka. Si përfundim, u martova sërish dhe erdha këtu. Këtu më bëri përshtypja lagja. Kishte shumë të sëmurë. Njerëzit rrinin vetëm dhe pa bërë gjë. Danielin, djalin e madh, e çova në jetimore. Ai u rrit më shumë atje. Vinte na shihte ndonjë fund javë e kaq. U bë goxha djalë. Pastaj në Elbasan linda Argjendin. Jam tmerruar. Djali nuk ecte, zvarritej në dysheme sikur të ishte një bretkosë. Gjunjët i bëheshin gjak. Ky u rrit kështu, duke u zvarrit më tepër. Disi më lehtë, por edhe Eduarti të njëjtin problem ka. Kur jetonim në Elbasan, linda edhe dy vajza. Tani ato janë 10 dhe 4 vjeç dhe rriten në jetimore në Elbasan, në një nga ato që mban kisha atje. I sjellin herë pas here dhe na e gëzojnë shtëpinë. Shkojnë shumë mirë me mësime. Po rriten mirë”.
“Po rriten mirë, po rriten mirë…”, përsërit Dituria me sytë e ngulur mbi një gardh të rrënuar, që duket përtej dritares. Pastaj nis një heshtje e gjatë. Vetëm dy djemtë me sytë e tyre vezullues janë kripa e muhabetit. Si të gjithë bashkëmoshatarët, ata admirojnë Mesin, Ronaldon. Ëndrra e tyre është që të bëhen futbollistë, madje me nam. Njeri prej tyre sjell me krenari topin e futbollit të harruar në vijën e ujit. E ëma përhumbet në fatin e saj, ndërsa trazon një tenxhere me fasule mbi sobë, menunë e vetme të kësaj shtëpie. Pastaj, bashkë me të bëjmë një shëtitje në këtë trishtim të madh. As dielli, as gjelbërimi i thellë i pranverës, as lulet e porsaçelura nuk na e largojnë dot psherëtimën e gjatë të Diturisë. “Ja kjo është dhoma e gjumit me demek – bën ajo me gisht mbi disa pllanga të frikshme lagështie – atje në fund të oborrit është ajo që ne e quajmë banjë”. Vendosim që këtë banjën ta shohim më mirë nga larg. Ajo flet vetë, nuk ka nevojë për detaje të tepërta.

Për dibranen fjala Elbasan është e mbështjellë me një lloj magjie. Është sikur dikujt t’i përmendësh parajsën: “Në Elbasan kishim një shtëpi me qira. Ishim mirë. Vajzat i kishim afër. Ajo që më bënte përshtypje ishte se njerëzit silleshin mirë me ne. Na përshëndesnin me edukatë, bënin shaka me fëmijët, dyqanxhinjtë na ndihmonin. Djemtë i nxirrja në park ku rrinin me bashkëmoshatarët e tyre. Me gjithë hallet e shumta, e ndjeja veten njeri. Kurse këtu… e shifni vetë. Tani vuaj nga depresioni i thellë, jam me ilaçe. Jam shtruar shumë herë në spital. Më duket sikur nga një herë më zihet fryma, më vjen të bërtas, të ulëras aq fort saqë zëri im të shkojë drejt e te Zoti. Pastaj rrëzohem përdhe e nuk kam më fuqi për asgjë. Ah, sikur të ishim edhe një herë në Elbasan…”.


Nuk thonë kot, secili për hallin e vet, ose shprehja fort e bukur popullore: Dy duar për një kokë. I nxitur nga kjo dije kombëtare, një burrë shfaqet në dhomën e trishtë. Është serioz dhe shtrëngon fort nën sqetull një dosje. “Ah po, ju jeni ata të debateve televizive – ia këput kot – tani, shyqyr që erdhët. Ne duam që të na zgjidhni punën e rrugës. Ju e shifni vetë varfërinë këtu. Ne kemi nevojë të jetojmë si gjithë të tjerët. Unë kam dashur të shkoj edhe te ‘Fix-Fare’, por kam besim te ju. Vërtet që kam shumë respekt”. Duke shtrënguar disi dhëmbët, Donika i shpjegon me durim se nuk jemi as të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe as të debateve televizive, porse kemi ardhur thjesht për të takuar fqinjët e tij në fatkeqësi. Njeriu me dosje zhgënjehet ca dhe kthehet në rrugë, atje ku duket vila e tij e madhe vezulluese, të cilën ia ka ndërtuar djali nga emigracioni. Me siguri që ka menduar: “Ah, këta janë ata që merren me të varfrit. Këta nuk e nxjerrin qimen nga qulli”. Gjithsesi ai bëri mirë që iku, sepse kështu do të luajmë pak futboll me djemtë. Argjendi i ngratë bën mund të godasë topin që ia lë me bujari i vëllai. Fiton Argjendi, që e lëshon topin në trekëndëshin mes kuzhinës dhe dhomës së gjumit. Ngre supet kur i themi se ka bërë një gol si Ronaldo kundër Juves. E di edhe vetë që nuk është e vërtetë. Është i kthjellët, i qartë, i ndershëm në dhimbjen e tij të harruar në atë përrua të Dragostunjës. Ka ardhur koha për t’u kthyer. Djemtë përqafojnë Donikën si ta kishin një motër të madhe. Deri më tani vetëm ajo dhe kolegët e saj janë dukur në këtë shtëpi të dhimbjes.
Babai Astrit dhe fqinji, “njeriu me dosje” që tani është pa dosje, përfitojnë nga karroceria e makinës sonë për t’u kthyer në Librazhd. Me siguri kanë lënë ndonjë bisedë me rëndësi për të përfunduar në lokal. Ndërsa kolovitemi sërish në xhadenë e Dragostunjës shohim siluetën e Diturisë, që rri si e ngrirë, me portretin e drejtuar nga qielli, deri sa në një kthesë të fortë na humbet fare nga sytë.
(Për këtë shkrim bashkëpunoi “World Vision”)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.