Kryesore

Dy vjet “luftë” me kancerin e gjirit, 56-vjeçarja: Ia dola dhe me lekë borxh

12:45 - 04.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ylvie Tivkina: Disa analiza nuk ofroheshin në shtet, kam paguar 200 mijë lekë te privati, “Mungonte herceptina, e kam pritur me ankth deri në dy muaj”




Me një buzëqeshje që e karakterizon e sy plot jetë, të gdhendur në fytyrën e zbehtë, ajo qëndron para derës së Onkologjikut në Tiranë duke pritur dozën e radhës të herceptinës. Tashmë ndihet më e fortë se kurrë, më e gjallë se asnjëherë më parë pasi ka fituar me sukses betejën me armikun që kurrë nuk e kishte imagjinuar se do e pushtonte trupin e saj. Ajo quhet Ylvie Tivkina e në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” rrëfen të gjitha pengesat që i është dashur të kalojë në luftën kundër kancerit të gjirit, por dhe kundër sistemit shëndetësor që nuk iu gjend aq pranë sa duhet në momentet e vështira. 56-vjeçarja nga Durrësi më tregon se pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e masës tumorale, nisi kimioterapinë, por thekson se asnjëherë nuk ka mundur të marrë në kohë medikamentin e herceptinës për shkak të mungesave e shton se pritjet plot ankth për këtë ilaç shkonin deri në dy muaj. Ylvia më tej rrëfen se në luftën e saj kundër kancerit të gjirit i është dashur shumë herë të marrë para borxh, pasi analizat që i ofrojnë vetëm klinikat private, kushtonin deri në 200 mijë lekë të vjetra, por për të çdo sakrificë në këmbim të jetës është e papërfillshme, pasi të jetosh ka vlerë mbi gjithçka tjetër.

Sa vjeç jeni dhe kur jeni diagnostikuar me kancer gjiri?
Unë quhem Ylvie Tikvina, jam 56 vjeçe dhe jetoj në qytetin e Durrësit. Në shkurt të vitit 2016-të jam diagnostikuar me kancer gjiri.

Cilat ishin disa nga simptomat që kishit para se të kryenit kontrollet përkatëse?

Në fillim kisha dhimbje të gjirit dhe kjo dhimbje sa vinte e më shtohej. Në momentin që bëra mamografinë aty mora vesh të vërtetën e tmerrshme, u zbulua që jam me kancer!
Në cilin stad të sëmundjes arritët të diagnostikoheshit?
Unë u diagnostikova në stadin e dytë të sëmundjes.

Si e përjetuat momentin kur mësuat që jeni prekur nga kanceri i gjirit?
Nuk arrij ta përshkruaj dot me fjalë pasi nuk ka nevojë për to…Por mund të them që u ndjeva e shkatërruar totalisht. Por gjendja e vështirë ekonomike nuk më la shumë të mendoja për pasojat shëndetësore apo dhe psikologjike, por qaja hallin e parave. Ajo që mendoja tërë kohës ishte vetëm “vdekja”.

A i jeni nënshtruar ndonjë operacioni për heqjen e masës tumorale?
Po. Kam bërë operacionin për heqjen e masës tumorale. Pa kaluar ende një muaj vazhdova me trajtimet e kimioterapisë. Deri më tani kam bërë 8 të tilla dhe ishin shumë të forta. Që në momentin që bëra kimion e parë më kanë rënë flokët. Nuk e doja më veten, kam kaluar situatë shumë të vështirë dhe ende po vazhdoj trajtimin. Para 3 ditësh kam marrë herceptinën e fundit.

Si është shërbimi i ofruar nga Onkologjiku, a ka pasur mungesa medikamentesh?
Nuk kam mbresat më të mira nga Onkologjiku. Mungesa e medikamenteve na ka lodhur pafund. Unë kam kaluar një situatë të vështirë për bërjen e herceptinës, nuk e kam bërë asnjëherë në kohë. Për ta blerë vetë nuk mundesha, sepse kushton shumë shtrenjtë. Pasi kalonin 21 ditë nga bërja e herceptinës së fundit, rrija çdo ditë në ankth me shpresën se kur do më binte telefoni dhe pse kjo pritje kishte raste që kalonte dhe dy muajt, sepse ne njoftohemi nëpërmjet telefonit për të bërë këtë ilaç.

A keni shpenzuar para për trajtimin e sëmundjes?
Para kam shpenzuar shumë, sepse unë nuk jetoj as në Tiranë, jetoj në Durrës. Kam djalin që punon dhe ai më ka ndihmuar dhe pse nuk ka ndonjë rrogë kushedi se çfarë. Na është dashur dhe të marrim borxh. Kam marrë shumë herë borxh, sepse ndonjëherë duhet të bëja analiza të cilat bëheshin vetëm në klinikat private dhe kushtonin shumë shtrenjtë. Më është dashur të paguaj edhe 200 mijë lekë të vjetra vetëm për një analizë. Këto janë situata tejet të vështira që i kam kaluar, por dua të jetoj e jeta ka vlerë mbi gjithçka. Në familjen time vetëm djali punon, por me shumë sakrifica dhe mundim, sepse është tepër e vështirë. Në shumë raste tim biri i është dashur të lërë punën që të më çojë në Tiranë, sepse atje vetëm unë nuk ia dal dot me letrat e dokumentet që duhen, sepse ka shume fluks sidomos kur është dhe dita e marrjes së ilaçit të herceptinës, që situata shndërrohet në një katrahurë të vërtetë.

Mund të thoni diçka për shërbimin nga ana e mjekëve?

Mjekët te Onkologjiku nuk janë të këqij, por aty shkon gjithë Shqipëria dhe ka shumë fluks. Ata duhet të përballen çdo ditë përtej kapaciteteve që kanë për të përballuar një numër të caktuar pacientësh.

Analizat në privat

“Na është dashur dhe të marrim borxh. Kam marrë shumë herë borxh, sepse ndonjëherë duhet të bëja analiza, të cilat bëheshin vetëm në klinikat private dhe kushtonin shumë shtrenjtë. Më është dashur të paguaj edhe 200 mijë lekë të vjetra vetëm për një analizë. Këto janë situata tejet të vështira që i kam kaluar, por dua të jetoj, e jeta ka vlerë mbi gjithçka”,-thekson 56-vjeçarja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.