Kryesore

“Askush të mos mbetet pas”, një ditë mes fëmijëve me aftësi të veçanta

09:30 - 28.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Darina Tanushi – Kledisi, Odisea, Enkelejda, Sirini janë vetëm pak nga ata që i ka bashkuar Qendra Multifunksionale për fëmijët me aftësi të veçanta në Pogradec.




Secili prej tyre ka talentin e tij. Muret e qendrës ditore, që ka gati një vit që është tjetërsuar dhe rikonstruktuar me mbështetjen e PNUD dhe mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane, e demonstrojnë këtë më së miri. Piktura, punime dore mjaft të veçanta vërtetojnë pikërisht atë, që rreth 46 fëmijë që frekuentojnë këtë qendër kanë secili nga një dhunti në art. Sirini është piktori i vogël i qendrës, i cili na pret mjaft mirë, edhe pse hymë të paftuar në dhomën ku ai kishte seancën e radhës. I qeshur na shpjegon ato çka ka bërë me plastelinë.

Një tjetër e re që shkon çdo ditë në qendër është Enkelejda, e cila në dialektin e zonës na thotë: “Unë jam Enkelejda. Vij në mëngjes, mësojmë bëjmë byzyyçka, këndojmë kërcejmë”, dhe vërtetë së bashku me mësuesen, zërat e një grupi të rinjsh ushtuan për pak minuta nga një këngë. Por, në anën tjetër prindërit me gjithë lehtësimin që kanë marrë pas rikonstruksionit të qendrës, kanë ende kërkesat e tyre. Madje, në sytë e nënave që kishin ardhur për të marrë fëmijët ka lot dhimbjeje për fatin e fëmijëve të tyre.

Nëna e Odiseas, mes syve të përlotur thotë se ai “ka filluar të jetë më i qetë, ka dëshirë të këndojë, të lexojë. Do edhe ai të bëhet si të tjerët”. Një tjetër nënë shprehet për kushtet që ishin më parë në këtë qendër, të vështira e me myk. Ndërsa drejtoresha e qendrës, Anila Bedri thotë: “Qendra është në shërbim të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara nga mosha 4-38 vjeç. Kemi dy grupe të rinjsh, i pari nga mosha 15-18 vjeç dhe i dyti nga mosha 18 vjeç e lart. Aktualisht marrin shërbimin tonë 48 fëmijë. Shërbimet janë falas dhe ofrohen si paradite dhe pasdite, pasi ka fëmijë që frekuentojnë shkollën paradite dhe pasdite marrin shërbimin në qendër”. Ofrohen terapi individuale, grupi, terapi mësimore si dhe zhvillimi e aftësitë fizike. 11 profesionistë mbështesin fëmijët dhe të rinjtë në: zhvillim dhe edukim, mësim, riaftësim fizik, terapi pune, apo seanca këshillimi. Programi që është titulluar “Askush të mos mbetet pas”, në një vështrim të përgjithshëm është një shpresë e re për shtresën e personave me aftësi të veçanta në Shqipëri.

Vetëm në rajonin e Pogradecit janë rreth 500 të tillë, por vetëm 10% e tyre marrin një shërbim të specializuar dhe trajtimin e duhur. Ndërkohë, bazuar në këtë program ka ndërhyrje në 18 bashki të vendit. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, ka menduar një plan për ata fëmijë që janë në zonat rurale dhe nuk kanë mundësinë të vijnë çdo ditë pranë qendrës. “Në planet tona është të ofrojmë specialistë që të jenë sa më afër këtyre zonave. Por, që kjo qendër të shtrijë aktivitetin për të gjithë është realisht e pamundur”, u shpreh Kapri në takimin me gazetarë, duke na shpjeguar edhe diçka mbi funksionimin e reformës territoriale në bashkinë që drejton.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.